Andoni: Depërtova në dokumentin sekret të ambasadës amerikane të Argjentinës

0
235

(Vijon nga numri i kaluar)
Pra zoti Andoni, folëm për informacionin e dytë që dërguat për ministrin e Punëve të Jashtme, Reiz Malile, ku iu përgjigjët porosive të tij për verifikimin e njerëzve të angazhuar për operacionin sekret të sigurimit të dokumentit të çuditshëm, i cili paskësh lënë pa gjumë administratën më të lartë të shtetit komunist. Kush ishte urdhri i ministrit Malile pas këtij informacioni që ai ju kishte kërkuar?

Shkurt fare po ju përsëris se, porosia e ministrit, atë vit të ’86-ës kur i kisha kërkuar leje dhe udhëzime për të vijuar hulumtimin e informacionit që kisha marrë, ishte shumë e qartë. Fillimisht të riverifikoja informacionin dhe të krijoja besueshmërinë time personale mbi ngjarjen dhe kryesisht mbi personat që bënë të mundur servirjen e atij fakti shokues, se në arkivat sekrete të ambasadës amerikane ndodhej një dokument i rëndësisë tepër të veçantë, që fliste për Shqipërinë. Pas kësaj, ai më jepte porosi që të merrja mundësisht një informacion të përgjithshëm mbi atë çfarë shkruhej etj. Pra më ishte lënë përgjegjësia absolute, që mund të ishte me pasoja për mua, pasi bëhej fjalë për një shkresë që kishte të bënte me CIA-n dhe se emrat që mund të përmendeshin në të mund të sillnin situata dramatike në udhëheqjen e lartë të shtetit, se do të shkaktonte gjueti spastrimesh.

Dhe pas informacionit sqarues që i bëtë në lidhje me ato që ju kishte porositur, kush ishte reagimi i tij?

Konkretisht ju shpjegova nga numri i kaluar se, në informacionin e shifruar me kode që dërgova në zyrën e Reiz Maliles, nëpërmjet aparatit “Mors”, iu përgjigja saktësisht për të gjitha porositë që më kishte dhënë në radiogramin e parë. I shpreha mendimin tim, se miku ynë argjentinas ishte i pastër dhe se dëshironte ta çonte punën e vet ndihmuese për Shqipërinë gjer në një bisedë të dytë me arkivistin e ambasadës amerikane. Ai ishte i gatshëm që ashtu siç i kërkuam, të përpiqej që prej tij të merrte një përmbledhje, qoftë edhe të shkurtër, të përmbajtjes së dokumentit top-sekret.
Pikërisht pas këtij informacioni, erdhi reagimi i dytë i ministrit të Punëve të Jashtme. Përgjigjja e tij ishte si zakonisht, e qartë dhe e shkurtër.
Konkretisht ai më udhëzonte që Gerardo Farrani të kërkonte takim me arkivistin e ambasadës amerikane, që ju thashë se quhej Mendes, madje që në rastin e parë, po të mundej.
Nëpërmjet tij, Farrani duhej me patjetër të siguronte çfarë thoshte në vija të përgjithshme dokumenti i fshehtë. Po të mundeshin më shumë, do të qe akoma më e vlefshme. Pra këto ishin porositë konkrete të ministrit.

Pra, pas porosive të dyta që ai ju dha, juve ndërruat taktikë dhe vijuat të vepronit sipas tyre, apo jo?

Saktësisht ashtu. Konkretisht ju shpjegova se pas këtyre porosive të ardhura me shumë urgjencë nga zyra e shefit të diplomacisë së vendit, unë ndërtova taktikën time të mëtejshme në lidhje me këtë precedent, që na doli bumerang në jetën tonë rutinë. Konkretisht, këtë herë për ta ritakuar Farranin nuk prita të tregohesha naiv dhe të përdorja skena si të rastësishme, por i telefonova vetë dhe me kërkesë të qartë: “Për të biseduar për çështjen, – i thashë, – që lamë të hapur nga takimi i fundit.”
Nga e papritura e ndërhyrjes sime të qartë dhe të drejtpërdrejtë, Farrani reagoi me çudi dhe emocion, duke më lënë të kuptoja se më në fund më paskësh ardhur mendja se ai dokument ishte vërtet i rëndësishëm. Këtu nuk kishte faj, se ai nuk e dinte se sa i tensionuar dhe sa i angazhuar kisha qenë unë, ndaj këtë herë që unë i fola se duhej të takoheshim për dokumentin tonë në arkivat sekrete, u përgjigj i emocionuar.
– Okej! – u përgjigj. – Jam gati.
Pa vonuar shumë, të dy u gjendëm në kafen afër ambasadës.
Sa bëmë përshëndetjet e rastit, ndërsa erdhi kafja në tavolinë, unë mora fjalën dhe iu drejtova Farranit me porosinë e drejtpërdrejtë, duke i thënë:
– Nëse e ke të mundur t’i afrohesh vetë Mendesit dhe jo të presësh çfarë do të bëjë ai, siç të porosita në takimin e fundit, kërkoji menjëherë takim. Afrohu tek ai, por sigurisht jo vrullshëm, – vijova unë. – Kërkoji qoftë edhe dy-tri fjalë mbi përmbajtjen e dokumentit.
Farrani dëgjonte sërish buzagaz, përherë duke tundur kokën në çdo porosi dhe udhëzim timin.
– Sidoqoftë, – përfundova unë, – nëse amerikani do të kërkojë ca kohë për ta hedhur këtë hap, pranoje.
Tashmë Farranit i përndritnin sytë.
– Do të bëj të pamundurën, – premtoi.

Besoj ishit i kënaqur nga ajo gatishmëri e Farranit, apo e patë me dyshim predispozitetin e tij të tepruar?

Desha ta përqafoja fort atë njeri dhe mik aq të dashur dhe të sinqertë, por nuk mundja, se ishte në krahun tjetër të tavolinës, që dridhej lehtas nga emocioni për besimin që unë kisha krijuar te ai, duke i kërkuar një ndihmë të asaj natyre.
– Po sikur…, – ndërhyri në këtë moment Gerardo. – Po sikur…, – përsëriti ai, duke bërë një pauzë mendueshëm.
– Çfarë? – pyeta unë.
– Po sikur t’i kërkoj Mendesit të ma sigurojë fizikisht atë dokument, pra një kopje të origjinalit? – përfundoi ai propozimin e mendimit që i erdhi rrufeshëm në atë çast në kokë.

Kjo, me sa kam parasysh, ka qenë edhe një porosi e veçantë e ministrit, kur ju theksonte se nëse do të mundeshit të merrnit më shumë se përmbledhjen e informacionit le ta bënit, apo jo?

E vërtetë është. Ashtu theksoi ministri, por ai nuk harroi të më linte në dorë iniciativën, duke më thënë që, nëse e shikoja të arsyeshme dhe unë këtë iniciativë nxituese, nuk mund t’ia lija në dorë Farranit, për shkak se duhej të bindesha vetë si do të vinte realizimi i pjesës së parë të misionit, që ishte vetëm sigurimi i informacionit përmbledhës mbi dokumentin, ndërkohë që do të shikoja edhe predispozitetin dhe përkushtimin për të na shërbyer, nëse kishte dëshirë, apo ishte duke bërë lojë. Prandaj ia ktheva Farranit, duke i thënë:
– Tani për tani është shumë. Të paktën tani në fillim duhet të kërkojmë pak. Me siguri Mendesi e ka lexuar materialin. Le të të thotë cili është thelbi i tij, emri i udhëheqësit agjent dhe çfarë do të synonte misioni i tij kundër Enver Hoxhës.
– Sepse po të veprojmë ndryshe, – sqarova më tej unë, – mund të ndodhë që Mendesi të trembet dhe kështu krijohen premisat që edhe të mund të tërhiqet. Ose larg qoftë, mund të ndodhë edhe më e keqja akoma, që ai hyn në ndonjë lojë me eprorët e tij, dhe na vënë në dorë ndonjë lëndë false. Kjo mund të na sjellë e shkaktojë dëme në Shqipëri, për faktin se nuk përjashtohet që materiali i pavërtetë të jetë ndërtuar për të ndikuar e hyrë në punët tona të brendshme.

Ra dakord me arsyetimin tënd Gerardo Farrani?

Patjetër, madje u bind menjëherë, ndaj dhe duke tundur kokën, pa bërë fare replikë, shqiptoi:
– Dakord, dakord! – ndërkohë që pas çdo fraze time për mënyrën e veprimit, shprehej:
– Ju kuptoj, ju kuptoj.

Pra nuk kishte nevojë t’i shpjegonit më tej apo t’i jepnit detyrë plotësuese mikut tuaj të predispozuar argjentinas?

Ndërsa ai shprehej se ishte plotësisht dakord me arsyetimet e mia, unë u detyrova gjithsesi t’i shpjegoja akoma dhe një fakt shumë dominant të asaj çështjeje, për të kuptuar dhe për ta ndjerë edhe ai situatën dhe tensionin që më kishte mbërthyer mua që ditën që mësova për ekzistencën e atij dokumenti.

Çfarë ju kishte ngelur për t’i sqaruar?

Isha i detyruar, se, para se të vijonim atë operacion me tendosje nervash të asaj natyre, sa të mbante tërë qenien nën një terror psikologjik tepër torturues, të përcillja ndaj mikut tim bashkëpunëtor të misionit edhe shumë shqetësime. Operacioni ynë “Dokumenti” sa kishte filluar dhe Gerardo Farrani duhej të ishte në dijeni mirë, jo vetëm për sa shpjegova, por edhe për pasojat që mund të shkaktonte nëse ne do të binim në një kurth të parapërgatitur nga shërbimet e huaja, që sigurisht ishin të pranishme në çdo hap të punës së ambasadave tona, aq më shumë ndaj atyre të vendeve komuniste siç ishte vendi ynë. Në këtë mënyrë unë i shtrova Farranit edhe më tej arsyetimin, që të bënte kujdes me mikun e tij të ambasadës së shtetit më të fuqishëm të botës, se një dokument i sajuar për të destabilizuar udhëheqjen, për ta përçarë unitetin e saj, për të hedhur hije mbi këtë apo atë anëtar, do të ishte shumë i rrezikshëm.

Sigurisht, ndërsa i shprehët shumë merakun tuaj në lidhje me dokumentin, mikut tuaj perëndimor nuk besoj se ia keni thënë tamam ku ju pickonte si të thuash frika, apo jo?

Ashtu është. Unë nuk mund t’i thosha Farranit frikën e madhe nëse Mendes do të servirte një gjoja material konspirativ kundër Sekretarit të Parë të Partisë, shokut Ramiz Alia. Kjo gjë do të vinte në shënjestër të Byrosë së lënë nga Enver Hoxha vetë kreun e shtetit dhe do të vinte në rrezik tërë sigurinë tonë kombëtare. Këtë frikë e justifikoja se, përderisa flitej për një figurë tepër të lartë të udhëheqjes, nuk përjashtohej mundësia që të përmendej vetë emri i Ramiz Alisë.

Gjithsesi, ju i thatë ku qëndronte shqetësimi torturues, pavarësisht se në vetvete kishit frikën e madhe se mos në dokument flitej për emrin e Ramiz Alisë, gjë që do të bënte një skandal në sigurinë kombëtare të Shqipërisë, për vetë faktin se ai ishte në pushtet dhe do të shkaktonte një trazirë të pakontrollueshme. Nuk e di nëse e kam kapur saktë këtë mendim shqetësues tuajin të asaj kohe, por ajo që do të pyesja unë për më tej, ishte se, pas kësaj bisede, në këtë moment u larguat?

Po po. Në këtë moment u ndamë me shumë përzemërsi, për t’u takuar menjëherë në çastin kur Farrani do të kishte rezultatin e parë.

Dhe kur u ritakuat sërish, pas detyrës delikate që i latë për të hyrë në skutat e ambasadës amerikane, ta quajmë?

Kur u ndamë, e lamë të takoheshim pasi Farrani të takonte Mendesin. Por besoj ju thashë se e porosita që ai të mos e merrte Mendesin në telefon, por të priste telefonatën e vetë atij. Kështu që, vetëm pas takimit me të, Farrani më telefonoi mua. Kjo telefonatë erdhi pas plot katër ditësh. E lamë takimin në një restorant. Ishte drekë. Ishte shumë entuziast, aq sa dhe qerasjen ma bëri ai.

Çfarë ju raportoi?

– Piva një birrë me Mendesin, – shpjegoi, sapo u ulëm në një tryezë shumë të veçuar nga pjesa kryesore e sallës. – Nuk ia hapa fare bisedën e dokumentit. Por as ai nuk e hapi.

Nuk i tha gjë në lidhje me dokumentin?

Jo jo, nuk i tha gjë, se ju shpjegova se duhej një kujdes dhe një qetësi aq e jashtëzakonshme sa s’mund ta besosh, për faktin se kishim të bënim me zbulime të huaja, që mund të ishin nga më të sofistikuarat. Ndaj do të vijonin takimet me Mendesin deri në çastin që ai atë temë do t’ia hapte vetë mikut të tij argjentinas.
Kështu që, edhe në momentin që më shpjegonte për takimin me Mendesin, Farrani, duke parë që unë prisja nëse ishte hapur biseda rreth çështjes në fjalë, shtoi për të më saktësuar vijueshmërinë e misionit, që po zhvillohej saktësisht sipas porosive dhe masave, duke thënë:
– Por e lamë që të ritakohemi. Jam më shumë i kënaqur, se edhe ftesën për ritakim e bëri vetë Mendesi. Por ju them, zoti Andoni, se atë drekë me Mendesin e hëngrëm me shumë shije dhe nën atmosferën e një vëllazërie të admirueshme. Tani jemi para një takimi të radhës me të. Besoj se mirë bëra që nuk tregova të interesuarin, apo jo, zoti Andoni?

Ju besoj ngelët i kënaqur, apo jo?

Ngela shumë i kënaqur. Më shumë u gëzova që Farrani, nga sa më rrëfeu, ishte treguar me të vërtetë i kujdesshëm. Maturia e tij, e pashë që do më ndihmonte në realizimin e planit ashtu siç e kisha parashikuar, prandaj për ta inkurajuar i shpreha vlerësimin tim, duke i thënë: “Shkëlqyeshëm fare!”

Pas kësaj, vijon më tej operacioni sekret me takimin e tyre të radhës sipas planit të lënë?

Pas kësaj, aty nga fundi i javës, Farrani i bëri vetë një telefon Mendesit. Edhe ky takim i ri me Mendesin pat kaluar shumë mirë.

Sigurisht nuk ishte hapur tema e dokumentit, apo jo?

Jo, nuk ishte hapur, por kjo më kishte gëzuar, më shumë për faktin se kuptova të paktën se Farrani e kishte kapur shumë mirë situatën e krijuar, që më kishte futur nën terrorin e frikës se mos ishim në grackën e një shërbimi perëndimor për të shkaktuar trazira në udhëheqjen e lartë. Ndaj edhe nuk e kishte hapur derisa të fliste vetë Mendesi. Gëzimin tjetër e kisha se ata të dy tashmë po takoheshin shpesh e më shpesh dhe kjo më ngrohte, se nëse nuk ishte hapur akoma tema nga vetë Mendesi, sidoqoftë miqësia e tyre ishte shtuar pikërisht në interes të saj. Një moment do të hapej, s’kishte nga shkonte. Këtë e dinte dhe Farrani, ndaj sipas porosisë, nuk nxitej fare, veç asaj që takohej e takohej në kafe e në restorante.

Dhe si vijoi, arriti të hynte në çështjen e shumëpritur me ankth?

Pas këtyre takimeve, vijoi një pauzë më shumë se 10 ditë pa u takuar. Pas kësaj, me arsyetimin dhe porosinë time, thamë të kalonim në planin B.

Kush ishte ky plan dhe si ta kuptoj këtë, derisa ju thatë se kishit deklaruar që temën ta hapte vetë Mendesi?

Kjo kishte të bënte me faktin që ne të mësonim të vërtetën dhe çfarë kishte në dokumentin sekret. Meqenëse Mendesi nuk u fut sipas parashikimeve tona në temën e hapur dikur, atëherë me një gëzim shumë të madh unë pranova të kalonim në planin e dytë të veprimit, që do të ishte tashmë vetë Farrani që t’ia kujtonte me shumë takt, pas një analize veprimi të hollë që do ta studionim mirë.

Kush ishte arsyeja e gëzimit tuaj, kur kaluan pothuaj 20 ditë nga takimet dhe s’ishte hapur akoma biseda për dokumentin, që kishte më shumë se 2 muaj që ju kishte sfilitur?

Unë isha i gëzuar, së pari që Mendesi e kishte harruar fare temën që i kishte hapur Farranit dy muaj më parë, se në arkivat e ambasadës që dispononte, i deklasifikuar se kishte kaluar 25 vjet nga arkivimi, ndodhej një dokument për një udhëheqës shumë të lartë të Shqipërisë, që kishte marrë një mision për veprime sipas një plani të studiuar të CIA-s. Fakti që Mendesi nuk bëhej i gjallë dhe e kishte nxjerrë nga mendja fare, ndërkohë që ne, që nga çasti që na e kishte shtirë në vesh këtë fakt, nuk flinim gjumë fare,, se ishim shpërfytyruar nga padurimi dhe frika.

Pra ju me këtë bëtë dhe një verifikim, patë se Mendesi nuk kishte ndonjë plan apo mision se do të shprehte ngurrim?

Ne u treguam të duruar shumë, derisa kuptuam se tjetri nuk e kishte ndërmend të hynte në të, ndaj do kalonim në planin tjetër.

Dhe si vajti?

Edhe plani i dytë funksionoi absolutisht sipas parashikimit. Farrani ia kishte dalë ta hapte bisedën me normalitetin e rastit.
Pas takimit që bëri 10 ditë më mbrapa nga takimi i fundit, ndërsa kishin kaluar nga tema në temë, ishte kujtuar si rastësisht dhe i kishte thënë:
– Ore, më ke thënë dikur për një dokument në arkivin tuaj, që flet për bashkëpunimin me shërbimin e fshehtë të një udhëheqësi të lartë të Shqipërisë komuniste. Kur kemi qenë bashkë, gjithnjë kam harruar të të kujtoj, pavarësisht se kur s’kam qenë me ty më ka ngacmuar në mendje kurioziteti se kush mund të kishte qenë ky udhëheqës kaq i lartë që mund të ketë pasur plan sekret me Perëndimin?! Nëse e mban mend apo nëse mund ta shikosh në të ardhmen, jam shumë me kërshëri për të ditur diçka rreth asaj shkrese sekrete të ambasadës suaj.

Dhe përgjigjja e Mendesit?

Ai nuk u çudit dhe as i kushtoi ndonjë vëmendje të madhe mënyrës se si bashkatdhetari ia kishte hapur bisedën, por i kishte shpjeguar me pak fjalë të gjithë përmbajtjen e letrës.
Informacioni që mësoi?
Mendesi i kishte pohuar se udhëheqësi i rëndësishëm i shtetit shqiptar i vënë në shërbim të CIA-s, në atë material nuk kishte emër, por një kod. Ai kishte marrë përsipër likuidimin fizik të Enver Hoxhës dhe ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, duke e bërë atë të ngjashëm me modelin jugosllav.
Në rast se ky plan bashkëpunimi mes tij dhe shërbimit të fshehtë amerikan për jashtë do të dështonte, atëherë në dokument parashikohej marrja në mbrojtje, dhe për të vazhduar jetën në emigrim, prej autoriteteve të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të shpërblehej me tre milionë dollarë.

Pas kësaj, u takuat bashkë?

Menjëherë më kërkoi takim, dhe sa u ulëm, Farrani më shpjegoi tërë domethënien e materialit sekret, që për hir të së vërtetës më tronditi, por edhe më kënaqi që situata po shkonte mirë, ndaj dhe i thërrita me sa kisha:
– Bravo!
Nga padurimi për të mësuar, nuk kishim arritur të bënim edhe porosinë për kafe. Lokali ku ishim ulur qe shumë larg ambasadës, gati një orë me makinë.

Çfarë kuptuat tani që mësuat përmbajtjen e dokumentit?

Nga mënyra se si qe formuluar, nuhata një siluetë të dallueshme të lojës agjenturore. Sipas skemës së parashikuar të saj, Gerardo Farrani ishte gjetur si përcjellësi më i mirë i montazhit të CIA-s, sepse ishte shumë e qartë se argjentinasi me siguri do t’ua thoshte këtë njerëzve të ambasadës shqiptare dhe këta menjëherë Tiranës. Prej saj, patjetër do të vinte një reagim. Amerikanët po rrinin në pritje të këtij të fundit. Këto ishin mendime të ngulitura mirë në kokën time.

Detyra që i latë Farranit pas kësaj?

Mes entuziazmit të dukshëm që misioni po më ecte tamam sipas parashikimeve, iu drejtova Farranit:
– Tani na duhet vetë dokumenti. E shtin dot në dorë një kopje të tij?
– E di, – u përgjigj ky. – Këtë do ta bëj medoemos.
Pas kësaj u ndamë, se mua do të më duhej të dërgoja informacion të koduar për te ministri Reiz Malile personalisht. Gjë që deri në mesnatë, së bashku me shifrantin e kodeve sekrete, arritëm ta përcillnim me imtësitë më të vogla. Tashmë s’më ngelej tjetër veçse të prisja përgjigjen e ministrit, ndërkohë që Farranit i dhashë porosinë që të hynte vetë te shkresa për të na e mundësuar fizikisht.

(Vijon nesër)

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu