38 mijë marka për Fondin e Bukoshit, bonot kujtim

0
265

I detyruar për të gjetur një punë dhe para për të mbajtur familjen në ditët më të vështira që po kalonte Kosova nën okupimin serb në vitet ‘90, Fadil Fetahu nga Prishtina ia kishte mësyrë kurbetit, për të siguruar statutin e një azilanti në Gjermani, dhe atje është ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet jetësore në sigurimin e ekzistencës për vete dhe familjen e tij. Ndonëse me paratë e fituara me mund prej një azilanti është munduar të kursejë gjithçka ka qenë e mundur për familjen, ai i rrëfen gazetës se që nga dita e parë ka rënë në kontakt me njerëzit e Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe ka filluar të derdhë kontributin e tij për ta ndihmuar jetësimin e pavarësisë së Kosovës, mbështetjen e luftës së UÇK-së dhe krijimin e kushteve që Kosova e lirë të zhvillohet shpejt, të tejkalojë madje edhe modelin e një Zvicre, që ia ka lakmi, por realiteti i hidhur në Kosovën e pasluftës e ka bërë të zhgënjehet me mënyrën se si u keqpërdorën dhe po vazhdojnë të keqpërdoren edhe më tutje paratë e diasporës kosovare që iu dhuruan pa kursim përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, me kryeministrin Bukoshi, që vepronte në shtetet e perëndimit, kryesisht në Gjermani.

Paratë për blerjen e “ambasadës”

Në Gjermani thotë se ka shkuar në vitin 1992, në fillim të muajit prill, dhe me ndarjen e kontributit për Kosovën ka filluar që nga muaji i parë i sistemimit e tij në klubin “2 Korriku” të qytetit të Zundernit në Gjermani. “Që nga muaji i parë kemi filluar t’u bashkohemi atyre kosovarëve azilantë e punëtorë me letra që ndanin para atje me qëllimin që thuhet, që të blihej armatim”, thotë në bisedë për gazetën Fadil Fetahu. Ai ka thënë se në muajt e parë deri në maj ka ndarë para nëpërmes Fondit të Ahenit, kurse nga ai muaj ka filluar të ndajë para edhe për fondin tjetër, që është quajtur Fondi i Republikës së Kosovës, e që në Kosovë e kemi mësuar si Fondi i 3-përqindëshit. “Ka pasur shumë njerëz që kanë dhënë edhe në Fondin e Ahenit, por edhe në Fondin e 3-përqindëshit. Më pas, na kanë thënë se edhe ato mjetet e Fondit të Ahenit kanë shkuar në Fondin e 3-përqindëshit, edhe pse ka pasur shumë diskutime se ku janë e si kanë shkuar ato të holla. Mua më kujtohet shumë mirë që edhe Fondi i Ahenit u shkri në 3-përqindësh, pavarësisht që është thënë se ato mjete janë keqpërdorur”, ka thënë ai. Ndonëse nuk i hiqet nga mendja se ato mjete në një masë janë keqpërdorur në atë kohë, sikur keqpërdoren edhe sot, ai është në dijeni se në një moment janë ndarë mjete të mëdha buxhetore për blerjen e një shtëpie diku në Gjermani, për fatin e mëtejmë të së cilës nuk ka mësuar asnjëherë. “Mua më kujtohet mirë kur ka filluar ajo puna e mbledhjes së të hollave për ta blerë një ambasadë. Kemi kontribuar dhe kemi mbledhur para pa kursim. Të gjitha këto para janë mbledhur duke u tubuar në klub. Unë kam marr pjesë në klubin e “2 Korrikut” ku aktivist i mbledhjes së 35 ka qenë Sadik Peci nga Mitrovica dhe akoma është gjallë. Kanë ardhur, i kanë marrë të hollat, kanë shkuar në bankë, është bërë pagesa dhe pastaj e ka sjellë me vulë të bankës fletëpagesën sipas së cilës është kryer obligimi. Kështu, kemi vepruar për çdo muaj që kemi paguar dhe asnjë pagesë nuk është bërë pa e kthyer fletëpagesën, veç ndonjë iniciative që kemi marrë për ndonjë nevojë të shkollave, ose për ndonjë të sëmurë, ose për arsimtarë, për mjekësi, ose për spitale në përgjithësi”, ka thënë ai.

Dyshimet për keqpërdorimin e mjeteve

Fetahu thotë se kanë ndodhur raste kur nuk kanë marrë mbrapa fletëpagesat, por, sa i përket kësaj pjesës tjetër të 3-përqindëshit, ka shkuar krejtësisht me letra dhe në mënyrë legale. Ai shton se gjithmonë paratë nga azilantët dhe shumica e kontribuuesve janë dhënë në kesh. “Janë tubuar paratë dhe një nga aktivistët drejtpërdrejt i ka dërguar për ta bërë pagesën në bankë. Sa herë kam paguar pastaj fletëpagesën e ka sjellë te unë. Xhirollogaria ku janë paguar paratë ka qenë xhirollogari në emër të Kosovës, e dedikuar për ndihma humanitare, sepse në Gjermani nuk ka pasur asnjë të drejtë ligjore që të thuhet se sigurohen ndihma Qeverisë së Kosovës, por është rregulluar ajo punë që mjetet të derdhen në emër të ndihmave humanitare për Kosovën, për popullatën e Kosovës”, thotë Fetahu.

Sipas njohurive të Fetahut, në mesin e tre njerëzve që kanë pasur qasje të mundshme për të tërhequr para nga Fondi i Republikës së Kosovës, besohet të ketë qenë edhe vetë ministri i Financave në Qeverinë Bukoshi, Isa Mustafa. Dyshimi i parë i keqpërdorimit të mjeteve, sipas tij del kur është thënë se një masë e madhe e armatimit të blerë është zënë në Bari të Italisë dhe pastaj kanë filluar të dalin nga pak dyshime. Ai thotë se për të pasur një siguri më të madhe kanë filluar me blerjen e bonove. “Bonin ta ka sjellë aktivisti, dhe unë po e ruaj këtë kur më 5. 8. 1998 i kam paguar 1000 marka, dhe më 6. 9. 1998, që janë paguar 500 marka. Edhe për këto pagesa, veç dhënies së bonit si dëshmi, është bërë dhe kthyer edhe fletëpagesa. Është e vërtetë që ka qenë një aferë e madhe mbas këtyre gjerave”, tha Fetahu. Mst/ Premtimet e mëdha

 

Fetahu thotë se dhënia e bonove është shoqëruar me premtime të mëdha se mjete e dhuruara do të ruhen në fond shumë të sigurt, nga i cili Kosova do t’ia kalonte edhe Zvicrës me zhvillimin e vet pas luftës, se pikërisht do të jenë kontribuuesit dhe blerësit e atyre bonove që do të përfitonin gjithë privilegjet e mundshme të trajtimit të shtetit pas jetësimit të pavarësinë, duke filluar nga hapja e bizneseve, punësimi, arsimimi, trajtimi shëndetësor dhe shumë përparësi të tjera, që do të siguroheshin për ta dhe anëtarët e familjeve të tyre nga ana e shtetit të Kosovës. “Kur filloi ashpërsimi i lutës në Drenicë, njerëzit kanë dhënë para pa asnjë hezitim, kanë qenë në gjendje të japin edhe rrobat e trupit, se jo paratë. Janë rrjepur njerëzit duke dhënë para në shuma nga më të ndryshme që kanë pasur mundësi ta bëjnë, sepse bëhej fjalë për blerjen e armatimit për UÇK-në. Besoni që kur i kemi parë uniformat e para dhe ushtarët e UÇK-së duke hapur kanale, ne nuk kemi mundur të përmbahemi atje nga vaji për mundin dhe rrezikun e tyre, andaj nuk kemi kursyer asgjë për lirinë e Kosovës”, thotë i emocionuar, por i zhgënjyes kur dëgjon e lexon se fondet nuk kanë shkuar gjithmonë në destinimin e vet. “Më besoni që edhe pse isha azilant dhe gjendesha si do që mundsha me ndonjë punë, me evidencën personale që kam mbajtur, mund të them se për ato 8 vjet të qëndrimit në Gjermani kam kontribuar duke dhënë jo më pak se 38 mijë marka gjermane. Aso kohe ato para kanë pasur vlerë të madhe, po të investoheshin në Kosovë dhe nuk mund të krahasohen as së afërmi, as me dyfishin e vlerës së eurove të tashme”, thotë Fetahu. Premtimet thotë se i kanë dalë mbi kokë, por ato asnjëherë nuk u realizuan. “Është premtuar, është thënë se do të bëhet gjithçka për të mirën e popullit dhe së pari për ata që kanë kontribuar, dhe anëtarët e tyre, sepse ne edhe fëmijëve ua kemi ndarë kafshatën prej gojës për këtë shtet, por kjo çështje sot nuk po trajtohet askund. Mua më bëri të habitem një deklaratë e Bukoshit, kur tha se puna e këtyre parave është çështje e mbyllur, dhe kjo duhet të jetë e turpshme për të, sepse ai pikërisht këtë çështje e di shumë mirë. Të thotë se kjo çështje është mbyllur dhe nuk dua të dëgjoj për këtë punë, nuk është serioze, sepse ai i di këto punë më së miri. Nuk kanë mundur të shkojnë krejt ato mjete në një fshat me 150 mijë marka dhe të mbyllen gjërat. Është mirë që është bërë ai fshat, por kjo nuk mund të kryhet me 150 mijë marka dhe këtë duhet ta dijë shumë mirë z. Bukoshi”, thotë në bisedë për gazetën azilanti, që pas kthimit nga Gjermania jeton në Prishtinë. E keqja tjetër, sipas tij është edhe ajo që ka parë në gazetë, kur të njëjtat bono janë vulosur dhe me vulën e UÇK-së, e që sipas tij ky mund të jetë një keqpërdorim i modelit tjetër, pasi që të tilla bono nuk ka parë asnjëherë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Pavarësisht që është bërë shumë mediatike problemi i këtyre parave, ai nuk ka fare besim në institucionet e tashme të Kosovës se do të marrin hapa për ta zbardhur të vërtetën se si u menaxhuan njëri dhe fondi tjetër, sepse korrupsioni është i shtrirë në të gjitha subjektet politike, që e përbëjnë qeverisjen e sotme në Kosovë, pozitën dhe opozitën. ”Duke marr sot parasysh krejt këtë pasuri të pushtetarëve të sotëm, se nga ka mundur të vijë kjo pasuri, unë them që të tria këto parti politike kanë vjedhur bashkë. Është e pamundur që për këto 12 vjet të mos kenë manipuluar që të gjithë së bashku, sepse njëri pa tjetrin nuk kanë mundur të shkojnë, këto përplasje që janë e që i shohim ne janë vetëm sa për sy e faqe, sepse këta hanë bashkë. Të gjithë këta e dinë edhe se si ka shkuar punë e 3-përqindëshit, sepse ajo nuk ka zgjatur 2, 3, apo katër muaj, kështu ka ndodhur edhe me mjetet e tjera, edhe me mjete e Fondit “Vendlindja Thërret”, sepse është dhënë kontribut i madh. Duhet të shihet se si mundën të pasurohen këta brenda natës. Kjo pasuria që po bëhet me tenderë edhe mund të jetë vetëm fundi i pasurimit të tyre, sepse ata të pasur ishin menjëherë pasluftës, sepse fillimin e pasurimit e kanë nisur pikërisht me këto fonde”, shpreh dyshimin e tij qytetari prishtinas, Fadil Fetahu.

Skepticizmi i Fetahut

Skepticizmi i tij është i madh në vullnetin politik për ta zbardhur të vërtetën nga institucionet vendore. “Nja 80 për qind të deputetëve që janë, kurrë nuk do ta zgjidhin këtë çështje, sepse askujt nuk i intereson kjo. Ata mendojnë për vete dhe interesat e grupeve të tyre, sepse ku është parë që në një Kosovë në të cilën kanë hyrë kaq shumë investime, për të cilën janë dhënë aq shumë mjete ndihmë, edhe nga diaspora për një popullatë që nuk është shumë e madhe, sot njerëzit të jetojnë me një pension kaq qesharak, e madje shumë skamnorë edhe pa asnjë ndihmë nga ana e shtetit”, thotë Fetahu për “Kosova Sot”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu