17 vjet nga nata e tmerrit në veri të Mitrovicës

0
221

Sot bëhen plot 17 vjet nga masakra që ndodhi natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, me ç’rast ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Plaku 75 vjeçar, Shaip Canhasi nga Mitrovica, i cili jeton i vetmuar prej kohës kur ia vranë gruan, ka bërë të ditur për KosovaPress se që 17 vjet rresht në këtë ditë viziton varrin e bashkëshortes së tij.

Ai ndjehet i lodhur dhe i mërzitur, përton të flasë, sepse preket shumë dhe përjeton rëndë.

Megjithatë, ky njeri i moshuar, me gjithë përjetimet e rënda, ka gjetur forcë dhe nuk është dorëzuar. Ai tregon vullnet për jetën, ndërsa nuk dëshiron të përkujtoi atë natë tmerri.

“Jam lodhur e mërzitur dhe nuk kam guxim të hyj shumë thellë për ta rikujtuar atë natë. Nga mërzia dhe sëmundja më duhet të përdor rregullisht hapa”, thotë Canhasi.
Ai pretendon se policia dhe institucionet relevante nuk kanë vepruar sa duhet në këtë drejtim.

“Unë e di se kanë ndodhur gjëra që nuk kthehen, por drejtësia nuk ka bërë sa duhet për ngjarjet që kanë ndodhur atë natë, ku u vranë 10 njerëz”, ka thënë Canhasi.

Kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, tha se është i rëndë përkujtimi i kësaj masakre.

Sipas tij, drejtësia nuk ka bërë sa duhet në lidhje me ngjarjet e asaj nate të tmerrshme në veri.

“Pjesëmarrës dhe urdhërdhënës në masakra ka qenë Oliver Ivanoviq me shumë shokë të tjerë, siç janë Dragan Delibashiq, Miodrag Raliq, Pagi Joviq, Zoran Dediq, Sasha Saviq e shumë të tjerë. Janë vrarë 10 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë të gjithë brenda nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre. Janë keqtrajtuar rëndë fizikisht 93 persona, ndërsa u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre brenda atij muaji 1564 familje me 11.364 persona”, ka thënë për KosovaPress Barani.

Ai shtoi gjithashtu se dënimi i Oliver Ivanoviqit me 9 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë është absurd dhe se Ivanoviq akuzohet edhe për masakrën e 14 prillit dhe 16 prillit të vitit 1999, ndërsa janë edhe kriminelët tjerë që kanë qenë të përfshirë në këto ngjarje dhe që meritojnë burgun, sepse ka fakte për ta.

Barani theksoi se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare.

Ndryshe, në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të viti 2000 janë vrarë, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP i Serbisë, në krye ish-komandantin, Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë, ndërsa, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu