Abdyl Latif saleh, si sponsor i Berishës & Co

0
413
Shekulli
“Doktori” saudit, njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë

Telashet më të mëdha Berisha nuk i pati prej Hassanein. Një figurë misterioze për të cilën ai pati probleme ishte Abdyl Latif Salehu. M’u kujtuan bisedat e gjata të Berishës për të, si dhe fakti që asnjëherë nuk përtonte për të dhënë sqarime rreth tij.

– Çfarë problemesh ke me këta islamikët, që të sulmojnë amerikanët? – i thashë papritur, më vonë, kur Berisha ishte vënë në qendër,të sulmeve si njeri që kishte ndihmuar veprimtarët më të rrezikshëm të Al Qaedës për të krijuar bazat e tyre në Shqipëri.
-Janë shpifje, – më tha. – Më akuzojnë për “Doktorin”.
-Ç’është ky?

– Dr. Abdul Latif Salehi, që është një njeri i tyre, – këtu kishte parasysh amerikanët, – por që duan të ma rrasin mua tani. Nuk e njeh ti, s’di si të ta shpjegoj. Janë ca punë shërbimesh, që nuk i thua dot as në opinionin publik. Shiko, po ta them ty këtu, por mos e shkruaj, se është me zarar.

Ai ishte spiun i tyre. Shërbimi ynë u premtoi se do ta përdorte për të identifikuar të gjithë tipat e rrezikshëm që vinin nga Lindja e Mesme këtu dhe që mund të iknin në Europë.

Pra, ai bashkëpunoi me ne. I dhashë edhe shtetësinë shqiptare. Janë të pandershëm, se ua kam çuar emrin përmes shërbimit në ambasadë dhe kanë dhënë miratimin.
-Ka shkresë për këtë? – e pyeta. Nuk e di se si m’u ngjall instinkti i gazetarit për ta parë deri në fund këtë histori.

-Po ku di unë a ka shkresa…. Unë nuk merrem me shërbimet, jam president i vendit. Shërbimi im më tha që e verifikoi dhe ishte në rregull, ndaj dhe mund t’i jepej shtetësia.
M’u duk bindës në shpjegimin për pafajësi në këtë pikë.

Në vjeshtën e vitit 2001, në Tiranë erdhën dy gazetarë amerikanë, që ndiqnin gjyqin e të akuzuarve për veprimtari terroriste bazuar në marrëdhëniet me Al Qaedën. Ata kërkuan takim me Sali Berishën dhe celulën e SHIK-ut që merrej me terrorizmin.

Berisha i takoi me tre ish-oficerë, në atë kohë të papunë, që u shpjeguan atyre të njëjtën histori: që dr. Salehu ishte agjent i dyfishtë. Por Berisha nuk pranoi të citohej për këtë.
-E di ambasada, – u tha atyre, – pyesni në ambasadë.

Gazetarët ikën, por ishin skeptikë për atë që u tha Berisha. Nga mënyra se si fliste Berisha, m’u krijua ideja se dr. Salehu mund ta kishte marrë shtetësinë diku nga viti 1994 ose 1995. Pasi i hodha një sy të shpejtë listës së shtetësive, pashë që ai e kishte marrë atë në vitin 1992, pra sapo Berisha kishte ardhur në pushtet.

Ishte pak e dyshimtë që ai të kishte pasur aq kohë sa të ishte që atëherë agjent i dyfishtë dhe të verifikohej edhe nga amerikanët. Për më tepër, ai kishte marrë dy herë pasaportë shqiptare, në vitin 1993 dhe pastaj në vitin 1995.

PASSPORT (Albania) 3147728 March 1993
PASSPORT (Albania) 03346951 December 1995
Më pas, kur vendosa të gërmoj për të, mësova se ai kishte ardhur në Shqipëri qysh në vitin 1991, si këshilltar për probleme mjekësore. Kishte punuar disa vite në Spitalin Ushtarak dhe shumë mjekë të atij spitali e njohin shumë mirë.

Fjalimet e tij për xhihadin e nevojshëm edhe në Shqipëri, mjekët tanë, shumica ateistë, i kanë pas marrë me të qeshur. Por Salehu ishte serioz në projektet e tij. Në mes të fushatës elektorale të vitit 1996, Sali Berisha e kishte atë në krah, kur filluan punimet për një spital në Sauk, që do të ndërtohej nga fonde të rrjetit të tyre bamirës, por që nuk u ndërtua kurrë.

Berishës iu kthye në kompleks ky njeri dhe mbaj mend se shpenzonte shumë kohë që ta hiqte nga vetja përgjegjësinë pse ai kishte marrë shtetësinë dhe pse amerikanët dyshonin se ishte lidhja e Berishës me klanet e errëta të botës arabe.

“Doktori”, siç njihej gjerësisht prej Berishës dhe Gazidedes, dukej se ishte bërë njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë. Ai ishte pjesë e investimit në dy kullat binjake në qendër të Tiranës, zanafilla e ndërtimit të të cilave nis me pushtetin e Berishës dhe kompensimin e disa figurave të larta të pushtetit në atë kohë, përfshi edhe Tritan Shehun.

Gazetarët amerikanë që erdhën në Tiranë, i dhanë gazetës Albania edhe disa përkthime të gjyqit që u zhvillua ndaj njerëzve të arrestuar në Tiranë. Aty shihet se “doktor” Salehi kishte mundësuar futjen në Shqipëri të Ahmed Ibrahim Al Nagarit, i cili u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si pjesëmarrës në atentatin e dështuar ndaj ish-kryeministrit të Egjiptit në vitin 1995.

Në dëshminë e vet në gjyq, Ahmed Ibrahim Al Nagari thotë se, pas atentatit ndaj kryeministrit të Egjiptit, ai u fsheh disa kohë në Siri dhe pastaj u dërgua në Shqipëri.

Në mënyrë banale, korrupsioni i doganierëve shqiptarë ka dështuar për futjen e tij në Rinas. Doganieri ynë i ka kërkuar një bakshish dhe Ahmed Ibrahim Al Nagari nuk ia ka dhënë. Kaq i ka mjaftuar që të kthehet mbrapsht në Stamboll. Pas një peripecie disajavore, ai kaloi në Damask, ku siguroi një biletë tjetër dhe u përcoll në doganën shqiptare nga Abdyl Latifi.

Më pas, Ahmed Ibrahim Al Nagari tregon se ka punuar në fondacionin “Haraman” në Tiranë, me punë të ndryshme, derisa e arrestuan, në vitin 1999. Sipas një dëshmie tjetër në gjyq, Muhamet Zawahiri, i cili ishte kreu i krahut ushtarak të Xhihadit, drejtonte Organizatën Islamike të Ndihmave me qendër në Tiranë.

Ai ishte inxhinier, ndërsa vëllai i tij, dr. Ayman Zawahiri, ishte njeriu kryesor i Xhihadit dhe më pas njeriu më i rëndësishëm pas Bin Ladenit në Al Qaeda. Emri i tij shfaqet po ashtu në Bosnjë, në trajnimin e celulave të Xhihadit atje.

M’u kujtuan historitë e furnizimit me armë, por pa para, të ushtrisë boshnjake nga Shqipëria, në vitin 1995. Berisha i ka pranuar ato publikisht, sidomos pas shpërthimit të Gërdecit. Bëri një tentativë të dështuar për të ngatërruar trafikun e armëve për Afganistan me trafikun e Gërdecit dhe tha se i kishte telefonuar presidentit Karzai nëAfganistan, që të vinin e të merrnin armë falas këtu. Pohoi se këtë e kishte bërë më parë edhe me Bosnjën.

Pikërisht këtu është lidhja e fortë me Hassanein-in, “burrin e armëve” të Izetbegoviçit. Njeriu kryesor, që Hassanein-i e konsideronte bashkëpunëtor në Bosnjë, ishte Hasan Çengiç, një figurë që identifikohej me furnizimin me armë të Bosnjës, është lakuar vonë për lidhje me tregtinë e armëve nga Shqipëria. (Aneksi 6)

Janë pikërisht këto lidhje që na ringjallen pas vitit 2005 kur Berisha erdhi në pushtet. Njeriu që ringjall këtë “perandori të fshehtë” të Berishës është Damir Fazliç. Për ta bërë më të qartë këtë lidhje më duhet të tregoj shpejt e shpejt si e kam njohur unë Damir Fazliçin.(Aneksi7)

Ndërkaq, Damir Fazlliçi u afrua me Izetbegovicin në vitet e fundit të pushtetit të tij në Sarajevë dhe paraqitej gjithandej me kartëvizitën e një këshilltari të tij. Nuk jam i sigurt se sa ka qenë këshilltar i Izetbegoviçit ky njeri, pasi mosha e tij e re më pengon ta besoj, por vendosmëria e tij dhe e Berishës për t’u prezantuar si i tillë e ka një domethënie.
Rrënjët e këtyre lidhjeve të ngatërruara ballkanike i ke të vështira t’i besosh, nëse nuk je në brendësi të tyre.

Njeriu më i afërt i Hassanein-it në Bosnjë, Hasan Çengiç, ka qenë ajo që quhej “zemra e logjistikës” së luftës në Bosnjë dhe rezulton të jetë edhe një lidhje e afërt me Damir Fazlliçin, njeriu që mbiu në Tiranë në fillim të vitit 2005 dhe filloi së pari të hidhte sytë nga tregtia e armëve.

Interesante është se, në vitet 2003 dhe 2004, ai kishte bërë disa biznese të pjesshme në Kosovë, falë lidhjeve të njerëzve të Sali Berishës atje, përfshi dhe vajzën e tij. Mes këtyre bizneseve shquan një kontratë për shitje energjie të qeverisë së Kosovës në qeverinë e përbashkët të Rugovës me Haradinajn, ndihmuar nga disa ministra të LDK-së.

Në Kosovë, prej vitesh jetonte dhe punonte vajza e Sali Berishës, e cila kishte rivendosur lidhjet e vjetra të të atit me njeriun e Bosnjës, që ringjallte lidhjet e vjetra të kabinetit të Izetbegoviçit.

Biznesmeni i ri, i shkolluar në mënyrë sipërfaqësore, thuajse sa për kartëvizita, në SHBA dhe Britani, kishte lidhje po aq të forta në Serbi, për shkak të origjinës së nënës së tij, e cila ishte një kushërirë e shefit të UDB-së, Stanishiç.

Kryqëzimi i emrave që të çojnë te rrënjët e kontrabandës së armëve në Bosnjë dhe te përzierja e mafies rajonale në të, bëri që pas rikthimit të Berishës në pushtet, në vitin 2005, të lulëzonin sërish linja të vjetra të trafikut të armëve nga Shqipëria, ku mbiemrat Fazliç, Lazareviç, Çengiç, Oriç etj, shfaqeshin në median rajonale si porositës të ngarkesave të armëve që lidhnin Bosnjën, Shqipërinë, Serbinë dhe botën arabe, përfshi Iranin dhe hezbollahët.

I kam menduar gjatë më vonë këto lidhje të Fazlliçit, kur ky njeri dukej se po bëhej diktues i së ardhmes politike dhe financiare të familjes Berisha. Vajza e Berishës, e cila ka prokurën për të përfaqësuar të gjitha bizneset e Fazlliçit në Shqipëri, e pranoi atë publikisht si mik të familjes dhe klient të saj, ndërsa Sali Berisha, edhe pse pati shumë telashe prej tij, i ka zëvendësuar takimet në zyrë me takime në shtëpinë e tij.

Askund tjetër, në asnjë vend të globit, nuk mund të gjesh hibride të tilla mafioze, gjysmëmyslimane, gjysmortodokse, gjysmëserbe, gjysmëboshnjake e gjysmëshqiptare, gjysmëproperëndimore e gjysmantiperëndimore, ditën si njerëz të Perëndimit e natën si përfaqësues të mafies.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu