Arbër Zaimi: Po më largojnë pse jam aktivist i VV-së, s’kam asnjë vepër tjetër

0
148

Arber zaimi

Aktivisit i Vetëvendosjes, i cili u arrestua sot ka dhënë një shpjegim lidhur me arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Policia edhe pse e mbajti për disa orë nuk ishte në gjendje të gjente asnjë vepër mbi të cilën do të mbështetëshin.

“Për disa orë koloneli i policisë dhe zyrtarë të tjerë i dëgjova tek flisnin në telefon me dikë “të ministrisë”, të cilit i shfajësoheshin duke i thënë se nuk po munden të gjejnë “lëndë” për të arsyetuar vendimin”, shkruan Zaimi.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Sot, ndërkohë që isha në qendër të Prishtinës, u mora prej disa policëve të Kosovës, dhe u mbajta në stacion për disa orë. Fletarrest nuk kishin, dhe ma thanë.

Për disa orë koloneli i policisë dhe zyrtarë të tjerë i dëgjova tek flisnin në telefon me dikë “të ministrisë”, të cilit i shfajësoheshin duke i thënë se nuk po munden të gjejnë “lëndë” për të arsyetuar vendimin.

Si përfundim policia mori të dhënat kufitare, dhe tha se unë në 6 muajt e fundit paskam qëndruar 95 ditë, ndërkohë që lejohet veç 90, sipas ligjit për të huajt.

Por nuk m’i treguan të dhënat kufitare, vetëm m’i lexuan. Sipas atyre të dhënave, unë i kisha në një kohë rreth 8 dalje, dhe vetëm një hyrje. Hyrja ime e fundit ishte në 30 janar 2016.

Policët më thanë se ndoshta herët e tjera nuk më është regjistruar hyrja (kjo ndodh zakonisht, pasi regjimi kufitar ka qenë i relaksuar). Por, siç nuk më është regjistruar hyrja, ka plot raste që nuk më është regjistruar as dalja. Policia nuk ka qenë në gjendje ta faktojë pretendimin e saj për 95 ditë.

Këtë procedurë tashmë po e ndjek ligjërisht. Urdhri për dëbimin tim është i padrejtë dhe i montuar politikisht, për shkak që jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Unë nuk e kam thyer asnjë ligj të Kosovës.

Falënderoj të gjithë ata që janë solidarizuar sot me mua. Populli i Kosovës nuk e do këtë që po ndodh. Fajet i ka të gjitha regjimi anti-opozitar PDK-LDK, i cili po e largon Kosovën nga Shqipëria sa mē shumë që po e sjell Serbinë në Kosovë. Kjo qeveri është servile e skllave e kolonializmit. Policia ka vetëm një faj. Që i zbaton urdhrat e padrejtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu