Ali Ahmeti: Lufta ka përfunduar në Maqedoni

0
283

(E plotësuar)Përfaqësuesi i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, është optimist se në këto zgjedhje, sikurse në ato lokale, BDI do të dalë partia fituese nga tabori i shqiptarëve. Ai në intervistën dhënën “Zërit” tha se në zgjedhjet e parakohshme ka hyrë e përgatitur, ndërsa synimi i tij është që Maqedoninë ta çojë në BE dhe NATO.

Ahmeti ish-përfaqësuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare thotë se Maqedonia është shteti edhe i shqiptarëve, ndërsa thotë se nuk ia lë kënaqësinë që për të ardhmen e këtij shteti të vendosë vetëm Gruveksi. Derisa rivali i tij në politikë nga tabori shqiptar, Menduh Thaçi ka thënë se lufta në Maqedoni nuk ka përfunduar, “Abaz Xhuka”, i njohur dikur në UÇK-në e Kosovës, tha se në Maqedoni më nuk ka luftë. “Lufta ka përfunduar me Marrëveshjen e Ohrit ndërsa ‘pushka e trimit dhe sofra e të xhymertit kurrë nuk ndalet”.

Ahmeti vazhdon të mendojë se ndarja e Maqedonisë është e rrezikshme, ndërsa bashkimin kombëtarë ai e sheh në kuadër të integrimit në NATO dhe BE. Ahmeti tha se ka nostalgji për Kosovën, ndërsa ndjenë mall për shokët që i ka në Kosovë.

Zëri: Z. Ahmeti, jeni në vlugun e zgjedhje të parakohshme. A jeni përgatitur për këtë proces?

Ahmet: Unë jam i përgatitur në të gjitha drejtimet, hyj i përgatitur në zgjedhje, e kam cekur që hyj edhe me strategji, me agjendë në zgjedhje. Sigurisht temat të cilat na presin pas përfundimi të ciklit zgjedhor janë tema shumë të rëndësishme për vendin.

Zëri: A shpresoni se në këto zgjedhje do të jeni parti numër një, në mesin e shqiptarëve?

Ahmeti: Tani unë nuk e kam princip që të flasë ku do jetë pozicioni i partisë sime . Ka 12 vite që kemi fituar zgjedhjet me një përqindje goxha të lartë, por për këtë vendosin shqiptarët ditën ata kur do të votojnë. Ne punojmë.

Zëri: A do ta vazhdoni koalicionin me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit?

Ahmeti: Partneritetin e vendosë elektorati tek shqiptarët dhe tek maqedonasit. Pala shqiptare që fiton legjitimitetin është përfaqësuese legale dhe legjitime që të ulet në tavolinë me palën që fiton legjitimitetin dhe legalitetin tek pala maqedonase. Dhe nëse shqiptaret përkrahin filozofin politike e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe unë fitojë legjitimitetin, do të thotë që unë jam në tavolinë me palën që fiton në anën tjetër. Këtu votohet mbi baza etnike dhe jo mbi baza ideore.

Zëri: Pse nuk dolën shqiptarët me një kandidat të përbashkët për president?

Ahmeti: BDI ka vendosur në tavolinë një ide të vetën, ia ka prezantuar palës maqedonase që ka legjitimitetin për një president konsensual. Pala tjetër nuk ka mundur që ta gëlltisë këtë projekt, ne ua kemi bërë me dije se do të qëndrojmë deri në fund të kësaj ideje, sepse kjo i afron dy komunitet në Maqedoni dhe nuk marrim pjesë sepse nuk kemi kandidat dhe ne do të punojmë për të triumfuar pas pesë vitesh që të jetë presidenti konsensual, ta votojmë edhe shqiptarët edhe maqedonasit apo të kemi një zgjedhje përmes parlamentit. Nuk bëri mirë partia e zotit Thaçi që përpiqet të lëndojë idenë tonë me kandidatin që propozoi, sepse ai kandidat nuk kalon në raundin e dytë, por ato janë parti që i bëjnë vetë, për qëllime politike. Unë nuk kam qëllim që të fitoj si Bashkim Demokratik, qëllim kam që të fitojnë shqiptarët. Dhe do të punoj deri në fund që të realizohet kjo.

Zëri: A prisni që një ditë shqiptarët ta kenë postin e presidentit, apo të kryeministrit?

Ahmeti: Po, si jo, s’i kam hyrë kot kësaj pune. Nëse jo pas pesë vitesh atëherë pas dhjetë vitesh. Mund të kërkojmë që presidenti të zgjidhet në parlament. Janë tri funksionet më të larta të vendit, le t’i ndajmë pra ato. Ajo parti që është më e madhe i merr dy nga këto poste, e dyta e merr një. Pse të mos t’i lëvizim këto punë. Ne kemi propozuar shumë ide fisnike për shqiptarët e Maqedonisë.

Zëri: Thatë se pas këtyre zgjedhjeve ju presin tema shumë të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë. Çka ju pret konkretisht?

Ahmeti; Një nga çështjet më madhore që kërkon zgjedhje është çështja e emrit të shtetit sepse mosdefinimin e emrit të shtetit neve në ka vënë në një situatë goxha të palakmueshme sepse nuk kemi arritur të avancojmë në drejtim të proceseve euroatlantike për shkak se fqinji ynë jugor, Greqia, kërkon që ky kontekst të mbyllet dhe tani të fillohet të bisedohet të negociohet për hapjen për vendin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe pse ne kemi një përparësi, se për Maqedoninë nuk ka nevojë të thirret samit i veçantë për t’i vënë ftesë për anëtarësim sepse në samitin e Bukureshtit u vendos që Maqedonisë ftesa t’i jepet atëherë kur zgjidhet kontesti me palën greke.

Kështu që për ne, rëndësi të veçantë ka që ky kontest të zgjidhet që palët të dakordohen me një zgjidhje.

Zëri: Ku është interesi i juaj a zgjidhet a nuk zgjidhet çështja e emrit. Ju jeni pjesë e Qeverisë, pse ju nuk e keni zgjedhur deri sot këtë?

Ahmeti: Këtu ka shumë çështje që kërkojnë konsensus dhe një marrëveshje në mes dy etnive që kanë legjiminitetin e maqedonasve dhe shqiptarëve brenda Maqedonisë edhe këtu kërkohet konsensus pavarësisht që ne mund të pajtohemi me një zgjidhje, por nëse pala tjetër maqedonase nuk pajtohet sigurisht që nuk mund të kemi përparim.

Problemi i emrit të Maqedonisë nuk është problem më i vështirë dhe më i ndërlikuar sesa problem i Pavarësisë së Kosovës. Mbase dikush ka qenë skeptikë para 15 vitesh që Kosova një ditë do të pavarësohet. Ky realitet ndodhi dhe tani Kosova është njohur nga 110 shteteve të Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

Askush para 5 vitesh nuk ka menduar se do të ulet Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për marrëdhënie bilaterale, për rregullim të çështjeve të ndryshme, kadastrave, dëmet e luftës që kanë bërë etj. Mirëpo, sot kemi negociata të drejtpërdrejta, natyrisht me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtarë.

Prandaj, nuk ka alternative tjetër në rajonin e Ballkanit perëndimorë përveç pajtimit dhe ky pajtim duhet të ndodhë me rastin e 100 vjetorit e luftërave ballkanike dhe masakrave që janë bërë para një shekulli dhe çmimin më të lartë e kanë paguar shqiptarët.

Varre, gropa masive të zhdukur të shpërngulur dhe rajoni duhet të kthehet për së mbari dhe të nxirret mësim nga kombi shqiptar. Shqiptarët janë ata që e bënë hapin e parë drejt pajtimit.

Unë i kam përshëndetur takimet Prishtinë-Beograd dhe dua të ndodhin edhe takime të tjera më të rëndësishme, sepse zgjidhje më të mirë përveç pajtimit, paqes, stabilitetit, sigurisë dhe integrimit të Ballkanit perëndimorë në BE, nuk kemi. Insistoj për zgjidhje të çështjes së emrit sepse hapet rruga e bashkimit Evropian dhe e anëtarësimit në NATO që garantohet stabiliteti rajonal.

Zëri: Ju jeni të gatshëm, për çështjen e emrit, por nuk është partneri i juaj në qeveri dhe homologu i tij grek?

Unë i besoj kësaj filozofie sepse nuk ka zgjedhje më të mirë. Nëse dikush ka zgjidhje tjetër, duhet të dalë dhe t’i tregojë opinionit kombëtarë dhe atij ndërkombëtar që kanë një alternativë më të mirë sesa kjo që ofroj unë tani?

Emri: Republika e Maqedonisë së Epërme

Zëri: Cili do të ishte propozimi i juaj për emrin e Maqedonisë?

Ahmeti: Është e rëndësishme se ky është shteti ynë dhe se ky shtet sa është i Nikolla Gruevckit është edhe i imi, dhe me intereson që mos t’i ofendojë ndjenjat e bashkëqytetarëve të mi maqedonas. Ata kanë një ndjenjë tjetër që mund t’i kontestohet gjuha dhe nuk dua që atyre t’u kontestohet ndjenja e tyre kombëtare, gjuhësore dhe unë të solidarizohem në këtë drejtim. Por tani emri i shtetit është një propozim-ide nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar i OKB-së, Metju Nimic, i cili ka propozuar: Republika e Maqedonisë së Epërme.

Këtu palët sigurisht kanë dallime se a do të duhet të jetë Republika e Epërme e Maqedonisë apo Republika e Maqedonisë së Epërme që është vështirë që ta kuptoni këtë që flas sepse ku do të vendoset mbiemri se a do të jetë në fund a do të jetë në mes. Por kjo është çështje negociatash dhe derisa ka një propozim për emrin, tani është moment që palët të ulen në tavolinë dhe pa imponim ta zgjidhin problemin.

Tani është koha që të veprohet me energji të koncentruar, të hiqet dorë nga emocionet sepse ku ka emocione nuk ka racionalitet dhe t’i kthehemi racionalitetit, t’i kthehemi gjërave që na ofrojnë zgjidhje të dobishme për të gjitha palët edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit edhe për rajonin

Zëri: Keni qenë ndër njerëzit e parë të UÇK-së në Kosovë dhe keni luftuar për bashkim kombëtar. Me vonë jeni deklaruar për mosndarjen e Maqedonisë. A jeni akoma në të njëjtën trajektore?

Ahmeti: Tani më mirë se i zoti i shtëpisë që e din se ku i pikë çatia, nuk e din kojshia. Unë mendoj se Maqedonia është një interes kombëtar, është interes i bashkëqytetarëve që të mos ndahet,që të mos copëtohet, sepse të dyja palët humbin, krijojnë plagë të mëdha dhe të panevojshme. Unë e kam pasur në dorë kallashnikovin, kam drejtuar një ushtri prej 10 mijë ushtarësh dhe nuk e kam pas të lehtë t’u them atyre se na duhet të jetojmë prapë me një shtet me të cilët kemi luftuar.

Por, është interes i shqiptarëve sepse po t’i futemi një ndarjeje, ajo ndarje do të shkaktonte dhimbje, duhej 250 mijë shqiptarë të deportohen nga pjesët ku nuk ishin shumicë në pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe duhej që 100 mijë maqedonas t’i depërtojmë në pjesën tjetër. Këtë situatë nuk kam gjykuar si njëri me kallash, por e kam gjykuar si një prind si një djalë që ka nënë si një djalë që ka vëllezër që ka familje dhe nuk kam dashur t’u shkaktojë plagë atyre 250 mijë shqiptarëve të dëbohen nga vatrat e veta dhe të përshëndeten përfundshmit. Prandaj kam dashur që shqiptarët në këtë vend të jetojnë të barabartë të lirë në Maqedoni.

Zëri: A janë të barabartë shqiptarët në Maqedoni?

Ahmeti: Sigurisht. Ju Skënderbeun e keni në qendër të Prishtinës, unë e kam në qendër të Shkupit. Sa për ilustrim po të them se secili kryetar i komunës së shqiptarëve, e ka pesë mijë euro gjobën nëse nuk e ka para komunës dhe në tavolinë ku bëhen takimet zyrtare flamurin kombëtar.

Unë jam shkolluar në Universitetin e Prishtinës të cilit tërë jetën do t’i përkulem sepse ai na bashkoi dhe nga çdo shqiptar e meriton që të konsiderohet si objekt kulti. Nuk kam pasur të drejtë të shkollohem në vendin tim dhe se jam rrahur e burgosur në vitet 80’ta pse unë kam kërkuar që të hapet një universitet në gjuhën shqipe. Sot ka studentë nga Prishtina në Universitetin e Tetovës dhe ky universitet është me 20. 000 mijë studentë. Një komb e karakterizon gjuha, flamuri, shkollimi. Gjuhën po, flamurin kombëtar po, universitetin po, nga 1për qind sa ka qenë në administratë, sot janë afërsisht 20 për qind të shqiptarëve në administratë, nga 170 policë shqiptarë që ka pasur deri në vitin 2001, sot janë 2000 policë shqiptarë, nga një administratë që ke mundur t’i numërosh në gishta, sot janë mbi 20 mijë dhe tani në duhet të punojmë, të funksionojmë, të ndërtojmë, të interesohemi për vendin tonë.

Zëri: Megjithatë, marrë proporcionalisht, shqiptarët janë shumë mbrapa maqedonasve?

Ahmeti: Nuk janë fajtor të huajt se çka bëjmë ne. Ne kemi bërë gabime në histori, mos të thirremi ne se jemi engjëj dhe se shqiptarët gjithherë kanë qenë të persekutuar, të vrarë e të masakruar, sepse edhe ne në histori kemi bërë gabime dhe po t’i shohim me syrin kritik ato gabime që janë bërë për 150 vite, 200 vite tek shqiptarët, duhet të mos i përsërisim. Nuk them që janë kryer të gjitha gjërat, ka edhe shumë gjëra për t’u bërë. Duhet të avancohet gjuha shqipe në nivel shtetëror edhe pse ligji e kushtetuta ia garanton, por këto janë ca hapa që bëhen gradualisht dhe kemi arritur mjaft mirë që t’i koordinojmë hapat, kemi të bëjmë edhe shumë në avancimin e mëtejmë të shqiptarëve, por çështjet kryesore janë futur në binarë të mbarë dhe në binarë pa kthim. Edhe çështja shqiptare si tërësi është në binar të mbarë.

Çështjet në binar

Ahmeti: Shqipëria është në NATO dhe ka bërë hapat e duhur për anëtarësim në BE, për zhvillim ekonomik dhe përafrim me vendet e zhvilluara. Kosova është shtet, NATO-ja është brenda në Kosovë, tani duhet të bëjë hapa për afrim me BE-në, të nisë negociatat, të hiqen vizat, të de-izolohet, të mos mbetet ajo njolla e zezë e rajonit. Institucionet e saj duhet të punojnë me përkushtim dhe fajin mos ta kërkojmë as në Beograd e as në Bruksel, por të shohim sa po punojmë ne për vendin tonë dhe për brezat.

Për mua kufijtë klasik kanë rënë, nuk janë më në idealet e mia kufijtë klasik. Sepse po të bësh kufij klasik, të bësh ndarje, shkakton dhimbje, shkakton pasoja dhe dëbime e dyndje të shqiptarëve nuk na duhen më. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë urë që e lidhë Kosovën me Serbinë, ata duhet të kërkojnë të drejtat e tyre të barabarta siç i kanë serbët në Kosovë. Unë nuk pajtohem me disa deklarata emocionale për ndarjen e Kosovës Lindore. Kërko atë që është e arsyeshme dhe e natyrshme. Po t’i hyjmë ndarjes, ta ndajmë Kosovën, ta ndajmë Maqedoninë, ne i hyjmë një veprimi të padobishëm dhe të paleverdishëm për ne. Leverdia e shqiptarëve është të jenë pjesë e NATO-s, e BE-së dhe të jetojnë me të drejta të barabarta.

Zëri: A duhet të vlejë standardi i njëjtë për serbët në veri dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës e pse jo edhe për Maqedoninë?

Ahmeti: Po pse të mos vlejë. ç’të keqe ka? Me ligje e ke të garantuar. Merre Kushtetutën e Maqedonisë, merre marrëveshjen e Ohrit, tjetër çështje është që nuk e kemi arritur deri tash, për shumë arsye. Por ne kemi qenë shumë mbrapa si në aplikimin e gjuhës, si në vendosjen e shumë standardeve. Ne duhet të punojmë në progres gjeometrik e jo aritmetikor.

Zëri: Deri ku është implementuar marrëveshja e Ohrit?

Ahmeti: Pjesa legjislative është realizuar tërësisht, përjashto gjuhën. Tash ke për shembull, përfaqësimin e drejtë, ka vende ku është zero për qind, por ka vende ku është 30 për qind. Prandaj këtu duhet të bëhet një analizë nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit dhe aty ku ke mangësi, duhet të zbatohen.

Zëri: A është i zgjidhur statusi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare?

Ahmeti: Në Maqedoni çështja është se kemi pasur kujdesin ndaj UÇK-së dhe ndaj të gjithë asaj gjenerate që kanë qenë të burgosur politikë. Pjesa dërrmuese e administratës janë nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, si në polici si në ushtri, madje edhe në poste të larta, Ministri i Mbrojtjes ka qenë Komandat Brigade, kemi deputetë. E rëndësishme tani është që UÇK-ja ka fituar edhe legjitimitetin shtetëror, do të thotë, fitoi ushtarakisht, fitoi politikisht, fitoi edhe në Gjyqin Ndërkombëtar në Hagë. Pjesa e rezistencës që bëheshin nga policia dhe ushtria e shtetit u dënuan në Hagë, ndërsa UÇK-ja fitoi në këtë proces, sepse veproi si ushtri e organizuar në të gjitha formacionet, respektoi ligjet ndërkombëtare, pranoi edhe gjykatën e Hagës dhe të gjitha këto

marrëveshje janë nënshkruar nga udhëheqja e UÇK-së. Kështu që na kanë mbetur për trajtim dhe kujdes invalidët, që nuk është numër shumë i madh dhe familjet e dëshmorëve që kanë trajtim nga komunat, por jemi edhe në rrugë për zgjidhjen përfundimtare dhe nuk është numër i madh e mendoj që do mbyllet me sukses.

Pushka e trimit nuk ndalet

Zëri: Në Shkup kohëve të fundit ka pasur disa incidente ndëretntike. Kush po i nxit konfliktet?

Ahmeti: Këto janë zhvillime që kanë ndodhur përherë. Nuk dua ta thjeshtësoj problemin, por ne edhe përpara rriheshim me maqedonasit, ndërsa prindi im s’dinte asgjë. Këtu është e rëndësishme që mos të ketë organizime dhe të mos qëndrojë ndonjë formacion politik pas këtyre organizimeve që deri më tani nuk na rezulton që ka ndonjë formacion që i nxit.

Zëri: Një kohë keni jetuar në Kosovë. A po iu mungon shoqëria në Kosovë?

Ahmeti: Unë kam shumë nostalgji për shokët e mi dhe kjo është një pjesë goxha e dhimbshme, sepse kur kam vendosur që ta pranojë marrëveshjen e Ohrit kam pranuar që të shkëputem edhe nga një pjesë së cilës unë iu kam përkushtuar bukur shumë.

Zëri: Cilin e vlerësoni më shumë, Haradinajn apo Thaçin?

Ahmeti: Që të dy i kam bashkëluftëtarë dhe i respektoj.

Zëri: A takoheni shpesh me ta?

Ahmeti: Varësisht nga rrethanat. Nuk kam pasur mundësi që të udhëtojë shpesh.

Zëri: Në Luginën e Preshevës u bëjnë juve me faj, se e keni ngutur daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, derisa procesi në Luginë nuk ishte përfunduar?

Ahmeti: S’ka pasur zgjidhje tjetër. Në kemi hyrë në luftë kur procesi paqësor në Luginë ishte në fund.

Zëri: A takoheni shpesh me Gruevskin?

Ahmeti: Sipas nevojës.

 

Nga: Milaim Shefkiu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu