Andrea Stefani rrëfen komplotin kundër lirisë

0
363

Përse edhe pas më shumë se 20 vjetësh tranzicion “drejt Europës” liria nuk hodhi dot rrënjë në Shqipëri, përse vazhdon të jetë vetëm një farë, por jo një bimë, një shans, por jo një sistem, një shpresë, por jo një realizim? Kjo është çështja që Andrea Stefani shtron në librin e tij “Komploti kundër lirisë”, që shtëpia botuese “Onufri” do të publikojë këto ditë. Dhe përgjigjet: “Sepse të gjithë kanë komplotuar e po komplotojnë kundër lirisë. Vetë shqiptarët me pasivitetin, përgjumjen dhe paditurinë. Qeveritë, me politikat e shterpëzuara nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria. Politikanët vanitozë, me gjakimin për pushtet e pasuri. Juristët, me tradhtimin e drejtësisë. Gazetarët, me tradhtimin e së vërtetës. Liderët, me kultet e tyre lirivrasëse. Ministrat dhe nëpunësit, me korrupsionin. OJQ-të, me pseudoaktivizmin. Ndërkombëtarët, me realpolitikën cinike që toleron avancimin e autokratizmit duke e paraqitur si progres të demokracisë dhe lirisë. Dhe përsëri të gjithë shqiptarët që, të përçarë nga fanatizmat e verbër, të mposhtur nga varfëria, nga frika dhe nënshtrimi që ajo pjell, i kanë kthyer shpinën foshnjës së lirisë dhe po e lënë të vdesë e braktisur”.
Vështirë të gjesh në histori një komplot më gjithëpërfshirës, por njëherazi edhe më spontan sesa ky kundër lirisë, vazhdon autori në hyrjen e librit të tij voluminoz prej rreth 560 faqesh: “Edhe pse të pakoordinuar, komplotuesit kanë qenë në sinkron të plotë. Si kur denoncoheshin e shaheshin, madje edhe kur pajtoheshin, punonin kundër lirisë. Veç dhe tok. Dora e padukshme e tregut të interesave meskine, e frikës apo ankthit të mbijetesës, e epsheve për pasuri e pushtet, i ka flakur përsëri të gjithë larg lirisë për kah sundimi dhe skllavëria. Dhe jo rastësisht. Por sepse askush prej tyre nuk e ka perceptuar lirinë si mjetin e realizimit të interesave dhe ambicieve të veta. Aq më pak si një qëllim. Shqiptarët shfaqen të padedikuar për lirinë sepse u mësuan me dekada ta gjenin zgjidhjen, shpëtimin, plotësimin, qetësinë dhe stabilitetin te simbioza e mallkuar e nënshtrimit dhe e sundimit. Prandaj gjëja e parë që kanë sakrifikuar nuk mund të mos qe liria, ose më saktë, shansi i lirisë”. Shikohet se libri i kushtohet alarmit për rrezikun e humbjes së shansit të lirisë, të shtetit ligjor, shansit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Në tetë kapituj analizon shkakun që e ka sjellë Shqipërinë në këtë pikë degradimi. Dhe bëhet fjalë për një gjymtim nga i cili, sipas autorit, shqiptarët kanë vuajtur në shekuj dhe nuk po shkëputen dot prej shekujsh. Një gjymtim që shtjellohet në dy rrafshe kryesore: 1.  Lidershipi politik ose demonët e tranzicionit të dështuar. 2. Shqiptarët dhe psikologjia prej skllavi e përgjumjes dhe e nënshtrimit. Këtyre faktorëve i shtohet edhe një i jashtëm, por i rrjedhur nga dy të parët: 3. Ndërkombëtarët dhe prirja e tyre në rritje për të bërë kurban lirinë në emër të një stabiliteti politik me anë të një “dore të fortë”.
Lidershipi
Pasi konkludon se Shqipërisë i kanë munguar elitat politike të dedikuara për themelimin e një sistemi të demokracisë liberale, autori analizon dukurinë e ngritjes së kultit të liderit të gjallë menjëherë pas rrëzimit të kultit të bronztë të diktatorit. Dhe ndalet posaçërisht te kulti i Sali Berishës, si lideri kryepërgjegjës për devijimin e tranzicionit nga liria dhe demokracia drejt demokraturës dhe autokratizmit. Përveçse si një Hitler i demokracisë me një psikologji nekrofile që priret nga shkatërrimi, Berisha përkufizohet edhe si “më i keqi ndër politikanët, por edhe më politikani ndër të këqijtë”. Në libër jepet përshtypja dhe analiza e autorit edhe për politikanë të tjerë kryesorë të tranzicionit. Fatos Nano shikohet nën optikën e një politikani që me papërgjegjshmërinë e tij bëri të mundur rikthimin në pushtet të Sali Berishës. Njëherazi konkludon se rikthimi i Nanos përsëri në politikë do të thellojë këtë të keqe që i bëri projektit të lirisë në Shqipëri. Nuk ka mbetur jashtë analizës kritike edhe lideri i opozitës, Edi Rama, veçanërisht për luhatjet, pavendosmërinë në momentet kritike të tragjedisë së Gërdecit, por veçanërisht për gabimin sa historik, aq dhe fatal të amendimit të Kushtetutës në dakordësi me autokratin Sali Berisha. Sipas autorit, pa korrigjimin e Kushtetutës, që tashmë ligjëson përqendrimin e pushteteve në duart e Kryeministrit, projekti i shtetit të së drejtës në Shqipëri do të mbetet vetë një mashtrim. Sepse drejtësia dhe liria nga njëra anë, dhe autokratizmi në anën tjetër, nuk pajtohen as edhe në një pikë. Në analizë është marrë edhe Ilir Meta, për të cilin konkludohet se ka dëshmuar me fakte, veçanërisht pas hyrjes në bashkëqeverisje me një Berishë që kish premtuar se do ta nxirrte në pension, se është një politikan pa ideale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu