Agani, tender 136 mijë euro për kushëririn

0
106

Ferid Agani

Armend Agani, pronar i kompanisë farmaceutike “Agani”, ishte ankuar muaj më parë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit se assesi nuk po mund të fitojë tenderë në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga kushëriri i tij, Ferid Agani.

Mirëpo, pak muaj më vonë, Armend Agani, po hesht karshi “padrejtësive” të tilla, pasi që ka fituar 9 lote në dy tenderë për furnizim me barna esenciale dhe citostatikë nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 136 mijë euro.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar të mërkurën njoftimin për dhënie të kontratës të Ministrisë së Shëndetësisë, ku shihet se kompania “Agani” është fituese e tri loteve të tenderit për furnizim me citostatikë (ilaçe kundër kancerit) nga Lista Esenciale.

Në tenderin që kishte gjithsej gjashtë lote, “Agani” ka fituar kontratë në vlerë prej mbi 30 mijë euro, përderisa tri lotet tjera të këtij tenderi i ka fituar kompania “Santefarm”.

Nuk janë këto lotet e vetme të tenderit të fituara kohëve të fundit nga kompania “Agani”. Në tenderin për furnizim me ilaçe esenciale, janë shpallur fituesit e 50 loteve. Ndërkaq 37 lote tjera pritet të ritenderohen.

Nga njoftimi i publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik po të datës 14 korrik 2014, shihet se kompania “Agani” ka fituar gjashtë pjesë tjera të tenderit në vlerë prej 106 mijë euro, në tenderin që kap shumën e përgjithshme prej rreth 2 milionë euro.

Sipas njoftimit, në tenderin për furnizim me ilaçe esenciale kompania “Agani” ka fituar lotet: 1, 42, 49, 61, 71 dhe 85.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me Armend Aganin, përfaqësues i kompanisë “Agani”, mirëpo ai nuk është përgjigjur të mërkurën nëpërmjet telefonit, nëse ka arsye të ankohet, pas marrjes së nëntë pjesëve të dy tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, nga njoftimet publike shihet se Ministria e Shëndetësisë nuk ka lënë shumë hapësirë për ankesa.

Kështu, përveç Armend Aganit, pjesë të tenderit milionësh kanë fituar edhe Medical Group. Kompania që udhëhiqet nga Skënder Kutllovci ka fituar tri lote të tenderit për furnizim me ilaçe esenciale.

Ndërkaq “Santefarm” me pronar Milaim Abdullahun në tenderin për furnizim me ilaçe ka fituar edhe gjashtë pjesë tjera.

Është kompania “Trepharm” ajo që ka pasur më pak hise në këtë tender, duke fituar vetëm lotin e 74 të tenderit në vlerë prej 17 538 euro.

Edhe “Medimax” ka fituar vetëm një lot, që sillet në vlerë prej rreth 70 mijë eurove.

“Sinorg” është shpallur fituese e lotit 56 kurse “Rona Pharm” ka fituar lotet 55, 69, 70 dhe 73.

“Eksclusiv” nga Gjilani ka fituar pjesën e 17, 44 dhe 86 të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë Por, “kajmakun” e tenderit e ka fituar kompania “Meditech”, me pronar Stakë Stakën. Ndonëse ka fituar dy lote të tenderit për furnizim me ilaçe, kjo kompani nga kontrata dyvjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë do të përfitojë më shumë se 700 mijë euro, vetëm nga ky tender.

Pjesë të tenderit kanë përfituar edhe kompanitë “Global Pharm”, “Aldosch Pharma”.

 

Gjithashtu është kompania “Liri Med”, me pronar Lirim Mustafën, ajo që ka fituar 11 nga 50 lotet e shpallura.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se operatorët ekonomikë të shpallur fitues i përmbushin kriteret në dosjen e tenderit. Të përzgjedhurit, sipas Faik Hotit, drejtor për informim në Ministri të Shëndetësisë, kanë ofruar çmimin më të ulët.

Sa i përket dhënies së tenderit kompanisë “Agani” që udhëhiqet nga kushëriri i ministrit Agani, Hoti ka thënë se shpallja e fituesve nuk lidhet me emra të operatorëve ekonomikë, kushdo qofshin ata, por me përmbushjen e kushteve sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Ankesat eventuale të operatorëve, i drejtohen OSHP dhe kontratat nga ana e MSH-së lidhen vetëm atëherë kur OSHP konstaton rregullsinë e procedurave. Kështu që, secili operator e ka të drejtën e pakontestueshme ligjore që të ushtrojë ankesë në rast pretendimi për shkelje”, ka thënë Hoti.

Nga: Alban Selimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu