“Ahmet Zogu ishte hamshor, Geraldina, gjinj të bukur”

0
333

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në librin e tij “Kurban” i kushton disa faqe edhe figurës së mbretit, Ahmet Zog dhe bashkëshortes së tij, mbretëreshës, Geraldina. Në rreshtat kushtuar familjes mbretërore, Rama i shpreh hapur notat negative duke e cilësuar mes të tjerash Zogun jo vetëm si “beu hamshor” por edhe si një “ambicioz injorant” e “tradhëtar”. Sa i takon mbretëreshës Geraldina, kreu i PS-së shprehet mes të tjerash se ajo kishte “një gji të bukur”. Në pjesën e shkëputur sot nga “Kurban”-i, “Gazeta Shqiptare” boton edhe komentet e bëra nga Edi Rama në lidhje me donatorët e ekipit të futbollit të Tiranës, Mihal Delijorgji, egjiptianin El Sayed dhe Refik Halilin.

Në rrokopujën e Perandorisë Otomane, ku lindi më pas, në mes të ferrave e kallamishteve, një mbretëri kryeneçe e dalë nga sherri rraskapitës që solli në Tironën e përgjumjes së patrazuar orientale politika e lindur nën flamurin e pavarësisë, kur rruga e bllokuar e Durrësit e pruri në shkurtin e 1920-ës nga kthesa e detyruar djathtas për Tironë, qeverinë bashkë me shejtonin në bark, dhe nga dora e hekurt e një beu hamshor prej Mati që i dha fund me dhunë hypjezdrypjeve të qeverive nga kolltukët sherrnxitës, e që me ta kapur skeptrin, hapi hartat mbi dalldinë e shthurjen postpavarësi për të hedhur sipër një plani të dalë kohe të një inxhinieri shqiptar të shkolluar në Austri, me instiktin vizionar të ambiciozit injorant, po të dashuruar marrëzisht pas bukurive të Italisë e pas vetes së kthyer në Naltmadhni, falë një telegrami deputetësh skraparllinj që iu lutën në gjunjë ta fshinte nga faqja e dheut Republikën sherrxheshë, vijën heroike të bulevardit që asokohe u quajt katedrale në shkretëtirë, po koha e mëvonshme tregoi se ishte shtylla e përjetshme kurrizore e kryeqytetit të shpallur në 1925-ën, i cili paskëtaj u njoh për shumë vite si i vetmi bulevard pa qytet.
***
Që i pa të gjitha e të gjithë, përpara se bulevardin t’ia rrëmbente përgjithmonë nga sytë shpejtësia e makinave, nga shpura ikanake nëpër natë e mbretit që e shpuri bulevardin mu deri mbi trupin e lumit dhe ia mbathi duke marrë kthesën pa kthim për nga Rruga e Elbasanit tutje në Kapshticë e me një frymë në Turqi, bashkë me mbretëreshën rrezatuese që mbante në gjirin e bukur djalin dyditësh të dashurisë së tij pasionante e me 250 valixhe (që gazetat e huaja thonë se i numëronte vetë në çdo stacion), përsëri i lutur nga ca deputetë që e “urdhëruan” me vendim parlamenti të ikte nga sytë këmbët për hatër të atdheut, më tej tek italianët që zbarkuan me pompa magna, veshur shik me kostume balloje e uniforma ushtarake dhe e shtynë bulevardin deri tek Universiteti, menjëherë pasi u prezantuan si shpëtimtarë e u përshëndetën nga vendasit si çlirimtarë, duke vazhduar të ndërtonin me hovin e papërmbajtur fashist mbi planin urbanistik që beut të Matit ia kishin qëndisur me merak arkitektët fiorentinë; Universitetin, kolonadat e shkallët përreth, stadiumin, godinën e arteve, atë të kryeministrisë së mëpastajme, që katër vjet e mbajti mëkëmbësi i mbretit, derisa mësynë me tërsëllëmin e armëve të fitores ngadhënjimtare bijtë e Botës së Re, Bujtinën e Madhe “Dajti”, që u dekorua nga Gio Ponti, i njohur botërisht sot si babai i dizajnit modern të internetit, për t’u shqyer e shkatërruar 65 vjet më pas nga hordhia e Saliut që vodhi pikturat, llambadarët, abazhurët, pjatat, lugët, pirunët, theu dysheme, dritare, dyer, krevate, me sebepin se do të sistemonte aty Ministrinë e Jashtme e në fund ia dorëzoi Fullanit për ta bërë bankë shteti, që t’i merrte ca para nga rezerva për rroga të prapambetura, më tutje ndërtuan ministritë, bashkinë e dinamituar nga Hoxha në fundvitet ’70, për të ndërtuar Muzeun Historik e hapur vendin për një monument lirie, që u bë pas vdekjes së tiranit të Tiranës shtatorja e tij e shëmtuar sa s’ka, Bankën e Shqipërisë e me radhë të tjera, përfshirë Pallatin Mbretëror për Madhërinë e tij Viktor Emanueli III, me vullnet të popullit Mbreti i Italisë e Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë, që mbeti i vetmi pallat i këtij soji në botë ku s’fjeti dot asnjë natë një mbret i vetëm, sepse perandori i shkurtër desh të priste sa t’u dilte mureve lagështira po s’e pati të gjatë, iu desh t’ia mbathte tëhu pa ikur igrasia e pallatit, me gjithë mbretëri e perandori, për të përfunduar në një drekë ngushëllimesh reciproke në Kajro me beun e Matit, duke ia lënë krevatin Meke partizanit, që nën llambën e Dritëroit të dridhte duhan e t’i këndonte nënën Viktor ziut këmbë mbi këmbë me dyfek e opinga mbi çarçafët e mëndafshtë e jastëkët e fryrë puplash.
****
Bashkia e Tiranës s’kishte asnjë detyrim e të drejtë ligjore të shkonte përtej kontrollit të dosjeve të aplikimit në gjykimin e subjekteve që kërkonin leje ndërtimi dhe në kohën e dhënies së lejeve në fjalë, Mihal Delijorgji nuk ishte as në kërkim, as në hetim, as në gjykim për çfarëdoqoftë, po një biznesmen shqiptar si gjithë të tjerët. E njihja, po, kishte ardhur në zyrën time për t’u ofruar si donator i “Tironës”, kur skuadra ishte marrë peng nga, ndjesë pastë, sepse nuk jeton më, një biznesmen egjiptian, i cili në këmbim të lejeve të ndërtimit e të symbylljes së bashkisë para abuzimeve me shtesa e prapashtesa në realizimin e pallatave më skandaloze të kohës së kaosit urban, mbante me lëmosha edhe klubin e futbollit, teksa bënte gjithë kohën shantazh se do të ikte po të mos merrte “punë” nga bashkia dhe s’kisha pasur asnjëherë në vitet e njohjes me Delijorgjin arsyen më të vogël për të menduar keq, ashtu siç ai nuk kishte pasur asnjë lidhje pune me Bashkinë e Tiranës, deri ditën kur, vite më vonë, pas orvatjes për “Tironën” paraqiti kërkesën për leje ndërtimi, pasi kishte blerë një copë tokë a lidhur kontratat në atë tokë brenda zonës së studimit të kotpërfolur urbanistik. E si gjithë të tjerët, mori atë çka i takonte me ligj, pavarësisht se nëpërmjet Saliut.
****
Mbetet keqardhja që s’mundëm të bënim dot më shumë për t’i dhënë formën e plotë këtij ishulli kulturor e rekreativ në zemër të Tiranës, përsëri e përsëri për shkak të shurdhërisë së qeverive, duke mundur të bëjmë, me ndihmën e Bashkimit Europian, vetëm rrugën e re pedonale, që shtrihet nga Galeria Kombëtare tek Ura e Tabakëve, restauruar disa vite më parë me ndihmën vullnetare të dy djemve tiranas, piktorit Sali Allmuça dhe sipërmarrësit, Refik Halili.

 

Shkruan: Edi Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu