Albin Kurti: Thaçi mund ta prishë lajmin e mirë

0
79

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se Serbia e ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes, jo për shkak se ajo nuk ishte e favorshme për të, por për shkak se nuk ishte e mjaftueshme për apetitet e saj. Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë refuzimin e Serbisë për të mos e nënshkruar marrëveshjen, por ka thënë se këtë lajm do ta prishë kryeministri Hashim Thaçi.

“Mospranimi i marrëveshjes nga Serbia është lajm i mirë për Kosovën. Këtë lajm të mirë tash mund ta prishë vetëm kryeministri Thaçi. Se Thaçi do ta prishë këtë lajm na e paralajmëroi kjo fjali në deklaratën e mbrëmshme të Qeverisë: “Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë që dialogu është zgjidhja e vetme, dhe mbetet e përkushtuar në këtë proces”. Serbia doli nga procesi dhe kërkoi zgjatjen e tij. Qeveria e Kosovës i mbylli sytë ndaj këtij fakti dhe shprehu përkushtimin për këtë proces!”, ka thënë Kurti.

“Serbia nuk e pranoi marrëveshjen jo për shkak se ajo nuk ishte e favorshme për të, por për shkak se nuk ishte e mjaftueshme për apetitet e saj. Arsyeja tjetër pse Serbia e refuzoi këtë marrëveshje është për shkak se ajo shpreson edhe më tej te Thaçi, prandaj edhe kërkoi dialog shtesë. Kërkesa e Serbisë për dialog shtesë është shpresë për koncesione shtesë nga Kosova. Serbia e di që Thaçi është i dobët, posaçërisht karshi faktorëve ndërkombëtarë, andaj dëshiron që të zgjatet kjo lojë me fatin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti në një konferencë për media.

Kreu i VV-se me tutje tha se dje, në atë që u quajt ‘qasje e integruar për veriun’, pjesëmarrësit ku ishte edhe kryeministri u dakorduan, përveç tjerash, që “Deri në fund të muajit prill do të përgatiten termat e referencës për angazhimin e donatorëve në veri”. Termat e referencës do të përcaktojnë strukturat, përgjegjësitë dhe procedurat për investimet në Mitrovicën veriore”.

Sipas Kurtit kjo do të thotë që edhe pa marrëveshje me Serbinë po zbatohen koncesionet ndaj saj, dhe se kjo ‘qasje e integruar për veriun’ nuk e integron veriun, por përkundrazi, ajo do ta ndajë Kosovën në veriun gjithnjë e më të zhvilluar dhe jugun gjithnjë e më të varfër, në frymën e Fondit zhvillimor për veriun, këtij buxheti paralele në Kosovë.“Ngjashëm, edhe pas raundit të tetë të dialogut midis Thaçit e Daçiqit në Bruksel kur nuk u arrit marrëveshja atje, në konferencën për shtyp në Prishtinë, Thaçi deklaroi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës! Cili është kuptimi të flitet për këtë asociacion kur nuk u bë marrëveshja? Kjo është edhe një dëshmi tjetër për tendencën që të gjitha koncesionet e deritashme të zbatohen njëanshëm sikurse Plani i Ahtisarit”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se ky zbatim është tashmë antikushtetues, njësoj si edhe qëndrimi i kryeministrit Thaçi, për çështjen e ulëseve të rezervuara për pakicat, i shprehur në takimin e së premtes së shkuar për të ashtuquajturën reformë zgjedhore.“Thaçi tha që është për t’u vazhduar mandati i rezervuar dhe jo për të kaluar tek ai i garantuar, siç e parasheh Plani i Ahtisaarit. Kjo do të thotë: 20 ulëse të rezervuara për pakicat plus ato që i fitojnë vetë. Pra, Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës njëmend paskan qenë të përkohshme, por për t’u bërë edhe më të këqija. Thaçi, dje deklaroi se do të punohet për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë. Kjo gjë është thënë rregullisht në 14 vitet e pasluftës. Me një dallim tash: strukturat ilegale nuk quhen më kriminale dhe bëhet kufizimi vetëm tek ato të sigurisë. Kështu ka zmbrapsje (edhe) foljore (edhe) në Prishtinë dhe jo avancim institucional në veri”, deklaroi kreu i VV-së.
Ai tha se dialogu pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës ka qenë gjithmonë i padrejtë ndaj Kosovës dhe zgjatja e tij vetëm sa e shton dëmin që e përjetojmë. Sipas tij, edhe më keq se kaq, Qeveria e Kosovës i zbaton njëanshëm koncesionet ndaj Serbisë, përkundër refuzimit që Serbia ia bën marrëveshjes si shumë e atyre koncesioneve.

“Kështu, pa marrëveshje me Serbinë ne përfunduam me kopje të librave të amzës dhe dokumentacionit kadastral, me vula doganore pa fjalën Republikë e me fusnotën që e ringjall Rezolutën 1244, me kufi ndërkombëtar të degraduar në pika kaluese, me njësi të veçantë të policisë për eksterritoret ortodokse që i quajnë serbe, me buxhet paralel për veriun, me privilegje të rezervuara shtesë për pakicat e posaçërisht atë serbe, dhe, së shpejti, me asociacion të komunave me shumicë serbe”, deklaroi Kurti.

Kruti tha se dialogu me Serbinë e pezullon shtetndërtimin e Kosovës, dhe se dialogu kurrsesi nuk duhet të vazhdohet. Sipas tij, të gjitha dakordimet a marrëveshjet e mëparshme përgjatë dialogut teknik e politik me Serbinë duhet të shpallen të pavlefshme.“E mira e Kosovës nuk vjen prej dialogut e marrëveshjeve me Serbinë, por prej shtetndërtimit të drejtë dhe zhvillimit ekonomik të bazuar në prodhim, ashtu siç e kemi trajtuar gjerë e gjatë në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje!. Prandaj, ne duhet të angazhohemi dhe do të angazhohemi kundër këtij dialogu dhe marrëveshjeve me Serbinë, brenda e jashtë Kuvendit, duke mos shpresuar që apetitet e Nikoliqit, Daçiqit e Vuçiqit do të jenë më të mëdha sesa poshtërsia e Thaçit”, ka thënë Kurti.

Kurti iu ka bërë thirrje subjekteve politike dhe gjithë shoqërisë që ta kundërshtojnë çfarëdo dialogu të mëtutjeshëm.“Kosova është në gjendje të rëndë dhe duhet të merret me problemet e veta jetike (zhvillim, shtetndërtim e drejtësi) dhe jo të mbetet peng i dialogut me Serbinë që shërben vetëm për mbijetesën politike të Thaçit”, ka thënë në fund Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu