Analistët: Mustafa nuk guxon ta shkarkojë Jabllanoviqin

0
202

Jabllanovici 1

Ndonëse, ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, nuk ndalet me deklaratat e tij, fillimisht duke ofenduar protestuesit në Gjakovë, pastaj edhe duke iu drejtuar Kosovës si “Kosovë e Metohi”, sipas analistëve politikë është pak e besueshme se ai do të ndëshkohet nga shefi i qeverisë së Kosovës.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se më e pakta që Jabllanoviq mund të bëj, është që të kërkoj falje për deklaratat fyese që i ka bërë gjakovarëve, duke qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, shefi i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa duhet që të marr masa ndaj këtij ministri, “madje konsideroj se ai është vonuar në këtë drejtim”.

“Mustafa ka kërkuar që të ulen gjakrat, mirëpo nuk po e shoh se këtu kemi nxehje të gjakrave. Këtu kemi një situatë, kur një ministër ofendon rëndë një grup protestuesish, deklaron se nuk është në dijeni së në Kosovë kanë ndodhur masakra gjatë viteve 1998-1999, madje në kundërshtim më kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kësaj të fundit i drejtohet si ‘Kosova dhe Metohia’”, tha Mushkolaj.

Ai tha se dyshon që kryeministri Mustafa, pas tërë këtyre deklarimeve ka kurajë dhe guxim që të kërkoj nga Jabllanoviqi që të kërkoj falje për deklaratat e bëra, e as që vjen në shprehje sipas tij, mundësia që ai të shkarkohet.

Ndërkaq, Shpend Kursani, ka thënë për Telegrafin se gjykuar nga situata dhe rendi socio-politik që është ndërtuar në Kosovë, beson që më parë ka mundësi dhe fuqi që Jabllanoviqi ta shkarkoj Isa Mustafën, se sa Mustafa Jabllanoviqin.

Sipas tij, nëse analizohet pak më thellë, shihet se Isa Mustafa nuk do të mund të zgjidhej kryeministër pa qenë i pranueshëm për Jabllanoviqin.

“E kjo i bie që Mustafa është i pranueshëm për ‘Listën Serbe’, e që këta të fundit i shërbejnë interesave të Beogradit në Kosovë”, ka thënë Kursani.

Ndryshe, ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë se ai nuk e ka idenë se në Kosovë ka pasur masakra në vitet 1998-99.

Në një intervistë dhënë për mediat kosovare, Jabllanoviq ka thënë se ai ka qenë tinejxher në kohën e luftës dhe se në Leposaviq nuk ka pasur luftë.

Ministri ka thënë se kryeministri Mustafa asnjëherë nuk e ka thirrur për ta pyetur për deklaratën e tij kundërthënëse.
Jabllanoviq ka thënë se nuk i ka ofenduar nënat gjakovare, por ata që kanë gjuajtur me gurë dhe se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje e as të ndalet së quajturi Kosovën me emrin “Kosovë dhe Metohi”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu