1,5 milionë euro për kompaninë e ministrit Ismajli

0
381

imageKompania “Komtel” e themeluar nga ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, (MZHE), Fadil Ismajli, para pak kohësh ka përfituar edhe një tender prej 1,5 milionë eurosh nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe i Tregut (KOSTT).

Kjo kompani, e cila nga po ky institucioni që deri vonë është udhëhequr nga vetë Ismajli ka përfituar edhe tenderë të tjerë prej më shumë se 10 milionë eurosh.

Në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se fitues i tenderit “Përfshirja e të gjitha ndryshimeve në nënstacionet ekzistuese dhe inkorporomi i nënstacioneve të reja në SCADA/EMS në Qendrën Dispeçerike dhe në Qendrën Emergjente Dispeçerike”, LOT 2: Freskimi dhe sendërtimi i SCADA/EMS sistemit në KCS dhe EKCS është konsorciumi “ALSTOM GRID SAS & KOMTEL”, e ku vlera e kontratës është 1,564.422.40 euro.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Ismajli është hetuar nga institucionet vendore edhe ato ndërkombëtare për favorizim të kompanisë së themeluar nga ai, por hetimet e nisura kohë më parë deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

Ministri në largim është dyshuar për keqpërdorim të pozitave që ka mbajtur tash sa vjet me radhë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe së fundit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Kompania e themeluar nga ai, e cila tashmë është në emër të Vegim Gashit “Komtel” varësisht nga posti zyrtar që ka marrë Ismajli ka ndryshuar edhe veprimtarinë e saj, duke iu përshtatur kështu kompanisë publike që ka udhëhequr ai.

Tenderët janë dhënë për veprimtari të larmishme prej furnizimit me kompjuter, mirëmbajtje të softuerëve, furnizim me njehsorë e shumë të tjerë, që s’kishin të bënin asgjë me veprimtarinë fillestare, që kishte pasur ky biznes. Pas emërimit nëpër pozita zyrtare disa vite më parë, Fadil Ismajli, pronësinë e kompanisë “Komtel” e ka bartur në emër të mikut të tij, Vegim Gashi, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), të Behgjet Pacollit.

KOSTT: I kemi të zotuara 2 milionë euro

Në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se fitues i tenderit “Përfshirja e të gjitha ndryshimeve në nënstacionet ekzistuese dhe inkorporomi i nënstacioneve të reja në SCADA/EMS në Qendrën Dispeçerike dhe në Qendrën Emergjente Dispeçerike”, LOT 2: Freskimi dhe sendërtimi i SCADA/EMS sistemit në KCS dhe EKCS është konsorciumi “ALSTOM GRID SAS & KOMTEL”.

Gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje Zyrës për media të KOSTT-it, para zgjedhjeve nacionale në vend, mirëpo me urdhër të drejtorit, Naim Bejtullahu, Zyra e mediave ka vonuar përgjigjet përreth një javë.

Por, në përgjigjet e dërguara më vonë thuhet se zotimi i mjeteve për këtë projekt është në vlerë prej 2,000.000 eurosh.

“Kompania e vetme që ka konkurruar ka ofertuar çmimin nën buxhetin e zotuar. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky projekt për Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës e në anën tjetër vetëm një kompani ka konkurruar për këtë tender, KOSTT-i në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2012, ka dërguar në KRPP njoftimin për revokim të Nenit 32.5 të LPP-se Nr. 04/L-042. KRPP-ja ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2012, me qëllim që të qartësojë bazën ligjore, për zbatimin e procedurave të Prokurimit, kur pranohen më pak se dy tenderë të përgjegjshëm.

Sipas Nenit 4 të UA 02/2012, Autoriteti Kontraktues e dërgon njoftimin në KRPP dhe vazhdon me procedurat e mëtutjeshme të Prokurimit” thuhet në përgjigjen e dërguar nga Zana Bajrami-Rama.

Mbi 10 milionë euro nga KOSTT-i

Sipas dëshmive që ka siguruar gazeta shihet se kompania “Komtel” ka marrë nga KOSTT-i së paku dhjetë tenderë, ku vlera e tyre është mbi 10 milionë euro. Më 01.09.2007 KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Komtel” si fituese të tenderit “Dizajnimin i AOTI, Arkitektura Organizative e Teknologjisë së Informacionit”, ku vlera e kontratës ka qenë 125 mijë e 350 euro.

Po ashtu, disa muaj më vonë respektivisht, më 14.04.2008, KOSTT-i ka përzgjedhur sërish kompaninë “Komtel” si fituese të tenderit “Mirëmbajtja e CAS-it”, ku për punën që ka bërë kjo e fundit nga KOSTT-i ka marrë hiç më pak se 55 mijë e 200 euro.

Po ashtu, më 17.05.2008 kompania e Vegim Gashit fiton edhe një tender tjetër në kompaninë që është drejtuar nga Fadil Ismajli.

Zyra e Prokurimit e KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Komtel”, si fituese të tenderit “Pajisje për TI” ku vlera e kontratës ka qenë 5 mijë e 570 euro.

Por, nuk është ky tenderi i fundit që Ismajli ia jep kompanisë, që vetë e ka themeluar. Më 15.09.2008, KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Koncar-Komtel” si fitues të tenderit “Ndërrimi i mbrojtjeve rele dhe njësive komanduese në fushat 110 kV në TS Prishtina 1”, ku vlera e kontratës ka qenë 489 mijë euro.

Në fund të vitit 2008 kompania e Vegim Gashit fiton edhe një tender milionësh në Ndërmarrjen Publike që e ka drejtuar Fadil Ismajli. Më 04.11.2008, KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Areva-Komtel” si fitues të Lotit 1 të tenderit “SCADA –EMS dhe Telekomunikacioni”, ku vlera e kontratës ka qenë hiç më pak se 8 milionë e 25 mijë e 370 euro.

Ndërkaq, për Lotin 2 fitues është shpallur kompania “Energoinvest -Areva”, ku vlera e kontratës ka qenë 9 milionë e 364 mijë e769 euro. Përreth dy vjet kompania e Vegim Gashit, nuk ka marrë asnjë tender në KOSTT. Por, më 23.05.2011, Zyra e Prokurimit e KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Komtel” si fitues të tenderit për “Furnizim me Harduerë të TI-së”, ku vlera e kontratës ka qenë 22 mijë e 505 euro.

Po edhe përmes tenderit njëburimor, më 22.03.2012, Operatori Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ia ka dhënë kompanisë “Komtel” tenderin “Mirëmbajtja e CAS-it”, ku vlera e kontratës ka qenë 4 mijë e 901 euro. Favoret e kryeshefit të KOSTT-it për kompaninë e Vegim Gashit nuk kanë mbaruar me kaq.

Më 17.06.2012, Zyra e Prokurimit e KOSTT-it pa publikim të njoftimit për kontratë, sërish ka përzgjedhur kompaninë “Komtel” si fituese të tenderit “Mirëmbajtja e CAS-it”, ku vlera e kontratës ka qenë hiç më pak se 240 mijë euro.

Po ashtu, më 27.09.2012, sërish KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Komtel” si fitues të tenderit për “Furnizim me pajisje të TI” ku vlera e tenderit ka qenë 21 mijë e 230 euro. Po ashtu edhe, më 01.03.2013, KOSTT-i ka përzgjedhur kompaninë “Komtel” si fitues të tenderit “Furnizim me Desktopë, printerë dhe i Guard Security sistem” ku vlera e kontratës ka qenë 64,989.46 euro.

Aktakuzë pas hulumtimit të gazetës “Zëri”

Më 24 maj të vitit të kaluar pas një hulumtimi të bërë, gazeta “Zëri” kishte raportuar se Ismajli kishte fshehur bizneset karshi Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) në tre vjetët e fundit 2010, 2011 dhe 2012 ka deklaruar se ka në pronësi 20 për qind të aksioneve në kompaninë “Archlighting”. Por, ai ka fshehur se është aksionar edhe në dy kompani të tjera që janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) pranë Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë (MTI).

Në bazë të hulumtimeve që ka bërë gazeta “Zëri” shihet se Ismajli edhe më tutje është aksionar në kompaninë “Investitor Group Internacional” (IGI) biznes ky i regjistruar me numër 70206521. Përveç Ismajlit, kompania IGI ka edhe 11 aksionarë të tjetër dhe 6 punëtorë.

Kapitali themelues i saj është 2 milionë e 781 mijë e 287 euro. Pikërisht për këtë të fundit, më 22 tetor të vitit të kaluar, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dobisë tjetër ose i detyrimeve financiare”.

Nga: Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu