1,5 milionë euro arrijnë vjedhjet në autostradë

0
294

Vjedhjet në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, edhe më tutje nuk kanë të ndalur, deri më tash vlera e dëmeve të shkaktuara ka arritur në më shumë se 1,5 milionë euro.

Mirëpo, intensiteti i vjedhjeve edhe më tutje nuk ka të ndalur, e ku si pasojë e vjedhjes së kabllove të ndriçimit, por edhe rrethojave të ndryshme, jeta e qytetareve po vihet në rrezik.

Lah Nitaj, zëdhënës në Ministrinë e Infrastrukturës(MI), thotë se dëmet e shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm si pasojë e vjedhjeve në autostradës janë shumë të mëdha.

”Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Shuma e dëmeve sillet diku deri në 1.5 milionë euro. Përveç aspektit material e financiar, ky është një dëmtim i rëndë i imazhit të rrugës së kombit dhe vendit në përgjithësi”, tha ai për gazetën “Zëri”. Më tej, ai tha se janë vjedhur të gjitha kabllot elektrike, të cilat sipas tij janë shumë të kushtueshme.

Nitaj bëri të ditur se në tërë gjatësinë e autostradës janë dëmtuar shtyllat elektrike, e ndërkohë janë vënë re edhe vjedhjet e rrethojave (rrjetave të thurjes) përgjatë autostradës.

Sipas tij, personat e papërgjegjshëm nuk kanë lënë pa dëmtuar as trafo që furnizojnë me energji ndriçimin e autostradës.

“MI-ja, nuk ka mjete për riparimin e këtyre dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e vjedhjes. Nuk kemi mjete për riparimin e dëmeve, sepse një gjë e tillë ka qenë e paparamenduar, por edhe sikur t’i kemi mjetet vështirë se mund të investojmë pa u identifikuar dhe dënuar keqbërësit në mënyrë që të sigurohemi se e njëjta situatë nuk do të përsëritet”, tha ai.

Ndërkaq, në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, tregojnë për “Zëri”, se deri më tash në rajonin e Prizrenit gjatë vitit 2013 janë raportuar gjithsej 18 raste te vjedhjeve, në të cilat raste janë arrestuar gjithsej 19 persona.

Sipas tyre, personat e papërgjegjshëm kryesisht kanë vjedhur shtylla elektrike dhe materiale te ndryshme si puseta, të plastikës etj. Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha se në disa prej këtyre rasteve është bërë identifikimi i personave të dyshuar dhe arrestimi i tyre.

“Natyrisht të gjitha këto raste po trajtohen nga ana e policisë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të involvuar në këto raste”, shtoi ai.
Më tej, ai tha se edhe në rajonin e Prishtinës ne periudhën e fundit kohore ka pasur disa raste te vjedhjes së pasurisë të cilat janë paraqitur në stacionin policor Veriu, e që kanë ndodhur në segmentin e autostradës Morinë – Besi.

Sipas tij, kryesisht vjedhjet në këtë pjesë të autostradës, janë vjedhur gjeneratorë, goma si dhe derivate. Sipas Policisë së Kosovës, edhe në zonën e përgjegjësisë së stacionit Policor të Suharekës janë raportuar gjithsej 10 raste të vjedhjeve në vitin 2012 dhe 2013 prej tyre 6 raste tani më janë dërguar në Prokurori me kryes të njohur. Me tej, ai tha se edhe rastet tjera janë nën hetime nga ana e hetuesve policorë.

 

Nga: Resmije Ballazhi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu