Albin Kurti nga Kumanova: Shqiptarët e kanë amanet ta votojnë profesorin Reka

0
75

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha shqiptarët kanë rastin të respektojnë veten duke votuar kandidatin për president Blerim Reka.

“Blerimi nuk është i korruptuar dhe nuk korruptohet. Blerimin duhet ta votoni edhe për atë që ai është. Ju e njihni mirë si shkupjan, diplomat e profesorë, intelektualë e publicistë. Unë e njoh edhe më mirë si këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare i Adem Demaçit në zyrën e UÇK-së në vitet e luftës së Kosovës.”, theksoi Albin Kurti.

Sipas tij, sikur mos të kishin shqiptarët një kandidat të tyre kjo do të ishte mungesë vetërespekti, se kur nuk e respekton veten, as tjetër nuk të respektojnë.

“E dijmë se shifra 20 për qind është shprehja më e shpeshtë me M.O, mirëpo nga pushtet e mëhershme sidomos nga periudha e Gruevskit kjo përdorej si manipulim për të zbritur numrin e popullsisë.

Shtetrrethimi i Kumanovës në majin e 2015 synonte që të nënshtronte shqiptarët e Kumanovës dhe të mbillte frikë që ata të shpërngulen dhe të bien nën 20 për qind. Qytetet e mëdha siç janë Ohri, Manastiri, Velesi e Prespa, që kishin popullsi mbizotruese shqiptare, sot janë spastruar. Maqedonët intimisht e pranojnë këtë. Madje ka edhe shprehje të veçantë që i thërrasin shqiptarët e maqedonizuar, si shkretë. Por ne sot i përgjigjemi me Blerim, me profesor Blerim Reka”, theksoi Albin Kurti.

Sipas tij, një plagë e rëndë është se shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut jetojnë në mërgim.

“Më shumë ka shqiptarë në diasporë se në vendlindjen e tyre. Vetëm në State Iland të Nju Jork ka më shumë dibran se sa në Dibër. Kjo ndodhë edhe në qytete të Evropës. Janë tri Kumanova. Një në Turqi, një në Zvicër dhe kjo këtu. Të tri Kumanovat duhet ta shfrytëzojnë të drejtën për të vendosur për veten e tyre dhe për ta bërë Blerimin president. Në regjimin e Gruevskit kanë vuajtur shqiptarët më shumë. Maqedonia e Veriut duhet të bëhet vend i jetueshëm edhe për shqiptarët, që ata të mos ikin, por që të gëzojnë të drejtat e tyre”, theksoi Kurti.

Sipas tij, kohëve të fundit shqiptarët kanë heshtur për shkak të tentim puçit për shkak të Rusisë, tani shqiptarët duhet ta thonë fjalën e tyre dhe me 21 prill e kanë shansin unik për këtë.

“Asnjëri kandidat tjetër për president, nuk mund ta garantojë mbrojtjen e Maqedonisë së Veriut nga veriu e verilindja, nga Vuçiqi e Putini., ashtu siç mund ta bëj Blerim Reka. Një dialog është të fillojë sa më parë. Decentralizimi është përdor për izolim të shqiptarëve, se sa për zhvillim. Profesor Blerim Reka bashkë me kryeministrin Zoran Zaev mund ta bëj këtë. Tash është koha që të ndërroj edhe emri i presidentit nga Gjorgje Ivanov në Blerim Reka. Këta kandidatët e tjerë mund të jenë kundër njërit tjetërit. Por profesor Blerim Reka nuk ka askënd kundër. Sot dy javë lexojeni dhe votojeni emrin e parë.”, theksoi Albin Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu