Amerikanët, bashkëpunimi i Zogut me Titon më 1952

0
176

Pas interesimit të madh të publikut mbi historinë e Kompanisë 4000 dhe përpjekjeve amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në fillimin e viteve ’50, po sjellim për botim disa dokumente të Arkivit tashmë të deklasifikuar Amerikan, mbi çështjet e Operacioneve Klandestine. Këto dokumente bëjnë fjalë për lidhjet dhe bashkëpunimin e ish-Mbretit Zog me Jugosllavët.
Roli i Zogut në këto operacione të orkestruara nga CIA dhe të njohura me emrin e koduar BGFIEND, nuk është studiuar sa duhet dhe deri më sot nuk ka të dhëna të shumta mbi influencën e tij në këto përgatitje. Po kështu, deri më sot nuk dihet asgjë mbi përpjekjet e Zogut për një bashkëpunim me Josif Broz Titon, liderin komunist të Jugosllavisë, i cili me sa duket i kishte premtuar ish-Mbretit një rikthim të mundshëm në Fronin Shqiptar.
Në dosjen mbi Mbretin Zog në Arkivin Amerikan janë të shumta dokumentet të cilat flasin mbi një bashkëpunim të hapur të Zogut dhe Titos për një mundësi të rrëzimit të Enver Hoxhës dhe kthimin e Shqipërisë në një vend mik për Jugosllavinë. Është shumë interesant fakti se Zogu tashmë pas gati 30 vjetësh kërkonte përsëri ndihmën jugosllave për t’u rikthyer në pushtet, megjithëse tashmë Jugosllavia udhëhiqej nga një lider i famshëm komunist. Me sa duket Zogu i njohur për pikëpamjet e tij pragmatiste kërkonte me çdo kusht çfarëdo aleati të mundshëm për t’u rikthyer përsëri në Shqipëri. Zbulimi i kësaj marrëdhënieje të Zogut me Jugosllavinë komuniste do të sjellë një këndvështrim të ri mbi rolin e Zogut në emigracion dhe do të rrëzojë pohimin e historianëve mbi qëndrimin e fortë nacionalist të Zogut kundër jugosllavëve. Me sa duket nga dokumentet e shumta, ka qenë Zogu ai që ka tentuar dhe ka krijuar lidhje me Titon duke i propozuar atij bashkëpunim me interesa të përbashkëta.
Megjithatë, lëvizja e Zogut duhet parë në kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve. Jugosllavia tashmë e shkëputur nga Blloku Sovjetik kërkonte një rrugë të pavarur nga rusët dhe si rrjedhim kishte filluar një bashkëpunim të heshtur me disa prej ish-armiqve ideologjikë. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe përpjekja e Titos për rrëzimin me çdo kusht të Enver Hoxhës, i cili tashmë ishte kthyer në një prej aleatëve më të ngushtë të sovjetikëve në luftën kundër Titos. Një Shqipëri mike e Jugosllavisë do të ishte një fitore e madhe për Titon, i cili kërkonte jo vetëm një prapavijë të qetë por edhe një zbutje të problemeve që ai kishte në Kosovë. Për këtë arsye Tito ka autorizuar Shërbimin e tij të Fshehtë UDB për të filluar kontakte me inteligjencën amerikane dhe për të marrë pjesë nëse do ishte e mundur, në një operacion të përbashkët në rrëzimin e Enver Hoxhës dhe grupit të tij. Në këtë moment, ish-Mbreti Zog ka kërkuar të përfitonte nga ndryshimi i situatës politike dhe kërkon mbështetjen e Titos për të udhëhequr një sulm me armë ndaj Tiranës, ashtu siç kishte bërë gati 30 vjet të shkuara.
Nga dokumenti i parë që sjellim sot për botim dhe që është shkëputur nga një material i gjatë i një takimi zyrtar të të dy shërbimeve të fshehta amerikane dhe ato jugosllave, duket qartë se sipas dëshmisë së Gjeneralit Rankoviç, ish-Shefi i UDB-së dhe një prej figurave më antikosovare në Jugosllavi, UDB ka pasur kontakte të vazhdueshme me Mbretin Zog i cili strehohej në Egjipt. Po kështu, duket se Gjenerali Rankoviç nuk ka pasur ndonjë opinion të lartë mbi influencën që Zogu kishte ende tek shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në kundërshtim me pikëpamjen e Gjeneralit Rankoviç, amerikanët mendonin se Zogu kishte mjaft influencë ende në Shqipëri. Ka shumë mundësi që ky mendim i amerikanëve bazohej në lojën që tashmë Shërbimet Shqiptare dhe ato Sovjetike kishin filluar të bënin me amerikanët, duke dërguar informacion jo realist mbi Shqipërinë nëpërmjet agjentëve të kapur dhe të rikthyer në rol të dyfishtë. Në dokumentet që vijnë nga pala jugosllave, duket se jugosllavët ishin shumë më të mirinformuar mbi situatën në Shqipëri se sa amerikanët.
Në dokumentin e dytë që po botojmë sot për herë të parë, flitet për një raport të ardhur nga Zyra e Cia-s në Romë, e cila konfirmon se lajmet për një Mision të Zogut tek Tito tashmë janë konfirmuar, si dhe japin edhe emrin e personit që do të kryejë këtë mision. Safet Lutfi Tozan, një personash enigmatik nga Turqia, i cili dërgohet nga Zogu në një mision kaq delikat.
Se çfarë ka biseduar Zogu dhe Tito mbi të ardhmen e Shqipërisë do ta mësojmë në dokumentet që do të botohen në vazhdim.

Dokumenti I
TOP SEKRET
T/S 87216
Lënda: Mbi bisedimet midis përfaqësuesve të KUBARK (CIA) dhe atyre të FPBERM (UDB- Shërbimi i Fshehtë Jugosllav)
Pika 55: ( ) komentoi se Ish-Mbreti Zog ka qenë pasiv karshi Komitetit të Shqipërisë së Lirë dhe Partisë së Legalitetit, ndoshta me qëllimin që t’i vendosë këto dy grupe kundër njëri-tjetrit për përfitimin e tij. Megjithatë, Zogu për mendimin e KUBARK është lideri shqiptar më me influencë deri më tani. Me gjithë mbështetjen që ai gëzon nga Partia e Legalitetit grupet e tjera e respektojnë por edhe e kanë frikë. Nga informacioni i dalë nga brenda Shqipërisë duket se figura e tij gëzon respektin dhe mbështetjen e të gjithëve në përgjithësi.
Pika 56: ( ) shtoi se në bisedë me ( ) Gjenerali Rankoviç u shpreh se ka pasur kontakte midis FPBERM (Shërbimi i Fshehtë Jugosllav) dhe Zogut, por në opinionin e tij Zogu nuk kishte influencë midis shqiptarëve. ( ) Nga ana tjetër mendon se KUBARK ka marrë informacion të mjaftueshëm për të konkluduar se Zogu ka akoma influencë në Shqipëri dhe mund të jetë shumë i rëndësishëm në çlirimin e vendit, aq më tepër që ai sipas deklaratave publike ka nënvizuar se nuk do të kërkojë rikthimin e tij në Fronin Mbretëror.
Dokumenti II
Memorandum: Zv/shefi i Politikave të Koordinimit, SE
Raporti Ditor për Të Mërkurën 26 Mars 1952
Pika 1. Mbreti Zog këshilloi ( ) se ai ka ndërmend të dërgojë Safet Lufti TOZAN në një Mision tek Tito për të parë pikëpamjet e Jugosllavëve mbi situatën në Shqipëri. Ky raport konfirmon informacionin që kemi pasur më parë për këtë mision, i cili do të përpiqet që të marrë për Zogun asistencën jugosllave ose më e pakta një qëndrim miqësor në rastin e një kryengritjeje në Shqipëri.

 

Nga, Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu