20 mijë e 400 gra e vajza të dhunuara gjatë luftës – nuk janë statistikë por gjenocid

0
260

e dhunuara

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi lëshuar për medie ka thënë se 20400 gra e vajza të dhunuara gjatë luftës nuk janë thjesht shifra, por është gjenocid. Sipas VV-së, çmimi i lartë i lirisë së Kosovës, pati dy lloj figura të sakrificës, ushtarë të luftës çlirimtare dhe viktima civile.

Lexojeni të plotë njoftimin e VV-së:

Në çdo përvjetor të paqes, kur njerëzit i gëzohen lirisë dhe rikujtohen përpjekjet për çlirim, pashmangshëm na del përpara sakrifica njerëzore.

Çmimi i lartë i lirisë së Kosovës, pati dy lloj figura të sakrificës, ushtarë të luftës çlirimtare dhe viktima civile. Përgjatë 16 viteve u angazhuam që t’i vendosim dëshmorët në lartësinë e duhur.

Mirëpo, nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të shfaqur dimensionin e plotë njerëzor të luftës atë të vuajtjeve e sakrificës së viktimave civile me qëllim të dokumentimit të krimeve të Serbisë dhe kërkimit të drejtësisë.

Të gjitha dëmet u kategorizuan në ato materiale dhe njerëzore të cilat më pastaj u reduktuan në statistika në mesin e tyre edhe 20.400 gra të dhunuara.

Gruaja përveç të tjerash është mishërimi i gjallimit të territorit social të kombit. Sulmi i qëllimshëm e sistematik mbi gratë dhe vajzat gjatë luftës është gjenocid. Deri më tani, institucioneve të Kosovës nuk i ka shkuar ndërmend të mbledhin dëshmi dhe të ngrenë akuza për gjenocid.

Përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale u përdorën gjatë luftës në Kosovë si armë lufte apo instrument i një spastrimi etnik sistematik.

Përdhunimet nuk ishin akte të rralla e të izoluara të kryera nga individë të forcave serbe e jugosllave, por u përdorën qëllimisht si një instrument për të terrorizuar popullsinë civile, për të zhvatur para nga familjet, dhe për të detyruar njerëzit të braktisnin shtëpitë e tyre.

Çdo lloj dhune seksuale është vrasje fizike dhe shpirtërore e llojit të vet dhe nga çdo rrëfim i të dhunuarave, të dalin para syve skena të tmerrshme, që kanë përjetuar viktimat në trupin e tyre. Rrëfimet e femrave të dhunuara në Kosovë fillojnë njësoj: “Me dhunuan forcat serbe…”. Dallojnë vetëm vendet: “Në shtëpi, në rrugë, në mal, në ndërtesë, në objekt shkollor…“. Dallojnë numrat:”1, 2, 3, 4, 5, 10-të…..”! Apo, kohëzgjatja: ”Një ditë, një javë, një muaj, dy…!”

Mijëra viktimave të këtij krimi të shëmtuar më pas u vranë, ndërsa mijëra të tjera që mbetën gjallë vuajnë të heshtura dhimbjen. Shumë prej tyre pas luftës humbën bashkëshortët, fëmijët, u përjashtuan nga shoqëria dhe sot vuajnë traumat shpirtërore.

Pas një dekade e më shumë, trajtimi i dhunës seksuale si krim i luftës më në fund ka gjetur mbështetjen institucionale, pasi që në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjarëve të tyre, si kategori e veçantë e viktimave iu njoh edhe statusi i tyre si persona të dhunuar.

Po bëhet një vit që kur ligji për këtë kategori ka hyre në fuqi, por obligimet e nxjerra nga ky ligj ende nuk gjejnë zbatueshmëri si pasojë e neglizhencës dhe vonesave nga ana e institucioneve të Kosovës.

Zyrtarë qeveritar disa ditë më parë dhanë një arsyetim absurd për moskryerjen e obligimeve të dala nga ligji. Mosinteresimin e tyre për trajtimin e kësaj kategorie të dalë nga lufta e mbuluan duke u thirrur në atë që kjo çështje është e ndjeshme dhe e vështirë. Këto deklarata përveç që janë të papërgjegjshme, janë të pamoralshme, poashtu edhe e kundërligjshme. Vetë deklarimi i Qeverisë e vështirëson procesin duke i dekurajuar viktimat e abuzimit seksual dhe dhunimeve që të paraqiten në Komision, kurdo që ai të themelohet.

Lëvizja VETËVENDOSJE!përmes grupit parlamentar dhe aktivistëve edhe atëherë kur e iniciuam projektligjin vepruam me gjithë spektrin politik dhe shoqërinë civile, me të vetmin qëllim që kjo kategori të mbrohet me ligj. Komiteti për mbrojtje i Lëvizja VETËVENDOSJE!s sociale do të vazhdojë të jetë i angazhuar që drejtësia të vihet në vend për këtë kategori dhe përdhunuesit të vihen para drejtësisë.

26 mars 2015

Komiteti për mbrojtje sociale

Lëvizja VETËVENDOSJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu