“Ajo tokë është e larë me gjak” – Si hoqi dorë Haradinaj nga 8 mijë hektarë tokë

0
222

Ramush Haradinaj shprehej i bindur se marrëveshja e Kosovës për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, e nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ishte e gabuar. Nga viti 2015, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishte kundërshtuar marrëveshjen për demarkacion.

Por, kryeministri i Kosovës ka hequr dorë nga kauza që e kishte mbështetur prej më shumë se dy vitesh, për marrëveshjen nga e cila besonte se Kosova ka humbur rreth tetë mijë hektarë tokë, raporton Insajderi.

Haradinaj ka pranuar sot një marrëveshje, që të dërgojë në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, pa ia bashkangjitur raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare që ai e kishte themeluar në ditën e parë të punës si kryeministër.

“Raporti i Bulliqit” do të ketë vlerën e vetëm një “dokumenti informativ” – pa ndikim – në Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit.

Pjesë e këtij projektligji do të jetë edhe një deklaratë e përbashkët e nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi Filip Vuajnoviq, në të cilën theksohet se marrëveshja e vitit 2015 mund të korrigjohet pas disa vitesh. Mirëpo, edhe kjo deklaratë ka të njëjtin ndikim sikurse “Raporti i Bulliqit” në Projektligjin për Demarkacionin që pritet të dërgohet në Kuvend javën e ardhshme.

E për marrëveshjen që e pranoi sot, Haradinaj kishte protestuar gjatë. Kishte thënë se me këtë marrëveshje i është falur tokë Malit të Zi dhe se “ato treva janë larë me gjak”.

“Për ato trevë është luftuar. Ajo tokë është e larë me gjak”, kishte thënë Haradinaj në vitin 2016, në një konferencë për media në selinë AAK-së në Prishtinë.

Madje, Haradinaj i kishte kërkuar ish-kryeministrit Isa Mustafa që ta anulonte marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Në një rast, lideri i AAK-së ua kishte kujtuar Mustafës e Thaçit karakterin luftarak të rugovasve.

“Nuk bëhet fjalë për protesta. Ata njerëz nuk e lënë me kaq. Kryeministri e Thaçi nuk duket se nuk i njohin mirë rugovasit, kështu që Isa, bën mirë që të shkojë e t’i vizitojë,  se ai nuk është as territor i Drenicës e as i Pakashticës”, kishte thënë Haradinaj.

Ai kishte pasur bindje të fortë se marrëveshja e nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm, tashmë presidenti Hashim Thaçi, është e dëmshme për Kosovën.

“Kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në qafë të Çakorrit, është majave të larta, është në qafë të Kullës së Zhlebit vazhdon në Potgurë. Nuk ka kush më që merr prej shqiptarëve, por nuk ka as shqiptar që jep”, ishte shprehur Haradinaj në maj të vitit të kaluar, gjatë fushatës për Zgjedhjet Parlamentare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu