Akuzonhet rëndë Adem Grabovci

0
299

Seanca e rregullt plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me akuza në drejtim të institucioneve të vendit. Por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar drejtuesit e Partisë Demokratike për mënyrën se si e shohin pushtetin duke përmendur edhe rrahjen e policit të Kosovës nga djemtë e deputetit dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ndërkohë është ngritur edhe çështja e vrasjes së Diana Kastratit, ku Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shteti është përgjegjës për këtë.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Hoti e ka quajtur bandit deputetin Adem Grabovci, si dhe mënyrën e edukimit të djemve të tij.

“PDK-ja e sheh shtetin si një mekanizëm për mbrojtjen e maskarallëqeve që i bënë gjithandej. Shteti shndërrohet në mjet të familjes, të familjes mafioze që në telefon lajmërohet me fjalën pronto. Duke qenë mbi shtetin kjo familje banditësh e godet edhe shtetin nëse ky i fundit tenton të pengoj sadopak banditët për të jetuar. Në këtë frymë këta banditë i kanë edukuar edhe djemtë e tyre të godasin policinë sa herë që këta guxojnë t’i ndalin dhe mos të kenë fare frikë nga prokuroria dhe gjykatat, sepse shefat e shefave janë kudo për të mbrojtur familjarët e tyre. Aktet e familjarëve të këtyre politikanëve nuk kemi si t’i ndajmë dhe t’i trajtojmë të veçanta nga ata”, ka theksuar Hoti.

Për më tepër, ai ka shtuar se vet këta pushtetar kanë deklaruar publikisht që prioriteti i tyre është rehatimi i familjeve të veta.

Sipas tij, ky ka qenë mesazh paralajmërues për krejt sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës.

Ai madje ka shtuar se kur një pushtetar thotë që familja e tij është para shtetit dhe më e rëndësishme se shteti, ai njëkohësisht jep mesazh familjarëve të veta kudo që shteti i paraqitet si pengesë ta grushtojnë pa hezitim.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka ngritur çështjen e vrasjes së Diana Kastratit nga ish-burri i saj dhe konstatimin e Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se shteti është përgjegjës për vrasjen e saj.

“Kjo gjykatë përgjegjësinë për vrasjen e Diana Kastratit e adreson në mënyrë eksplicite për shkak të mos veprimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe për shkak të Këshillit Gjyqësor të Kosovës i cili nuk ofron mjete efektive juridike për të drejtat e parashtruesve. Në mungesë të masave parandaluese ndodhi një krim i tmerrshëm, prindërit humbën fëmijën e tyre, ndërsa një fëmijë mbeti pa nënë. Dhuna në familje në Kosovë po merr përmasa shqetësuese”, ka theksuar Deliu.

Të njëjtën çështje e ka ngritur edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ndërkohë deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në emër Grupit Parlamentar të LDK-së, ka ngritur çështjen e aprovimit të Ligjit për bankat dhe institucionet mikrofinianciare dhe institucionet financiare bankare.

Sipas tij, sot duhet të pyetet çka është bërë me këtë ligj dhe ku është ky ligj.

Për më tepër, ai ka shtuar se sot në vendin tonë jepen kreditë me interesin më të lartë në rajon dhe kjo gjendje po vazhdon ende.

“Sot në tregun e Kosovës kemi oligopol nga bankat të cilat funksionojnë në Kosovë dhe kemi arsyetim për normat e larta të interesit se është frika e kredive të këqija që nuk është e vërtetë se është më e ulëta në rajon. Mirëpo vlera e parasë për t’u marr në posedim nga ekonomitë familjare dhe për bizneset e vogla është për disa herë më e madhe se sa në vendet e rajonit”, ka theksuar Gashi.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka përmendur shifrat për rritje ekonomike të cilat jepen nga institucionet e vendit dhe organizatave të tjera që nuk janë në përputhje.

“Kryeministri Thaçi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që thotë se rritja ka qenë 4 % për vitin 2012, ndërkohë që Fondi Monetar. Ndërkombëtar thotë që ka qenë vetëm 2.7 % për vitin 2012 dhe jo 3.9 % atë botë nga Qeveria. Ndërsa Banka Botërore ka pas një shifër tjetër që sillet prej 3 deri në 3.2 %”, ka deklaruar Ymeri.

Pas përfundimit të kësaj pike të rendit ditës, seanca ka vazhduar me pyetje parlamentare.

Deputetja e LDK-së, Rita Hajzeraj ka pyetur ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq se a po e respektojnë Ligjin e Punës edhe mediat dhe a kanë bërë ndonjë vizitë nëpër mediumet në vend.

Madje, ajo nuk ka ngurruar të quaj si kategorinë më të shkelur në Kosovë, profesionin e gazetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu