Analistët: Protestat, të domosdoshme- dikush duhet t’i bëjë!

0
280

protesta-e-opozites-18-pril-15-2

Paralajmërimi i Albin Kurtit për protesta të fuqishme nga Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim të Asociacionit, nga analistët politik shihet si një veprim i duhur. Sipas tyre, është e domosdoshme një protestë e tillë, pasi që siç thonë ata, kjo Qeveri e ka zaptuar shtetin dhe nuk po vepron si duhet.

Megjithëkëtë, ata mendojnë se më mirë do të ishte që këto protesta të organizoheshin nga shoqëria e jo nga ndonjë parti politike, por ‘më mirë dikush se askush”.

Opinionisti Fadil Lepaja ka thënë për Gazetën Blic, se protestat janë të ligjshme dhe asnjë njeri nuk proteston pa ndonjë qëllim. Sipas tij, VV-ja e konsideron si arsye të mjaftueshme për të dalë në protestë, në mënyrë që ta pengojnë vendimin e Qeverisë, i cili do të duhej të kalonte nëpër organet e shtetit.

“Askush nuk thërret në protesta pa ndonjë arsye apo qëllim, dhe këto janë legjitime në një vend demokratik, derisa ato i përmbahen normave ligjore që e rregullojnë këtë çështje. Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje e sheh si arsye të mjaftueshme që të mobilizohet për ta  penguar  një vendim , një marrëveshje politike, e cila tash duhet të kalojë nëpër institucione të gjyqësisë dhe ato politike”, ka thënë Lepaja për Gazeta Blic.

Këtë paralajmërim të VV-së ngjashëm e sheh edhe analisti tjetër politik, Faik Krasniqi. Ai ka thënë se në vendin tonë ka arsye të shumta për ta bërë një gjë të tillë. Sipas tij, brenda Kosovës po synohet të krijohet një shtet serb, dhe Qeveria “mafioze”, siç thotë ai, e ka tepruar duke qeverisur keq.

“Në Kosovë ka një milion arsye për të protestuar. Duke filluar nga kapja e shtetit prej dy partive më të mëdha, kapja e drejtësisë, papunësia, krimi i organizuar, korrupsioni, keqpërdorimet, gjendja e rëndë ekonomike-sociale, e deri tek demarkacioni me Malin e Zi dhe ”Zajednicën” serbe, me të cilën po tentohet të krijohet një minishtet serb brenda territorit të Republikës së Kosovës! Prandaj, çdo protestë në Kosovë është e mirëseardhur, sepse kjo Qeveri mafioze dhe kriminale, e ka mbushur kupën me keq-qeverisje dhe nënshkrime që janë të dëmshme, për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Blic.

Megjithatë, Fadil Lepaja, shton se për të bërë presion kundrejt qeverisë dhe për të protestuar nëse nuk praktikohet dhuna, është e lejuar. Por, nëse situata gjatë protestës del jashtë kontrollit, atëherë shteti duhet të veprojë.

“Thirrje për presione mbi qeverinë me protesta, e madje edhe me kërkesa për dorëheqje, nuk mendoj se janë të jashtëligjshme, përderisa nuk përshkallëzojnë në dhunë, me dëmtime të pronës publike, private apo cenim i lirive dhe të drejtave të të tjerëve. Nëse megjithatë ka eskalime të dhunës, shteti duhet të meret me kryesit e akteve të dhunës dhe jo të fusë shtetrrethim duke e bllokuar kështu në të dyja anët jetën e qytetarëve dhe atë publike”, ka thënë publicisti Lepaja.

Kurse, sipas Krasniqit, këto protesa do të ishte më  mirë të organizoheshin nga vetë shoqëria, por pasi që askush s’po merr një të tillë verpimi, “dikush duhet ta bëjë”, siç thotë ai. Poashtu, ai thotë se VV-ja duhet ta ketë si qëllim kryesor mosdështimin dhe mostërheqjen deri sa ta largojë këtë qeverisje.

Në anën tjetër, askush nga qeveria e Kosovës nuk ka dashur që t’i komentojë paralajmërimet e Albin Kurtit për protesta të fuqishme. Gazeta Blic e ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, mirëpo ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje. /Gazeta Blic

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu