15 muaj burgim dhe konfiskim i 200 mijë eurove për kushëririn dhe truprojën e Hashim Thaçit

0
56

Ryshfeti

Hamdi Thaçi, kushëri i kreut të PDK-së e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Demaj, truprojë e të njëjtit janë dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprën Ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje.

Të dyve u janë dhënë nga 15 muaj burgim, ndërsa është marrë vendimi për konfiskimin e 200 mijë eurove të cilët ishin përfituar jashtëligjshëm, duke ushtruar ndikimin dhe duke përdorur emrin e familjes Jashari.

Lajmin e ka bërë me dije EULEX-i, përmes një njoftimi për media.

“Ky rast përfshinte pretendimin se dy të pandehurve u ishte ofruar dhe kishin pranuar përfitim të padrejtë prej 200 mijë euro në këmbim të pajtimit për të ushtruar ndikim të padrejtë lidhur me vendim-marrjen e personave zyrtarë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit përpara ceremonisë së ofertimit, e cila është mbajtur më 20.05.2009 për privatizimin e një sipërfaqeje të tokës bujqësore afër fshatit Muzakaj”, thuhet në njoftimin e EULEX-it. “Secili prej të pandehurve u dënua me burgim prej pesëmbëdhjetë (15) muaj, si dhe është marrë vendimi për konfiskimin e shumës prej 200,000 eurove. Rasti është ndjekur nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së. Të gjitha palët kanë të drejtë ankese”, thuhet më tej në njoftim.

“Koha Ditore” kishte raportuar qysh në korrik të 2012-ës se si privatizuesit e një toke në vlerë prej një milion e gjysmë thoshin se kanë paguar 200 mijë euro ryshfet për blerjen e 91 hektarëve tokë. Këto para thonë se i kanë dhënë në emër të familjes së komandantit Adem Jashari.
Këtë e kanë pohuar tre prej tyre, të cilët thonë se këtë shumë parash ia kanë dhënë Hamdi Thaçit, kushëririt të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një biznesmeni nga Drenasi, Bashkim Demaj.

Madje, “Koha Ditore” kishte siguruar edhe një videoincizim që zgjat 5 minuta e 46 sekonda, të bërë me telefon në maj të vitit 2009 në banesën e Zelqif Brakës në Prishtinë, në të cilin shihen duke numëruar 130 mijë euro para kesh. Numërimin e tyre e bëjnë Bekim Krasniqi nga Malisheva, Shkëlzen Zariqi nga Prishtina dhe Islam Musliu nga Podujeva. Në video shihen edhe Zelqif Braka nga Kaçaniku, i njohur si “Buqi”, si dhe vëllezërit Avdi e Veli Jakupi nga Suhareka, dhe familjarë të Zelqif Brakës, i cili prej kohësh ndodhet në burg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu