Ahmeti: Edita Tahiri çudit Brukselin

0
103

Veprimet e kryenegociatores kosovare, Edita Tahirit, pas marrëveshjeve të arritura në raundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku u arrit marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në nismat rajonale, si duket i kanë lënë të habitur edhe zyrtarët më të lartë të Brukselit. Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, nuk kanë mundur ta kuptojnë Edita Tahirin për mënyrën se si ajo është kthyer në Kosovë dhe nuk ka dal para qytetarëve për të dhënë shpjegime për marrëveshjet e arritura në Bruksel me palën serbe.

Krejt këto i ka bërë të ditur në një intervistë për Kosovapress, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pas kthimit nga Brukseli, ku bashkë me Albin Kurtin kanë qëndruar për disa ditë, me ç’rast kanë zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë evropian.

“Kemi shprehur indinjatën tonë dhe mos pajtimet me faktin që Kuvendi shpërfillet. Zonja Edita Tahiri nuk i përgjigjet ftesave të Kuvendit për të marr pjesë në Komisionin për Punë të Jashtme, nuk na i dërgojnë marrëveshjet në origjinal. Të gjitha këto kanë qenë të çuditshme për Komisionin dhe PE-në. Nuk e kanë ditë as që zonja Tahiri është kthyer pas raundit të fundit fare në Prishtinë, që të shpjegojë para qytetarëve. Gjitha këto kanë qenë të çuditshme, posaçërisht për PE-në, ku nuk e kuptojnë se si mund të ndodh kjo”, ka thënë ai.

Shpend Ahmeti, vizitën e parë zyrtare të kësaj lëvizje, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për Vetëvendosjen, por edhe për Kosovën në përgjithësi.

Ai ka thënë se gjatë takimit me zyrtarët e lartë në Bruksel, është argumentuar dhe shpjeguar më mirë vizioni i kësaj lëvizje për zhvillimin ekonomik, zvogëlimin e papunësisë, luftën kundër korrupsionit, por edhe për kundërshtimin e dialogut me Serbinë dhe në veçanti për koncesionet që janë bërë në raundin e fundit të dialogut me Serbinë.

“Kjo ka qenë mundësi e mirë për Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe për BE-në që të njihen më afër me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Aty i kemi argumentuar dhe shpjeguar më mirë vizionin tonë për zhvillimin ekonomik, zvogëlimin e papunësisë, luftën kundër korrupsionit, por edhe për kundërshtimin tonë që kemi për dialogun me Serbinë dhe në veçanti për koncesionet që janë bërë në raundin e fundit të dialogut me Serbinë. Prandaj ka qenë një mundësi që në takimet, të cilat kanë zgjatur më shumë se sa ka qenë e planifikuar, të shpjegojmë më mirë qëndrimet tona. Unë mund të them si rezultat i këtyre takimeve edhe Komisioni Evropian edhe Parlamenti Evropian, e ka shumë më të qartë qëndrimin dhe argumentet e Lëvizjes Vetëvendosje për këto probleme”, ka thënë ai.

Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë në Bruksel Ahmeti tregon se, temë e bisedimeve kanë qenë edhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me marrëveshjet e arritura në raundin e fundit mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje, para zyrtarëve më të lartë evropianë, ka argumentuar dhe treguar arsyet e veta, duke qenë kundër kompromiseve dhe koncesioneve të fundit. Ahmeti thotë se gjatë takimeve me këta zyrtarë, kanë kuptuar se qëllimi i BE-së ka qenë që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit, për anëtarësim në BE, pasi që të njëjtit mendojnë se Serbia llogaritet ende si rrezik për destabilizimin e Ballkanit.

Duke folur për mundësinë e fillimit të negociatave politike për veriun e Kosovës, Ahmeti ka thënë se dialogu i zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk ka qenë teknik dhe se sipas tij, ky dialog përditë po qon drejt diskutimeve për veriun, autonomisë dhe statusit special për veriun, e që më vonë mund të qojë deri te bashkimi me komunat e tjera serbe, si dhe drejt një, siç e quajti ai “republika srpska” në Kosovë.

“Po mendojmë se kjo qeveri e brisht, e cila nuk e ka përkrahjen e shumicës së popullit, për shkak se është e krijuar edhe me votën e minoriteteve, e po ashtu që nuk e ka përkrahjen as për dialog e as për negociata. Patjetër se kjo qeveri mund të shkojë dhe të pranojë çdo gjë. Në qoftë se e kanë pranuar fusnotën, që ne kemi thënë se do ta pranojnë, besoni që nesër do ta pranojnë edhe statusin e veriut. Prandaj është e domosdoshme të punohet këtu dhe t’iu thuhet qytetarëve se kjo po vjen. Mund të ketë pauzë për shkak të zgjedhjeve në Serbi më 6 maj, por në vjeshtë paralajmërimet janë se do të diskutohet për veriun dhe se kanë filluar zërat”, ka thënë ai.

Ahmeti, gjatë ditës së mërkure do të udhëtojë për në Austrisë, për të marrë pjesë në kuadër të Akademisë Diplomatike të Vjenës, me ç’rast në një panel së bashku me Komisionin Evropianë dhe Iniciativën për Stabilitet Evropian, do të bisedohet për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe do të prezantohet gjendja aktuale e Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu