32 vjet nga kthesa vendimtare e rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë, gjenerata kryengritëse e vitit 1981 ende pa asnjë përkujdesje institucionale

0
204

Në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, në Mensën e Studentëve, në Prishtinë, një grup studentësh kishin shfaqur një pakënaqësi sociale, jo edhe aq të rastit. Ushqimi i dobët, kushtet e tyre të rënda sociale u dhanë shkas atyre, që pakënaqësinë  ta shfaqin në rrugë, duke kërkuar në radhë të parë përmirësim të kushteve ekzistenciale, ndërsa më vonë ata shtuan edhe kërkesa të tjera sociale, madje edhe politike.

Asokohe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare nën Jugosllavi, vepronin shumë grupe dhe organizata atdhetare, ilegale, që kishin synim çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, apo avancimin  e pozitës kushtetuese të Kosovës nga autonomia në Republikë, me të drejta të barabarta sikur republikat e tjera. Në ditët në vijim, të marsit e prillit të vitit 1981, përfaqësues të organizatave atdhetare  filluan të artikulojnë dhe të afishojnë kërkesa politike në drejtim të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës.

 

Më 26 mars dhe me  1 e 2 prill, grupe protestuesish, studentë, nxënës, punëtorë dhe qytetarë liridashës kishin brohoritur: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”, pastaj parulla të tjera si: “Trepça punon, Beogradi fiton!” “Duam kushte!” “Jemi shqiptarë s’jemi jugosllavë!”  “Lironi shokët nga Burgu”,  Adem Demaçi” e kërkesa të tjera të qarta politike, të cilat fuqishëm po i përkrahte rinia atdhetare revolucionare, punëtorët dhe të gjitha shtresat liridashëse. Kundër protestuesve ishin lëshuar qindra pjesëtarë të forcave speciale të ardhura nga Beogradi, me përqendrim  në konviktet e studentëve, ku ata u sollën barbarisht, duke rrahur studentë e studente, duke i tërhequr zvarrë për flokësh, duke i maltretuar mizorisht dhe duke prangosur qindra prej tyre.

 

Zemërimi i liridashësve të Kosovës kishte arritur kulmin dhe më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, kur  protestat kishin shënuar pikën e vlimit, me të gjitha elementet e kryengritjes së përgjithshme. Protestat, nga Prishtina, ku ishte epiqendra, ishin përhapur në tërë Kosovën me ç’ rast u martirizuan dhjetëra demonstrues, ndërsa  morën lëndime trupore qindra të tjerë. Më 2 dhe 3 prill në fshatin Besi të komunës së Prishtinës, qindra protestues, nxënës, studentë madje edhe arsimtarë ndaluan konvojin e forcave rezerviste serbe, që po vinte nga Serbia, në ndihmë të forcave të milicisë në Kosovë. Ata i çarmatosën dhe ua bllokuan rrugën për të hyrë në Prishtinë. Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 120 armë automatike, pastaj municion dhe pajisje të tjera. Me 2 prill në Prishtinë, kreu i ilegales patriotike, Hydajet Hyseni, i cili vepronte ilegalisht, kishte marrë në dorë megafonin dhe iu kishte drejtuar qytetarëve, që po protestonin para Komitetit Krahinor, duke shpalosur kërkesa politike, që buronin nga programi i Lëvizjes kombëtare shqiptare.

Zhvillimet e tilla, që u shfaqen me segmente të një kryengritje të përgjithshme popullore, bënë  që Komiteti Qendror i RSFJ-së të marrë vendim dhe të shpallë gjendjen e shtetrrethimit, prej  2 deri më 18 prill të atij viti, në tërë territorin e Kosovës. Në komunikatën e shtetrrethimit sanksionohej lëvizja e të gjithë qytetarëve të Kosovës në orët e natës, ndalohej tubimi i më shumë se tre peronave në vende publike, ndalohej çdo grumbullim i njerëzve me qëllim të protestave, ndërpritej mësimi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe në të gjitha fakultetet dhe kërkohej nga populli që të mos mbështeteshin kërkesat e demonstruesve, që kualifikoheshin si kërkesa në platformë të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

 

Gjatë asaj kohe në Kosovë zbarkuan dhe u vunë në veprim mijëra forca policore nga Njësitë speciale federale dhe nga të gjitha republikat e Jugosllavisë. Kreu i Komitetit krahinor të Kosovës i dënoi protestat duke i kualifikuar si armiqësore dhe të drejtuara kundër bashkimit  dhe vëllazërimit të shqiptarëve me serbët dhe me popujt sllavë dhe si përpjekje për bashkim me Shqipërinë. Në atë luftë të ashpër, të neveritshme dhe në esencë antishqiptare ishin dalluar sidomos kryetari i Rinisë Komuniste jugosllave, më besniku i regjimit dhe titisti i përbetuar, Azem Vllasi, ish prokurori famëkeq i Kosovës, Ali Shukrija, Mehmet Maliqi-Cikuli,  pastaj, Xhavit Nimani, Fadil Hoxha e të tjerë.

 

Demonstrata e përgjakshme të marsit dhe prillit të vitit 1981, nuk i përkrahu zyrtarisht asnjë shtet i botës, përveç Shqipërisë, e cila reagoi fuqishëm kundër dhunës së tankeve e milicisë federale dhe përkrahu pa rezervë të drejtat e shqiptarëve për krijimin e republikës së tyre në Jugosllavi.

 

Lëvizja çlirimtare e vitit 1981 vazhdoi  gjatë dekadave në vijim, me kërkesën unike për liri e barazi dhe u kurorëzua me sukses në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesa dërrmuese e  kreut  ushtarak të UÇK-së përbëhej nga ideatorët dhe pjesëmarrësit e protestave të vitit 1981, të cilët qysh prej shpërthimit të protestave dhe gjatë tërë kohës së mbretërimit të pushtetit okupator ishin dënuar prej 1 deri në 20 vjet burg të rëndë.  Pikërisht për shkak të dhunës sistematike e shfaronjëse kundër tërë një populli, Aleanca ushtarake Veriatlantike prej 24 marsit e deri më 9 qershor 1999 kishte bombarduar caqet ushtarake dhe strategjike të regjimit kriminal të Beogradit.

 

Më 11 qershor të vitit 1999 forcat e UÇK-së depërtuan në Prishtinë, ndërsa më 21 qershor të po atij viti  nga Kosova u dëbuan të gjitha forcat policore e ushtarake të Serbisë, të cilat kishin kryer gjenocid dhe krime të rënda të luftës.

Si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për çlirim nga robëria, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën deri tani e kanë pranuar afër 100 shtete të botës.

 

Pavarësisht përpjekjeve titanike për çlirim dhe bashkim, pavarësisht maltretimeve ndër më çnjerëzoret që janë ushtruar mbi mijëra të burgosur shqiptarë, në qindra burgje, llogore dhe kazamate  të Jugosllavisë, shekujve të tërë të kaluar nëpër zandane, institucionet e Kosovës, edhe 14 vjet pas luftës dhe pesë vite pas shpalljes së pavarësisë nuk kanë zhdëmtuar asnjë veprimtar të Lëvizjes së rezistencës, asnjë të burgosur nga mesi i mijëra të tillëve, shumica dërrmuese e të cilëve jeton në gjendje të rëndë ekzistenciale. Shtyrja nga viti në vit e ligjit për zhdëmtimin e të burgosurve politikë, mungesa totale e përkujdesjes për ta, mungesa totale e përpjekjes së Qeverisë dhe institucioneve lokale për t’iu gjetur punë, ilustron më së miri indolencën e tyre antikombëtare e pse jo edhe antinjerëzore, sepse në të gjitha vendet ish-komuniste të rajonit, të gjithë të burgosurit politikë janë zhdëmtuar. Vetëm në Kosovë dhe në ish-RJ të Maqedonisë nuk ka filluar zhdëmtimi dhe nuk pritet të fillojë edhe për shumë kohë. Ndoshta, ndonjë mendje e robëruar qeveritari aktual mendon se po të shtyhet ky proces edhe për 10 apo 15 vjet  problemi zgjidhet vetvetiu. Një llogaritje e tillë në kohë, nuk bëhet pa qëllim. Dhe, kështu ndodh, meqë në krye të institucioneve, kudo në vendin tonë,  janë kthyer ata dhe bijtë e atyre që na kanë dënuar, na kanë vrarë, na kanë katandisur si mos më keq, ndërsa ata kanë siguruar jo vetëm vetën,  familjet e akrabatë, por edhe  shumë breza  të tyre të ardhshëm.

Duhet pranuar hapur se indolencës qeveritare i ka munguar edhe zëri i fortë dhe i pa kompromis i të burgosurve, jo vetëm të vitit 1981.

Dalja në rrugë e të burgosurve për të kërkuar zhdëmtim nuk përkon me dinjitetin e nderin e tyre, nuk përkon me moralin e tyre, por kjo pozitë rezignuese iu shkon shumë  për shtati qeveritarëve, pa moral dhe pa dinjitet, pa njerëzi dhe pa asnjë pikë humanizmi.

 

Ahmet Qeriqi

11. 3. 2013

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu