Ana e errët e pilotit të Germanwings?

0
309

Andreas Lubitz

Në ëndrrat tonë më të këqia nuk na e merrte mendja një gjë të tillë, tha shefi i Lufthansas Carsten Spohr. Më parë ai kishte konfirmuar para medieve se piloti i dytë qe mbyllur në kabinë për të nisur rrëzimin e avionit.

Andreas L, piloti i dytë në avionin e Germanwings ishte një njeri që i pëlqenin shakatë. “Të qeshësh sa të të paralizohet fytyra” ishte një faqe që e preferonte ai në Facebook. Sipas informacioneve të gazetës gjermane “Die Welt”, pilotit 28 vjeçar i pëlqenin shakatë që i kalonin pak kufijtë dhe e shkelnin disi etiketën e mirësjelljes. I pëlqente p.sh. që burrat të silleshin si çuna të mëdhenj dhe pilotët si kokëkrisur me zgërdhirje të vazhdueshme në buzë.

Po a kishte Andreas L. edhe një anë tjetër, të errët? Probleme private për momentin nuk janë të njohura. Edhe nëse mungon ende siguria për rrjedhën e katastrofës, pyetja tjetër që shtrohet është a vuante piloti i dytë vuante nga sëmundje psikike. Shkollimin si pilot, që e pati nisur gjashtë vjet më parë në Bremen (Gjermani) dhe në Phoenix, Arizona (SHBA), sipas Lufthansas ai e ndërpreu për disa kohë. “Për shkak të problemeve psikike?”, pyetën përfaqësuesit e shtypit në zyrën e Germanwings-it. Një përgjigje për këtë koncerni nuk dëshiron të japë. Në bazë të ligjeve gjermane janë vetëm autoritetet e ndjekjes penale ato që mund të shohin kartelën mjekësore. Ky informacion i nënshtrohet detyrimit për të heshtur të mjekut “edhe pas vdekjes”, thanë përfaqësues të koncernit.

Por pas ndërprerjes së shkollimit si pilot, Andreas L. i ishte nënshtruar sërish një testi shëndetësor dhe një testi nëse ishte i përshtatshëm si pilot. Dhe këtë test e kishte kaluar me sukses.

“Ai ishte 100 përqind i aftë për të fluturuar. Rezultatet e tij në fluturim ishin shumë të mira, asgjë nuk të tërhiqte vëmendjen”, u tha sot medieve shefi i Lufthansas, Carsten Spohr.

Përvojat e para si pilot, 28 vjeçari i pati bërë me avionë pa motor, që rrëshkasin në ajër të shtyrë nga era. Faqja e klubit të sporteve ajrore Montabaur në Westerwald, ku mësoi ai, për momentin është jashtë sistemit të internetit.

“Ai deshi ta shihte të realizuar ëndrrën e tij, fluturimin”, e përshkruajnë atë shokët e klubit. Kjo ëndërr është kthyer me sa duket në zhgjëndërr të tmerrshme paraditen e 24 marsit në Alpet franceze.

Kërkimi i gjurmëve sapo ka nisur. Vështirë është të përfytyrohet si e ndiejnë veten të afërmit e viktimave, tani që mësuan për tragjedinë. Gjithashtu është e vështirë të përfytyrosh si ndihen prindërit e Andreas L., në shtëpinë e të cilëve në Montabaur, midis Frankfurtit dhe Këlnit, lindi më 1987 Andreas L.

Policia e ka bllokuar rrugën që çon në shtëpinë e prindërve të Andreas L. me automjete policie, të vendosura tërthorazi. Për të penguar automjetet e tjera të kalojnë. Shumë ekipe kameramanësh përpiqen të arrijnë në këtë zonë, për të folur me prindërit. Por banorët janë tërhequr në shtëpitë e tyre. Disa shohin nga pas perdeve ose grilave gjysëm të ulura të dritareve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu