Akademia e Kosovës nuk ndale, promovon 32 libra

0
343

Akademiket e suksesit

32 vepra nga katër seksionet e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë promovuar brenda një dite. Për librat me tema të ndryshme nga Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Shkencave Shoqërore, i Shkencave të Natyrës, i Arteve, kanë folur sekretarët e seksioneve, para të pranishmëve që ishin mbledhur në një nga sallat e Akademisë. Krahas librave janë promovuar edhe revistat e seksioneve.  

Hivzi Islami, kryetar i ASHAK  ka thënë se akademia po realizon projekte shkencore dhe artistike, po boton vepra nga fusha të ndryshme të shkencave dhe të arteve, po organizon tubime të ndryshme shkencore, tryeza, konferenca, sesione, ekspozita, koncerte, konsulta dhe forma të tjera të aktivitetit të përcaktuar me ligj, statut dhe akte tjera. “Në këtë themelatë nxitet, zhvillohet dhe planifikohet puna kërkimore-shkencore dhe artistike, mbrohet dhe avancohet mendimi shkencor, kultivohet e vërteta shkencore”, ka thënë  Islami.

Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ka folur të për gjitha veprat që janë promovuar nga këto fusha. Krahas veprave që janë botuar në vitin 2014, ai i ka folur edhe për disa vepra të botuar në vitin 2014. Ai ka folur për veprën e Ali Aliut “Kënaqësia e leximit”, Sabri Hamitit “Utopia letrare”, Vesal Nuhiut “Ndikimi i anglishtes në gjuhën shqipe”, Besim Bokshit “Varia”, Francesco Altimarit “Studia linguisrica italo-albanica”. “Recensentët mendojnë se libri synon vlerësimin e ngjarjeve dhe të veprave të autorëve të sotëm, duke shkruar për një rreth krijuesish që ai i konsideron të rëndësishëm për fazën zhvillimit të saj”, ka thënë Basha duke folur për librin “Kënaqësia e leximit” të Aliut, i cili është i ndarë në tri pjesë.

“Utopia letrare” e Sabri Hamitit vijon studimin e letërsisë shqipe në tërësinë e saj, duke e bërë të krahasueshme me letërsitë e tjera. Sipas recensentëve, të librit ky është një nga studimet më të rëndësishme të autorit dhe të shkencës letrare të shqipes.

“Varia” është vepra e fundit që përgatiti për botim akademiku Besim Bokshi. “Ajo u botua pak ditë pas vdekjes, fatkeqësisht pa arritur atij t’i japë kënaqësinë, ta shoh të finalizuar”, ka thënë Eqrem Basha derisa ka thënë se libri përmban artikuj, studime, diskutime të ndara në pjesë kryesore. Përveç këtyre është promovuar edhe libri

“Studia linguisrica italo-albanica” i autorit Francesco Altimari dhe revista “Studime” në dy numra 21 dhe 22.

Jusuf Bajraktari, sekretar i Seksionit të Shkencave të Shoqërore, ka folur për nëntë projekte të këtij seksioni, dy si rezultat i punës së përbashkët dhe shtatë vepra autoriale. Fjalën e tij e ka nisur me Anton Kolë Berishën dhe studimin “Shoqëria pa shtet”. Bajraktari ka treguar se studimi ka  274 faqe të ndara 14 kaptina, ku autori ka aplikuar qasje multidisiplinare në drejtimin socioantorpologjik në mjedisin shqiptar.

Për librin “Historia e konstitucionalizmit shqiptar 1912-2012” të Arsim Bajramit,

Bajraktari ka thënë se është një studimi monografik i cili paraqet një kontribut shkencor të së drejtës kushtetuese, që i cili trajton konstitucionalizmit shqiptar në harkun kohor 100-vjeçar, përkatësisht nga viti 1912 deri më 2012. “Konstitucionalizmit shqiptar sipas autorit esencën e ka në emancipimin shtetëror dhe ndërtimin e traditës shtetërore të kombit shqiptar”, ka thënë Jusuf Bajraktari.

Autorja përveç trajtimit multidisiplinar shkencor, vë në pah njërën nga hyjnitë më të respektuara të panteonit dardan, ka thënë bajraktari derisa ka folur për “Hyjnesha dardane”, vepër e Edi Shukriut. Libri ka 190 faqe dhe paraqitet me fotografi cilësore, skica, harta dhe literaturë e indeksin e emrave. Sipas Bajraktarit Studimi është një kontribut i vlefshëm për njohjen e kësaj figure të historisë antike tek ne.

Ekrem Murtezai  në librin e tij “Hyrje konceptuale në filozofi”, problematikë konceptuale të filozofisë e mbarështon në 390 faqe tekst, të cilin në aspektin metodologjik e ndan në gjashtëmbëdhjetë kapituj. “Strukturimi i veprës ndjek kronologjinë natyrshme të zhvillimit të mendimit filozofik, duke analizuar kushtet sipas etapave në të cilat është bërë i mundshëm ky zhvillim prej filozofisë së lashtë greke e deri tek ajo bashkëkohore”, ka thënë Jusuf Bajraktari, derisa ka folur edhe për revistën studimore dhe për përmbajtën e saj.

Për librat nga Seksioni i Shkencave të Natyrës ka folur sekretari i këtij Seksioni, Fejzullah Krasniqi. “Boksitet e Dukagjinit” e autorit Minir Dushi, është vepër e një rëndësie të veçantë, e shoqërohet me harta, skema, skica, fotografi, tabela, e materiale të tjera që e bëjnë këtë vepër të komplikuar.

“Shkenca e mjedisit” Nexhat Daci dhe Majlinda Daci-Ajvazi, sipas Krasniqit është e përbërë nga një grup shkencash që tentojnë të sqarojnë ekzistimin e jetës në tokë, problemet dhe zgjidhjen e tyre. “Është si një mesfazë në mes të njerëzve dhe të tokës, që i hulumton bashkëveprimet dhe relacionet midis tyre”, ka thënë Fejzullah Krasniqi, derisa ka folur edhe për veprën e tij të titulluar “Termoelektrocentralet e Kosovës”, me ç’rast ka thënë se qëllimi i kësaj vepre është që t’i ofrohet opinionit kosovar dhe më të gjerë një studim kësaj natyre. Ai ka folur edhe për veprën e Qamil Haxhibeqiri  e titulluar “Hapësirat metrike”.

Luan Mulliqi, sekretar i Seksionit të Arteve, ka folur për tri vepra që janë promovuar nga ky Seksion, që të tria botime të vitit të kaluar. E ka nisur me librin “Uvertyra solemne” të Rauf Dhomit, e cila tashëm ka filluar të ekzekutohet me disa orkestra simfonike. “Është një shembull i mirë i kombinimit dhe i shtjellimit në mënyrë praktike dhe të rrjedhshme i përmbajtjes me formën, i mendimit dhe i shprehjes muzikore”, ka thënë Mulliqi.

Për veprën e Zeqirja Ballatës “Vepra Korale”, ka thënë se është një përmbledhje e krijimtarisë së tij shumëvjeçare, dhe mjaft voluminoze. “Ajo përfshin gjithsej 142 këngë korale të ndara brenda gjinive të ngushta të të kënduarit koral”, ka thënë Mulliqi, i cili ka folur edhe për monografinë “Gjelosh Gjokaj” të Suzana Varvarica Kuka. Mulliqi ka thënë se kjo është një nga veprat më voluminoze për krijimtarinë e Gjelosh Gjokaj. “Suzana Varvarica Kuka me një koncept jashtëzakonisht të qëlluar ka krijuar një vepër që për artin tonë pamor është me të vërtetë shumë kapitale”, ka thënë Mulliqi, derisa ka treguar se libri është i tri periudhave të jetës së artistit Gjokaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu