16 mijë euro për servisim të veturës

0
214

Besim_BeqajMinistria e Financave ka paguar më shtrenjtë servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve që ka në posedim, sesa që ka vlerën ai automjet.

Për të servisuar një Nisan Terano, i prodhuar më 2000-2002, kjo ministri brenda vitit ka ndarë një shumë marramendëse prej 16,565 euro.

Ministria të cilën e udhëheq, Besim Beqaj, për këto 15 Nisan Terano, në total për servisim dhe mirëmbajtje kishte ndarë shumën prej 250.000 euro. Këto të dhëna i ka publikuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ku në raportin e saj vlerëson se kontrata ishte me vlerë të lartë dhe do të duhej të nënshkruhej edhe nga ministri dhe sekretari i përgjithshëm. Por, kontratat ishin nënshkruar vetëm nga zyrtari i prokurimit.

ZAP po ashtu ka gjetur shkelje edhe në mënyrën se si ishte ekzekutuar kjo kontratë.

“Më tutje, sigurimi i ekzekutimit për kontratën “Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të MF-it”, ishte bërë në vlerën e çmimit për njësi (16,565 €), e jo në vlerën e parashikuar e të kontratës (250,000 €)”, thuhet ndër të tjera në raportin e ZAP-it. Në raport shohim se Ministria për të dy lotet kishte nënshkruar dy kontrata të veçanta për secilin lot, por me të njëjtin ofertues.

ZAP-i gjithashtu në raport ka specifikuar se nënshkrimi i kontratës për “Servsimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të Ministrisë së Financave”, është bërë vetëm me deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së mjeteve, por pa zotim të mjeteve. Po ashtu, ZAP-i kishte gjetur se në tetë raste zotimi i mjeteve nuk ishte bërë në kodet përkatëse ekonomike dhe se kontrollet menaxheriale nuk janë zbatuar me konsistencë gjatë prokurimeve.

Abuzime me tenderë

Parregullsi tjera e që janë të shumta ka evidentuar Auditori edhe te pasqyrat financiare të vitit 2013 te ky dikaster. Në këtë Ministri auditori po ashtu ka gjetur se blerjet përmes prokurimit publik, në 70 raste janë bërë përmes procedurave për kuotim të çmimeve dhe procedurave për blerjet me vlerë minimale, duke shmangur aplikimin e procedurave të hapura.

Sipas ZAP-it, vetëm katër aktivitete të prokurimit ishin realizuar përmes procedurave të hapura.

“Kontrata për Furnizim me kabllo për dhomën e serverëve, në vlerë 16.945 euro, ishte nënshkruar edhe pse fituesi i tenderit nuk kishte ofruar sigurinë e ekzekutimit”, vlerësohet në raport. Po ashtu, sipas Auditorit, në dy raste raporti i vlerësimit të tenderëve dhe formati i kontratës “Furnizim me kabllo optik për nevojat e MF-së”, nuk ishin hartuar sipas formatit standard të aprovuar nga KRPP-ja. Po ashtu, në tre aktivitete të prokurimit, komisioni vlerësues i tenderëve ishte caktuar nga zyrtari i prokurimit, pa u aprovuar nga sekretari i përgjithshëm.

12 milionë e 253 mijë e 947 euro në paga dhe mëditje

Nga buxheti final prej 40,802,693 sa kishte kjo Ministri për vitin që e lëmë pas, 12 milionë e 253 mijë e 947 euro kanë shkuar në paga dhe mëditje.

Në mallra dhe shërbime kjo Ministri ka shpenzuar për vitin 2013 hiç më pak se 9 milionë e 347 mijë e 477 euro. Në shërbime komunale i kanë shkuar 549,920 euro. Kurse në subvencione dhe transfere rreth 13,056,862 euro. Kurse në investime kapitale kjo Ministri ka buxhet prej 5,594,487 kurse ka realizuar vetëm 2,715,325.

“Meqë buxheti për paga e mëditje, shpenzime komunale, subvencione dhe investime kapitale nuk ishte duke u realizuar sipas planit, me rishikim të buxhetit dhe me vendime të Qeverisë ishin bërë shkurtime buxhetore”, thuhet në raport të ZAP-it.

Çka është më paradoksalja te kjo Ministri që ka gjetur Auditori janë paratë e donacioneve të jashtme që ishin marrë nga financimet nga huamarrja në vlerë 691,108€ ishin alokuar për mallra dhe shërbime. Madje 50 për qind e kësaj shume kanë shkuar në konton e Byrosë së Sigurimeve.

“Këto mjete janë shfrytëzuar për mbulimin e obligimeve shtetërore, si p.sh.: mbulimi i sigurimit të automjeteve të qytetarëve të cilët hyjnë në territorin e Kosovës në vlerë 314,713 €, përmbushja e kontributit vjetor prej 40,000 € për Këshillin për Bashkëpunim Rajonal me seli në Sarajevë etj.”, thuhet në raport.

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu