Armatosja e kryengritësve, brenda javësh

0
317
Antitanka Amerikane në duar të rebelve
Antitanka Amerikane në duar të rebelve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë filluar të dërgojnë armë në një rrjet të fshehtë të depove që do të përdoren për të nisur furnizimin e kryengritësve të Sirisë me armë brenda një muaji. Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar planet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të transportuar armët nga Jordania te grupet e verifikuara të Armatës së Lirë Siriane.

Dërgesat e armëve do të koordinohen me një “nismë paralele” të aleatëve evropianë dhe arabë për të ofruar stërvitje dhe armë për forcat kryengritëse, të cilësuara të moderuara dhe të ndara nga forcat e lidhura me “Al-Qaeda”-n.

Furnizimet me armë janë paraparë të mbërrijnë në duart e kryengritësve para nisjes së një ofensive kundër regjimit të presidentit të kundërshtuar sirian, Bashar al-Assad, në fillim të gushtit, ka nënvizuar gazeta amerikane “The Wall Street Journal”.

Deri më tani, lista e furnizimeve për depot e fshehta në Jordani përfshin armë të lehta dhe raketa kundërtank. Ndërkohë, kanë nisur bisedimet e SHBA-së me Francën për t’u dërguar sirianëve më shumë furnizime nga prodhuesit evropianë të armëve, kanë bërë të ditur disa zyrtarë amerikanë.

Arabia Saudite, ndërkaq, ka njoftuar se do të dërgojë nja 20 raketa tokë-ajër, të cilat janë të afta për t’i rrëzuar avionët luftarakë të regjimit sirian në një proces të kontrolluar dhe të menaxhuar.

Një procedurë verifikuese e CIA-s për grupet që do të marrin armët është element kyç i qasjes amerikane. Zyrtarët kanë thënë se është e domosdoshme që të forcohen grupet e moderuara në mënyrë që ato të mund të dobësojnë forcën tërheqëse të frontit “Al-Nusra”, një grup i lidhur me “Al-Qaida”-n, i cili është ngritur për të dominuar luftën kundër regjimit shtypës të Damaskut.

“Numrat nuk janë problem”, ka thënë një zyrtar kundër terrorizmit. “‘Al-Nusra’ ka shtuar mijëra luftëtarë gjatë vitit të kaluar. Neve do të na duhet të tejkalojmë atë”, ka thënë zyrtari anonim.

Njoftimi se SHBA-ja do t’i armatosë kryengritësit ka ardhur pasi Uashingtoni zyrtar ka vlerësuar se regjimi sirian ka përdorur armë kimike kundër kundërshtarëve të tij. Ndërkaq, është bërë e ditur se inspektorët e Kombeve të Bashkuara, të cilëve i është mohuar hyrja në Siri, kanë shkuar në Turqi për të mbledhur informata për përdorimin e supozuar të armëve kimike në luftën civile.

Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka sinjalizuar një pajtim në rritje për planet për ndërhyrjen evropiane për armatimin e rebelëve, duke pranuar se “kushdo që ka zemër” mund të kuptojë vendosmërinë e vendeve perëndimore për të ndihmuar kryengritësit sirianë me armatime.

Megjithatë, ajo ka shtuar se “është krejt çështje tjetër nëse kjo qasje do të rezultojë e suksesshme. Rreziqet, sipas meje, do të ishin gati të pamundura për t’u parashikuar”.

(The Daily Telegraph)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu