Andoni: Në ‘86-n u urdhërova të hetoj lojën e CIA-s në Argjentinë

0
84

Zoti Pirro. Nga numri i kaluar folëm gjatë për situatën që përjetuat pas informacionit të shifruar që nisët për ministrin Reiz Malile, ku e vinit në dijeni për dokumentin sekret të ndodhur në arkivat e ambasadës amerikane në Buenos Aires të Argjentinës, ku dhe ju ishit në detyrën e kryediplomatit shqiptar në atë vend. Pra vetëm pas shumë kohësh u qetësuat, kur konstatuat se vonesa nuk kishte të bënte me ndonjë gabim tuajin politik? Kështu mund ta kuptoj?

Saktësisht ashtu. Unë ju thashë që mësova nga miku im argjentinas, i quajtur Gerardo Farrani, për ekzistencën e një dokumenti të CIA-s në arkivat e ambasadës amerikane. Farrani e kishte marrë informacionin nga miku i tij shumë i afërt, punonjës i arkivës së ambasadës, – një argjentinas i quajtur Mendes. Unë sigurisht, nëse duhej të veproja më tej, do të merrja udhëzimet dhe lejen e vetë ministrit Malile, gjë që isha shumë i sigurt se edhe ai për të konkluduar në një përgjigje duhej të bisedonte me vetë kreun e shtetit dhe të Partisë, Ramiz Alinë. Mirëpo ai stres dhe ankth që unë ju përshkrova nga intervista e numrit të kaluar ka të bëjë me një vonesë jashtë parashikimeve të mia, kur kaluan tërë afatet kohore. Maksimumi unë do të prisja për 3 ditë. Ja mund të shkonte dhe pesë ditë. Por kaloi një javë heshtje nga dita që kisha nisur informacionin për ta marrë personalisht në dorë Reiz Malile, për faktin se i tillë ishte klasifikimi i tij, dhe mbizotëronte vetëm heshtje. Në atë situatë, ku nuk të shkonte mendja dhe çfarë s’mund të aludoje. Duhet të kesh parasysh se jemi në vitin 1986, ku në vend që të të udhëzonin, mund të të fusnin në akuza politike, duke të thënë për shembull: Kush është ky që njohke ti? Çfarë qëllimi ka servirja e një dokumenti të asaj natyre në këtë kohë? Nga i njohe dhe përse ke krijuar miqësi me njerëz të dyshimtë, etj., etj., që s’dua të zgjatem, se ishin akuza të mjaftueshme për të të mbajtur të terrorizuar. Mirëpo gjithçka u qetësua pas dy javësh, kur nga një fonogram shifror i rastësishëm që më erdhi nga ministria mësova se ministri nuk e paskësh dërguar përgjigjen si të veproja, se qenkësh në mbledhjen e radhës të Sesionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ai informacion që më erdhi në ditët që më kishte mbytur stresi, unë ju theksova se ishte një rilindje e vërtetë për mua, se çdo gjë mund të prisje, nëse të fusnin në një kallëp politik sa ju sqarova më lart.
Por ajo që e solli më shumë situatën time psikologjike në vend, ka qenë biseda e rastësishme që unë bëra me vetë ministrin, i cili shumë rastësisht më ka marrë që nga Nju Jorku në telefon për të pyetur thjesht se si shkonin punët. Ishte një procedurë që ai e ndiqte me ne ambasadat në Perëndim sa herë ai ndodhej në Amerikë apo diku tjetër afër. Në atë bisedë që bëra me të unë konfirmova saktësisht se ai nuk e kishte marrë në dorë materialin e dërguar nga ana ime, kështu që mospërgjigjja ishte thjesht vonesë teknike.

Ju kuptova shumë saktë, zoti Andoni, dhe besoj se edhe lexuesi mund të ketë një situatë shumë të qartë për atë që kalonit juve në atë moment. Gjithsesi, unë do të doja të më ricitonit edhe një herë bisedën që ju bëtë personalisht me ministrin Malile, pas aq ditësh paniku që kishit përjetuar, me qëllim që të vijojmë më tej bisedën tonë, që ka hyrë në një moment kaq interesant. E rikujtoni dot me saktësi si ma theksuat dje?

E rikujtoj shumë mirë, pastaj unë kam mbajtur ditar të saktë për të gjithë periudhën e funksionimit tim diplomatik. Saktësisht, për atë ditë që ju flisni, që mësova në mëngjes për shkuarjen e ministrit në Nju Jork, nuk kanë kaluar më shumë se dy-tri orë dhe më bie telefoni i zyrës. Ishte vetë ministri. Ai më mori vetë në telefon nga Nju Jorku, në mënyrë krejt të rastësishme.
Ju shpjegova dje se Shqipëria në atë kohë nuk kishte lidhje telefonike direkt me jashtë, dhe duke qenë se përfaqësitë diplomatike nëpër botë me qendrën e tyre në Tiranë lidheshin nëpërmjet aparaturave me sinjalin Mors, Reiz Malile, kur vinte në Nju Jork u bënte nga një telefon të gjitha ambasadave të Perëndimit, kryesisht atyre të kontinentit amerikan. Na merrte për të kontaktuar, në mënyrë që të ishte pranë nesh. Na pyeste për shëndetin, familjet, e pastaj edhe për punën. Kështu dhe për atë që po ju tregoj; ai, duke qenë në Sesionin e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më bëri telefon, siç mund t’u ketë bërë dhe shumë ambasadave të tjera:
– Si je more shoku Pirro? Ç’thotë shëndeti?
– Mirë fare shoku ministër, – vijova unë. – Ju si jeni?
– Mirë, mirë, – vazhdoi ai. – Ndodhem në Nju Jork.
– E mësova sot këtë fakt shoku ministër. Mirë ia kaloni? Si ju ka shkuar udhëtimi? – vazhdova unë.
– Mirë mor, ja me shqetësime rutinë, por të parëndësishme, – sqaroi ai. – Po ju, si po ia kaloni me punën? Ç’ka ndonjë gjë për t’u shënuar në veprimtarinë e atjeshme?
– Meqenëse po më pyesni për punën, shoku ministër, mund t’ju them se kam qenë në pritje të përgjigjeve tuaja, pasi ka dhe gjëra që presin udhëzime mes përgjigjeve tuaja, – ndërhyra unë drejtpërsëdrejti në problemin që më terrorizonte prej dy javësh, duke këmbëngulur akoma. – Për sa ju them shoku ministër, nuk duam vlerësime, por të paktën duam mendim nëse jemi në rregulla apo jo?
– Si është puna? – më pyeti.
Pas kësaj unë heshta një farë kohe, duke i lënë të kuptohej se problemi ishte i një rëndësie të madhe, që nuk mund të flitej në telefon. Pra mjaftonte pauza që ministri të kuptonte tërë filozofinë e asaj që prisja, ndaj për sa i lejohej nga sa i kërkoja më sqaroi:
– Kam qenë këtej dhe me t’u kthyer do të flasim përsëri.
Pas kësaj, me përshëndetjet e zakonshme mbyllëm telefonat, për të pritur kthimin e tij në Tiranë për t’u njohur me precedentin Dokument që më kishte lindur në Argjentinë me zyrat e CIA-s.

Dhe si vijoi?

Reiz Malile ka përfunduar në zyrën e vet në Ministrinë e Jashtme në Tiranë vetëm pas tri ditësh si bisedoi me mua. Sa ka shkuar është njohur me radiogramin tepër sekret të shifruar që unë ia kisha adresuar personalisht atij, ku në kërkesën tonë cilësohej:
“Ju lutemi na jepni një mendim lidhur me teleteksin tonë të datës….”
Kuptova që më shpjegoni që, tashmë që kishin kaluar më shumë se dy javë, ministri Reiz Malile u njoh me informacionin që ju ishte vënë në dispozicion, por padurimi im ka të bëjë me përgjigjen e tij. Ju dërgoi përgjigje dhe kur ju erdhi ajo?
Që atë ditë që u njoh me materialin, madje për të qenë shumë i saktë po të them se vetëm pak orë më mbrapa si hyri në zyrë, ai ka nisur radiogramin e shifruar drejt ambasadës së Argjentinës, ku kishte formuluar përgjigjen e kërkesës sonë.

Pra si të thuash, juve tashmë u vutë zyrtarisht në kontakt me vetë ministrin?

Po. Pra tashmë, neve në Buenos Aires na mbërriti nga Tirana udhëzimi i parë.

Kush ishte thelbi i përgjigjes së ministrit? Pra më mirë të shprehem se çfarë udhëzimesh ju dërgoi në atë përgjigje të tij të parë?

Ai këshillonte që të bëhej kujdes se mos gjithçka na thuhej dhe servirej ishte provokim i rëndomtë dhe mund të ishim para ndonjë kurthi të tipit agjenturor.

Ju jepte udhëzime për këtë?

Unë personalisht porositesha kryesisht që për të hedhur hapin e parë duhej që të bindesha së pari vetë.
Pastaj urdhërohesha që vetëm si të krijoja bindjet me mënyrat e mia, që të isha i sigurt se ai dokument ekzistonte dhe se me të vërtetë flitej për një personalitet tepër të lartë të udhëheqjes shqiptare, të shkoja më tej me veprimet e mia.
Ai porosiste ndërkohë që të mësoja saktësisht përmbajtjen e dokumentit nëse kisha mundësi, dhe të mos shmangia kontaktet me Farranin, që më kishte siguruar informacionin.

Ju udhëzonte si ta krijonit bindjen vetë për të mos shkaktuar në udhëheqjen e lartë ndonjë lloj gjuetie shtrigash?

Më porosiste që, para se t’i jepja udhëzimet për të vepruar për shtirjen në dorë të tij, kur ta ritakoja edhe një herë Farranin, duhej që t’i kërkoja një provë të dytë të ekzistencës së dokumentit. Vetëm pas kësaj, gjatë bisedës që do bëja, të krijoja variacione temash, që të mund të hulumtoja në mënyrë tepër të kamufluar përmbajtjen e dokumentit.

Pra të mbaje kontakte të forta me Farranin?

Po po, se ndër të tjera tekstualisht saktësonte: “Duke filluar nga ky çast, duhet të ndjekësh nga shumë afër veprimet e Gerardo Farranit. Vazhdo të kërkosh përmbajtjen e saj, përse bëhet fjalë, mundësisht merre dhe dokumentin”. Pra jua rikujtova sa ju thashë më lart, për të mësuar udhëzimet, që do fillonin nga takimi për të siguruar provën e dytë dhe përmbajtjen.

Si vepruat pas kësaj?

Së paku tashmë isha i qetë. Më tepër se nga Mendes, besimin dhe bindjen vetjake për ekzistencën e dokumentit duhej ta merrja prej mikut argjentinas Gerardo Farrani.

Dhe pastaj?

Pastaj do të vinte koha e provës për njeriun që ishte paraqitur si arkivist i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Folët gjatë, madje me shumë merak, për sa ju kishte shkruajtur ministri në përgjigje të informacionit që i kishit dërguar ju me aq urgjencë. Unë dua të di se si jeni ndjerë juve në atë moment që lexuat tërë ato porosi, ku të pranojmë që më së shumti ishin tepër kritike, pasi ai jua kishte lënë situatën në derë për çdo skandal që mund të lindte gjatë veprimeve të mëtejshme?

E lexova si i thonë fjalës pa marrë frymë mesazhin e Reiz Maliles, ndërkohë që kur mbarova ndenja një farë kohe pa lëvizur duke bluar me mendje për çdo gjë që linte ai, pasi e thatë mirë juve, që ishin përgjegjësi të mëdha në çdo hap që do të hidhja, se kishe të bëje me shtetin tënd dhe me veprime agjenturash.

Dhe konkluzioni i asaj heshtjeje?

I thërrita vetes sime duke i thënë se tashmë kisha hyrë në një valle që duhej me patjetër të çohej gjer në fund.

U penduat që e dërguat informacionin në Tiranë për të pritur përgjigjen për veprimet e mëtejshme?

Nuk varej nga unë nëse duhej bërë apo jo informacioni për ministrin, pasi unë e kisha detyrë të padiskutueshme që një sinjal të tillë t’ia përcillja Tiranës. Nëse ju thashë se mund të më kthehej në akuzë, nuk e kisha fjalën se do të akuzohesha se përse dërgova informacionin, por marrëdhëniet që kisha krijuar me këtë apo me atë person, dhe mendoja se mund të diskutohej se kisha hyrë në kontakte me njerëz të veprimtarive agjenturore. Më kuptoni besoj. Ndërsa çdo informacion dhe çdo lajm që kishte të bënte me Shqipërinë, unë isha i detyruar ta përcillja drejt Tiranës, madje për detyrën që mbaja duhej t’i adresoja drejt e te ministri.

Jam kurioz nëse gjatë asaj kohe që ju prisnit përgjigjen e Tiranës, shpresonit që t’ju urdhëronin për të mos e vijuar procedurën dhe ta linit në heshtje atë material për të cilin kishit marrë informacion?

Të të them të vërtetën, thellë-thellë brenda vetes e prita edhe reagimin tjetër të Tiranës. Pra të merrja urdhrin e prerë që ta braktisja tundimin për atë lajm.

Si mund të mendoje se mund të vinte një urdhër për të mos shtirë në dorë një dokument që befasisht mësohet se është konceptuar nga CIA dhe ndodhej në ambasadën amerikane?

Po mund të mendohej dhe një gjë e tillë, pra një urdhër që të mos e ngisnim fare atë problem, se mund të mendoje se më shumë ishte thjesht një intrigë, që po ndodhte kjo histori; ka qenë siç ju thashë viti 1986, dhe siç e dimë Mehmet Shehu kishte vdekur, ku s’i dihej as varri dhe i ishte fshirë edhe emri nga gjithë literatura zyrtare.
Pra shkurt fare, kujtimi i tij në atë kohë nuk kanoste asgjë dhe asnjë, pasi në atë kohë edhe vetë Enver Hoxha kishte më shumë se një vit që kishte vdekur.

Dhe si vijuat me Farranin, që ishit ndarë prej më shumë se dy javësh me të? Kishte kërkuar t’ju takonte ai, pas takimit të dytë që bëtë dikur me të? Po ju, tashmë që erdhi porosia e Reiz Maliles, u takuat për të vijuar misionin?

Edhe Gerardo Farrani, gjatë kohës që unë isha i tensionuar dhe i shokuar për ankthin që më kishte mbërthyer duke pritur përgjigjen e Tiranës, nuk ishte bërë i gjallë. Mirëpo edhe unë, pas urdhrit që mora për të intensifikuar shoqërinë dhe kontaktet me të për misionin që m’u caktua zyrtarisht ta quajmë, duhej të tregohesha i matur, pasi ju kam shpjeguar që ai as që e kishte idenë se unë isha në tension të asaj natyre qysh prej marrjes së sinjalit të tij. Jo vetëm kaq, por ai as që mund ta mendonte se për një informacion që ai ma kishte dhënë fare rastësisht unë kisha vënë në lëvizje instancat më të larta të shtetit tim të asaj kohe.

Jeni duke thënë se, edhe pas urdhrit të marrë nuk e takuat?

Jo menjëherë. Madje nuk e kërkova fare, për faktin se nuk duhej kurrsesi të tregohesha i paduruar. Nuk duhej të kuptonte asnjëherë se për të mësuar vërtetësinë dhe përmbajtjen e atij dokumenti ishin të interesuara instancat më të larta të shtetit. Gjithçka do të vinte në kohën dhe në vendin e duhur, ashtu siç do të bëheshin edhe pyetjet, ku nuk do të harroja të bëja sondazh për t’u bindur dhe për të hequr shumë dyshime.

Pra tensioni në një farë mënyre ishte prezent?

Patjetër. Unë ju fola pak më lart, se, pas urdhrave dhe udhëzimeve të shumta që më bënte ministri, thashë me vete që, “i hyra një valleje së cilës tashmë duhej t’i shkoja deri në fund”.

Kur e takuat?

Takimi erdhi si tepër rastësisht, pavarësisht se unë këtë herë e kisha gjithë mendjen te Gerardo Farrani. Kaluan plot tri ditë si kisha marrë urdhrin dhe udhëzimet e ministrit, kur ra telefoni i Farranit.
Më ftoi të nesërmen në një takim të shoqatës së tyre të biznesit, ku pritej të vinin edhe diplomatë të huaj.
Pas kësaj bisede, unë i fola për takimin që mund të bënim.
“Vajtëm kohë pa pirë ndonjë kafe, – i thashë. – Na përpinë punët. Kemi nevojë edhe për takime të lira me miq, etj, etj”.
Sigurisht, në këtë vijim të bisedës sime unë bëja shumë kujdes që të mos harroja asnjë çast që veprimet e mia nuk duhej të tërhiqnin vëmendjen e tij për ngutësi apo për takim me paramendim të caktuar, se degjeneronin punët në hulli kushedi se ku.
– Patjetër, – m’u përgjigj Farrani. – Unë nuk të kam telefonuar që mos të të bezdis, se mund të të pengoj nga punët. Kur mendon të takohemi?
– Po të kesh kohën e disponueshme, – i thashë, – mund ta lëmë nga java tjetër.
– Ku? – pyeti ai.
– Ku të duash, – u përgjigja unë.
– Atëherë po vij në ambasadë, – vazhdoi Farrani.
– Po të pres të martën pasdite, – iu përgjigja unë, duke mos harruar për të bërë përshëndetjet mbyllëse të bisedës.

Pra tashmë hapej një enciklopedi e thellë dhe e ndërlikuar para jush, apo jo?

Po po. Sërish i thashë vetes që, i kisha hyrë një valleje që nuk mund ta ndërprisja. Duheshin nerva të tendosura për të pasur një takt absolut.
Flitej për punë agjenturash dhe nëse nuk bindesha apo nëse nuk arrija të zbardhja saktësinë e gjithçkaje, që paraqitej në formë diçiture me shumë të panjohura, mund të bëja që, jo vetëm të kthehej ajo histori kundër meje, por mund të ndodhte që edhe brenda udhëheqjes më të lartë të shtetit të fillonte ndonjë goditje e re që nuk do dinte ku të ndalonte. Ishte koha kur unë nuk dija se për çfarë flitej dhe për kë flitej.

Pra takimin e radhës e donit për sondazhe dhe si të thuash për hetime paraprake?

Duhej të kërkoja të dhëna shtesë për bindjen time, pastaj të kërkoja informacion për përmbajtjen, etj, etj. Isha nën presionin e padurueshëm të tensionit dhe të së panjohurës. Ku s’më shkonte mendja dhe ku s’më çonte fantazia. Gjithsesi duhej të prisja Farranin. Mund të mendoje pa frikë se, ose ai, ose Mendesi, ishin përdorur dhe përdoreshin për të servirur materialin, por mund të ishin edhe jashtë asaj loje të hamendësuar.

 

(Vijon nesër)

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu