Ambasadori francez në ’49: Duam informacion për trajtimin e emigrantëve grekë në Shqipëri

0
292
Diplomati Francez dhe Enver Hoxha
Diplomati Francez dhe Enver Hoxha

Fokusi i vëzhgimit tonë, këtë herë hyn thellë në arkivat e fillimit të viteve të pushtetit komunist në Shqipëri.
Janë pikërisht dosjet që i përkasin vitit 1949, ato që të befasojnë për saktësinë dhe kronometrimin e situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit.
Jemi në periudhën kur pushteti komunist kishte veç katër vjet që ishte instaluar në Shqipëri, kur siç shikohet nga dokumentet arkivore të kohës duket se e kishte vendosur situatën në kontroll ekstrem, aq sa nuk lejon të falet as lëvizja e ambasadorit të quajtur “ministër” pa leje paraprake për në zona të vendit, ashtu siç është në korrent edhe të situatave të emigrantëve tanë jashtë vendit apo të kërkesave të çdo shqiptari që ka kontakte me shtetas të ndodhur me banim jashtë vendit.
* * *
Redaksia e “Gazetës Shqiptare”, e cila tashmë ka në dorë të gjithë dokumentacionin që i përket Ministrisë së Brendshme dhe asaj të jashtme të vitit 1949, në numrin e sotëm zbardh disa prej tyre dhe pikërisht ato që kanë të bëjnë me ambasadorin francez të asaj kohe të sapombërritur në Shqipëri.
* * *
E pabesueshme, por e vërtetë!
Një pushtet që porsa kishte marrë frenat në Shqipëri ishte në gjendje të identifikonte jo vetëm orarin, por edhe itinerarin e lëvizjes së ministrit të ambasadës franceze për të cilin ministri i Brendshëm i kohës, Mehmet Shehu, në mënyrë tepër konsekuente përpilon një informacion protestë, ku tërheq vëmendjen duke sensibilizuar Ministrinë e Jashtme për këtë lëvizje të palajmëruar të ministrit apo të ambasadorit francez.
* * *
Po ashtu, në vijim të këtij shkrimi botohet edhe materiali që i përket takimit dhe pretendimeve me ambasadorin francez, i cili paraqet kërkesa personale për mbështetje logjistike.
* * *
Gjithsesi, për sa ndodhte në një shtet të porsadalë nga lufta dhe që drejtohej prej njerëzish të panjohur me administratën shtetërore, të cilët çuditërisht kanë drejtuar me kompetencë dhe vëmendje të çuditshme çdo detaji të ndodhur në shtetin e tyre, lexuesi i gazetës sonë do ta mësojë pikërisht në zbardhjen e dokumenteve të mëposhtme të siguruara në kaskadat misterioze të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme, që i përkasin pikërisht vitit 1949.
* * *
Në zbardhjen e dokumenteve, redaksia si në çdo rast të tillë bën zbardhjen duke rregulluar vetëm ndo një gabim ortografik apo shenja pikësimi, duke qëndruar ndërkohë korrekt me atë çfarë shkruhet qoftë dhe me shprehjet dialektore si dhe mënyrat gjuhësore të kohës.

REPUBLIKA POPULLORE
E SHQIPERISe

MINISTRIA E PUNËVE
TË BRENDSHME

DREJTORIJA E SIGURIMIT
TË SHTETIT

KONCEPT

MINISTRISE SE PUNËVE
TE JASHTME

Tiranë më 17/9/49
Ju njoftojë se më datë 2/9/949 Ministri i Francez JASQUES CHARTIER, i nisur nga Tirana n’orën 17:40 ka vajtur në Mamurras me veturën e tij.
Në mbrëmien e datës së sipërme n’orën 21, ka kaluar 10 km, në këmbë përtej Mamurrasit në drejtim të katundit Laç të Milotit.
Në këtë mënyrë ai ka vepruar në kundërshtim me notën e lëshuar nga ay dikaster të lëshuar më datën 1 gusht që bën fjalë mbi kufizimin e qarkullimit të përfaqësive të huaja.
Mbi sa më sipër ju bëhet e ditur për dijeni dhe kompetencë.

MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
GJENERAL LEITNANT

(Mehmet Shehu)
(firma)

RELACION

TAKIKI I MINISTRIT FRANCEZ

ME DHIMITRIN 29/9/1949

Ministri francez parashtroi këto çështje.

Çështja 1:
Udhëtimi i tij për
në Trieste

– Ay:
Kam ardhur t’ju njoftoj se do të nisem së shpejti në Triestë, ku do të shkoj të marrë plaçka dhe midis të tjerave edhe gomat e veturës. Do t’ju lutesha që të pyesnit se kur do të ketë ndonjë vapor që të mos detyrohem të shkoj me anë të tokës.

– Dhimitri:
Po marrë shënim dhe ju lajmëroj nëse do të mund të kemi ndonjë informacion

– Ay:
Shikoj të kenë ardhur italianë dhe besoj të jetë personeli i legatës këtu.
Kur paskan ardhur dhe me çfarë mjeti? Edhe këta mund të pyesni mbi ardhjen eventuale të ndonjë vapori.

– Dhimitri:
Po, kanë ardhur me anë të vijës ajrore, jo me vapor.
Ministri nuk ka paraqitur letër-kredenciale, po me gjithë këtë, po të më jetë rasti të kem ndonjë kontakt me të, së shpejti mund t’i kërkoj edhe ndonjë informatë.

Çështja 2:
Vajza e Beçes

Ay: Dëshiroj të shtoj edhe një pikë tjetër për të cilën ju kam folur edhe herë të tjera: Për vajzën Beça, ju kisha qenë drejtuar edhe herë të tjera që kjo vajzë e vogël të shkoj te gjyshja e vetë në Francë, po autoritetet shqiptare, si është e drejta e tyre nuk e banë.
Tashi dua t’ju lutem të kini mirësinë të ndërmjetësoni që t’a autorizojmë të takohet me njërin prej prindërve të saj mamanë ose babën, që të mund të këshillohet direkt prej tyre mbi mënyrën e rregullimit të jetës së saj. Kjo vajzë ka shkuar nga një far e fis i saj.

Kjo vajzë ka 6 muaj që nuk u i ka parë prindët, për të vendosur bashkarisht me t’a se si të rregullojë mënyrën e jetesës dhe se kush nga familjarët të vendoset me banesa. Gjyshja e saj, më shkruan për hera dhe është e shqetësuar nga se nuk u merr një përgjigje pozitive për një punë si është kjo. Është merak të madh ndaj pret të reja duke kënduar shtypin. Kujton se mos ka shqetësime dhe në Shqipëri, të cilat pengojnë ndjekjen normale të kësaj çështje. Prandaj do t’ju lutesha dhe një herë që të interesoi veçanërisht.

– Dhimitri:
Po marr shënim mbi këtë çështje të re që shtroni mbi vajzën Beça për të cilën më keni folur edhe tjetër herë rreth hikjes së saj për në Francë dhe do të mbaj në korrent autoritetet kompetente mbi sa thoni.
Sa për zonjën gjyshe të vajzës Beça, kjo duket këndon shtypin reaksionar dhe alarmohet prandaj ju takon t’a sqaroni që të qetësohet.

– Ay:
Po, ajo vetëm dyshon besoj unë, se mos ka turbullime.
Sa për qetësinë që ka këtu në Shqipëri si dhe për punët që kryen për rindërtimin ekonomik në Shqipëri, këtë e kam thënë dhe bëj të ditur se herë që vjen rasti.

Çështja 3:
Komisioni për pajtimin

– Ay:
Pikërisht dëgjova se u formua një komision “de concilacion” dhe nga kush do të përfaqësohet çështja me Greqinë.(kërkoi përshtypjen).

– Dhimitri:
Koha ka për të treguar mbi këtë aktivitet të UNO-s.

Çështja 4:
Refugjatët grekë në Shqipëri

– Ay:
A do mundnit të më sqaroni, se ç’farë bëhet në Shqipëri me refugjatin grek, mbasi dua të informoj autoritetet t’ona dhe ata më pyesin.

– Dhimitri:
Mbi Këtë duhet t’u referoj komunikimeve zyrtare dhe shtypit t’onë ku del e qartë se neve zbatojmë rigorozisht principet e të Drejtave të Njeriut në këtë fushë që ju intereson.

Ay:
Jam dakort për ata që çarmatosen, por unë flas për refugjatët grekë, civila. Për këtë pjesë të popullatës, theksoj, persona me veshje të posaçme të cilët duhen të jenë grekë dhe flasin greqisht.
Një shqiptar i veriut dekorohet për trimëri gjatë luftimeve për mbrojtjen e kufirit të jugës. Kufiri tashi është në zemër të gjithë popullit pa marrë parasysh origjinën e popullatës, nëse është nga jugu nga veriu, dallim i cili ndodhte më parë. Po edhe qeveria franceze, ju theksoi, në rekomandimin kolektiv që i u bë qeverisë greke, kur nuk e hodhi poshtë me fjalë të tjera një gjë të tillë.

– Dhimiri :
Meqenëse prekët anën historike mbi kufijtë t’ona dhe qëndrimin e Francës si në të kaluarën ashtu dhe tashi karshi çështjes greke, më lejoni t’ju theksoj se autoritetet zyrtare franceze kanë mbështetur pikëpamjen greke në dëm të interesave t’ona edhe në të kaluarën.

– Ay:
Vërtet grekët kanë patur politikanë të zotër si Venizelos dhe kështu pat mbështetjen e Francës.

– Zeqi:
S’është për çështje sentimentalizmi që Franca ka përkrahur Greqinë, por e ka përkrahur se pajtohej me interesat e saj.

– Dhimitri:
Edhe H.Nicolson e ngre personalitetin e Venizelos dhe influencën e tij në konferencën e Parisit si kurse lartëson personalitetin e jashtëzakonshëm të Leninit, por shtetet që duan të shtypin popujt e vegjël dhe të mohojnë të drejtat e tyre legjitime gjejnë me çdo kohë një Venizelos në palën tjetër. Dije, Francën e paska influencuar Venizelosi, kurse sot e influencokërka Amerika.

Këto janë bisedime që s’mbarohen po t’ju thomë të drejtën, jasht funksioneve të mija, më vjen keq që Franca të ndjekë Amerikën dhe të zvarritet mbas asaj për të shkelur të drejtat e popujve të tjerë. Jo, duhet të mbaj qëndrim dinjitoz n’interes të popullit shqiptar dhe në intervistë së drejtës.
Këto pikëpamje ju a thom si person- privatisht dhe e theksova këtë vetëm pse muart një qëndrim mbi politikën e Francës në çështjen greke.

– Ay:
Jam plotësisht d’akort që Franca nuk duhej të ndjekë Amerikën në mënyrë të tillë. Vetëm duhet të dini një gjë, se neve ishim të çkatërruar nga lufta dhe kishim nevojë për rindërtim, dhe vetëm me të hollat dhe materialin e saj mund të ngriheshim.
Neve duam të jetojmë.
Unë psh. kalova kaq luftëra e nuk munda më të bëj ndryshe. Kujt t’i drejtohem? Një palë nuk kanë të holla, një palë tjetër si Rusija ka problem ose preokupacione të saja. Tjetër herë kemi huajtur dhe s’na i kanë kthyer. Pastaj të mos harrojmë se edhe vetë Anglija shkon mbas Amerikës për këto arsyje.
Franca nuk merrte dot tjetër qëndrim pra se e detyruan rrethanat ekonomike dhe financiare në të cilat gjendej në mbas lufte.
Pastaj këto të holla që i marrim Amerikës si kurse neve nuk na i kthyen të tjerat mbas luftës së madhe që bëmë. Edhe neve natyrisht nuk do t’i kthejmë.

– Zeqi:
Franca, zoti Ministër, i ka paguar që tani këto detyrime dhe borxhe kundrejt Amerikës (duke bërë alysion që Amerika ushqen e drejton Francën).

– Ay:
Franca, ka nevojë, ju thash për t’u rindërtuar. Problemi kryesor është ky. Sidoqoftë mbi çështja me Greqinë duhet parë në rrethanat dhe mundësitë tona.
Tashi thjeshtësohet pse Amerika i ka duart e zëna me problemin e Kinës që i ka lindur dhe do të vërë gjithë kujdesin me problemin grek.

Nga: Nga Fatos Veliu

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu