Arben Puto: Shkurorëzimi i Mbretit Zog në mërgim

0
133

(Vijon nga numri i djeshëm)

Zogu, në një takim me Ryanin në fillim të nëntorit i tha atij, se në Stamboll ndodheshin nja 14 mijë shqiptarë. Me ta ai mund të organizonte një forcë të armatosur, një legjion shqiptar që mund të shkonte në front për të mbajtur një sektor të vogël të tij. Kjo do të mund t’i jepte dorë Zogut që të vendoste lidhje me krahinat e Veriut, me Kosovën dhe Dibrën për t’i hedhur në kryengritje.
Në qarqet ushtarake i besuan. Interesim të veçantë treguan organizmat e fshehta të Ministrisë së Luftës MIR dhe SO2. U bënë edhe plane. Njerëzit e SO2 i shkuan në hotel në një nga netët e nëntorit dhe i propozuan të hipte të nesërmen në një avion të posaçëm të RAF-it (aviacion ushtarak) që do ta zbriste në Kajro dhe që andej ai do të vazhdonte për në teatrin e operacioneve ushtarake. Nuk del fort e qartë se cila ka qenë përgjigjja e Zogut. Disa dokumente thonë se ai u lëkund përballë të panjohurave. Të dhëna të tjera tregojnë se ai vuri si kusht paraprak një takim ose me kryeministrin Churchill (Çërçill) ose me ministrin e Jashtëm Halifax. As njëri e as tjetri nuk e pranoi.
U bënë përçapje pranë qeverisë greke. Por kryeministri Metaksa u shpreh kategorikisht kundër. Nuk donte të kishte të bënte me Zogun, një mbret që sipas tij nuk gëzonte kurrfarë popullariteti dhe prezenca e të cilit në front do të kishte efekt të kundërt.
Deklarata për të
ardhmen e Shqipërisë
Ideja e një kryengritjeje shqiptare u mbajt edhe për disa kohë në rendin e ditës. Ajo nuk mund të linte jashtë vëmendjes edhe anën politike të problemit. Çështja filloi të trajtohej seriozisht në “Foreign Office”. Që prej nëntor-dhjetorit 1940 hartohen projekte për përcaktimin e aspektit politik, d.m.th. të statusit të Shqipërisë pas lufte. Statusi përmblidhte edhe pozitën personale të Zogut. Në formulën që propozohej, jepej kjo zgjidhje: “Çështja e regjimit (të brendshëm) do të vendoset pas lufte”. Kjo donte të thoshte se nuk parashikohej restaurimi i monarkisë.
Variantet e paraqitura nga SO2 nuk patën më tepër sukses. Ato mbetën gjithnjë në letër, për shkak të kundërshtimit grek (qeverisë greke në mërgim) që vazhdonte edhe pas pushtimit të Greqisë nga forcat e Boshtit. Ndërkaq, lëvizja e rezistencës në Shqipëri merrte hov të paparë. Ishte një luftë e vërtetë që po bëhej në prapavijat italiane. Ishin në aksion batalione e brigada partizane dhe kjo nuk mund të mos e shtronte çështjen e të ardhmes së Shqipërisë. Duhej përcaktuar tanimë statusi i Shqipërisë pas lufte.
Në janar 1942 funksionari i “Foreign Office”-it që ndiqte çështjen shqiptare, Dixon (Dikson), u shpreh se nuk mund të pritej më, kishte ardhur koha “për një deklaratë mbi pavarësinë e Shqipërisë”. Pas një përgatitjeje paraprake Dixoni hartoi në fund të marsit një memorandum të gjatë, ku thuhej se me kthesën që po merrnin veprimet ushtarake në zonën e Mesdheut në favor të aleatëve edhe me angazhimin gjithnjë e më aktiv të rezistencës shqiptare, tani dilte nevoja që Britania e Madhe të ripohonte zyrtarisht dhe publikisht rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë. Megjithatë, do të kalonin disa muaj deri nga fundi i vitit, që ideja të merrte një aprovim të plotë. Ende në prill ndihmëssekretari i “Foreign Office”-it, Surgent, e quajti të parakohshëm këtë hap, me shprehjen: “Qenin që fle, më mirë të mos e zgjojmë”. Për më tepër, edhe ministri i Jashtëm Eden u shpreh se “Çështja mund të priste”.
Siç shihet, rruga nuk ishte e sheshtë. Kishte gjithnjë ngurrime të kondicionuara nga kundërshtimet greke. Mirëpo tani në Londër vihet re një lëvizje përkrahjeje për Shqipërinë. Ishin personalitete të njohura për miqësinë e tyre ndaj popullit shqiptar. Ndër këta meriton të dallohet e mirënjohura Miss Edith Durham, që nuk i reshti përçapjet e saj pranë “Foreing-Office”, aq sa këta e quanin “mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë” (uncrowned queen of Albania).
Këto presione patën efekt. Ndihmëssekretari O. Surgent, në korrik dilte me konkluzionin se nuk bëhej më fjalë për ta shtyrë ripohimin e Pavarësisë, e cila, sipas tij, “tanimë ishte vendosur”. Mbetej të përcaktohej momenti i bërjes së deklaratës, sepse “një moment i pavolitshëm kishte rrezik të trazonte folenë e arëzave greko-jugosllave”. Faktori kryesor që ka ndikuar për të mos e vonuar më gjatë deklaratën mbi Pavarësinë ka qenë zhvillimi i situatës ushtarake. Bëhet fjalë jo vetëm për forcat aleate të Fuqive, por edhe për rritjen e hovshme të lëvizjeve të rezistencës në Ballkan. Në mënyrë të veçantë, bëhej fjalë për situatën shqiptare që karakterizohej nga një lëvizje e fuqishme rezistence në rritje.
Këto zhvillime, si në planin ushtarak edhe në atë politik, e shtynë Edenin që të urdhëronte në nëntor përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për të bërë deklaratën. Çdo gjë u bë gati në dhjetor dhe më 17 të atij muaji, Edeni bëri deklaratën në Dhomën e Komuneve. Në fillim Edeni shprehu “ndjenjat e simpatisë kundrejt popullit shqiptar, një nga viktimat e para të agresionit fashist”. “Qeveria britanike, – shtoi ai, – dëshironte ta shihte Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe pavarësinë e saj të rivendosur”. Në deklaratë nuk mund të lihej pa u prekur edhe çështja e “formës së regjimit dhe llojit të qeverisë”. Për këtë “do të vendoste vetë populli shqiptar”. Kjo kishte të bënte me Zogun dhe mbretërinë. Pra Zogu mbetej jashtë, përjashtohej restaurimi i monarkisë.
Në deklaratën e Edenit kishte edhe një rezervë, në të cilën thuhej se “çështja e kufijve të shtetit shqiptar, do të merrej në shqyrtim në Konferencën e Paqes, pas lufte”. Kjo rezervë për kufijtë shkaktoi zhgënjim dhe shqetësim të thellë në qarqet shqiptare brenda e jashtë vendit. Mirëpo deklaratë për rimëkëmbjen e Pavarësisë po në dhjetor bënë edhe qeveritë e SHBA dhe të BRSS. Asnjëra prej këtyre nuk shprehte ndonjë rezervë për kufijtë e Shqipërisë pas lufte. Madje duhet thënë se deklarata amerikane u bë nga sekretari i Departamentit të Shtetit, Cordell Hull, më 10 dhjetor, domethënë i doli përpara Edenit, që e bëri deklaratën në Dhomën e Komuneve në 17 dhjetor. Edhe në deklaratën e Moskës nuk kishte rezervë për kufijtë. Moska nuk mund të qëndronte mënjanë kur vinin lajme se forcat partizane, të dominuara nga partitë komuniste, kishin rolin kryesor në rezistencën antifashiste në Shqipëri dhe në Ballkan.
Nga shpallja e deklaratave të tri Fuqive të Mëdha të Koalicionit Antifashist fitoi Shqipëria, por jo Mbreti Zog. Në fakt, gjatë të gjitha procedurave të negociatave për deklaratën nuk kishte shenja të prezencës së tij. Në deklaratat e tri Fuqive ishte e njëjta formulë, se çështja e “formës së regjimit dhe llojit të qeverisë do të vendosej nga populli shqiptar” pas lufte. Mbetej sidoqoftë një rrezik potencial, ai i një cungimi të ri të territorit në favor të kërkesës greke. Megjithatë, rreziku duhej konsideruar relativ, përderisa “rezerva e kufijve” mbetej një qëndrim i njëanshëm i Anglisë. Nuk u pranua as nga Uashingtoni e as nga Moska. Tek e fundit, faktori i brendshëm, rezistenca shqiptare do të hedhë peshën e saj në balancë.
Çështja e formimit të qeverisë në mërgim. Dy rryma
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia nuk u krijua ndonjë qeveri shqiptare në mërgim. Ndryshe nga qeveritë në mërgim që përfaqësonin vendet ballkanike të okupuara nga Fuqitë Nazifashiste. Kjo ndodhi sepse Zogu e la vendin, pra nuk mund të kishte qeveri që të përfaqësonte Shqipërinë në mërgim.
Megjithatë Zogu nuk i reshti përpjekjet për njohjen e tij, por ato ndeshën gjithnjë në një refuzim të prerë. Është për të vënë në dukje një përçapje në këtë drejtim që Zogu ndërmori në vjeshtë 1941. Në Uashington do të mbahej një mbledhje e “Kombeve të Bashkuara në luftë kundër fashizmit”. Zogu e quajti këtë një rast të mirë për të shtruar edhe një herë çështjen e “përfaqësimit të Shqipërisë përjashta”. Ai i dërgoi kryeministrit Churchill, si dhe gjithë qeverive aleate një “notë”, në të cilën pretendonte, për herë të parë hapur, se vazhdonte të ishte “qeveritar i ligjshëm” i Shqipërisë dhe se “qeveria shqiptare”, e kryesuar prej tij, nuk kishte pushuar së qeni në fuqi pas 7 prillit 1939. Ai kërkonte të dërgonte përfaqësuesit e tij në këtë mbledhje. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të njihej si “komb i bashkuar në luftën antifashiste” me në krye Mbretin Zog. Siç mund të pritej, “nota” e Zogut mori përgjigje negative. Edeni e kishte përcaktuar qartë qëndrimin e “Foreign Office”-it në këtë çështje. Ai e arsyetonte kështu këtë qëndrim: “Këtu nuk ka asnjë qeveri shqiptare që ajo të njihet dhe nuk ka as material për të formuar një qeveri të tillë, bile edhe sikur të kishte, nuk do të përfaqësonte asgjë”.
Njoftimet konfidenciale mbi botimin e ardhshëm të deklaratës së 17 dhjetorit dhe vetë ndërhyrja e Edenit në Dhomën e Komuneve vunë në lëvizje si Zogun, ashtu edhe rrethet e emigracionit shqiptar në Angli dhe sidomos në Amerikë. Ai kishte filluar konsultimet për formimin e një “qeverie kombëtare shqiptare” me qendër në Londër dhe me disa komitete lokale në kolonitë shqiptare të SHBA-së, Turqisë dhe Egjiptit. Në bisedën që pati me Rayan që në mars 1942 Zogu e shpjegoi kështu pozitën e tij: “Shqipëria, – tha ai, – ishte një shtet i formuar rregullisht dhe ai, Zogu, ishte kryetar i ligjshëm i tij. Kur italianët e sulmuan, ai (Zogu) mblodhi parlamentin dhe ia shtroi çështjen atij. Parlamenti vendosi t’ia linte atij të vendoste se ç’duhej bërë më tej për të mbrojtur interesat e Shqipërisë jashtë. Ai vendosi… të lërë vendin…, por mbeti kryetar shteti dhe si i tillë kishte të gjitha të drejtat ta përfaqësonte atë”. Në fakt, çfarë bëri ai? Në çdo vend që shkeli u angazhua të mos zhvillojë asnjë aktivitet.
Parlamenti ishte vegël e tij dhe ai mund të bënte si të donte me të. Ishte vetë Zogu ai që ia diktoi këtë vendim. Në fund të fundit, çfarë Parlamenti ishte ai? Të ashtuquajturit deputetë mbushën sallën e Asamblesë së 12 prillit 1939 që ia dorëzoi kurorën e Shqipërisë mbretit të Italisë, Viktor Emmanuel III. Ciano shkruan në ditar, se përpara mbledhjes iu desh të bënte takime me deputetët për “t’i bindur”. Ai thotë se u bindën shpejt, porsa morën zarfin me para.
Një anë tjetër e problemit ishte emigracioni. Edhe në radhët e tij, në të dyja anët e Atlantikut, kishte një debat të gjallë për krijimin e qeverisë. Kishte dy rryma, të përfaqësuara nga Faik Konica në Amerikë dhe nga Tajar Zavalani në Londër. Konica është një përkrahës i vendosur i Zogut, e quan veten “përfaqësues jozyrtar” të tij në Uashington dhe është zotuar se mund të bënte me vete edhe Nolin për krijimin e një qeverie me Zogun në krye. Në të kundërt, T. Zavalani del si kundërshtar i papajtueshëm i Zogut, të cilin e quan një “monark absolut”, që nuk duhej të vihej përsëri në krye të shtetit shqiptar të rimëkëmbur.
Siç mund të pritej, deklarata e 17 dhjetorit e ndezi më shumë debatin. Një luftë e ashpër vuri ballë për ballë përkrahësit e Zogut dhe “demokratët antizogistë” në Angli dhe në Amerikë. F. Konica vdiq papritur në mes të dhjetorit, por “trashëgimia shpirtërore” e tij mbijetoi. Mund të thuhet se, në qoftë se Zogu ushqeu shpresat dhe i vazhdoi përpjekjet për rikthimin e tij, kjo shpjegohet sidomos me përkrahjen që i dhanë atij rrethet e nxitura nga Faiku në Amerikë.
Në debat u përfshi edhe Fan Noli, i cili pati iluzione se formula e Shqipërisë “legale” me Zogun në krye mund të funksiononte. Ajo mund të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes, për t’iu kundërvënë rrezikut të planeve për rishikimin e kufijve pas lufte. Përballë këtij rreziku Noli i harronte armiqësitë e vjetra. Tajari shprehte keqardhje për qëndrimin e Nolit. Ai iu drejtua vetë Nolit me një letër në maj 1943. I bënte thirrje “të mos komprometonte emrin e tij, duke dashur t’i jepte Zogut ‘carta bianca’ në punët e Shqipërisë”.
Noli iu përgjigj me një letër Tajarit. Ai shprehte aty pikëpamjet e tij lidhur me Zogun në rrethanat e luftës. “Zogu është i nevojshëm, – thoshte Noli, – derisa të mbahet Konferenca e Paqes. Pastaj ne mund t’i themi atij: Tani e kaluam lumin, prandaj shporru, në dreq të vesh.” Një çështje tjetër që prekej në letër ishte “nevoja për paratë e Zogut”. Ai ishte “krejt i bindur se nuk ka asnjë mundësi që Zogu të kthehet në Shqipëri, por të paktën ta bëjmë atë që t’i harxhojë fondet e vjedhura për një kauzë të drejtë”. Sidoqoftë, Noli nuk u bashkua asnjëherë me Zogun. Atij iu bënë mjaft oferta, iu bë edhe propozimi për t’u vënë në krye të “qeverisë mbretërore” nga fundi i vitit 1943. Çfarë paradoksi: Zogu mbret dhe Noli kryeministër! Siç mund të pritej, Noli nuk e pranoi.
LNÇ, rol vendimtar në shpëtimin e Shqipërisë
Lëvizja e rezistencës gjithnjë në rritje nuk mund të mos kishte jehonë në botën e jashtme. Londra filloi e para të tregonte interes. Dërgoi vëzhguesit e saj pranë organeve drejtuese të lëvizjes. Pikërisht si rezultat i këtyre kontakteve vihet re një ndjeshmëri më e madhe, rezultati i parë i së cilës duhet konsideruar deklarata e 17 dhjetorit 1942 mbi ripohimin e pavarësisë së Shqipërisë.
Është e qartë se arsyeja kryesore që nuk u arrit të krijohej një qeveri në mërgim, aq më tepër me Zogun në krye, ka qenë pikërisht fakti se Lëvizja Nacionalçlirimtare ia preu rrugën çdo orvatjeje të tillë. Lëvizja po nxirrte nga gjiri i vet organe drejtuese që po merrnin atributet e pushtetit në zonat e çliruara. Sa më afër fundit të luftës, aq më tepër këto u zgjeruan dhe u përsosën, aq sa krijua një sistem pushteti që përjashtoi një ndërhyrje nga jashtë. Këtë aspekt të lëvizjes e vunë në dukje edhe oficerët anglezë që vijnë pranë forcave partizane. Ata shprehnin çudi që “partizanët kanë fituar tani një ndjenjë pushteti (sense of power) dhe kanë zgjedhur krerë qeveritarë”.
Pa dyshim, nga kjo pikëpamje Kongresi i Përmetit ka pasur rëndësi të veçantë. Në atë Kongres u krijua një sistem organesh të pushtetit të ri në nivele të ndryshme: Këshillin Antifashist si trupin më të lartë ligjvënës dhe ekzekutiv, si dhe Komiteti Antifashist me atributet e qeverisë së përkohshme. Kongresi e plotësoi veprën e tij, duke shpallur parimin e “ndërtimit të Shqipërisë së re demokratike sipas vullnetit të popullit”, duke “ndaluar kthimin e ish-mbretit Zog në Shqipëri” dhe duke vendosur “që të mos njihej asnjë qeveri tjetër, që mund të krijohej brenda apo jashtë vendit kundër vullnetit të popullit shqiptar”.
Në Londër nuk e prisnin që rezistenca në Shqipëri të merrte një orientim komunist. Preferencat ishin në anën e elementit nacionalist, por dy forcat politike me orientim nacionalist Balli Kombëtare dhe Legaliteti (zogist) nuk zbritën asnjëherë në fushën e betejës. Orvatjet që u bënë vazhdimisht nga misionarët anglezë për t’i hedhur në aksion nuk patën sukses.
Në këto rrethana, “Foreign Office” bën kthesë. Në një relacion për Churchillin, në fillim të tetorit 1944, Eden, duke bërë një përmbledhje të raporteve të mbërritura nga terreni, pohon dështimin e orvatjeve angleze dhe komenton hedhjen e forcave partizane në veri, me këto fjalë: “Në qoftë se gjermanët do të tërhiqen nga Shqipëria tani shpejt, nuk ka të ngjarë që Kupi dhe nacionalistët ose çdo grup tjetër, të jenë në gjendje të pengojnë Frontin Nacionalçlirimtar të shtrijë kontrollin e vet mbi të gjithë vendin. Dhe ne, nga ana jonë, nuk duket të kemi ndonjë mënyrë për ta ndaluar këtë”.
LNÇ shënonte një etapë të re të rëndësishme, kur në mbledhjen e Beratit të çliruar, më 20-23 tetor, u vendos që Komiteti Antifashist të kthehej në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. Çlirimi i plotë i vendit më 29 nëntor do ta gjente qeverinë demokratike në Tiranë. Kjo e mbyllte përfundimisht kapitullin e formimit të qeverisë në mërgim.
Mbreti Zog i
shkurorëzuar
Pasi Britania e Madhe e njohu qeverinë e LNÇ-së në nëntor 1945, për Zogun u bë e qartë se nuk kishte më vend për të në Londër. Këtu fillojnë shtegtimet e tij të fundit. Nuk është e rastit që Zogu zgjodhi Egjiptin. Vendosi të shkonte si “mbret” te mbreti Faruk, që kishte origjinë të lashtë shqiptare. Kështu, në shkurt 1946, pas pesë vjetësh e gjysmë qëndrimi në Angli, Zogu, me gjithë familjen dhe suitën e tij prej 23 vetash, u nis për në Aleksandri. Prej këtej shkoi në Kajro, ku iu bë pritja zyrtare. Të nesërmen Zogu u prit në pallat bashkë me Geraldinën dhe 6 motrat. Kjo i dha iluzionin Zogut se ishte ende mbret. Kërkon mbështetjen e Farukut dhe bën disa orvatje që nuk kanë asnjë rezultat. Në Egjipt, ku qëndroi pesë vjet, u pa se karta e Zogut ishte djegur përfundimisht. Ishte shkurorëzuar.
Gjendja shëndetësore e rënduar e detyroi të kthehej në Evropë më 1955-ën. Fillimisht u vendos në qytetin bregdetar francez Canne në Francën e Jugut. Pastaj u shtrua në spitalin Foche në afërsi të Parisit. Këtu gjeti vdekjen në prill 1961.
Një burim i cituar nga amerikani Owen Piearson (autor i një historie 3-vëllimëshe të Shqipërisë) tregon se Zogu, duke ndjerë fundin e tij që në Egjipt, pati thënë: Jam gati të kthehem në Shqipëri si qytetar i thjeshtë i Republikës (Popullore Socialiste?). Unë vetë, përpara se të bëhesha mbret, isha republikan.
A. Zogu ka një vend të dorës së parë në historinë e Shtetit Shqiptar. Ai e dominoi jetën politike të vendit për 15 vjet, në fillim si president (1925-1928), pastaj si mbret (1928-1939), deri sa u largua nga vendi pas agresionit të 7 prillit. Ai vuri mbi krye një kurorë abuzivisht, kurorë të cilën e la përfundimisht në mërgim.
Ky shkrim është mbështetur kryekëput në burime origjinale:
Dokumente Italiane (DDI)
Dokumente Britanike (BD), (PRO/371)
Dokumente Diplomatike Franceze
Në arkivat e Ministrisë së Jashtme në Romë, Paris, Londër
Ditari i kontit Ciano (Diario)

 

Nga Prof. Arben Puto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu