A po bën shtet Edi Rama?

0
542

Artan-Mullaj

Mbas reformave të forta të Rilindjes, të bëra në një kohë të shkurtër, kjo pyetje është shumëplanëshe dhe komplekse, ashtu si përgjigjja që pritet. A është vendi “në drejtimin e duhur”, për të cilin siç thuhet, konsumohet pushtet për të ndërtuar shtet.

Apo e kundërta, vendi po shkon në një drejtim të dyshimtë, në një zhvendosje, ku shpenzohet shtet për të fituar edhe më shumë pushtet. E thënë ndryshe, a është Edi Rama një burrë i përkushtuar shtetit, apo ai thjesht po krijon një mjegull iluzive të bërjes së shtetit, pas së cilës ndoshta fshihet një strategji, që kamufluar synon të kundërtën, konsolidimin masonik të pushtetit të tij në kurriz të shtetit dhe shtetasve.

Pra, a kemi një vullnet të sinqertë të Rilindjes për ta bërë këtë vend, apo kemi një strategji të rrezikshme të saj në shërbim të pushtetit, të frymëzuar nga një teori osmane, sipas së cilës, sa më i fortë dhe i paqartë të jetë një pushtet, aq më shumë do të zgjasë ai.

Për t’u përgjigjur dhe për të kuptuar çfarë ndodh, duhet parë nga larg, dhe analizuar nga afër. Parë nga larg, krahasuar me qeveritë e së shkuarës, ajo çka spikat te Rilindja është vullneti për të shndërruar filozofinë e ndryshimit në një realitet. Kjo është thuajse absolute, nuk nxë kundërshti! As Sali Berisha nuk mund të gjejë argument për ta kontestuar këtë gjë.

Në rreth dy vjet qeverisje të Rilindjes, mirë a keq, krahasuar me të parët, gjithçka bëhet ndryshe. Në parim, ndryshimi është mënyra më e mirë për të krijuar një dinamikë qeverisëse, e cila është pozitive nëse ecet në drejtimin e duhur, dhe anasjelltas. Por në çdo rast, është më mirë se rutina, asgjëja.

Të bësh ndryshe diçka, do të thotë t’i hapësh luftë rutinës së publikut, i cili zakonisht është i prirë të refuzojë ndryshimin.

Është e natyrshme që çdo ndryshim të krijojë dilema, kundërshti, kompleksitet apo pakënaqësi publike. Aq më tepër te shoqëria jonë, ende e varfër dhe e brishtë. Shoqëria jonë nuk e do ndryshimin, e ca më pak dhimbjen që e shoqëron atë, për shkak se kultura e saj ka në thelbin e vet një lloj egoizmi primitiv.

Çështja është, a janë këto ndryshime në drejtimin e duhur?

T’i analizojmë dhe marrim me radhë!

Pagesa e energjisë elektrike: A duhej bërë lufta psikologjike në perceptimin e qytetarëve për pagesën e energjisë elektrike?. Askush nuk dyshon më në këtë gjë. Në kohë rekord, vetëm në disa muaj, Rilindja e shndërroi në rutinë, e më pas në zakon vullnetin e shtetasve për të paguar energjinë, duke e shkatërruar atë të mëparshmin me masa të forta, por të shëndetshme. Nuk mund të ndryshosh perceptimin e një turme që nuk paguan, veçse me këtë mënyrë. Me vullnet, me dhimbje. Të shkatërrosh një rutinë 20-vjeçare abuzimesh dhe ta zëvendësosh atë me një të re, të dhimbshme por të nevojshme, brenda 20 muajve, kjo gjë meriton edhe duartrokitjen e kundërshtarëve…

A është përmirësuar rendi?

Është hera e parë që emri i një ministri shqiptar simbolizon rendin dhe sigurinë në përmasën e përkushtimit dhe ndershmërisë së një titullari. Jo se rezultatet janë masive dhe rendi është në nivelin e duhur për të bërë krenare një qeveri dhe një vend, por sepse ndryshe nga paraardhësit e tij, e me shumë gjasa ndryshe nga pasardhësit, Saimir Tahiri, jo thjesht prishi rutinën e frikshme të mungesës së rendit dhe qetësisë në vend, por theu disa tabu dhe kryesorja, transformoi imazhe.

Me transformim, këtu kam parasysh paraqitjen dinjitoze të Policisë së Shtetit, që është fytyra e shtetit. T’i kthesh dinjitetin institucionit, që mision të parë ka ruajtjen e dinjitetit të njerëzve, është më shumë se të sjellësh ylberin mbas kiametit ku e zhytën ish-qeveritarët me radhë. E them me kënaqësi dhe pa drojë, që për mua, Saimir Tahiri, përveçse një nga politikanët më të emancipuar në vend, është edhe ministri i Rendit më i suksesshëm i tranzicionit shqiptar. Këto edhe për një arsye të thjeshtë, që ka të bëjë me thjeshtësinë: Si rrallëkush i ka mbyllur derën dukjes, shfaqjes e demagogjisë; i është shmangur inercisë së të bërit shfaqje më shumë se sa punë, duke bërë thjesht të kundërtën e paraardhësve dhe bashkëvendësve. Nëse do të vlerësosh dikë, mos dëgjo çfarë thotë dhe si e thotë.

Zakonisht njerëzit përdorin shumë fjalë për t’u fshehur pas tyre.. Shikoji veprimet që bën. Ato flasin më shumë. E përsëris, jo se ndryshoi ngjyra e qiellit dhe jo se rendi nuk ka probleme, por më shumë se në çdo drejtim tjetër, rezultatet në Ministrinë e Brendshme janë të dukshme, të matshme, të prekshme. Janë materie. Por, jo thjesht e vetëm për këtë. Duke përfaqësuar denjësisht besimin dhe detyrën e tij, Saimir Tahiri imponoi dhe kultivoi qartazi respektin për rregullat, për ligjin, për shtetin, çka në fakt është kushti kryesor që një shtet ta krijojë dhe ta ruajë vetveten. Mjafton të shikojmë qarkullimin rrugor!

Në orientimin final, çfarë është shteti? Shteti është vullneti kolektiv i shtetasve për ta njohur, për ta respektuar dhe për ta mbështetur atë nëpërmjet respektimit të rregullave të përbashkëta. Këtu ministri i Brendshëm mban flamurin.

Ç’po ndodh në arsim?

Me gjithë kontestimet, në arsimin publik shqiptar fryn erë e re. Arsimi në Shqipëri ka qenë në frymën e fundit dhe nëse nuk ka ende rezultate të qarta të reformave të ndërmarra, kjo ka shkaqet e veta. Së pari, sa më i sëmurë të jetë një sistem, dhe sa më e rëndësishme të jetë ndërhyrja në të, aq më vështirë është dhe aq më shumë kohë duhet për t’u përmirësuar.

Natyrisht, nëse është krijuar një vorbull paqartësie, kjo mund të jetë edhe pasojë e mungesës së përvojës të administratës së re të MAS-it, por në çdo rast, është i qartë vullneti dhe përkushtimi i Lindita Nikollës për të nxitur ndryshim dhe zhvillim. Në këtë pikë, të kuptohemi, zhvillimi është gjithmonë pasojë e përplasjes së shkaqeve të ndryshimit, dhe jo e pasojave të tyre. Shkak zhvillimi në këtë rast janë idetë, programet, vizionet, që nuk i mungojnë MAS-it.

Pasojë është tensioni social që rrjedh drejtpërdrejtë nga përplasja e nevojës për ndryshim me dëshirën publike për ndryshim. Nëse duam të flasim për zhvillim, duhet ta mësojmë veten të durojmë përfundimin e reformave të ndërmarra, që bëjnë ndryshimin. Ndryshimi është vetëm hapi i parë. Në fund të fundit, finalja e këtyre reformave, do të jetë prova që Rilindja në arsim ka projektuar strategjinë e duhur për drejtimin e duhur.

Si është qeverisja në tërësi?

Kjo dinamikë, me synim ndryshimin tërësor të psikologjisë së ndryshimit, që supozohet t’i paraprijë zhvillimit të vendit sipas strategjisë së Rilindjes, ka shoqëruar në fakt, ku më shumë e ku më pak, të gjitha ministritë e qeverisë. Këtë zell patën edhe reformat ambicioze që nisi të kryejë edhe Ministria e Mirëqenies Sociale, nën drejtimin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Edhe Erion Veliaj solli një risi, atë të krijimit të një impulsi të ri në perceptimin kolektiv të reformave.

Edhe pse është herët për të parë apo për të vlerësuar rezultatet e punës së tij, për shkak se çdo aksion ministror i këtij lloji do kohën e vet për t’u shteruar, jemi në kohë të vlerësojmë dobinë e optimizmit që sjell zelli për punë, që qartazi dhe me shumë pasion shfaqi ish-ministri i saj.

Duhet thënë se vonesa e rezultateve në disa drejtime nuk do të thotë mungesë rezultatesh, ashtu si mund të jenë sigurisht paralajmërime dështimesh, kështu që, ndoshta për befasinë e të gjithëve, këshilla e duhur në këtë rast është durimi. Durim do të thotë të vazhdosh! Aq më shumë që strategjitë e zhvillimit dhe përparimit, në çdo vend, vlerësim e vullnet, kanë në themel logjikën e kohës, çka do të thotë se ajo duhet marrë në konsideratë.

Rilindjes i duhet dhënë koha e duhur! Kjo vlen edhe për drejtime ku në kohën që flasim, situata duket e mefshtë: mjekësia, ekonomia, papunësia, zhgënjimet masive.. drejtime të cilat aq më shumë duan kohë dhe mbështetje, dhe aq më shumë duhen kritika dhe idera, për shkak se në to janë përqendruar realisht edhe sfidat sublime të kësaj mazhorance.

Problemet e Rilindjes.

Natyrisht, Rilindja ka edhe inflacion! Çdo shtet në botë ka inflacionin e vet. Mund të themi, se në Shqipëri ky koeficient është ende i lartë. Por, për një analogji arsyetimi, inflacion i Rilindjes nuk do të thotë “vdekje” e saj. E shumta, si zbehet njeriu në një luginë ku fryn ftohtë, momenti i fillimit të reformave mund të përshkruhet si “zbehje imazhi”.

Dhe është e natyrshme. Rilindja, në mes të stuhisë, presioneve, problemeve të mëdha që trashëgoi e shkuara, përballë vetvetes, përballë inflacionit të vet, është normale të jetë dhe të ketë vështirësi.. Inflacioni i çdo shteti është pjesë e rutinës së tij, që shkaktohet edhe nga shpërndarja e pushteteve, shpërdorimi dhe vështirësia e kontrollit të këtyre pushteteve. Dhe këtu nuk e kam fjalën për pasojat që sjell mungesa e integritetit apo servilizmi i disa drejtuesve të administratës ndaj titullarëve të tyre. Këtu supozoj të kundërtën.

E kam fjalën për shpërdorimin e pakontrolluar të pushtetit nga persona që u është dhënë pushtet, dhe shpërdorojnë pushtet, në dëm të Rilindjes.. Inflacioni shkaktohet edhe nga korrupsioni i administratës, nga abuzimet me fondet publike, nga emërimet e gabuara, nga njerëzit e gabuar, nga nepotizmi etj.

Kur them inflacion, e kam fjalën edhe për meritokracinë. Edi Rama është në provë për të vërtetuar pikërisht këtë gjë, nëse thellë në shpirt është vërtet meritokrat, si ka premtuar gjatë të gjithë kohës, apo mekanizmi i tij përzgjedhës është njëlloj me atë të paraardhësve të tij dhe administrata, Parlamenti, kandidatët në vazhdim do të vlerësohen e zgjidhen njëlloj, me kriteret e vjetra apo pa kritere fare, pa kaluar në filtrat e duhur të vlerave dhe moralit.

Shkruan: Artan MULLAJ

(Marrë nga Gazeta Shqip)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu