34 VITE KARRIERË DHE PROFESIONALIZËM- NJË JETË QË IU KUSHTUA ARSIMIT

0
42

Që nga tetori i vitit 1984 u bënë 34 vite rrugë për një mision të ri arsimimi

Është shkruar shumë për arsimin, janë botuar edhe tekste, është shkruar për mësimdhënësin, për mësuesit që kanë bartur peshën e arsimimit të kombit. Është shkruar apo është folur diku diku edhe për sakrificën e mësimdhënsve në fillet e hapjes së shkollave shqipe dhe rrëfimet për mënyrën si janë shkolluar gjeneratat par nesh, për mënyrën e udhëtimit të mësimdhënësve e nxënësve deri në shkollë, për objektet në të cilat ata kanë mësuar, tekstet apo mjetet e shkollës me të cilat janë shërbyer, krajatat nëpër të cilat kanë kaluar, dhe kanë qenë gjithmonë rrëfime intresante. Edhe në romanet e tyre, autorët shqiptarë kanë sublimuar sakrificën e mësuesve për arsimin, shekuj me radhë.

Vitet e mëvonshme padyshim se janë karkaterizuar me kushte më të mira të punës por arsimi është zhvilluar falë përkushtimit të arsimtarëve, që kishte qëllim avancimin e mëtutjeshëm të arsimit, në kohë e periudha të ndryshme, e në veçanti në periudhën e okupimit.

Unë zgjodha të intervistoj prof. Tahir Bakalli, profesorin shumëvjeçar të historisë, i cili gjatë bashkëbisedimit tonë për këtë intervistë, prefrazoi një shprehje popollorer: “Arsimi është një bimë tejet kryeneqe, ajo nuk lidhë as kokërr as frut, për pa e larë me djersë, ujë dhe të ketë kujdesje të vazhdueshme, në të kundërtën një komb i tërë do të lëviz gjithë kohën në errësirë!”.

Në pyetjen pse zgjodhët arsimin si profesion, profesori përgjigjet me krenari por edhe me nostalgji për kohën e tij ‘’ Tradita, vëllau i ndjerë dhe tani motra është në arsim, por edhe si familje e gjërë jemi familje arsimdashëse’’.

Në pyetjen pse zgjodhët të studioni historinë, ai përgjigjet se kishte dashuri për këtë lëndë, themelet e të cilave thotë se i mori si nxënës në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku më pas do të vazhdojë të jetë mësimdhënës po në këtë shkollë.

Prof. Tahir Bakalli ka kryer SHLP ”B.Curri” Gjakovë, Dega Histori, më pas ka vazhduar Fakultetin. Punën e filloi nga viti 1984, si 22 vjeçar, si më i riu në këtë shkollë, si profesor i historisë. Ai shprehet se i dukej sikur ëndërr të ishte pjesë e stafit të kësaj shkolle, siç e quan ai, elite në Gjakovë e Kosovë. Profesor Bakalli thekson se falë përkrahjes së parezervë të kolektivit të kësaj shkolle, mirëkuptimit me nxënës dhe prindër, për një kohë të shkurtër adaptohet në misionin e tij, për arsimimin e brezave.

Duke kujtuar vitet e tij, profesori shprehet se sa ishte kënaqësi aq edhe përgjegjësi të ishe pjesë e kësaj vatre arsimore, se ajo ishte shkollë eksperimentale për përgatitjen e studentëve të rinj që studionin në SHLP ”B.Curri në Gjakovë.

Që të ketë sukses dhe puna të kryhej si më së miri, profesori, ishte nisur nga metodika dhe psikologjia e lexuar se suksesi mund të arrihet me vullnet në punë, profesionalizëm, komunikim, kreativitet dhe mbi të gjitha të qenit prind i dytë për nxënësit.

Për një karrierë të suksesshme të tij, profesori thotë se ishin tri shtylla bazë: bashkëbisedimi me nxënës që në orët e para të njohjes, zhvillimin e trekëndshit pedagogjik dhe puna me studentë të rinj, që vinin dhe bënin praktikën tek ai dhe kolegët e lëndëve të tjera. Këto elemente ndihmuan ngritjen profesionale e që me ndihmën e kolegëve apo ish-mësimdhënësve të tij të krijojnë një akomodim profesional në këtë shkollë.

Nga ky konstatim, që në vitet e para të shërbimit puna i jep frytet e suksesit, shkolla po vazhdonte traditën e kolegëve të tij paraardhësve në lëndën e historisë, duke qenë vite me radhë në vendin e parë në garat e historianëve në nivel komunal. Mësuam se nga këto gara dilnin të shpërblyer me diploma dhe medalje. Këto suksese prof.Tahir Bakallit, i hapën rrugën që të vazhdojë të angazhohet jo vetëm në lëndën e historisë por edhe në aktivitete tjera.

Në këtë rast, për të qenë edhe më atraktiv dhe më kreativ, duhet përmendur fillimin e kuizeve të njohur në nivel klasash si: asociacione, memorie, anagrame, fjalëkryqe, etj, që ishin pjesë e mësimit dhe të argëtimit të nxënësve të këtyre gjeneratave. Kjo veprimtari zhvillohej si e vetmja në Kosovë. Në këtë pjesë, cilëson profesori, se gjatë punës me ditar ka pasur kujdes në përdorimin e mjeteve didaktike të cilat lëndën e kanë bërë më interesante. Mjetet didaktike i punonte vetë, huazonte tek kolegët e shkollave të tjera dhe bënte servisimin e disa mjeteve elektronike të kohës. Vlugu rinor nuk e kënaqte me vetëm këto angazhime. Tani duke e parë se nxënësit përveç që shkollën e kanë si objekt për të mësuar, atij duhej t’i ofrohej edhe ana argëtuese. Kështu për vite të tëra ai ishte bërë bashkëorganizator i garave të shahut, pingpongut, lojërave pa kufij, etj. Nga këto gara disa vite kishin marrë vendet e para në komunë, ndërkaq lojrat pa kufij kanë qenë një relaks gjatë vikendeve që bënin me nxënësit. ‘’Me këto aktivitete shkolla jo vetëm që po vazhdonte traditën por kishte dhe risi në zhvillimin psiko-fizik të fëmijës mësim-lojë-aktivitet’’, thekson profesori.

Duke e parë punën me zell që bënte, stafi udhëheqës i shkollës atij i besoi që të udhëhiqte me të gjitha organet e shkollës, gjatë viteve të shërbimit, ndërkaq në periudhën 1998-2000, ka kryer detyrën e zv.drejtorit të shkollës.

Në këtë rrugëtim, puna e tij nuk kishte të ndalur, e kësisoj në vitin 1994-95 bashkë më stafin e drejtorisë ishin botues të Monografisë së shkollës me rastin e 40 vjetorit të themelimit të shkollës. Në vitin 2002, profesor Tahir Bakalli, ishte ideator i themelimit të gazetës shkollore “Shkëndija”, që kishte dalë me dy numra në vitet 1970, por ishte ndëprerë, ndërkaq shprehet i kënaqur që së bashku me disa kolegë, kishin arritur që kjo revistë vjetore të shihte sërish dritën. Punën e tij prej profesionisti dhe humanisti, njerëzit kompetentë e percillnin.

Me rastin e shembjes së sistemit në Kosovë, në fillimin e viteve 90-ta, duhej të krijoheshin intitucionet paralele. Kështu, në fillim të kësaj periudhe shumë të vështira për Kosovën, formohet LASH – Lidhja e Arsimtarëve shqiptarë, e cila luante rolin e Drejtorisë së sotme të Arsimit.

Profesro Tahir Bakallin e gjejmë në Këshillin iniciues të formimit të LASH-it dhe anëtar i Kryesisë së ngushtë në nivel komune të kësaj organizate. Përveç tjerash, sipas vazhdimësisë së angazhimit, ai ishte krijues i një dispense për nxënës, pasi në fillim të viteve 90-a nxënësit mbetën pa librin e historisë të klasës së VIII-të sepse kishte filluar ndryshimi i historisë. Dispensa u punua duke i dhënë miratimin e shpërndarjes së saj në të gjitha shkollat e Komunës së Gjakovës, nga LASH-i.

Me fillimin e viteve 90-a, njëra ndër vështirësitë e kohës, veç tjerash ishte si të ruhen ndjenjat kombëtare dhe zhvillimi i tyre, tregon profesori, andaj, sipas tij, lënda e historisë duhej ta luante rolin e saj historik. Në këtë kontekst, profesori i nderuar, me qëllim të mobilizimit për çështjen në fjalë, filloi mbajtjen e orëve historike nga viti 1992. Këto orë ishin mjaft masive, kurse temat kryesore ishin rreth Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe figurave të ndritshme kombëtare të kësaj periudhe. Ky organizim mori jehonë, e kësisoj edhe kolegët e tjerë, angazhuan nxënësit e tyre të jenë pjesë e këtyre orëve historike. Këto orë i mbanin pofesorët e nderuar nga SHLP ”Bajaram Curri” në Gjakovë si dhe historianë të njohur të Komunës së Gjakovës. Prof. Bakalli, nuk u ndal me kaq, por krahas orëve vazhdoi të mbante kuizet historike nga të gjitha llojet e enigmatikës, si asociacione, memorie, fjalëkryqe dhe anagrame. Në këtë kontekst, LASH-i e emëroi prof.Bakallin, që të organizonte Garat e Historisë të Shkollave të Mesme në nivel të Komunës së Gjakovës. Këto gara u zhvilluan me mjaft sukses por me vështirësi, në nëntor të viti 1995, për nder të përvjetorit të Ditës së Flamurit.

Angazhimi i tij si profesor dhe si organizator aktivitetesh, ishte mjaft dinjitoz. Kjo u vu re me rastin e mbajtjes së dy festivaleve në nivel mbarëkombëtar që u mbajtën në Preshevë në vitin 1995. Ishin Garat e Recitatorëve dhe ajo e valleve popullore, ku LASH-i e kishte emëruar si zyrtar nga Komuna e Gjakovës të drejtonte dy grupet që morën pjesë në këto festivale.

Sigurisht ky ishte një respekt për punën që bënte profesori ku vitet 90-ta ishin më të vështirat për Kosovën, veçmas në historinë e saj. Mësimi paralel ishte sfidë në vete. Ishin mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe institucionet paralele të Komunës së Gjakovës që sfidoheshin me lloj-lloj situatash. Krahas, vullnetit të zhvillimit të mësimit sa më profesional, prof. Bakalli, për të gjallëruar jetën kulturore e artistike në shkollën ku punonte, çdo vit nxiste kolegët e tij të lëndës së muzikës, duke i ndihmuar ata në çdo formë, si në skenarë, kostumografi, incipicient, etj, për të paraqitur sa më denjësisht programet e tilla në nivel komune. Kështu, edhe pse në kushte shumë të vështira, ku tekstet e këngëve duhej përkthyer dhe gjithnjë ishin në vëzhgim të policisë, për çdo vjet mbahej nga një koncert, qoftë për Ditën e Mësuesit, Ditën e shkollës, apo edhe Ditën e Flamurit, por me përkujdesje të madhe.

Vërtet këto ishin vite të arta, thotë profesori dhe shton se krahas mësimit tek nxënësit ruhej ngrohtësia dhe dashuria për shkollën dhe me anë të aktiviteteve, e ajo jo vetëm që ruante por dhe forconte vetëdijen kombëtare. Në vazhdën e këtyre viteve, prof. Tahir Bakallin, përveç mësimit, e gjejmë në Shoqërinë Kulturore Artistike “Shqiponjat e Dukagjinit”, që vepronte në kuadër të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, si sekretar organizativ-financier.

Pjesë e e kësaj shoqërie ishin edhe vallëtarët e shkollës “Mazllum Këpuska”. Ishte një angazhm i pashoq në këtë drejtim, sepse në këto kohëra kjo shoqëri arriti të shfaq koncerte në gjithë qendrat e Rrafshit të Dukagjinit, me çdo lloj të muzikës, si popullore por edhe folklorike.

Si kapitull i veçantë, për prof. Bakallin, është riformimi i Teatrit Amator “Emin Duraku” të Gjakovës, nga viti 1992, ku profesori do jetë i zgjedhur në Bordin e këtij teatri ku gjendet dhe sot. Atij ia besuan detyrën e sekretarit organizativ dhe finacierit të këtij teatri, e tëra në baza vullnetare. Së bashku me bordin e TA, me ndihmsë materiale të njerëzve vullnetmirë dhe DKRS Gjakovë, deri më sot janë mbajtur dy Festivale teatrore për 23 vite “Fëmijët në skenë” (kl.I-V) dhe revista teatrore memoriale “Nura-Bejtullahu-Domi” (kl.VI-IX).

Angazhimi i tij në artin skenik dhe i gjithë Bordit ishte shembull për gjeneratat e mësuesve që merrnin për herë të parë ditarin, për të treguar së mësuesi nuk duhet të jetë vetëm interpretues – apo shpjegues i mësimeve, por ai në vete duhet të ketë vullnetin kreativ dhe të angazhohet në çdo aktivitet që ka të bëjë më nxënësin dhe arsimin. Në këtë vit, më 2018, me mjaft angazhim është arritur që në këtë festival skenik të jenë edhe artistët e vegjël nga Malësia e Gjakovës, produkt i punës së prof. Bakallit, që arriti t’u mundësojë pjesëmarrjen në këto festival, edhe fëmijëve nga Malësia e Gjakovës. Në kuadër të angazhimeve të tij gjatë karrierës, nuk duhet harruar edhe angazhimin e tij me pionerët dhe të rinjt e shkollës në nivel të qytetit në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar. Në këtë kontekst, nga Komuna e Gjakovës, ai u zgjodh edukator udhëheqës i Brigadës së Pionerëve “Emin Duraku” në nivel të Kosovës, e që përbëhej kryesisht nga nxënësit e shkollës “Mazllum Këpuska”.

Me punën e përbashkët me kolegët e Lidhjes së Rinisë së atëhershme, për tri vite me radhë kjo brigadë jo vetëm që tregoi kulturën e punës, por edhe në pikëpamje të paraqitjeve të programeve kulturore dhe artistike, gjithmonë ishte e para. Këto aksione mbaheshin jashtë Kosovës në ish-shtetin e atëhershëm dhe ideja e gjithë kësaj, siç potencon prof. Bakalli, ishte prezentimi i shqiptarëve, duke treguar se ishim popull me traditë në çdo aspekt.

Kjo ishte një formë e senzibilizimit të kombit tonë karshi një shtetit artificial siç ishte atëherë. Nga gjithë këto angazhime, në vitin 1998, profesorit i besohet detyra e zv.drejtorit të shkollës “Mazllum Këpuska” Gjakovë, post ky që e mbajti për një mandat. Kjo detyrë, sipas tij, ishte me shumë përgjegjësi, jo nga vështirësitë që nuk mund ta kryente, por ngase ishte në një periudhë shumë jo stabile, të vitit 1998-2000, atëherë kur çdo gjë duhej filluar nga fillimi. Së pari ishte periudha e para bombardimeve, ku shkollën e “vërshuan” nxënës të ardhur nga lufta, ku duhej pranuar që të vazhdojnë mësimin, si dhe periudha pas çlirimit ku çdo gjë duhej të niste nga fillimi, si nga humaniteti që të merreshin me sigurimin e ndihmave për kolektivin e shkollës bashkë me drejtorin dhe njerëzit vullnetmirë si dhe stabilizimin e gjendjes së shkollës apo sjelljen në binarë të një shkolle që kishte një reputacion jo vetëm në Gjakovë por dhe më gjërë.

Punën e tij gjatë një mandati, e karakterizojnë vullneti i pandalshëm për punë, komunikimi apo rikthimi i trekëndëshit pedagogjik, angazhimi në aktivitete të shkollës me qëllim të krijimit të një ambienti të pëlqyeshëm si për nxënësit ashtu edhe për komunitetin arsimor, kthimi i rendit dhe disiplinës në këtë shkollë. Vlerësimi sipas kolegëve për profesorin, ishin shumë pozitiv dhe që lidhet me një konstatim, se profesori tani zv. drejtor i shkollës në këtë periudhë, ishte më së paku zëvendësdrejtor, që tregonte se ai nuk ishte “ i lidhur për karrigë”, pra nuk ishte një administrator klasik, por njeri që ishte në çdo cep të shkollës ku e kërkonte nevoja, bashkë me drejtorin e shkollës dhe kolegët. Pas mbarimit të këtij mandati, profesorin e gjejmë si Koordinator të Qendrës Didaktike në Gjakovë, pjesë e Ministrisë së Arsimit, detyrë kjo shumë me përgjegjësi nga prilli 2002, ku dhe sot vazhdon të jetë në Qendrën Didaktike, tani si zv. koordinator.

Qendra didaktike ishte dhe do të jetë “shtëpi e dytë” e mësimdhënësve të Regjionit të Gjakovës. Stafi i saj i përbërë nga koordinatori dhe zv. koordinatori, së bashku me bashkëpunëtorë, kanë arritur që në shkollat regjionale të krijojnë kushte elementare për organizim të mësimdhënjes dhe mësimnxënjes ndër vite. Për këtë, profesori thotë se gjatë viteve kanë arritur të zhvillojnë rreth 20 projekte në dobi të mbarëvajtjes profesionale të mësimdhënësve që lidhen drejtëpërdrejt me zhvillimin profesional në klasat e tyre. E veçantë e kësaj qendre ishte se të gjitha shërbimet ishin falas dhe për këtë mësimdhënësit në çdo formë inkurajojnë dhe kanë fjalë të mira për punën e Qendrës Didaktike. Ajo gjatë këtyre viteve arriti të krijojë shumë shërbime për mësimdhënës, si kurse për kompjuter, fotokopjimin e testeve dhe materialeve të ndryshme, huazimi i mjeteve didakatike, literaturës, zhvillimi i trajnimeve me fokus krijimin e kushteve për zhvillimin e orëve bashkëkohore. Në vitin 2003 Qendra ka arritur me bashkëpunëtorë të nxjerrë “Doracakun për mjete didaktike”, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Kosovë. Pra, si të krijohen mjete didaktike me mjete ricikluese. Ky doracak është shpërndarë në 120 shkolla të Regjionit të Gjakovës (Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë). Pra, Qendra Didaktike mbeti si një resurs për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, perms trajnimeve, punëtorive, takimeve, kurseve,etj.

Në këtë kontekst, padyshim duke u bazuar në kapacitetin e profesorit dhe autoritetin e tij, angazhimi në Qendren Didaktike ishte shumë profesional dhe me shumë vlerë. Gjatë vitit 2016-2018, profesor Bakalli, angazhohet vullnetarisht në një projekt që kalon përmasat shtetërore “Artistët e vegjël thyejnë kufirin”, ku autor dhe bartës i këtij projekti është profesori.

Ky projekt në bashkëpunim me disa shkolla të Gjakovës arriti t’i binjakëzonte tri shkolla të Gjakovës dhe të Malësisë së Gjakovës. Projekti kishte karakter edukativo-arsimor dhe kombëtar. Ai arriti që të zhvillonte për dy vite rreth 20 aktivitete dhe janë ofuar disa ndihma të karakterit arsimor në mënyrë që edhe kjo anë – Malësia e Gjakovës, të përfitojë nga ky projekt.

Prof.Bakalli, ndihet i lumtur për këtë angazhim, sepse bazat e komunikimit janë vendosur dhe tani shkollat sipas mundësive mund të vazhdojnë zhvillimin e programeve kulturore dhe artistike dhe shkëmbimin profesional të përvojave.

Në përfundim, prof. Bakalli, përpos zv.koordinator i Qendrës Didaktike Gjakovë, ai është emëruar edhe anëtar i Këshillit Komunal të Arsimit – këshill konsultativ, pranë Zyrës së Kryetarit aktual të Komunës së Gjakovës. Kur u pyet për mirënjohjet dhe medaljet e fituara, për punën e bërë, ai u përgjigj se ‘”mirënjohja më e madhe është edhe sot e kësaj dite, pas mbi tri dekada pune, se jam i nderuar nga shoqëria, ish nxënësit dhe prindërit e tyre, e kjo është pasuria më e madhe që duhet t’i bëhet një njeriu”.

Shkroi: Jehona Berisha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu