Ali Ahmeti para shqiptarëve në Cyrih: BDI-ja realizon vepra konkrete

0
307

Zyrih, 3 nëntor – Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim i kryesuar nga kryetari Ali Ahmeti, në Cyrih ka mbajtur të shtunën takimin e parë me shqiptarët në këtë qytet zviceran. Me bashkëatdhetarët drejtuesit e BDI-së kanë diskutuar zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe i njoftuan ata me qëndrimet e partisë rreth atyre zhvillimeve.

Fillimisht, shefi i shtabit zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2013, Abdylaqim Ademi, foli rreth agjendës së Bashkimit Demokratik për Integrim për të zhvilluar këto takime me qytetarët shqiptarë që jetojnë përkohësisht në mërgatë dhe rolin e tyre në këto zgjedhje lokale. Ai theksoi që në vitin 2013, komuna e Kërçovës bashkohet me komunat rurale përreth dhe njëkohësisht prezentoi një pasqyrë të votave shqiptare në shumicën e komunave të veriperëndimit të vendit. Në Zvicër jetojnë mbi 60.000 qytetarë nga Maqedonia, prej të cilëve shumica dërmuese janë shqiptar.

Në fjalën e tij, Kryetari Ahmeti theksoi që do të përpiqet gjithmonë që mos të zhgënjeje as të gjallët e as të rënët, si shokët e tij të luftës, ne veprimtarinë politike, sepse misioni jonë kërkon përkushtim. 

“Ka 11 vite që nuk jemi parë, nuk dua që të bëj patriotizëm para jush dhe të bëj e stilizoj vepra të pabëra, sot patriotizëm është të ngresh Skënderbeun në Shkup, siç është në Tiranë dhe Prishtinë. Pas vendosjes së Skënderbeut në Prishtinë, më quajtën ekstremist kur u zotova që Skenderbeun do ta sjellim edhe në Shkup. Nuk është ekstremizëm as të vendosësh Hasan Prishtinës mu në qendër të Shkupit, sepse ai luftoi edhe për lirinë e të gjithëve në Ballkan. Nuk është ekstremizëm as zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës dhe shndrimi i kazermave në fakultete, siç është rasti në Kërçovë. Kombin e cilëson flamuri kombëtar, gjuha shqipe, universiteti. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtar edhe pse ka akoma nevojë për reflektim për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën. Flamuri shqiptar është në përmasat Kushtetuese dhe i njëjti flamur që valon në Tiranë dhe në Prishtinë, valon edhe në Shkup”.

Në fjalimin e tij, Ahmeti ka përmendur njëmbëdhjetë vitet e kaluara të arritura me sakrifica, jo vetëm nga një gjeneratë, por nga shumë gjenerata tjera. Ai gjithashtu bëri të ditur për ngritjen e përmendoreve edhe për Pjetër Bogdanin, Josif Bagerin, Nexhati Agollin.

“Deri më vitin 2001, vetëm 170 shqiptar kishte në Maqedoni, sot janë mbi 2000. Nga 64 oficera dhe nënoficera në vitin 2001, sot janë mbi 2000. Nga 3% administrate, sot kemi afër 20% shqiptarë në administratë. Por, kemi edhe shumë punë për të bë, ne jemi përpjek që shqiptarët ti nderojmë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Ju kemi përfaqësuar me dinjitet, nuk jemi treguar qilimi por burrështetas, A kemi arritur shumë? Them që po, sepse akoma na kujtohen vitet e 90. Kishte njerëz që nuk besonin që Kosova do të bëhet shtet, ose që statusi politik dhe juridik i shqiptarëve në Maqedoni nuk do të ndryshojë, por sot, të dyja këto janë realitet. Liri dhe barazi pa çmim, nuk ka. Ne sot i dalim Zot vendit dhe Maqedonia është e jona sa është e Maqedonasve. Kufijtë do mbesin relikte dhe e ardhmja e shqiptarëve është pa kufi. Sot me letërnjoftim shkojmë në Tiranë, i hoqëm pasaportat siç do ti heqim edhe kufijtë sepse kemi të ardhme të përbashkët në Evropë”.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve Ahmeti, theksoi: “Kemi nevojë edhe për zhvillim të ekonomisë, më tepër investime, hapje të vendeve të reja të punës. Kontaktojmë me investitor vendas dhe të huaj dhe përparim ka, por jo të mjaftueshëm dhe duhet të bëhet edhe më tepër”.

“Proceset janë në zhvillim e sipër, por proceset janë në drejtim të duhur. Ky është shekulli i shqiptarëve. Kosova nuk guxon të ndahet, kemi probleme edhe në Luginë të Preshevës, ky qytetarët shqiptar nuk po trajtohen në mënyrë të drejtë sikurse Sërbët në Kosovë. Por ndarjet kanë pasoja dhe dëme ndërsa ne kemi nevojë për pajtim. Dua njëkohësisht të ju uroj festat e nëntorit dhe 100 vjetorin e pavarësisë dhe të kombit shqiptar. Kjo festë kombëtare fillon me 25 nëntor zyrtarisht në Shkup me prezencën e Kryeministrave Berisha dhe Thaçi për të vijuar në Prishtinë, Vlorë dhe Tiranë. Kjo festë është zyrtarizuar në parlamentin e Maqedonisë”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Kryetari Ahmeti gjithashtu u përqendrua rreth zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe nevojës për mbështetje të përpjekjeve të BDI për të fituar komunat shqiptare në Maqedoni, me theks të veçantë në qytetet e Kërçovës dhe të Strugës. Kryetari Ahmeti theksoi që Kërçova, edhe pse e banuar me shumicë shqiptare, asnjëherë nuk ka patur rastin që të menaxhohet nga shqiptarët, por vitin e ardhshëm, shqiptarëve ju mundësohet që me pjesëmarrjen e tyre masovike, të marrin në duart e tyre drejtimin e Kërçovës. Për këtë nevojitet një mobilizim dhe organizim i madh i mërgatës dhe kam besim që Kërçovarët do ti përgjigjën këtij provimi flakë për flakë sepse Kërçova është e jona.

Qytetarët prezent në këtë tubim shfaqën interes të madh rreth diskutimit të liderit të BDI-së dhe bënë pyetje të shumta në interesin e tyre dhe interesin më të gjërë të vendit dhe rajonit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu