Dëshmorët pa varre

0
268

Muje Krasniqi

Një popull që të befason për ruajtjen e varreve të “armiqve” po bëhet dëshmitar i shkatërrimit të varreve të dëshmorëve të tij. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës dhe shtatë vjet pavarësi, institucionet lokale dhe ato qendrore të Kosovës dështuan t’i rregullojnë varret e dëshmorëve, që t’i mirëmbajnë në ato pak komuna ku u ndërtuan lapidare e memorialë, si dhe të ndërtojnë të reja. Në shtetin, ku në pozita të larta udhëheqëse janë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve, kompleksi memorial i heronjve i ndërtuar në fshatin Morinë të Skenderajt është shkatërruar ende pa u transferuar aty eshtrat e heronjve, që janë të varrosur në një fshat tjetër pak kilometra larg këtij kompleksi memoriali në Polac. Heronjve të Lirisë as në Koshare nuk u janë rregulluar varret. Të zhvarrosur mbi një vit më parë për t’iu ndërtuar memoriali, një pjesë e tyre janë rivarrosur, kurse një pjesë qëndrojnë në Morgun e Prishtinës në pritje që të kryhen punimet dhe të rivarrosen.

Copa të drurit të vendosura në vend të altarit kanë nisur të kalben, disa janë rrëzuar përtokë, emrat e dëshmorëve janë fshirë nga dërrasat, kurse varret kanë nisur të humbin formën dhe të bëhen rrafsh me tokë… Kjo po ndodh në varrezat e dëshmorëve në Polac, aty ku prehen eshtrat e Mujë Krasniqit, Ilaz Kodrës, Beqir  (Sefë) Gashit, Rasim Kiçina dhe dhjetëra të tjerëve të rënë si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Varrezat e Deshmorve Polac

Varret mirëmbahen nga familjarët 

Nga oborri i shtëpisë së saj, ajo sheh memorialin e heronjve që u ndërtua me donacione, madje një nga donatorët kryesorë që shkruhet në pllakën e memorialit janë miqtë amerikanë. Por, Hyra Hoti, bashkëshortja e dëshmorit Rrustem Hoti, nuk arriti të shohë eshtrat e bashkëshortit të saj të prehen në këtë memorial. Pa u bërë bartja e eshtrave të heronjve aty dhe pa u shpallur i përfunduar, memoriali ka nisur të demolohet, të vidhet duke filluar nga kubëzat, llambat e gjata të neoneve ndriçuese, janë vjedhur dhe rrethojat e hekurta, madje është vjedhur edhe ora e energjisë elektrike e vendosur në hapësirën e një paradhome të vendosur në hyrje të memorialit të paraparë për ndonjë roje apo mbikëqyrës.

Ky memorial ende i papëruruar të ngjason me një vend të harruar, të mbetur ndoshta nga lufta. Por, banorët e Morinës thonë se nuk ka një vit e gjysmë që ai është rregulluar, mirëpo u harrua nga Qeveria, zyrtarët e së cilës në këtë fshat u dukën vetëm në kohë fushate. “Rrustemi është varrosur në Polac. Ai ishte ushtar i Brigadës 113 “Fehmi Lladrovci” dhe ka rënë dëshmorë më 24 shtator në ofensivën e 1998-s që u ndërmor në Qyqavicë, ku kemi të vrarë dhe anëtarë të tjerë të familjes. Në Polac të varrosur kemi dhe tre dëshmorë të tjerë të fshatit. Varret e tyre aspak nuk janë rregulluar tash e 15 vjet pas luftës, por vetëm do rërë e kanë vendosur që vërehet se kanë vendosur diçka, përndryshe dhe copën e drurit vetë ia kemi vendosur”, thotë Hyra, bashkëshortja e Rrustemit. Për përvjetor e për festa ajo thotë se si familje shkojnë vetë dhe e pastrojnë varrin. “Nuk e di pse nuk po i sjellin në memorial, në vend të vetë, atje na kanë mbetur si anash, po ua kemi mall varrin”, thotë ajo.

Banorë të tjerë të fshatit ndihen keq dhe janë të mllefosur kur shohin kompleksin e ri memorial teksa po rrënohet. Sami Hoti, banor i fshatit, thotë se memoriali po vidhet dhe askush nuk po e mbron. “Në Kralevë me qenë s’ua kishin bërë kështu dëshmorëve, si po ua bëjnë këta dëshmorëve”, thotë ai. Ndërsa, për disa vjet institucionet e Kosovës po dështojnë ta ndërtojnë e Memorialin e Koshares, ku u vra dhe Agim Ramadani me shumë bashkëluftëtarë të tij. Bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, thotë se të dish të ruash vlerat e luftës do të thotë të dish të ndërtosh paqen, e cila ta garanton këtë ruajtje. “Fatkeqësisht, nuk është duke ndodhur as njëra e as tjetra dhe nuk jam e habitur për këtë dështim, ngaqë prioritetet nuk vihen në projektet e duhura dhe vlerat e vërteta nuk vihen në pah ku dhe kur duhet”, ka thënë ajo për gazetën.

Varrezat e Deshmorve Polac1

 Ish-luftëtarët kërkojnë varre për bashkëluftëtarët 

Bashkëluftëtarët e dëshmorëve ndjehen keq dhe janë të mllefosur me institucionet që kanë lënë anash varret e dëshmorëve. Kolonel Fadil Hadërgjonaj, ish-komandant i drejtimit të Luftës “Rrasa e Koshares” thotë se përpjekjet e bashkëluftëtarëve në përgjithësi, stafit drejtues të Luftës së Koshares në veçanti, si dhe familjeve të këtyre dëshmorëve për rregullim kanë qenë të pareshtura dhe iu janë adresuar të gjitha instancave shtetërore. “Gurëthemeli për ngritjen e kompleksit memorial dhe rregullimin e varrezave, projekt ky që ka dimensione mjaft të mëdha si në aspektin historik, politik e ushtarak, infrastrukturor…,  është vendosur më 09 Prill 2012, por ende është në fazën të themi fillestare”.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm të dobët të punëve, ai thotë se nuk mund të parashikohet as se kur do të përfundojë ky kompleks memorial. “Tani në këto kushte dimri është shumë normale që punët të ndërpriten, por konsideroj se nuk është aspak e kuptueshme se si gjysma e eshtrave të dëshmorëve të kthehen në vendin ku ishin dhe gjysma tjetër të qëndrojnë në Morg të Prishtinës”, thotë për “Zërin” Hadërgjonaj.

Në përvjetorin e 7-të të Pavarësisë së Kosovës ai ka shkuar pranë këtyre dëshmorëve. “Ne përkulemi pranë më meritorëve të shtetit dhe vendosim lule pranë tyre, por ndihemi keq sepse ende nuk kemi një kompleks ku jo vetëm ne bashkëluftëtarët, familjarët, miqtë, por edhe të tjerët që ndihmuan rrugëtimin tonë të krenoheshin me atë që do të shohin aty. Vepra e tyre është shumë më e madhe se çdo kompleks që mund të ndërtohet, prandaj mendoj se ua kemi borxh jo vetëm të rënëve, por edhe brezave që ajo vepër të prezantohet në të gjitha dimensionet e saj, përmes një kompleksi përmbajtjesor memorial, ashtu siç edhe është ideuar vetë ky projekt”, thotë kolonel Hadërgjonaj.

Ish-ushtari i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, Brigada 123, Hysen Durmishi, është i shqetësuar dhe brengosur nga trajtimi që sot institucionet e Kosovës po iu bëjnë kategorive të dala nga lufta, si dëshmorëve, invalidëve, e veteranëve. Durmishi thotë se përderisa lufta e UÇK-së dhe vlerat e saj zyrtarisht nuk njihen në Kosovë, kjo dëshmon se institucionet e vendit kanë hequr dorë nga ideali dhe vlerat e UÇK-së. “Në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, në preambulën e saj, askund nuk përmendet sakrifica, e kaluara e lavdishme e popullit dhe lufta e UÇK-së”, thotë ai duke shprehur pakënaqësinë e tij se dikush historinë e Kosovës po tenton ta nisë me vitin 2008 dhe këndej. “Tani jemi në një situatë kur Qeveria e Kosovës është krijuar si rezultat i kompromisit me Serbinë. Lista serbe (partia e komunitetit serb në koalicion) nuk njeh luftën e UÇK-së”, thotë ai.
Durmishi thotë për gazetën se pas përfundimit të luftës gjithçka ka degraduar ka humbur vlerat e saj. Vizitën tek varret e tre dëshmorëve që kanë Lapidarin në fshatin Mushtishtë, prej nga është dhe ai, e përjeton rëndë. “Varret edhe ku janë rregulluar pak, nuk po mirëmbahen siç e meritojnë”,thekson ai.

Varrezat e Deshmorve Polac2 

Klerikët fetarë dënojnë mosrespektimin e heronjve 

Kisha katolike kërkon respekt për martirët. Don Rrok Gjonlleshaj nga Ipeshkvia e Kosovës thotë se si popull, kurrë nuk duhet të harrojmë vuajtjen dhe sakrificën e dëshmorëve. “Duhet të kemi respekt dhe dashuri ndaj të parëve tanë, veçantë ndaj atyre që kanë dhënë jetën për ne. Falë flijimit të tyre, neve na është mundësuar të jetojmë të lirë. Një proverb thotë: “Kush nuk kthehet kah të parët e vet, nuk gëzohet as për trashëgimtarët e vet’”, deklaroi ai. Don Gjonlleshaj thotë për “Zërin” se Kisha Katolike ka respekt të veçantë ndaj të vdekurve, veçantë ndaj shenjtërve dhe martirëve. “Ata janë të shënuar në kalendarin kishtar; ata i kujtojmë çdo ditë. Shën Tertuliani pati thënë: “Gjaku i derdhur i martirëve është fara e të krishterëve të rinj”. Varrezat, pavarësisht të kujt janë, lypet respektuar, por për varrezat e të parëve tanë dhe të martirëve duhet të kemi dashuri”. Gjendja e mjerueshme e varrezave dhe e memorialëve të martirëve, demolimi apo vjedhja e rrethojave dhe e kubëzave, ai thotë se fatkeqësisht shfaq mungesën e dashurisë dhe të falënderimit të shoqërisë sonë ndaj tyre.

Edhe Xhabir Hamiti, doktori i shkencave islame, thotë se dëshmorët e atdheut përveç respektit njerëzor dhe moral që duhet të kenë nga të gjallët, ata edhe në pikëpamje fetare sipas mësimeve islame, gëzojnë respekt dhe shpërblim të lartë dhe të dalluar tek Zoti, “për kontributin sublim të tyre në mbrojtje të lirisë dhe jetës së dinjitetshme të të gjallëve”. Hamiti thotë se edhe vendvarrimet, ku sot pushojnë eshtrat e tyre, duhet të kenë trajtim njerëzor dhe meritor. “Konsiderata ndaj dëshmorëve të luftës tregon edhe konsideratën tonë që kemi ndaj lirisë dhe vlerave të saj për të cilën ata u flijuan”, thotë Hamiti. Në Kosovë llogaritet se janë mbi 2000 dëshmorë.

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu