1997, kur anarkinë e shuan shumëkombëshet

0
371
“Rrumpalla” e 1997-ës në një nga vendet më të vogla të globit i solli mendjen vërdallë dhe bashkësisë ndërkombëtare, që detyrohet të mbledhë deri dhe forumin më të lartë , “qeverinë globale”, dy herë: më 28 mars 1997dhe 28 qershor. Më 15 prill zbarkon misioni ndërkombëtar “Alba”.

Rreth 7000 ushtarë vijnë në Shqipëri. Forcat e para zbarkojnë në Durrës. Më 21 prill 1997 zbarkojnë forcat shumëkombëshe edhe në Vlorë. Shtypi i kohës, ndonëse me pak tituj në treg, ka pasqyruar gjerësisht këto ngjarje të pashembullta në historinë e Shqipërisë. Kemi përzgjedhur disa shkrime, që pasqyrojnë momente domethënëse nga veprimtaria e misionit “Alba”, sipas së përjavshmes “Investigim”.

“Qeveria globale”, dy herë për Shqipërinë

Më 28 mars 1997, për shkak të shqetësimit lidhur me situatën në Shqipëri, u miratua Rezoluta nr. 1101 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një forcë sigurie shumëkombëshe, e cila do të krijonte kushtet për ndihmë humanitare. U në dukje se situata në Shqipëri kishte degjeneruar pas falimentimit të skemave piramidale dhe OSBE-ja dhe BE-ja po mundoheshin të gjenin një zgjidhje paqësore për krizën.

Gjithashtu shprehej shqetësimi se kriza në Shqipëri, mund të përhapej edhe në vendet fqinje, në trojet etnike shqiptare. Rezoluta e dorëzuar nga Italia bënte thirrje për ndërprerje të menjëhershme të dhunës. Ndërkohë Italia me vullnetin e vet u vu në krye të trupave shumëkombëshe të Misionit Alba (Agimi) që do të vendosnin rendin dhe qetësinë në vend. Operacioni do të ishte i paanshëm. U vendos që trupat të qëndronin për tre muaj në vend dhe kostoja do të paguhej nga vendet pjesëmarrëse.

Shtetet anëtare të këtij misioni do të raportonin çdo dy javë pranë Këshillit për situatën në vend. Kurse më 19 qershor 1997, u miratua Rezoluta nr. 1114. U vendos të zgjatej qëndrimi i forcave ndërkombëtare në vend me 45 ditë. U vlerësua mënyra e paanshme me të cilën kishte vepruar forca shumëkombëshe dhe bashkëpunimi i saj me autoritetet shqiptare. U theksua se dhuna ende vazhdonte dhe, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duhej një zgjatje e qëndrimit të forcave ndërkombëtare.

Forcat ndërkombëtare u autorizuan të siguronin lirinë e lëvizjes të forcës ndërkombëtare dhe vëzhguesve të OSBE-së. Ndihma humanitare do të sigurohej nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë e Shqipërisë, OSBE-në, BE-në, OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare. Më 11 gusht 1997, forcat ndërkombëtare largohen nga vendi.

“Bujrum Europë!”

“Bujrum Evropë!”, ky ishte titulli i një foto-lajmi për një ngjarje të jashtzakonshme dhe domethënëse, botuar në gazetën “Dita Informacion” të 16 prillit 1997. Më 15 prill 1997, ” në 7.00 të mëngjesit, nën një qiell gri dhe erë të ftohtë, erdhi “Alba” – agimi i Shqipërisë. Rreth orës 8.00, punëtori i portit detar Ardian Ibrahimi u nxjerr nga një kafe mirëseardhjeje 5 ushtarëve francezë.

Ardiani dëshiron t’u shprehë të huajve mikpritjen dhe dinjitetin e shqiptarëve”, shkruhej në reportazhin “”Normandia” shqiptare”, cituar dhe nga BBC në pasqyrën e shtypit.

Dalja nga udhëkryqi

Kurse ambasadori turk, Ahmet Okçun, i cili kishte ardhur në portin e Durrësit, disa ditë më pas, më 24 prill, do të thoshte në një intervistë: “Ne jemi këtu që të mbështesim Shqipërinë, e cila po kalon një periudhë të vështirë. Miqtë e Shqipërisë janë bashkuar me njërin-tjetrin dhe mendoj se do të gjendet një zgjidhje. Populli shqiptar e ka aftësinë për të dalë nga udhëkryqi.

Duhet bërë e qartë se ne nuk kemi ardhur të zgjidhim punët e brendshme të Shqipërisë, por ta ndihmojmë atë për të kapërcyer vështirësitë e përkohshme. Erdhëm për të kontribuar dhe jo për të dhënë mend. Ne nuk do të përzihemi në debatet politike të shqiptarëve”.

Egjeu në Adriatik

“Klon” i kaltër mes Greqisë dhe Turqisë në portin e Durrësit. “Alba” zhvendos “kufijtë” midis dy shteteve mesdhetare, duke sjellë Egjeun në Adriatik. Më 24 prill 1997, anije ushtarake transportuese-zbarkuese janë futur në akuatoriumin e portit të Durrësit, duke qëndruar në vijë ajrore, diagonal, 300 metra larg njëra-tjetrës. Me dy anijet “Ertugrul” dhe “Karamursey Bey” mbërritën 250 ushtarë turq dhe 50 mjete (makina, autoblinda dhe tanke).

300 metra larg turqve, në një diagonale të kaltër të akuatoriumit, pingul me perëndimin e portit, në kalatën 8 të mallrave, 15 minuta me vonë u bregëzua anija ushtrake transportuese-zbarkuese greke “Samos”, që për një orë desantoi 400 trupa dhe 90 mjete, sidomos luftarake. Përgjithësisht, nuk kishte tension, aq i zakonshëm në raste zbarkimesh apo edhe se, siç duket, ushtarakët grekë ishin të mirinformuar për gjendjen e qetë në port. Sigurinë e shprehu në anglisht edhe një oficer marins grek.

Në rreth të kuq

Në një shkrim përmenden disa emra të kontigjentit francez, që zbulonin se ishin sjellë elita e Legjionit të Huaj. Mes francezëve të pararojës, gjithsej 40 veta, kishte specialistë xhenierë dhe personel të DSGE-së (një lloj policie sekrete e ushtrisë). Ishin të pajisur me ndërlidhje të dyfishtë – radio dhe satelit. Ata ruanin rendin në port në pritje të trupave të “Normandisë” shqiptare.

Emri i autorit të shkrimeve ishte qarkuar me laps të kuq në listën e përfaqësuesve të medieve që lejoheshin të hynin në kamping. Thjesht, francezët ishin bërë tym për informacionin sekret të bërë publik. Shqiptari shkurtabiq kishte marrë fotokopje të listave të udhëtarëve (ushtarëve). Ato ishin dorëzuar në kapiteneri, agjencitë detare dhe doganë.

Madje, reporteri, në disa lajme më vonë fliste dhe për një ushtar të dëbuar, i cili ishte implikuar në kontrabandë cigaresh, pijesh e droge. Informacioni sekret ishte mësuar nga shqiptarët e firmës që furnizonte “Alba-n”.

* * *

“Normandia” shqiptare, dita e parë e paqeruajtësve

Ndonëse paqebërësit e parë kanë ardhur në formë pararojash qysh të premten dhe të dielën, vetëm dje [15 prill 1997] në 7.00 të mëngjesit, nën një qiell gri dhe erë të ftohtë, erdhi “Alba” – agimi i Shqipërisë. Rreth orës 8.00, punëtori i portit detar Ardian Ibrahimi u nxjerr nga një kafe mirëseardhjeje 5 ushtarëve francezë të patrullës. Rreth orës 12.00 u larguan retë dhe dielli ndriçoi qytetin. Ardiani shprehet optimist për operacionin “Alba” – agimi, pasi shpreson në rivendosjen e normalitetit dhe dëshiron t’u shprehë të huajve mikpritjen dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Edhe kryetari i bashkisë së qytetit të Durrësit, z. Arqile Gorea, jo vetëm erdhi t’i urojë në anije forcat zbarkuese, por disa ditë përpara, ka mobilizuar ndërmarrjen e shërbimeve komunale për lyrjen e pemëve me gëlqere, mbjelljen e luleve para bashkisë, fshirjen dhe larjen me ujë të bulevardit dhe të portit detar, duke u shprehur se Durrësi ka kulturë dhe dinjitet si të gjithë shqiptarët.

Helikopteri dhe anija, rrezik përplasje

Operacionin “Alba” mund ta ndiesh dhe ta “prekësh” drejtpërdrejtë dhe tërthoras. Një grumbull prej 100 gazetarësh, kameramanësh, radiokronistësh, fotoreporterësh shqiptarë dhe të huaj, kanë zbarkuar qysh në orën 6.50 dhe në vijim në pritje të pasqyrimit të njërit prej evinimenteve kryesore në botë, operacionit të “Normandisë” shqiptare.

Kjo jo thjeshtë se në operacionin e forcave shumëkombëshe ka edhe trupa franceze, por për atë që brenda tre orësh dy anije transporti të fuqishme zbritën në portin e Durrësit rreth 1000 ushtarë francezë dhe italianë. Rrëzë ndërtesës së drejtorisë së portit, të djegur më 13 mars 1997, u vendosën pajisjet satelitore të ndërlidhjes, ku gazetarët e huaj transmentonin drejtpërsëdrejti zbarkimin, fillimisht, të 400 trupave franceze nga anija “Orage”, të pajisura me artileri vetëlëvisëse, 100 makina, 6 tanke dhe 2 helikopterë.

Këta të fundit u ngritën menjëherë në qiell dhe njëri, për shkak të erës së fortë, gati sa nuk u përplas me tragetin e trupave italiane “San Marco”, që po bënte manovrat e pilotimit në akuatorium. Ky mund të ishte një incident, që do të sillte tersllëk. “San Marco” e ka vizituar portin e Durrësit në vitin 1991, kur solli kontigjentin ushtarak italian “Pelicano” dhe në vitin 1993, kur mori me vete këtë kontigjent.

Kapiteni italian Fabrello Panella u rrethua nga gazetarët e shumtë për t’u informuar për 200 ushtarët që zbarkuan dje rreth orës 8.50, fill pas trupave francezë, të cilët kanë marrë nën kontroll jo vetëm portin, por edhe kryqëzimin e famshëm të Katër Rrugëve në Shijak.

Francezët duan Durrësin para Korçës

Francezët e intervistuar, shprehën dëshirën për të qëndruar në Durrës dhe për këtë kanë këmbëngulur qysh në komandën e përgjithshme të operacionit, por nuk kanë shpjeguar arsyet pse duan Durrësin dhe jo Korçën, që njihet për një lloj frankofilie që nga Lufta I Botërore, kur themeluan edhe Republikën e Korçës dhe ngritën më vonë një lice të famshëm.

Francezët e pararojës, gjithsej 40 veta, që parakaluan në Durrës qysh të dielën, janë vendosur në mjediset e shkatërruara të shtëpisë së pushimit të ministrisë së Mbrojtjes, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Kjo pararojë që erdhi me anijen zbarkuese “Chamlain” dhe dy më të vogla për desantim në rërë nëse porti do të ishte i pushtuar, ka specialistë xhenierë dhe personel të DGSE-së (Direction Générale de la Sécurité Extérieure – Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimit të Jashtëm – agjenci e zbulimit të jashtëm e Ministrisë së Mbrojtjes të Francës).

Janë të pajisur me ndërlidhje të dyfishtë – radio dhe satelit. Ata bënë rikonicionin e zonës së operimit dhe në mëngjesin e së djeshmes ishin vendosur në taracën e lartë të drejtorisë së portit dhe në pika të tjera dominuese, ku të përforcuar edhe nga policët shqiptarë, ruanin rendin në port në pritje të trupave të “Normandisë” shqiptare. Trageti civil “Illyria” ishte zhvendosur nga kalata 4 në atë 6 për t’u lënë vendin anijeve ushtarake transportuese “Orage” dhe “San Marco”.

Udhëtarët patën punë për të hyrë në port për shkak të regjimit të rreptë franko-shqiptar. Madje, nuk u lejuan as punëtorët e ngarkim-shkarkimit dhe as administrata e portit. Më të sjellshëm ishin me gazetarët.

Legjionarë të huaj dhe forca anti-terror

Trupat franceze dhe ato spanjolle kanë legjionarë të huaj, të cilët njihen në mbarë botën për efikasitetin në luftën antiterroriste dhe antiguerrile. Përbi tyre kaloi rreth orës 12.30, pasi kishte mbërritur në port, ministri shqiptar i Mbrojtjes, z. Shaqir Vukaj, edhe zëvendësministri i Brendshëm, i veshur civil, gjeneral Agim Shehu, i cili u largua me një makinë me targë të verdhë zyrtare TR 002, ndërkohë që Vukaj ishte në anijen italiane “San Marco”.

Një punonjës i portit, që zotëronte në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, bëri një shaka me një legjionar francez: “Më jep një automatik të NATO-s për kujtim dhe në shkëmbim të jap 5 Kallashnikovë!”. Po ashtu në përbërje të forcave italiane ka ushtarë të elitës, që nga e famshmja brigadë “Garibaldi” deri dhe të forave speciale RAS, të ashtuquajturit “kokë-lëkurësa”, të specializuar në luftën urbane kundër klandestinëve dhe mafiozëve.

Trupat

6300
Ishte numri i përgjithshëm i ushtarëve në mision

2800 ishin ushtarët italianë

950 ushtarë dërgoi Franca

760 ushtarë dërgoi Greqia

340 ushtarë dërgoi Spanja

110 ushtarë ishin nga Austria

59 ushtarë ishin nga Danimarka

0 ushtarë dërguan SHBA, Kanadaja apo Britania e Madhe

Misioni

1700 ishin operacionet e kryera në periudhën prill-gusht 1997, për të siguruar rrugët dhe pronat, veçanërisht godinat shtetërore, si dhe për të parandaluar plaçkitjet dhe zjarrvëniet e qëllimshme.

674 Ishin misionet për të mbrojut vëzhguesit e dërguar nga OSBE-ja për zgjedhjet e 29 qershorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu