Aleatët nuk donin një Shqipëri të pavarur pas mbarimit të luftës

0
269

Në numrin e sotëm të shkrimeve mbi Arkivat e S.O.E britanike gjatë luftës, kemi veçuar dy dokumente interesante të cilat japin një vështrim të përgjithshëm mbi situatën në Shqipërinë e nëntor–dhjetorit të 1942.

Dokumenti i parë i sjellë në Stamboll nga një mësues i Normales së Elbasanit, prezanton disa detaje interesante mbi dukjen e misionarëve të parë komunistë në publikun shqiptar. Megjithëse deri më tani S.O.E britanike kishte një ide të vagullt se një grupim pro komunist vepronte në Shqipëri, informacioni i ardhur ka qenë shumë i pakët për të bërë një analizë të saktë të kësaj lëvizjeje. Nga dokumenti i sotëm vihet re se britanikët akoma nuk kishin mundur të siguronin një informacion të saktë dhe të besueshëm mbi aktivitetin e grupimeve komuniste, të cilët tashmë kishin rreth një vit që kishin formuar partinë e tyre. Me sa shikohet në këtë dokument, edhe personat të cilët mbanin kontakte me S.O.E në Stamboll nuk kishin një ide të qartë nëse komunistët kishin një parti politike e cila ishte e organizuar dhe e shtrirë në disa zona të Shqipërisë. Po kështu, në dokument përmendet fakti se delegatë komunistë kishin ardhur nga Mali i Zi për të koordinuar veprimet me guerilët shqiptarë, por nuk kishin pasur sukses pasi nuk kishin gjetur terren për këtë bashkëpunim. Me sa duket, informacioni i dalë nga Shqipëria në këtë periudhë ka qenë shumë i pasaktë, pasi realisht në këtë kohë bashkëpunimi i komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë ishte në nivel mjaft të mirë. Fakti tjetër shumë interesant që vihet re në këtë dokument është detaji se edhe gjenerali Drazha Mihailovich ka dërguar emisarët e tij për të vendosur bashkëpunim në terren me guerilet shqiptarë. Se çfarë suksesi mund të ketë pasur kjo nismë e tija, mbetet për t’u vërtetuar, por siç kemi shkruar edhe në disa prej shkrimeve të mëparshme, Drazha Mihailovich ka pasur kontakte të vazhdueshme me disa prej krerëve nacionalistë shqiptarë. Detaj tjetër për t’u vlerësuar në këtë dokument është fakti se personi i identifikuar si A/H 78, pritësi në Stamboll i këtij informacioni, është një ish-oficer i Gardës Mbretërore i cili punonte me Shërbimin Jugosllav dhe me siguri që informacioni i dalë nga Shqipëria për S.O.E britanike binte edhe në dorën e Shërbimit të Fshehtë Jugosllav, i cili ishte i mirinformuar mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Dokumenti i dytë është gjithashtu interesant, pasi sjell një vështrim, edhe pse të shkurtër në gjendjen psikologjike të nënkonsullit shqiptar në Stamboll, i cili pasi ishte tërhequr nga bashkëpunimi me britanikët, me sa duket përsëri mbahej afër prej tyre. Në dokumentin e firmosur prej oficerit britanik shikohet qartë se shqetësimi kryesor që kishin njerëzit që kërkonin një lëvizje anti-italiane në Shqipëri, ishte bindja se aleatët dhe në veçanti Anglia, nuk ishin seriozisht të angazhuar për të mbështetur një Shqipëri të pavarur pas mbarimit të luftës. Përkrahja publike britanike, sigurisht që do të krijonte një mundësi për elementët nacionalistë, por edhe për rininë shqiptare që të rreshtohej në një front anti-italian. Hezitimi politik për ta bërë këtë gjë tregonte se fati i Shqipërisë së pas luftës mbetej pezull, në varësi të ngjarjeve që do zhvilloheshin në rajon, duke treguar se si Greqia dhe si Jugosllavia do të ishin partnerë preferenciale të mbështetjes britanike. Sipas këtij dokumenti, mund të kuptojmë se në fakt shqetësimi real i nënkonsullit shqiptar të Stambollit se lëvizja komuniste do të rriste përkrahësit e saj si rezultat i ambiguitetit politik të aleatëve perëndimorë, ka qenë një analizë e drejtë. Me sa duket, deri në këtë kohë britanikët nuk kanë pasur një ide të saktë mbi shtrirjen e kësaj lëvizjeje duke nënvlerësuar rolin organizues të komunistëve shqiptarë. Duke menduar se mbështetja e grupimeve anti-italiane në mënyrë të fshehtë mund të krijonte një zgjidhje ushtarake momentale për synimet e saja në Ballkan, dhe jo një angazhim politik për të ardhmen në Shqipëri, një vendim i cili në fakt nuk varej prej saj, S.O.E britanike i kishte mundësitë e limituara. Për këtë arsye, ajo nuk mund t’i jepte një garanci personave të cilët punonin për të, se në një të ardhme fati i Shqipërisë do të ishte i barabartë me atë të vendeve që luftuan pro Aleancës perëndimore, një garanci e cila mund t’i kishte shtuar radhët e nacionalistëve shqiptarë që në fillimin e lëvizjes komuniste, duke mos i lënë kësaj të fundit terren politik.
[email protected]

413/29/25 8. Dhjetor.1942
Për DSOb

Kopje Londrës Nga D/H 29
Informacion mbi Shqipërinë
Informacioni i mëposhtëm i cili dërgohet nga A/H 78, vjen nga Teki Tela, një profesor i Matematikës në Normalen e Elbasanit. Teki Tela ka mbërritur në Stamboll në Dhjetor dhe shpreson të kthehet sa më shpejt, por për momentin është bllokuar nga kufizimi i vendosur për udhëtimet nga Qeveria.
Kam bashkangjitur edhe një kopje të Raportit të A/H 138 për Burr, mbi informacionin e Teki Telës. Si<& e shikoni, të dyja versionet janë të ngjashme dhe mbështesin njëra-tjetrën.
A/H 78 më tha se Teki Tela kishte shkuar për të takuar më parë A/H 138, të cilin ai e njihte mirë që në Elbasan.
A/H 78 mendon, bazuar në bisedën e tij me këtë person, se një numër i konsideruar komunistësh janë shfaqur kohët e fundit në Shqipëri. Ai thotë se disa prej këtyre komunistëve kanë ardhur nga Mali i Zi si përfaqësues të lëvizjes guerrile atje, me synim për të organizuar një bashkëpunim me guerrilët shqiptarë. Thuhet se nuk kanë pasur sukses deri më tani, pasi nuk ka një parti të organizuar komuniste në Shqipëri dhe patriotët nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk ka vend për t’u shqetësuar nga analiza e A/H 74. A/H 78 thotë se nuk kishte asnjë dyshim që njerëzit e përmendur ishin delegatë komunistë, pasi mbanin yllin e kuq në kapele, megjithëse ishin veshur me uniforma jugosllave.
Personi në fjalë thotë se ka pasur edhe delegatë të dërguar nga Drazha Mihailovich, por nuk mund të jepte më shumë detaje mbi suksesin e tyre apo jo.

Firmosur
D/H 29

398/29/25 23.nëndor.1942
Për DSOb
Kopje Londrës Nga D/H 29
Me shkrim dore
1. 137 në Tirana
2. 75 me Gj.M.Gj
A/H 74
Telegrami im i 24 nëndorit për Kajron No.698/9 përsëritur Londrës No.388/9
E takova A/H 74 në 14.nëndor në një mbrëmje që jepte Konsulli i Përgjithshëm Jugosllav. Ai tregohet mjaft i afrueshëm, dhe kështu që e ftova për darkë. Erdhi në 20.Nëndor. Patëm një bisedë të gjatë mbi çështjen shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti A/H 74 donte të dinte kuptimin e vërtetë të deklaratës së Zotit Eden në Dhomën e Komunëve, në 18 nëndor. Versioni i dhënë nga B.B.C, seksioni Shqip nuk ishte i njëjtë me atë që është botuar në shtypin turk, dhe të dyja bashkë nuk jepnin një sqarim të saktë përfundimtar. Kjo ishte edhe një prej çështjeve kryesore të ngritura në raportin tim të 21 Nëndorit për Londrën me nr. 348, transmetuar Kajros me nr. 645. A/H 78 ishte gjithashtu shumë i interesuar mbi këtë çështje.
E takova përsëri A/H 74, përsëri në 23 Nëndor. Në bisedën që patëm vura re se ai vuante nga shqetësimet e mëdha mbi fatin e vendit të tij, dhe pesimizmi i tij ishte shumë i thellë.
A/H 74, mesa duket nuk ka informacion shumë të mirë dhe të rregullt në krahasim me atë që ka A/H 78 në dispozicion, dhe atë që ai merr prej andej e bën atë të besojë se atë që ai dhe ne besonim më përpara, ishte në fakt jo e vërtetë. Megjithëse një punë e madhe ishte bërë kundër forcave të Boshtit, liderët e vërtetë janë të panjohur dhe nuk duan të shfaqen tek ne apo të pranojnë ndihma prej nesh deri sa të jenë të bindur se kjo do të jetë në interes të vendit të tyre.
Një person që ka ardhur në 21 nëndor këtu, është një prej arsyeve te këtij pesimizmi. Ai ka raportuar se ka shumë përçarje në Shqipëri dhe njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojnë se si mund ta ndihmojnë më mirë vendin e tyre. Ata luftojnë kundër italianëve në emër të një principi dhe tradite, por mospërfillja prej Aleatëve i ka bërë ata të mendojnë se asgjë nuk mund të pritet edhe në një fitore të mundshme të Aleatëve. Ata kanë frikë nga Jugosllavia, edhe pas deklaratës se Jugosllavia nuk ka synime territorial ndaj Shqipërisë, por edhe nga Greqia pasi mënyra se si u sollën grekët kur hynë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke ishte një indikacion i qartë se Greqia do të bëjë ç’është e mundur për të aneksuar Jugun. Një numër komunistësh raportohen që të jenë mjaft aktivë kohët e fundit. Disa prej tyre mendohet që kanë ardhur nga Jugosllavia. A/H 74 është mjaft i shqetësuar për mundësinë që lëvizja komuniste mund të tërheqë pasues të shumtë. Nuk ka arsye për të dyshuar mbi sinqeritetin e A/H 74. Ai është një person shumë i prekshëm dhe i shqetësuar realisht për vendin e tij, një shqetësim i cili vjen edhe prej jetës së tij këtu, e cila e ka reduktuar në një gjendje shumë të vështirë. Ndoshta kultivimi i një marrëdhënie miqësore me të, mundet që ta bëjë të rikthehet drejt normalitetit. Ne do të bëjmë çfarë është e mundur prej këtej, pasi nëse diçka e tillë nuk bëhet, gjendja e tij do të jetë më tepër një rrezik për ne se sa një ndihmë.
Firmosur
D/H 29

 

Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu