Ana, Klejdi dhe Renato, padi Gardës

0
190

Kur në gjykatën e Tiranës ende vijon procesi ndaj të akuzuarve të vrasjes së  protestuesve më 21 janar të vitit 2011, familjarët e viktimave rinisin një tjetër betejë gjyqësore. Janë jetimët e Ziveri Veizit dhe Hekuran Dedës që dje i janë drejtuar gjykatës për dëmshpërblim për vrasjen e baballarëve të tyre. Nën akuzë deri më tani, janë njerëzit që Prokuroria i ka përcaktuar si autorë të vrasjes së dy protestuesve si dhe Garda e Republikës së Shqipërisë. Familjarët dhe avokatët rinisin një tjetër beteje të re ligjore për të qenë pjesë e procesit të gjykimit të dy të akuzuarve, gardistit Agim Llupo dhe ish komandantit Andrea Prendi. Ana dhe Klejdi Veizi i janë drejtuar sërish gjykatës për drejtësi.

Ka më shumë se një vit, që dy fëmijët minorenë të Ziver Veizit presin në fshatin Libofshë të Fierit të dinë përgjigjen se kush e vrau babain e tyre. Dy fëmijët, nëpërmjet avokatit të tyre, i janë drejtuar gjykatës për dëmshpërblim për vrasjen e babait të tyre. Kësaj kërkese i është bashkëngjitur dhe Renato Myrtaj, djali i vetëm i mbetur gjallë i Faik Myrtajt, edhe ky i vrarë përballë kryeministrisë në demonstratën e 21 janarit të vitit 2011. “Ne nuk kishim zgjidhje tjetër. U bë më shumë se një vit që ka ndodhur ngjarja dhe fëmijët e mi ende nuk dinë përse kanë mbetur jetim.

Kam qenë dakord që Ana dhe Klejdi të përfshiheshin në këtë proces, jo vetëm se kjo është një e drejtë e tyre, por më së shumti se kështu ata përfshihen në një proces për të kërkuar drejtësi”-thotë për gazetën “Shekulli”, nëna e dy fëmijëve të Ziver Veizit. Alma Rrethi nuk e mohon se dëmshpërblimi financiar do të ndihmonte të ardhmen e fëmijëve të saj, së paku për shkollimin e tyre. “ E vetme, dhe në një fshat si Libofsha, thuajse është e pamundur të sigurosh shkollimin e fëmijëve. Fëmijët po rriten, duan të shkollohen e më dhëmb shpirti se të dy janë fort të mbarë, por këtu…

Që Kejdi të vazhdojë shkollën e mesme, vetëm për autobusin duhen 60 mijë lekë në muaj, pa përmendur të tjerat. Por dhe Ana u rrit. Është vajzë dhe ka kërkesa të tjera. Të kishin babain gjallë ishte ndryshe. Por me rëndësi për ne dhe fëmijët e mi është që autorët e vrasjes së babait të tyre të përfundojnë në burg. ”- thotë nëna e Anës dhe e Klejdit. Ata jetojnë me pensionin e gjyshit të tyre, (80 mijë lekë të vjetra në muaj). Së fundmi Alma punon në ndërmarrjen e gjelbërimit të qytetit të Fierit, por këto të ardhura zor se mjaftojnë për të mbajtur familjen me 5 frymë. Kejdi shkruan dhe pikturon bukur. Ndërsa Ana, dëshiron të studiojë për drejtësi.

 

Nga Lindita Çela

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu