Akuza për Mustafën

0
496

Njëri nga themeluesit e LDK’së në Amerikë, Musa Daka thotë se largimi i tij nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë ka ndodhur pasi ka kërkuar sqarime për fondet e paraluftës. Daka ka kritikuar Isa Mustaf

Në korrik të vitit të kaluar Musa Daka kishte kërkuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së të zbardhet çështja e fondeve të grumbulluara para luftës për çlirimin e Kosovës.

Si anëtarë i organit vendimmarrës të LDK’së, ai kishte kërkuar nga Grupi Parlamentar i LDK’së të kërkonte llogari nga Bujar Bukoshi për fondin e “Trepërqindëshit” dhe nga Hashim Thaçi për fondin “Vendlindja Thërret”.

Me kërkesën e themeluesit të LDK’së në Amerikë nuk ishte marrë askush, derisa akuzat e tij ishin mohuar nga Bujar Bukoshi e Isa Mustafa.

Por, tetë muaj më vonë, Musa Daka me vota të Kuvendit të Punës së LDK’së, të mbajtur para dy javësh, është larguar nga Këshilli i Përgjithshëm, me arsyetimin se degët e diasporës janë të mbipërfaqësuara.

Në një bisedë për Express, Daka ka thënë se largimi i tij lidhet krejtësisht me kërkesën për të sqaruar keqpërdorimet që i janë bërë fondit të “Trepërqindëshit”

“Një prej arsyeve të largimit tim është se në Kuvendin e parafundit të LDK’së unë kam ngritur çështjen e fondeve të Republikës së Kosovës. Kërkesën që ua kam bërë Grupit Parlamentar të LDK’së, në atë kohë u ba një lloj polemike dhe unë kam vazhduar të insistojë të zbardhet fati i dy fondeve – atij të Republikës së Kosovës dhe të Vendlindjes Thërret”, ka thënë Daka, për Express, të premten.

Ky anëtar i LDK’së ka thënë se largimi i tij ka ardhur për shkak se nuk ka heshtur, derisa ka leshur akuza në drejtim të Liderit të partisë.

“Isa Mustafa prej se është zgjedhur kryetar i LDK’së është vegël e Hashim Thaçit. Këtu dyshime s`ka. Po dihet takimet e fshehta me te, heshtja kur është fjala për Veriun, kur cungohet Kosova, kur kthehem katër vjet prapa, 88 shtete e kanë njohur Thaçi bën pazare të fshehta pa dijen e Kuvendit, ndërsa Isa Mustafa ia miraton me heshtje”, ka deklaruar Daka.

Sipas tij, bosat e fondeve të paraluftës janë bërë shefa të krimit ekonomikë dhe politikë në Kosovë.

“Është një lloj bashkëpunimi, një lloj krimi, janë bosa të krimit edhe në ekonomi edhe në politikë. Janë shefa të krimit ekonomikë dhe politikë në Kosovë”.

Musa Daka, në Kuvendin e Shtatë të LDK’së kishte dal publikisht në krah të Fatmir Sejdiut duke e votuar për udhëheqës të LDK’së.

“Normalisht se kam votuar për Fatmir Sejdiun sepse vet fakti se iu kanë organizu demonstrata para selisë, i është formuar Lista Rugova dhe menjëherë pas zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK’së caktohet Bujar Bukoshi Zëvendëskryeministër i Thaçit, kam insistuar dhe vazhdoj të insistojë të zbardhen paratë e fondeve”, ka deklaruar ai.

Sipas vlerësimeve të Dakës, qytetarët e Kosovës kanë filluar të shohin pazaret mes PDK’së dhe LDK’së.

“Elektorati i LDK’së kanë filluar me e kuptu kush është Isa Mustafa dhe veglat e tij në LDK, bosi i tij Bukoshi. Haraqia që po zënë pozita në Qeverinë Thaçi. Jo vetëm në LDK, edhe në PDK elektorati ka filluar me e pa… pakënaqësia e Jakupt me Hashimin”, ka shtuar ai.

Daka ka deklaruar se do të vazhdojë të mbetet anëtarë i LDK’së dhe se do të angazhohet që të mos ndahet partia.

“Unë do të jem në LDK’në rugoviane e jo të Isa Mustafës dhe do të mbetem aty. Nuk do të ndahet LDK’ja”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin e Punës, më 4 mars të këtij viti dhe ka vendosur të largoje disa nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, në mesin e të cilëve ishte Musa Daka, Haxhi Kamberi, Ismet Krasniqi e Berim Ramosaj.

 

Nga Faton Ismajli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu