Alfred Uçi: Të panjohurat rreth Petro Nini Luarasit në 100-vjetorin e vdekjes

0
121
Petro Nini Luarasi

Akademiku i njohur përgatit një libër për ta kujtuar gjyshin tij mendimtarin martir të Rilindjes sonë Kombëtare. Mes fakteve dhe të dhënave të reja, Prof. Alfred Uçin, sjell qëndrimet e panjohura deri më sot të mendimtarëve të viteve ’30-të, të cilët reaguan ashpër ndaj një gjesti të mbretit Zog. Në festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë Ahmet Zogu nuk e kishte përfshirë emrin e Petro Ninit në listën e veteranëve të nderuar, që dekreti mbretëror i quajti “të shkallës së parë”. Mendimet e Zavalanit, brano merxhanit, Faik Konicës dhe Fan Nolit, krijojnë nj portret të ndritur të këtij mendimtari. Libri i përgatitur në prag të 100 vjetorit të vdekjes së petro Nini Luarasit përfshin edhe një varg shkrimesh nga Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, S.Pollo, Z. Xholi, A.Varfi, Siri Shapllo etj… Në këtë intervistë akademik Uçi na i tregon më në detaje linjat e librit të tij.

Kemi dëgjuar se, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Petro Nini Luarasit, keni përgatitur një libër për ta kujtuar. Ju kini thënë dikur, në një intervistë: ‘‘mos vdeksh, pa e plotësuar këtë peng”, pse? Cili ka qenë qëllimi i librit, të cilin tani po e publikoni?
Mund të them se jam vonuar në përgatitjen e tij; më kanë penguar ndrojtja e sinqertë, që ekziston, kur don të shkruash për një njeri tëndin, të familjes (nipi, për gjyshin) dhe frika se mos rrëshqas në subjektivizëm. Por tani, me moshë pleqërie mbi kurriz, më nxiti sidomos përkimi i tri ngjarjeve historike, motesh që qëndrojnë njëri pranë tjetrit (1911 e 1912), domethënë njëqindvjetori i vdekjes së Petro Nini Luarasit, njëqindvjetori i lindjes së Milosh Gjergj Nikollës (Migjenit) dhe njëqind vjetori i Pavarësisë.

Sipas datave kronologjike, radhën e ka gjyshi Petro, për jetën e veprën e të cilit nuk është shkruar pak, sidomos për ndihmesën e tij në zhvillimin e arsimit kombëtar…
Kjo është e vërtetë. Nuk është hera e parë, që këto tri ngjarje vinë njëra pas tjetrës dhe nuk mund të mos kujtohen nga ndërgjegjia kombëtare. Njëqindvjetori i Pavarësisë Kombëtare, na e jep të drejtën të mendojmë më thellë e në mënyrë më të argumentuar e më bindëse për gjithë ç’ka ndodhur, në këtë periudhë historike. Unë jam i bindur se, mbi të sotmen, por edhe mbi të ardhmen e afërt kanë vazhduar e do të vazhdojnë të ndikojnë, edhe për mirë edhe për keq, mjaft faktorë të së kaluarës sonë, gjithsaherë ata dobësojnë kujtesën historike të Kombit, për shkak të mbizotërimit të ngjarjeve të rëndësishme e të rëndomta të aktualitetit. Brenda specialitetit tim profesional, me raste të ndryshme, kam bërë studime për mjaft ngjarje e personalitete të shquar të së kaluarës, duke dalluar si më të rëndësishme epokën e Rilindjes sonë Kombëtare, që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë. Për këtë arsye, iu ktheva edhe një herë kësaj epoke, për të ndriçuar edhe disa aspekte, që nuk njihen mjaftueshëm dhe për të saktësuar veprën e P.N.Luarasit, rilindësit martir të brezit të fundit të Rilindjes Kombëtare.

Për ne, do t’ishte interesante të na rrëfenit çastet, që keni theksuar në librin tuaj të ri?
Kam sqaruar e theksuar një çast të qëndrimit, i cili u mbajt ndaj figurës së P.N.Luarasit, në vitet ’30-të, në një kohë kur zhvilloheshin debatet e mirënjohura për gjendjen e të ardhmen e Shqipërisë, në kuadër të kremtimit të 25-vjetorit të Pavarësisë. Mbretëria nuk e anashkaloi këtë përvjetor dhe u përpoq ta kthente në një festë të shkëlqimit të saj, por aspak të lirisë dhe të pavarësisë, që po rrezikoheshin fort. Në ethet e përgatitjeve për kremtimin e 25-vjetorit, Zogu bëri shpenzime të tepërta oborrtare, si mënyrën më të mirë për të fshehur mjerimin e varfërinë e popullit. Kështu, 76 bejtexhinj të atëhershëm u ftuan të merrnin pjesë në Konkursin për himnin e Pavarësisë. Por ata i harruan problemet e hallet e popullit dhe të Pavarësisë dhe, me bejtet e tyre, e kthyen Konkursin në himne për lavdinë e Mbretit. Këto veprime, Ambasadori i Mbretërisë në SHBA, F.Konica i quajti aheng, karnavale.
Për kremtimin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me dekret Zogu shpalli edhe një listë me emra veteranësh të nderuar, që dekreti mbretëror i quajti “të shkallës së parë”(?!.). Në variantin e parë të kësaj liste, mungonte emri i Petro Nini Luarasit. Këtë e vunë re atdhetarë, të cilët i dërguan një letër proteste, që u botua në fletoren “Drita” (nr.212, 10.VIII.1937), të nënshkruar me monogramën anonime X. Në të thuhej:
“Mësuam se qënka formuar një komision i posaçëm për mbledhjen e biografive dhe fotografive të veteranëve. Ky komision paska hartuar dhe një listë, me 29 emra veteranësh të vdekur, që i ka cilësuar “të klasit të parë”. Na tërhoqi vërejtjen lista në fjalë, sepse midis atyre emnave të veneruar, nuk pamë të figurojë dhe emni i apostullit dhe dëshmorit të gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasit, të mallkuar nga dhespotët e Kosturit. Nuk e dimë se ç‘ka menduar Komisioni në fjalë, duke mos e kategorizuar të ndjerin Petro midis veteranëve të klasit të parë. Por e dimë sigurisht se, veprat, përpjekjet e puna e Petros, për realizimin e Pavarësisë shqiptare, mund të barazohet me ato të cilitdo nga veteranët, që figurojnë në listën e klasit të parë. Prandaj, i lutemi Komisionit që të bëjë rektifikimin e duhur, të cilën nuk e imponojmë neve, por veprat, theroritë dhe, fundi i fundit, jeta e Petros, i cili vdiq i helmuar nga armiqtë e këtij Kombi, pas një veprimtarije të pa prerë, qysh nga viti 1883 e deri më 17 gusht 1911″.
Pas botimit të kësaj proteste, Mbreti autorizoi Prefektin e Korçës të njoftonte se do të përfshihej edhe emri i P.N.Luarasit në këtë listë dhe të shoqes të martirit i caktohej një pension i posaçëm pleqërie. Kurse familja e tij ftohej, me shpenzimet e Oborrit, në kremtimet e 25-vjetorit. Familja e martirit i refuzoi këto “ndere” të vonuara, që shkaktuan menjëherë pushimin nga puna shtetërore e dhëndrit të së bijës së P.N.Luarasit. Ngjarje të tilla, F. Konica i quajti “tragji-komedi”.

Duke qenë diplomat në SHBA, Konica e kishte më të lehtë të aktivizonte ironinë e tij për të tilla ngjarje…Po, brenda vendit, a pati kritika nga opinioni shoqëror?
Në librin tim është treguar se opinioni përparimtar shoqëror e kritikoi ashpër mënyrën anadollake të kujtimit të 25-vjetorit të Pavarësisë, nga Qeveria e Zogut. Në kryeartikullin e saj, Revista “Bota e Re”shkruante:”Për ne, nacionalizma shqiptare duhet të ushqehet me tradita të shenjta të epokës heroike të Rilindjes Kombëtare. Emrat e atyre burrave, që ngjallën me shkrimet, veprat dhe sakrificat e tyre ndërgjegjen kombëtare të fjetur për disa shekuj, duhet të jenë ylli drejtonjës i të gjithë rinisë shqiptare, që kërkon përparimin e këtij vendi dhe lartësimin e këtij Kombi, në ato kulme begatie e kulture, që ëndërronin pionierët e nacionalizmës shqiptare. Një nga këta emra është edhe ai i Petro N. Luarasit, që vdiq i helmuar sot e njëzet e pesë vjet më parë dhe shkoi theror i idealit, për të cilin kish luftuar tërë jetën e tij, kurse flamurtarët e “nacionalizmës zyrtare” nuk u kujtuan t’i shkruajnë emrin”.
Po personalitetet madhore, që zhvillonin debatet ideologjike të viteve ’30-të, ç‘qëndrim mbajtën? Heshtën?
Jo, nuk heshtën; përkundrazi. Opinioni i tyre, lidhur me këtë ngjarje, nuk njihet. Kjo gjë ngjet, ngaqë shkrimet e tyre ishin të ndaluara në kohën e monizmit; por edhe kur zunë të botohen këta dy dhjetëvjeçarët e fundit, nuk janë bërë të njohura reagimet e tyre kritike, për këtë çështje. Tajar Zavalani, një nga mendimtarët më të shquar të viteve ’30-të, shkruante: “Nacionalizma ushqehet me tradita, shpirti i sakrificës ngjallet me shembulla, idealizma krijohet duke lartësuar vlerat morale të kombit. Të gjitha këto i jep historia. Për neve historia, që mund t’i shërbejë këtij qëllimi, fillon me epopenë e Rilindjes Kombëtare”. T.Zavalani përmend librin “P.N.Luarasi-Mësuesi im i shqipes”, të cilin e vlerëson lart: “Në një qind faqet e këtij libri janë përmbledhur tridhjet vjete jete, që kanë bërë një vepër që s’e ka shoqen në letërsinë tonë”. Ç’është e vërteta, ca “historianë” rrëmihin të gjejnë në rrënojat e historisë ca “vatra hoxhaqesh”, lloj-lloj “sojllinjsh” nga sëra e Don Kishotit, por “harrojnë të përmendin,-shkruan T. Zavalani,-Fytyra të ndritura si të Petro Luarasit, ku mishërohen virtytet e lashta të truallit shqiptar. Prej gojës së tij del një kushtrim i fuqishëm lufte për liri, një erë e re fillon të fryjë në botën shqiptare, që ka harruar veten e të shkuarën, gjallohet në ky apostull i shqiptarizmës nën petkun e një mësonjësi katundi, që arrin lartësinë morale të një figure biblike, që pat çelur qysh më 1883 shkollën e parë shqip, në një katund të Kolonjës. Te Petro Nini shohim të bashkuar, në një mënyrë të mrekullishme, të gjitha cilësitë, që i duhen luftëtarit të papërkulur të një ideje. Ai ka kulturën më të gjërë, është i zoti i pëndës, flet më një talent të çuditshëm, që elektrizon turmat më refraktare, por nuk ka asnjë nga të metat e intelektualit të çrrënjosur me nervat e sëmura, me shpirt të paqetë, me dyshime e kriza pesimiste. Por edhe kur mbetet filli vetëm, kundër të gjithëve, Petro Nini nuk dëshpërohet: Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të biem, prapë duhet të ngrihemi!”, thotë ai, në të tilla raste. Ai është njeriu, që e ndezin pengimet, e forcojnë kundërshtimet. Por sidomos fjala, fjala e Petro Ninit, ka një fuqi magjike, është fjalë apostolli, pionieri të epopesë kombëtare”..
Po themeluesi i “Neoshqiptarizmës”, Branko Merxhani heshti?
Jo, ai nxiti Guri Sevon, që e kishte njohur mirë Petro N.Luarasin, të shkruante kujtimet, të cilat u përfshinë në themel të librit “P.N.Luarasi – mësuesi im i shqipes” (1937). Nga ana tjetër, B.Merxhani shkroi e botoi një studim të gjatë, për jetën dhe veprën e P.N.Luarasit, me titullin: “Një pesëdhjetëvjetor, që duhet të nderohet. Jemi nacionalistë!”. Duke lidhur me nderim dy data të shenjta të së kaluarës, çeljen nga Petro N.Luarasi të shkollave të para shqipe, që kishin në themel të tyre platformën e Rilindjes Kombëtare, me datën e çeljes së shkollës shqipe të Korçës (1887), themeluesi i “neoshqiptartizmës” Branko Merxhani, iu kundërvu shpurës së atyre, që përgatisnin karnavalet e spektaklin e karagjozëve, me rastin e 25- vjetorit të Pavarësisë dhe shpejtoi të nderojë pesëdhjetëvjetorin e çeljes së shkollave të para të shqipes dhe 25-vjetorin e vdekjes së themeluesit të tyre. “Përpara pesëdhjetë vjetëve,-shkruante Branko Merxhani,- filloi një tragjedi. Eshtë tragjedia e luftës kundër Patrikanës, kundër fuqisë kolosale të perandorisë Otomane, luftë që dëgjohet për herën e parë, e pamundëshme, e papërshkruarshme, luftë kundër gjithë elementeve të Natyrës dhe Mendjes, kundra traditave, zakoneve, dallimeve klasore, me një fjalë, luftë kundër Perëndive dhe kundër djajve. Një luftë e tillë ka filluar në fundin e shekullit të kaluar dhe një nga faktoret më të rëndësishme të kësaj lufte ka qenë çelja e shkollës së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887. Tamam këtu e pesëdhjet vjet përpara”.
Në esenë e tij, B.Merxhani paraqiti edhe përpjekjet e palodhura të Petro Luarasit për përparimin e arsimit kombëtar. Dhe e mbylli studimin e tij me këto fjalë: “Nacionalist ka qenë Petro Luarasi, që luftoi 25 vjet me radhë pa reshtur, pa u lodhur dhe pa u trembur nga asnjë rrezik. Luftoi me afsh dhe me pasion për një ide, që ishte ende ëndërr dhe që është për një botë të tërë edhe më keq se një ëndërr. Ishte ironi. Njëzet’e pesë vjet me radhë luftoi midis maleve, midis burgjeve, mes kurbeteve dhe varfërisht. Njëzet e pesë vjet të tjera kaluan nga dita e vdekjes së tij. Të gjithë e harruan”. Dhe e harruan, veç të tjerash, se biri i Petros, Skënder Luarasi, i edukuar me mësimet e atit të tij, duke kuptuar se rreziku i humbjes së pavarësisë e lirisë së Atdheut po shtohej, qè nisur të bashkohej me brigadat vullnetare, që luftonin kundër fashizmit në Spanjë. Që nga Radio-Barcelona, ai transmetonte shqip platformën programatike, me frymë të lartë atdhetarie demokratike antifashiste, me titullin “Njëzetepesë vjet Indipendencë”.
Aty, S.Luarasi shprehej: “Kohët janë me të vërtet të vështira, sikundër është e gjatë udha, që do të ecim. Po ç‘na lyp Atdheu, nuk do t’ia mohojmë kurrën e kurrës! Të përpiqemi të shembim regjimin e sotëm diktatorial dhe të sigurojmë bashkimin, në themel të nevojave demokratike. Ja që liria nuk u fituaka me fjalë e me frikë. Shpejt ka për të ardhur dita e çlirimit të plotë të Atdheut; të përsëritet e të plotësohet me lavdi kombëtare çasti i Lushnjës dhe i Vlorës. Tani kemi përkrahës gjithë botën demokratike antifashiste!”.
Skënder Luarasi fliste e vepronte, sikur të ishte gjallë Ati i tij, duke dhënë ndihmesën e vet, në betejat e mëvonshme të Aleancës Demokratike Antifashiste Ndërkombëtare dhe të Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar, për liri e pavarësi.

Po Bariu i popullit, Fan Noli a e kujtonte, nga SHBA, mikun e hershëm të tij?
Po, shpirti i atij martiri, që i kishte nisur pasaportën, me emrin “Petro Konstandini” e që e solli në Amerikë dhe e bekoi prift shqiptar, rronte, ishte i gjallë në ëndërrimet e Fan Nolit, kur ky në vetmi, i mërguar larg Atdheut, i dënuar me vdekje, kremtonte 25-vjetorin e ditës së shenjtë të 28 Nëndorit 1912. Sa për Petro Luarasin, qysh më 21 korrik 1928, Peshkop Noli pat shkruar, në letrën e tij, këto fjalë lapidare: “S’ka dyshim që Petro Nini Luarasi luajti rolin kryesor në themelimin e shoqatës “Malli i Mëmëdheut”. Ai ishte propagandist i palodhur dhe kudo, ku kishte qëndruar në Amerikë, linte pas një grup patriotësh entusiastë. Punonte rëndë për të fituar bukën, por nuk i kursente harxhet për Çështjen dhe të dielave udhëtonte nëpër kolonitë shqiptare, për të përhapur ungjillin e nacionalizmës. Rreth Bostonit, kam gjetur gjurmë të tij, pothuaj kudo. Ish i pari pionier i Lëvizjes Kombëtare, në Amerikë”.
Në librin tuaj përfshihen edhe studime të tjera, për jetën dhe veprën e P.N.Luarasit?
Edhe pas Çlirimit, kushtet e rrethanat e zhvillimit shoqëror ishin kontradiktore. Prandaj kjo frymë pasqyrohej edhe në qëndrimet ndaj trashëgimisë kulturore të së kaluarës, kështu edhe ndaj veprës së Petro N.Luarasit. Herë kujtohej, herë harrohej vepra dhe rëndësia e veprimtarisë së Petro Luarasit. Por, gjithsesi, kjo vepër dhe jeta e tij ka qenë kaq e pastër dhe e rëndësishme, saqë është çmuar e vlerësuar pozitivisht nga një varg akademikësh, profesorësh e studiuesish të mirënjohur. Këtij mendimtari, pedagogu, letrari, poeti e luftëtari të lirisë e pavarësisë, i kanë kushtuar shkrime e studime të panumërta, të botuara e të pabotuara. Prej tyre ne kemi zgjedhur disa syresh, që dallohen për vlerësimin dhe thellimin e aspekteve të ndryshme të trashëgimisë kulturore të këtij rilindësi, si: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, S.Pollo, Z. Xholi, A.Varfi, Siri Shapllo e të tjerë – kinoregjizorë, letrarë, kompozitorë, piktorë e skulptorë, që e kanë vlerësuar lart veprën e jetën e P.N.Luarasit, të cilat kanë qenë objekt frymëzimi për krijimtarinë e tyre.

Intervistoi: Murat Gecaj,
publicist e studiues

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu