Arkiva sekrete amerikane e vitit 1976 për Enve Hoxhen

0
444

Nga Auron Tare

“Enveri i sëmurë, nuk e ka të gjatë në skenën politike ”Enver Hoxha vuan nga një formë e avancuar e diabetit si dhe nga efekte të mëdha negative në qarkullimin e gjakut. Edhe kryeministri Mehmet Shehu nuk ka një shëndet të mirë por gjithsesi nuk është situatë serioze sa ajo e Hoxhës.”Këtë raportonte ambasadori italian në Shqipëri, gjatë viteve 1975-1976, të cilit i ra në dorë dosja mjekësore e Enver Hoxhës. Në ato vite të huajt që merrnin informacione nga Shqipëria, mendonin se diktatori nuk do të ishte në skenën politike edhe për shumë kohë. Përveç faktit që i bënte një panoramë situatës në Shqipëri, bunkerizimit dhe frikën, nëse në rast sulmi do mbështeteshin apo jo nga NATO. Dokumenti është zbuluar në Arkivin Kombëtar Amerikan dhe tani pas kaq vitesh futet në kategorinë “i deklasifikuar”, pra tashmë jo sekret, dokument i cili vjen në “Gazetën Shqiptare” përmes studiuesit Auron Tare. Në raportimin e ish-ambasadorit italian të atyre viteve gjejmë një fakt shumë interesant edhe për situatën e bunkerizimit të vendit. Sipas dokumentit ekzistonte një paranojë shumë e madhe, e cila përkthehej në kilometra të tërë të bunkerizuar apo tunele, madje sipas tij Shqipëria në vitet 1975-1976 kishte kufizuar eksportimin e çimentos në Poloni madje po e importonte atë nga jashtë. Sipas raportit të tij, edhe selive diplomatike në Shqipëri iu ishte kërkuar të ngrinin bunkerë brenda territorit të tyre, por të gjithë e kishin refuzuar. Me detaje në këtë dokument të deklasifikuar vjen edhe fakti i një lloj frike që kishte vendi ynë nga ndonjë sulm i mundshëm, madje aty përmendet zëvendësministri i Jashtëm, i cili në një farë mënyre, ka mundur të pyesë nëse NATO do të ndërhyjë në këtë rast apo jo. Emra të tjerë dalin në dokument, si Pali Miska, Llambi Gegprifti, të cilësuar si të zgjedhur besnikë të Enver Hoxhës.

 

Vdekja e Enver Hoxhës, dyshimet

Megjithëse në dukje titulli i këtij shkrimi është mjaft provokativ, ai në fakt ka të bëjë me përmbajtjen e një materiali mjaft të rrallë që sjellim sot për botim. Ky dokument i zbuluar ne Arkivin Kombëtar Amerikan sjell një fakt shumë interesant, i cili ka mundësi të hapë një debat ndërmjet mjekëve dhe dëshmitareve të tjerë okularë të cilët i ndenjën pranë diktatorit komunist në vitet e fundit të jetës. Dokumenti i cili është pjesë e dosjeve të shumta mbi Shqipërinë dhe Ballkanin të cilat tashme janë deklasifikuar për studiuesit e interesuar për këto çështje është një raport sekret i ardhur nga Ambasada Amerikane e Romes për Departamentin e Shtetit. Ky dokumenti cili bën një analizë të gjate të situatës në Shqipërinë e 1976 sipas ambasadorit italian në Tiranë, sjell për herë të parë një fakt shumë interesant. Sipas këtij dokumenti të klasifikuar si sekret nga amerikanet, ambasadori italian ne Tiranë në dimrin e 1975 ka pasur mundësinë që të këtë në dorën e tij dosjen mjekësore të Enver Hoxhës. Kjo dosje e cila sipas dëshmive të mjekëve që i shërbenit Enver Hoxhës, ka qenë një prej dosjeve më sekrete të regjimit komunist dhe me një pamundësi absolute për t’u zbuluar nga shërbimet e huaja. Dokumenti që botohet sot për herë të parë me sa duket rrezon pretendimin e mjekëve shqiptarë mbi sekretin e kësaj dosjeje duke hedhur dyshime të mëdha në vërtetësinë e dëshmive të tyre. Me të drejtë lind pyetja ne se ambasadori italian në Tiranë u raportonte diplomatëve amerikanë në shkurtin e 1976 se disa muaj më parë kishte pasur në dorë dosjen sekrete mjekësore të diktatorit komunist shqiptar atëherë kjo nënkupton qartë se kjo dosje i kishte kaluar tashmi zyrës së shërbimit sekret italian. Nuk përjashtohet mundësia që nëpërmjet italianeve edhe shërbimet e tjera Perëndimore të kenë pasur dijeni mbi këtë dosje sigurisht në se italianet kishin dashur ta ndanin këtë informacion me shërbimet partnere. Megjithatë siç del qartë nga dokumenti sekret i ambasadës amerikane në Rome, dosja mjekësore e Enver Hoxhës ishte tashme e njohur për të gjithë ata që kishin interesa në rënien e pushtetit komunist në Shqipëri. Nga analizimi i këtij dokumenti mjaft të rendësish mendoj se lind edhe pyetja, kush e vuri këtë dosje në dispozicion të Shërbimeve Inteligjente të Huaja? Një version i mundshëm sigurisht mund të jetë emri i njërit prej doktorëve të grupit të shërbimit mjekësor pranë Enver Hoxhës që ka pasur dijeni mbi sëmundjen e tij. Versionit tjetër i nxjerrjes së kësaj dosje sekrete për regjimin komunist mund të jenë kundërshtaret e heshtur të Enver Hoxhës brenda elitës komuniste të cilët shpresonin në një vdekje të mundshme të liderit shqiptar. Nxjerrja e dosjes mjekësore nga këta të fundit sigurisht ishte një mundësi për tepër forcuar mendimin në perëndim se lideri komunist nuk e kishte të gjatë dhe ata, pra perëndimoret, mund të konsideronin tashmë pasuesin e mundshëm të Hoxhës. Gjithsesi duhet të kemi parasysh se për rendësin e saj, ky material ruhej nga njerëz mjaft të besuar të Enver Hoxhës dhe si rrjedhim informacioni duhet të këtë dalë vetëm nëpërmjet kanaleve të këtyre njerëzve. Megjithatë misteri i këtij dokumenti qëndron në një tjetër fakt i cili megjithëse mungon në rreshtat e këtij raportimi mund të hidhet si hipotezë e mundshme në prapaskenat gri të luftës së heshtur të shërbimeve sekrete. A mundet vallë që dosja mjekësore e Enver Hoxhës të jetë bërë e njohur Shërbimeve Sekrete Perëndimore me idenë e gjetjeve të mundësive për ta përshpejtuar sëmundjen e tij? Një hipotezë sigurisht por në se do të rezultonte e vërtete nga ballafaqimi i dokumenteve të tjera që mund të dalin nga thellësia e Arkivave Kombëtare Amerikane atëherë pyetja se kush e vrau Enver Hoxhën nuk do të tingëllonte me vetëm si një titull i një shkrimi provokativ.
Washington D.C Shkurt 2011
[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu