Akademia e Shkencave Prishtinë: Serbët i bëjnë akademikë!

0
287

Ne vetëm në konferenca i ftojmë serbët, ndërsa Prishtina i bën akademikë ata që punuan për memorandumet famëkeqe!” Ky ka qenë reagimi i ashpër që ka bërë dje zyrtarisht Akademia e Shkencave të Shqipërisë, më shumë se një muaj nga dita që “GSH” botoi shkrimin “Tirana fton Akademinë Serbe, Kosova bojkoton konferencën”. Në një deklaratë për mediat, Akademia sqaron se si pjesë e Unionit Ndërkombëtar të Akademive të Evropës (ALLEA) dhe e rrjetit të Akademive të Botës (IAP), në festimet e 40-vjetorit të themelimit të saj u ftuan akademitë e Evropës e të rajonit, përfshirë dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë.
Sipas deklaratës zyrtare të Akademisë, “është i njohur e jashtë çdo dyshimi, roli që tradicionalisht ka luajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë dhe memorandumet famëkeqe të I. Garashaninit e V. Çubrilloviçit deri te më i fundit “Memorandumi SANU”, për nxitjen dhe justifikimin e spastrimit etnik, të dhunës dhe të krimeve të forcave shoviniste serbe kundër shqiptarëve”. Por, ajo shton nga ana tjetër se “Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes studimeve e botimeve të saj, në bashkëpunim të ngushtë me AShAK, ka dhënë një kontribut të veçantë në ndriçimin e çështjes së autoktonisë së Shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre, si dhe përmasat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve”.
“AKUZAT”
Kundërsulm apo jo, Akademia e Tiranës jep rastet kur drejtues të Akademisë së Prishtinës janë ulur në një tavolinë me ata të Serbisë, madje edhe me vetë Lubisha Rakiç, që sipas Akademisë së Kosovës, ishte një ndër hartuesit e memorandumit famëkeq SANU(prania dhe emri i tij u bë arsye e refuzimit të ardhjes në festën e 40-vjetorit). “Informojmë opinionin publik se më 19 nëntor 2001, me mbështetjen e prof. Romano Prodi, u krijua Këshilli Ndërakademik i Evropës Juglindore në Venecia, ku merrnin pjesë ndër të tjera edhe Akademia e Serbisë. Akademia e Kosovës u përfaqësua nga kryetari i radhës i saj prof. Nexhat Daci, i cili ka nënshkruar edhe aktin themelues, ‘Deklaratën e Venecies”, thotë Akademia në Tiranë. E si për ironi, në deklaratën zyrtare të saj, jepet rasti tjetër i takimeve mes akademive të Kosovës dhe Serbisë, siç është “takimi i Budvës, mbajtur më 7-8 tetor 2004, ku AShAK u përfaqësua nga profesorët Rexhep Ismajli dhe Besim Bokshi, ndërsa në përbërjen e delegacionit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, përveç kryetarit të radhës Nikola Hajdin, bënte pjesë edhe Ljubisha Rakiç”. “Mbledhja e fundit e radhës u mbajt në Tiranë më 2005”, thotë Akademia e Shqipërisë në reagimin e saj, duke shtuar se në të “AShAK u përfaqësua nga Prof. Rexhep Ismajli, kryetar, dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë po nga Ljubisha Rakiç, i cili kryen dhe funksionin e koordinatorit të projekteve të IACSEE”.
Në këtë kontekst, për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pakuptueshme se përse kolegët e AShAK pranojnë rregullisht të ulen në një tavolinë me prof. L. Rakiç. Sipas Akademisë sonë, Rakiç “në botimin ’30 vjet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës’ (Prishtinë 2005, f. 27) figuron edhe si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”. Në këto kushte, për Tiranën duket e padrejtë, që ndërsa akademikët e Prishtinës, refuzojnë praninë e tyre në një festë, në kremtimet e 40-vjetorit të AShSh, për shkak se në ato festime ishte ftuar dhe AShAS, e cila delegoi prof. Rakiç. “Ky pretekst bëhet aq më tepër i pakuptimtë në një kohë kur Kryeministri i Kosovës takohet rregullisht me kryeministrin e Serbisë, edhe pse, siç dihet, s’ka ndryshuar asgjë nga hipoteka e krimeve të kaluara të shtetit serb ndaj shqiptarëve, dhe pse sot e kësaj dite ai shtet nuk ka kërkuar ndjesë për ato krime, ashtu si nuk ka kërkuar ndjesë as Akademia Serbe për ‘memorandumet’ e saj famëkeqe”, thekson Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Sqarimi
Megjithatë, institucioni shkencor i Tiranës, bën me dije se “ka qenë dhe mbetet koherente në bindjen e saj për t’i shërbyer çështjes kombëtare me mjetet e shkencës, jo me mjetet e politikës”. Akademia në reagimin e saj zyrtar, thekson se ka marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha akademitë e rajonit e më gjerë dhe aderon në organizatat ndërkombëtare akademike ku aderon edhe AShAK, nisur nga vullneti i mirë i zgjerimit të frymës së bashkëpunimit dhe nga parimi i njohur se, edhe në marrëdhëniet midis shteteve, shkenca ecën një hap përpara politikës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka lobuar dhe lobon për pranimin e AShAK në të gjitha këto organizma dhe organizata ndërkombëtare të zhvillimit të kërkimit shkencor si AIESEE e të tjera, ku AShAK u pranua së fundi, dhe ku bëjnë pjesë të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
Ndërkaq, ajo e sheh të tepërt të nënvizojë se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi tradicional vëllazëror me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kanë qenë dhe mbeten edhe për të ardhmen përparësi e punës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjë që e tregoi së fundmi edhe me mirëpritjen e kryetarit të AShAK, akademik Hivzi Islamin, në Akademinë Solemne kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, që u mbajt më 26 nëntor 2012 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në fund, Akademia sqaron se e pa të nevojshme t’i japë këto shpjegime, për t’u prerë rrugën spekulimeve të mëtejshme të medieve që dezinformojnë opinionin publik (në fakt media vetëm ka përcjellë opinionet e dy palëve, pa spekuluar siç mendon Akademia) dhe për t’i ndihmuar spekulantët, të mos harxhojnë kot mund e bojë për t’u mësuar akademikëve tanë historinë e hidhur të gjenocidit serb në Kosovë.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu