Administrata e pushtuar nga politika

0
147

Ndonëse Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që në administratën publike të Kosovës të dominojë konkurrenca e vlerës dhe jo nepotizmi dhe militantizmi partiak, duket se ky mesazh ka hasur në vesh të shurdhër. Madje drejtuesit e dikastereve në Qeverinë e Kosovës për “inat të BE-së”, në vijimësi e kanë shfrytëzuar administratën publike si sektor rehabilitues për bashkëpartiakët.

Pothuajse nuk ka ministër në Qeveri të Kosovës për të cilin nuk është raportuar se si i ka punësuar në poste të ndryshme në administratën shtetërore, këshilltarët e tij politikë, kushërinjtë, dostat e akrabatë, ndërsa shpalljet dhe përfilljet e konkurseve publike janë bërë vetëm për “sy e faqe”.

Rastet kur personat politikë “konvertohen” në zyrtarë shtetërorë, përkatësisht përfitojnë pozita të larta në administratën shtetërore deri më tash janë raportuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPB), por edhe në dikasteret tjera, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Infrastrukturës etj.

Këshilltarët politikë, të sigurt vendin në administratë

Bazuar në atë që është raportuar, deri më tash ministria që drejtohet nga Enver Hoxhaj i ka prirë garës për punësimin e dostave në administratë. Në fund të muajit të kaluar dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, përkatësisht këshilltari i tij politik, Lulzim Pllana dhe shefja e kabinetit të tij, Heroina Telaku, janë zgjedhur në pozita të larta në MPB.

Pllana është zgjedhur zyrtar i lartë për Këshill të Evropës, ndërsa Telaku zyrtare e lartë për BE – Parlament, Bruksel Strasburg.

Raste të tilla ka pasur vazhdimisht në MPJ, veçanërisht emërime dhe vendosje të militantëve partiakë në shërbimin diplomatik e konsullor të shtetit.

Disa javë më parë “Zëri” ka raportuar se pak a shumë të njëjtën gjë është duke e bërë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Ai ka hapur konkurs me qëllimin e vetëm që këshilltari i tij, Artan Ndrecaj, të bëhet drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave të Transportit.

Disa muaj më parë Qeveria e Kosovës ka bërë përzgjedhjen dhe emërimin e sekretarëve permanentë nëpër ministri dhe dikastere të ndryshme shtetërore.

Ndërkaq, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar ka zgjedhur ish-zyrtarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi, në pozitën e sekretarit të kësaj ministrie. Në fakt, Gashi para se të bëhet zyrtar i administratës kishte qenë këshilltar i ministrit paraprak, Zenun Pajaziti, nga ku kishte kaluar në administratë.

Administrata, vend ku rehatohen militantët

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, thotë se duke e politizuar administratën Qeveria e Kosovës po vepron krejtësisht në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian. “Është paaftësia e administratës brengë e vazhdueshme në secilin raport, sidomos në Raport të Progresit, por gjithashtu edhe në raportet tjera. Në secilin raport që vjen në Kosovë përmendet kjo. Shihet që qeveria jo që nuk i merr vesh këto rekomandime të organizatave të fuqishme botërore, por pikërisht po e shfrytëzon administratën për t’i rehatuar militantët e vet nëpër pozita”, thotë ajo, duke shtuar se kështu shteti po dëmtohet çdo ditë e më shumë.

Ajo thotë se rastet e fundit të përzgjedhjes “në mënyrë të drejtë dhe me konkurs” të këshilltarëve të ministrave kosovarë në pozita të ndryshme shtetërore vetëm se e dëshmojnë konceptin e ekzekutivit të vendit për kontrollimin e administratës.

E dyta e LDK-së thotë se kur të vijë në pushtet kjo parti, do të rishikohen të gjitha emërimet politike që janë bërë, dhe të gjithë ata që kanë përfituar pozita pa meritë do të largohen nga vendet e tyre të punës.

Edhe për Lëvizjen “Vetëvendosje”, politizimi i administratës, përkatësisht shfrytëzimi i saj për t’i punësuar militantët partiakë është duke vrarë shtetin e Kosovës.

Puhie Demaku nga kjo parti thotë se “konvertimi” i stafit politik në staf civil është proces që po i përcjell ministrat kosovarë që nga dita e parë e punës së tyre.

“Po duket qartazi se si ministri Enver Hoxhaj po do t’i sistemojë militantët partiakë në shërbim civil për arsyen e thjeshtë se kështu do të mund të avancoheshin si diplomatë të karrierës, edhe kjo do t’iu shërbente si një trampolinë për të ardhmen për t’u avancuar në pozitat diplomatike. Ky është politizim i administratës, edhe në anën tjetër është degradim edhe politizim i shërbimit të jashtëm të Kosovës”, thotë ajo.

Sipas Demakut, asnjë ministër s’ka të drejtë as ligjore dhe morale që të përzihet në përzgjedhjen e stafit civil, e aq më pak t’i shpërblejë këshilltarët e tij me pozita në stafin civil, apo në stafin diplomatik e konsullor.

Qeveria arsyeton punësimin

Pothuajse i vetmi person në Qeveri të Kosovës që përherë deklarohet kundër politizimit të administratës dhe emërimeve politike në këtë sektor, është ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Me ministren Çitaku të shtunën ka qenë e pamundur të kontaktohet, por zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme mohojnë se ministri Enver Hoxhaj është duke “u përzier” në emërime dhe zgjedhje të shërbyesve civilë.

“Dy personat në fjalë, Telaku dhe Pllana, janë përzgjedhur në pozitat respektive në përputhje të plotë me aktet normative si dhe procedurat e parapara ligjore. Ata kanë konkurruar në konkurset publike, të hapura nga MPJ-ja, i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkurs, janë ftuar në testimet e zhvilluar dhe në fund, janë përzgjedhur nga ana e komisioneve përkatëse profesionale të krijuara për këto dy konkurse”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MPJ-së, dërguar nëpërmjet postës elektronike.

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu