Akuza e vajzës së Osama bin Laden: U kap i gjallë, më pas u vra

0
311

Një prej vajzave të Osama bin Laden pretendon se i ati fillimisht është kapur i gjallë dhe më pas është vrarë nga forcat speciale amerikane para syve të familjarëve në minutat e para të operacionit blic. Sipas burimeve të sigurisë, të cituara nga televizioni Al Arabyia, trupat speciale amerikane kanë marrë me vete në helikopterin ushtarak vetëm dy kufoma, atë të Osamës dhe të të birit, pasi nuk kishte vend të mjaftueshëm, për shkak të humbjes së njërit prej mjeteve fluturuese gjatë operacionit.

Familja e Bin Laden

Identifikimi i djalit të vrarë të Bin Ladenit gjatë operacionit të trupave speciale amerikane nuk ka qenë i lehtë. 53 vjeçari Bin Laden, kishte 5 gra dhe një numër akoma të papërcaktuar fëmijësh, mendohet mes 12 dhe 26 sipas “The Guardian”. Në momentin e vrasjes, kryeterroristi kishte në krah gruan më të re, 27-vjeçaren nga Jemeni Amal Al Sadah, e cila mbeti e plagosur gjatë operacionit. Ajo i kishte dhënë Bin Ladenit një vajzë dhe dy djem, të lindur në 2002 dhe 2003. Në banesën ku strehohej Osama gjendeshin edhe 9 fëmijë nga mosha 2-12 vjeç, mes të cilëve edhe Safia 12-vjeçare, e cila ndihmoi forcat speciale amerikane për të identifikuar të atin.

Osama Bin Laden ishte i paarmatosur, por ka rezistuar

Osama Bin Laden ishte i paarmatosur në momentin që është vrarë nga forcat speciale të SHBA-së. Zyrtar të SHBA-së po hezitojnë të publikojnë foto të trupit të Bin Ladenit të vdekur. Kjo pasi, ai është qëlluar në fytyrë, gjë e cila mund të shkaktojë ofendim tek muslimanët. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney është shprehur se fotoja është e tmerrshme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney këmbëngul se Bin Laden ka rezistuar edhe pse i pa armatosur, por ai nuk thotë se si. “Kishte shqetësime se Bin Laden do të kundërshtonte veprimet për kapjen e tij dhe në të vërtet ai kundërshtoi”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. “Një femër… gruaja e Bin Ladenit ka sulmuar forca e SHBA-së dhe ata e kanë qëlluar në këmbë por nuk e kanë vrarë. Bin Laden u qëllua dhe u vra pastaj. Ai nuk ishte i armatosur”, bën të ditur Carney.

Ndërsa më herët shefi i luftës kundër terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, John Brennan ishte shprehur se “Bin Laden kishte luftuar gjatë operacionit”.

Gazeta Nju Jork Tajms citon zyrtar që thonë se forcat që morën pjesë në operacionin nuk e dinin nëse Bin Ladeni apo të tjerë mbanin brez që mund të shpërthente.

“Time” i heq kryq Bin Ladenit

Një kryq i kuq mbi fytyrën e Bin Ladenit. Do të jetë kjo kopertina e revistës amerikane “Time”, e cila do të dalë në treg të enjten me një speciale prej 68 faqesh për vdekjen e liderit të Al Kaedës. “Time” ka publikuar edhe më parë speciale të tilla në raste si vdekja e Adolf Hitlerit në 1945, Sadam Huseinit në 2003 apo Abu Musab al Zarqawi, figurë e rëndësishme e Al Kaedës, në 2006.

Kompjuteri i Bin Ladenit “minierë ari”
Një “minierë e vërtetë ari” janë konsideruar pajisjet elektronike që i përkisnin Osama bin Ladenit, të cilat u gjetën në vendin ku strehohej. Kompjuteri personal, CD-të dhe USB-të e liderit të Al Kaedës do të kalojnë në “mikroskopin” e ekspertëve amerikanë në një bazë sekrete në Afganistan. Shërbimet sekrete amerikane janë të entuziazmuara për materialet në fjalë dhe kanë bërë të ditur se do të jetë një ngjarje e rëndësishme edhe sikur 10 për qind e këtyre materialeve të bëhet e përdorshme.

Mediat pakistaneze: Bin Laden mund të jetë vrarë nga truproja i tij

Me kalimin e orëve, detajet e operacionit bilc të eliminimit të Bin Ladenit shtohen, duke u shoqëruar edhe me versionet kontradiktore. Një detaj i shumëpërfolur orët e fundit ka qenë ai i personit që bëri goditjen fatale ndaj kryeterroristit botëror. Ajo që diskutohet është nëse ai u vra nga forcat speciale amerikane apo nga ndonjë prej truprojave të tij. Pyetja është ngritur nga shtypi pakistanez dhe sipas të përditshmes “Dawn”, e cila citon një zyrtar që ka vizituar fortesën e Bin Ladenit në Abbottabad menjëherë pas operacionit blic të amerikanëve, Osama mund të jetë vrarë nga një prej truprojave të tij, i cili kishte urdhër për ta ekzekutuar nëse rrezikonte të kapej i gjallë. Gjithashtu, sipas një burimi nga Jamàa Jihad-i pakistez, “Bin Laden shoqërohej gjatë gjithë kohës nga 2 truproja, të cilët kishin urdhrin ta vrisnin në rast se ai gjendej i rrethuar nga ushtarët armiq. Kjo sepse lideri i al Kaedës nuk donte në asnjë mënyrë të përfundonte si i burgosur i amerikanëve dhe t’u nënshtrohej torturave të tyre”. Teza e hedhur nga kjo e përditshme argumentohet me faktin se sipas një rindërtimi të skemës së operacionit “është e pamundur që lideri i Al Kaedës të jetë vrarë vetëm me një plumb”. Një tjetër detaj i shumëdiskutuar është gruaja e Bin Laden. Fillimisht, John Brennan, këshilltari i Obamës për antiterrorizmin, u tha gazetarëve se gruaja ishte vrarë gjatë operacionit, pasi ishte përdorur nga Bin Laden (ndoshta vullnetarisht) si mburojë njerëzore gjatë sulmit amerikan. Ky version u përgënjeshtrua më vonë nga një funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i cili tha se gruaja vetëm ishte plagosur dhe nuk ishte përdorur si mburojë.

Bin Laden, së shpejti videoja e ceremonisë funebër

Bota do të shohë gjatë ditëve të ardhshme hedhjen në det të trupit të Osama bin Laden. Videoja e ceremonisë së zhvilluar në detin Arabik do të bëhet publike, një vendim ky i administratës amerikane, e cila po vlerëson hipotezën e shpërndarjes së fotove të trupit pa jetë të liderit të Al Kaedës.
Sipas televizionit amerikan ABC, kufoma është hedhur në det pas një ceremonie funebër, e cila zgjati rreth 40 minuta. Trupi i Bin Ladenit, i larë dhe i mbështjellë në një copë të bardhë, është hedhur në ujërat e detit Arabik, duke u shoqëruar nga leximi i një formule fetare nga një zyrtar ushtarak, e cila u përkthye edhe në arabisht.

Arrestohen dy gra dhe 6 djem të Bin Ladenit

Dy nga gratë e Bin Laden dhe 6 djem të tij janë arrestuar në operacionin e zhvilluar sot në mëngjes nga SHBA në lokalitetin e Abbottabad, në verilindje të Islamabadit. Lajmin e bëjnë të ditur burime të inteligjencës, sipas të cilave janë kapur edhe 4 bashkëpunëtorë të liderit të Al Kaedës.

Al Azhar: Hedhja e trupit në det është mëkat

Trupi i Osama bin Laden duhet varrosur në tokë dhe hedhja e tij në det përbën një mëkat. Ky ka qenë prononcimi i Mahmoud Ashour, anëtar i Akademisë së Kërkimeve Islamike të Al Azhar, qendra më prestigjioze e dijes sunite. Ashour ka shpjeguar për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA, se edhe në rast mbytjeje, trupi duhet kërkuar për të pasur mundësinë të varroset në tokë nëse gjendet. Ndërsa pyetjes nëse varrosja e Bin Ladenit mund të tërheqë ndonjë pelegrinazh, Ashour iu përgjigj që trupi duhej varrosur në tokë, por pa u vënë shenja dalluese mbi të.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu