Arnautet e Egjiptit Në penelin e francezit Gérôme

0
382

Kush piktor vallë në historinë e artit të pikturës franceze e botërore i është drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve? Léon Gerôme (Zherom), në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shekullit XIX, njihet si një piktor akademik dhe realist, që ka krijuar shumë nudo (“nu”) të njohura në temën erotike e orientale franceze si dhe temën biblike e greko-romake. Por ajo që ka mbetur si një gjurmë dalluese dhe e pashlyeshme dhe që është arritja e tij më e mirë pikturale, janë personazhet e tij të botës së Orientit, janë arnautë, shqiptarët që ai i pikëtakoi në udhëtimet e tij në Egjipt. Sigurisht, Eugène Delacroix pikturoi suliotët me fustanellat e bardha dhe në veçanti Marko Boçarin; A. Decamps dhe Louis Dupré e bënë gjithashtu të tyren temën e arvanitasve dhe suliotëve; Eduard Lear dhe Cockerelle që zbarkonin nga Anglia, pikturuan peizazhet dhe tipat shqiptarë. Por është e çuditshme, se Gérôme iu përkushtua më shumë se të gjithë temës shqiptare. Sigurisht, ai mund të ishte mjaftuar me dhjetëra tablo që pikturoi gjatë apo pas udhëtimit të tij të parë në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës, por ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër, e kishin tërhequr me një fuqi të pashpjegueshme, duke e nxitur gjithnjë e më shumë. Ndoshta ishte dhe vetë enigma se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjendeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës që sillnin vetëm rërë.
Tabloja e Boçarit, është pikturuar në vitin 1874, pra shumë vite më vonë pas udhëtimit të tij të parë në Egjipt dhe me shumë se 60 vjet pas vrasjes heroike të këtij personazhi që hyri në legjendë dhe në kujtesën e mbarë Evropës. Poema e Victor Hugo-it kushtuar Boçarit frymëzoi mjaft piktorë e skulptorë, si skulptorin e njohur francez David, i cili krijoi figurën e një vajze që lexon mbi pllakën e varrit të Boçarit, fjalët e shkruara për të. Boçari ishte sa një figurë reale aq dhe një personazh i legjendës, çka e bënte të madhe përgjegjësinë e artistit. Gérôme e ka vendosur heroin mbi një poltron të madh, me shpatën ngjeshur, ashtu hijerëndë, me një vështrim inteligjent dhe të trazuar që vështron nga artisti. Edhe pse statike, piktura ngërthen një dinamizëm të madh e të brendshëm, sikur heroi të dojë t’i thotë piktorit se s’ka kohë, se duhet të shkojë dhe se Revolucioni e pret. Tabloja Markos Botsaris (27,56×21,26 cm), sot ndodhet në Amerikë në një koleksion privat (e blerë në Londër).
Por cili ishte ky piktor dhe ç’vend zuri piktura e tij në botën e artit të epokës që jetoi.
Jean Léon Gérôme lindi në Vesoul të Francës më 11 maj të vitit 1824, në një familje artizanësh, ku i ati vazhdonte traditën e argjendarit. Që në adoleshencë, Gerome pëlqente pikturën dhe studimet e para i bëri pranë atelierit të piktorit të njohur të asaj kohe në Paris, Paul Delaroche. Më pas shkoi në Itali për të njohur nga afër traditën e pasur të pikturës italiane, siç ndodhte shekuj me rradhë kur piktorë francezë, anglezë, nordikë, flamandë apo gjermanikë, shkonin të shihnin Mikelanxhelon, Da Vinçin, Rafaelon, Ticianin, afresket e Sikstinës dhe piktorët e “Quatroçentos” apo ata të mëvonshmit. Por pikëtakimi me Egjiptin do të ishte ai që jo vetëm do të linte gjurmë në pikturën e tij, por do të përbënte një nga sukseset më të mëdha të pikturës së tij. Në mesin e shekullit XIX Egjipti ishte kthyer në një vend pelegrinazhi artistik, apo vend i një itinerari ekzotik për të gjithë artistët francezë si Chateaubrian, Flaubert, Nerval etj, për faktin edhe sepse dinastia e Mehmet Aliut i nderonte dhe i sajdiste këta udhëtarë të dijes dhe të kulturës, që vinin nga metropoli i Evropës. Madje ata i prisnin në audienca të veçanta në pallatin e mbretit, i ruanin me arnautë trima dhe i shoqëronin deri në burimet e Nilit.
Udhëtimin e tij të parë ai e ndërmori në vitin 1856 dhe në ekipin e tij kishte me vete dramaturgun Emil Augier, dy piktorët Léon Belly dhe Narcisse Berchère si dhe skulptorin August Bartholdi, autorin e statujës së mëvonshme të Lirisë, e cila do të ngrihej shumë kohë më vonë në New York. Ai do të ishte dhe fotografi i këtij ekipi. “Nisje drejt Egjiptit, – shkruan në kujtimet e tij Gérôme, – nisemi pesë miq, jo me shumë para, por me shumë entuziasëm. Jeta në Egjipt në atë kohë ishte e lirë. Marrim me qira një barkë dhe katër muaj udhëtojmë nëpër Nil, duke gjuajtur dhe duke pikturuar nga Damiette në Philae. Pastaj vijmë në Kajro dhe qëndrojmë katër muaj të tjerë, në një nga shtëpitë e Sulejman pashës, i cili na e dha me qira. Meqë jemi francezë, ai na ofron një mikpritje të përzemërt. Shumë nga pikturat u pikturuan buzë Nilit, “Atit të lumenjve”. Ata qëndruan në Egjipt tetë muaj, ku katër muaj udhëtuan përgjatë Nilit, nëpër qytezat e ndryshme arkeologjike dhe katër muaj të tjerë qëndruan në Kajro, në shtëpinë e mikut të tyre, francezit Octave Sevès, i cili për besnikëri ndaj Mehmet Aliut ishte kthyer në musliman dhe tashmë quhej Sulejman Pasha. Siç kujtonte miku i tij Frederic Masson, “Gérôme pikturonte pasdite mbi anije gjersa vinte mbrëmja”. Pikërisht të kësaj periudhe janë dhe një seri pikturash që Gerome i prezantoi në sallonin e pikturës së Parisit në vitin 1957. Oficeri arnaut me pushkën e gjatë në qafë do të lerë mbresa ndër kolegët e tij artistë si dhe amatorët e artit, ashtu si dhe tabloja tjetër Rekrutët egjiptianë duke kaluar nëpër shkretëtirë (64×109 cm), ku shquhen shqiptarët me fustanellat e bardha dhe pushkët e gjata në krahë, duke u prirë rekrutëve të mbledhur nëpër shkretëtirë. Katalogët e veprave të Gerôme shkruajnë dhe për një vepër tjetër të kësaj natyre, ku shquhet një kalorës shqiptar mbi kalë duke udhëhequr rekrutët, por kjo pikturë sot është zhdukur. Por akoma më impresionante është tabloja Lutja tek një prijës arnaut (66X95,25), e cila sot gjendet në një galeri londoneze. Personazhet e tij arnautë dhe skena nga jeta e Kajros, ai i paraqet edhe në sallonin e pikturës së Parisit të vitit 1859, i cili hapej çdo vit. Siç duket ajo bën pjesë në vizatimet e shumta që ai kishte bërë në Kajro dhe buzë Nilit dhe që në atelierin e tij parizian kishte marrë ngjyrat e vërteta. Mes tyre, tabloja Arnautë që luajnë shah (43×29 cm), apo „Arnauti në kafene” një tjetër tabllo e mrekullueshme e tij, ku shquhen fustanellat e hapura të arnautëve. Qyteti i Kajros në atë kohë vazhdonte të mbetej i rrethuar me porta guri, të cilat ruheshin përgjithësisht nga arnautët e armatosur dhe garda besnike e dinastisë së Mehmet Aliut. Dhe padyshim, këta shqiptarë të habitshëm ai i ka fiksuar në portat e qytetit, siç është tabloja e njohur e tij Roje arnautë në Kajro (50×37,5 cm) apo tabloja tjetër që i paraqet arnautët e armatosur e me fustanellat e bardha në portën e famshme Bab-el-Nasar, ku në prag tëp ortës janë vendosur një rresht kokash të prera. Në një skicë rreth kësaj tablloje, dora e Gérôme kishte shënuar me një lloj cingërues: “Ju lutemi, kur të kaloni këtë portë, vendosni këtu kokat tuaja dhe çadrat”. Në peizazhin e larmishëm të kostumeve të popujve që përbënin Egjiptin në atë kohë, dy ishin kostumet më me ngjyra dhe variacion artistik: kostumi i shqiptarëve, me jelekët, xhamadanët dhe qostekët e tyre, dhe ai i grekëve, të cilët ishin të pakët dhe mbanin dhe ata fustanellën e shqiptarëve. Në Kajro, arnautët ishin kudo, siç i gjejmë ata dhe në tablonë tjetër të Gérôme Një kafene në Kajro, ku mes kafenesë shquhen jo vetëm shqiptarët por dhe dy shqiptarë, me fustanella që hedhin valle shpatash.

Arnautët e kësaj periudhe ishin mjaft tërheqës për udhëtarët e huaj që shkelnin Egjiptin. Udhëtari anglez Georg Schweinfurth, një natyralist i njohur dhe që i njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Kartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqenit të Çadit, mes-përmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875), mes të tjerash ai kishte takuar atje “pigmetë” dhe mbretin e tribusë Mambutos, “i cili ndiqej pas nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd-es-Samate”. Ky i fundit, siç e përshkruan Schweinfurth, “mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare”… Imagjinoni për një çast se deri ku kishin depërtuar shqiptarët në Afrikë, të cilët, dhe në vendet e kanibalëve mbaheshin atëherë si luftëtarë të rreptë por trima. Lidhur me shqiptarët, shkrimtari i njohur anglez Wiliam Thackery, gjatë udhëtimit të tij në Kajro më 1844 (Notes of a Journey from Cornhill to Grand Cairo), na lë mbresat e një skene të jashtëzakonshme, e cila tregon për natyrën kryeneçe dhe herë-herë të mbrapshtë të disa shqiptarëve që pikaseshin atë kohë në gjithë Egjiptin. Madje Mehmet Aliu ndaj bashkëpatriotëve të vet kishte vendosur ligje të forta për t‘i disiplinuar ata. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: “Një ditë më parë një nga anëtarët e ekipit tonë e kishte parë shqiptarin e vrarë në cepin e hotelit, në kohën kur po e sillnin një tufë ushtarësh, të cilët e kishin arrestuar. Gjithë lecka të grisura e me këmbët e lidhura, ai përpiqej të çlirohej. Trupi i tij i xhveshur që përdridhej, i ngjante një modeli mjaft tërheqës. Ky njeri, pak kohë më parë, duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit kishte pikasur një grua të bukur dhe e kishte ndjekur atë. Duke ja mbathur vrapit, ajo ishte futur në një kazermë policësh që fatmirësisht ishte aty pranë. Por pa u trembur, shqiptari e ndoqi atë deri tek policët. Njëri nga ta u ngrit dhe donte ta ndalonte, por ai nxorri pistoletën dhe e vrau atë. Ai vrau kështu nja tri-katër prej tyre, deri sa më në fund kishin munduar ta mbërthenin. Arnauti e dinte se e priste vdekja, se nuk do ta shtinte kurrë në dorë atë grua dhe se nuk mund t’i rezistonte një gjysmë regjimenti policësh. Por ndjenja e fortë dhe instinkti i vrasjes ishin më të forta te ai. Në mëngjesin e ditës tjetër, ai e la veten qetësisht që t’i prisnin kokën, i rrethuar nga shokët e tij që kishin ardhur aty për të qenë të pranishëm. Ai as që shqetësohej nga vdekja, madje u gjunjëzua dhe gjakftohtë i la ata t’i prisnin kokën, sikur të shihte ceremoninë mortore të një tjetri. Sapo koka ra dhe gjaku vërshoi në tokë, një grua doli nga turma dhe filloi të përlyente trupin me gjakun e shqiptarit. Lyerja me gjakun e një vrasësi konsiderohej si një mjet shërimi për gratë që nuk lindnin. Por njëri nga shqiptarët që ishte ngjitur me të, iu drejtua asaj: “Pra ti e dashke gjakun? Pa të shohim sesi do të mpikset gjaku yt me gjakun e shokut tim”. Dhe duke nxjerrë pistoletën ai e qëlloi në vend mes gjithë atyre policëve që ishin të pranishëm. Sigurisht ata e kapën dhe të nesërmen edhe atij do t’i pritej koka. Do të ishte interesant të shkruhej një kapitull “Vdekja e arnautit”…
Ngjarje rrënqethëse e skena të pabesueshme sot për epokën tonë. Prerja e një koke përballohej atëherë në mënyrë sfiduese dhe Gérôme e ka paraqitur një skenë të tillë, por jo me një kokë shqiptari. Një pjesë e trupës së shqiptarëve ishte vërtet e ashpër në një mjedis të tillë të panjohur për ta dhe në një gjëndje të përherëshme lufte me mamlukët, të cilët do të shfaroseshin gjithnjë e më shumë gjersa më në fund ata pranuan nënshtrimin. Ishte një ekzistencë për jetë a vdekje. Sigurisht, në fillim askush nga shqiptarët nuk mendonte të qëndronte përjetësisht në Egjipt, e akoma më shumë në viset e largëta të Nilit gjer në Nubi, Asuan e kufijtë e Sudanit. Siç thoshte populli, ata kishin ikur “nizam” në Misir apo shkretëtirat e Arabisë. Dekadat shkonin dhe pinjollët e gjeneratave të shumta prisnin kthimin e atyre që s’do të ktheheshin më kurrë.
Një tjetër skenë interesante përshkruan Chateaubriand gjatë udhëtimit të tij të parë me anije nëpër Nil. Më 1806, ai është veçse 38 vjeçar dhe shoqërohej në anije nga një grup luftëtarësh shqiptarë. “Me zhurmën më të vogël, shqiptarët merrnin pushkët dhe shkonin në bordurat e anijes. Ata ngjanin sikur luftonin me armiq imagjinarë. Gjysma e atyre shqiptarëve ishin muslimanë dhe gjysma tjetër të krishterë. Të gjithë thërrisnin “Muhamet” apo “Shën Mëri”. Ata hidhnin gllënjka vere, duke klithur në frëngjisht ca fjalë të rënda dhe duke qëlluar në ajër…”
Në vitin 1861, në Sallonin e Pikturës së Nantes e dy vite më pas në Sallonin e Parisit ai ekspozoi tablonë e madhe Robi, (Le Prisonnier), 45×78 cm, ku duket një barkë e gjatë që shket mbi Nil, e drejtuar nga shqiptarë që mbartin një rob turk. Kjo tablo është cilësuar nga kritika e kohës si kryevepra e periudhës egjptiane të Gérôme, dhe sot ajo gjendet në Muzeun e Arteve të Bukura të Nantes, në veri të Francës. I frymëzuar nga kjo tablo, poeti i madh francez i kësaj kohe, José Heredia, shkroi një poezi me të njëjtën titull, Robi, dedikuar mikut të tij piktor, ku ai shkruante:

“Thirrjet tutje muezinët kanë rreshtur
Qielli i blertë në perëndim me një të purpurt të artë stoliset
Krokodili zhytet dhe shtratin duke kërkuar baltën
Ndërsa lumi i madh e i gjërë zhurmat e tij përgjum.

Ulur këmbëkryq si ata që duhanin pijnë
Prijësi ëndërronte përkundur nga ai hashish i habitshëm
Ndërkohë që dy negër barkën lëvizin me forcë
Lakuriq e të përkulur mbi rremat e saj.

Mbrapa i gëzuar dhe me talljen në buzë
Duke i rënë tamburasë me një ritëm të çartun,
Arnauti me sy të egër e të gjallë përkulet
Sepse i lidhur në barkë, me gjakun që i rrjedh
Një sheik plak me pamje të rëndë dhe të habitur sheh
Minaretë me maja që dridhen mbi Nilin e kulluar.

Në vitin 1862, Gérôme ndërmori dhe një udhëtim tjetër drejt Egjiptit por për një kohë të shkurtër. Në kthim ai u fejua me vajzën e një tregtari të njohur pikturash, Adolphe Goupil, i cili do të tregtojë më vonë pikturën e tij në galeritë e Amerikës, Anglisë, Austrisë, Italisë, etj. Kjo martesë për pak do të prishej si pasojë e një flirti tjetër të Gerôme në prag të martesës. Atëherë Gerôme kërkoi një duel me atë që e përgojoi, edhe ai një artist, dhe madje u plagos, por kjo nuk e pengoi të martohej me të fejuarën e tij. Ekspedita e tij e tretë do të fillojë në vitin 1868. Kësaj rradhe udhëtimi do të jetë më i gjatë dhe më i vështirë, një “safari”’ e vërtetë. Bashkë me miqtë e tij Albert Goupil, Léon Bonnat, Ernest Journault, Jean-Richard Goubie dhe Paul-Marie Lenoir, ata lanë Marsejën dhe në 9 janar të atij viti u nisën drejt Aleksandrisë, qytetit hijerëndë të perandorit të famshëm Aleksandrit të Madh. Më pas shkojnë në Kajro ku i pret vetë kedivi, mbreti i Egjiptit, Ismaili, djali i Ibrahimit dhe nipi i Mehmet Ali Pashës, i cili kishte studiuar në Paris. Arnautët janë kudo: në gardën e afërt të pallatit mbretëror, në portat e qytetit, në kazermat, në portet dhe rrugët kryesore. Pasi vizitojnë xhamitë e mëdha të qytetit, ata nisen në Gizeh për të parë nga afër piramidat dhe pasi kthehen andej marrin udhën drejt Suezit, kalojnë në shkretëtirë, shkojnë drejt Jaffa-s buzë Mesdheut dhe pastaj në Jeruzalem, në varrin e Krishtit, nga ku më vonë do të kthehen drejt Marsejës. Gérôme kthehet në Paris me shumë piktura, por dhe me qindra vizatime që ka bërë gjatë udhëtimit në Egjipt. Madje dhe në Siri, ai nuk ka munguar të pikturojë shqiptarët që ka gjetur atje, si Bashibozuku dhe qeni i tij, një arnaut me fustanellën e tij të bardhë dhe me dy pisqolla të mëdha në brez, etj. Në Paris, në sallonet e pikturës së atyre viteve, arnautët shfaqen vazhdimisht me hiret e tyre. Kuptohet menjëherë se Gerôme është i impresionuar nga tiparet dhe fizionomia e tyre: fytyra të mprehta dhe hijerënda, here herë të vrazhda, por të urtë dhe tepër miqësorë kur të pranojnë si mikun e tyre. Në sallonin parizian të pikturës ai prezantoi tablonë Arnaut me fustanellë, ku duket një arnaut shtatlartë me fustanellën e bardhë ulur në minder, i cili çuditërisht ka një kapuç jeshil në kokë. Tabloja tjetër që ai paraqet është Skenë rruge në Kajro (23,33×36,5 cm) e vitit 1870, ku para një hani shquhen shqiptarët me fustanella. Ja pra fustanella që aq shumë e kishte mahnitur jo vetëm Gérôme por dhe artiste të tjerë, ndër të cilët shkrimtarin Alexandre Dumas. Një ditë, kur Dumas përgatitej për të shkuar në një ballo me maska që organizoheshin atëherë në sallonet pariziane, Amaury Duval, nxënësi i piktorit Ingres, të cilin e kishte njohur në ballot e Firmin-it, i kishte folur se mund të vishte një kostum arnauti. Kjo ide, Dumas-ë i kishte pëlqyer. “Ramë dakord se kostumi arnaut më shkonte për mrekulli, – shkruante Dumas në librin Kujtimet e mia. – Amaury e vizatoi atë. Ajo që ishte interesante te ky kostum ishte turbani, i cili pasi rrotullohej dy-tre herë rreth kokës, kalonte nën gushë dhe pastaj lidhej në pikën e fillimit. Por duhej qepur kostumi, i cili dhe duhej qëndisur. Për të u punua gjatë 15 ditëve. Kur erdhi dita e ballos, paradite, kostumi ishte gati. Në mesnatë hyra në sallonin e zonjës Lafond”…
I veshur me kostumin arnaut, sipër në velur të kuq dhe me fustanellën e bardhë si dëbora, me armët e argjënda që i shkëlqenin, ai dukej sikur vinte nga një botë ekzotike dhe e panjohur. “Me atë kostum e imagjinoja se do të kisha një triumf të vërtetë …” Ai s’kishte bërë as dhjetë hapa në atë sallon, kur zonjusha Malibran, i ishte afruar dhe i kishte thënë: “Zoti Dumas! Ju do të më mësoni se si vihet ky turban. Këta djaj italianësh nuk dinë si të vishen. Do doja së paku të visheshin si ju. Nesër do të interpretoj Desdemonën”… Si dukej, asaj nuk i kishte pëlqyer se si ishte veshur partneri i saj, Otello. Kostumit shqiptar, Dumas i referohet disa herë në librin e tij Impressions de voyage de Paris à Sebastopol, (Përshtypje udhëtimi nga Parisi në Sebastopol). “Jakobi më kishte shitur dy kostume, – shkruante ai. – Mora atë më të bukurin, kostumin shqiptar, me një cohë vjollce, me qëndisma argjendi. Për një çast hezitova midis turbanit me stof të hollë e të bardhë, që të mbështjell fytyrën, duke e kaluar nën mjekër dhe rasës së kuqe me një xhufkë mëndafshi që varej.”
Duke udhëtuar nëpër Greqi, me një kureshtje të madhe Dumas vëzhgoi kostumet me fustanellë të shqiptarëve, për të cilat shkruante përsëri: “Këtu, ky kostum shqiptar është më i famshmi. Dhe mbreti Othon jep shembullin e vet. Eshtë një kostum i bukur, me këmbësore të qëndisura, fustanellën e bardhë e të shkurtër me njëmijë palë mbi gjunjë; kostumi me jelekët dhe xhaketën që shkëlqente nga qëndismat, me brezin prej mëndafshi, xhufkat prej mëndafshi në ngjyrë blu, që bijën pas kokës së tyre, anash veshit, atyre fytyrave me mustaqet me majë dhe flokët e gjatë me bukle që u bien mbi shpatulla… Kjo ishte veshja e atyre që pamë në rrugët e Eolit, Minervës dhe Hermesit. Ata na hidhnin ca vështrime jo dhe aq simpatike, aq sa për një çast mendova se jemi duke udhëtuar në një vend armik.”
Në vitin 1869, Gérôme do të marrë përsëri udhën drejt Egjiptit, por kësaj rradhe është qeveria franceze që e dërgon bashkë me disa artistë të tjerë për inagurimin e Kanalit të Suezit. Në këtë periudhë, piktura e Gérôme është bërë mjaft e njohur, aq sa kritiku Hamerton thoshte për të se „Pikturat e Gérôme janë për artin e pikturës siç janë romanet e Flobert për letërsinë”. Katalogu i veprave të Gérôme na tregon dhe për dy vepra të tjera që sot quhen të humbura. Eshtë tabloja Vallja e shpatave në një kafene dhe Vallja e shpatave tek një pasha. Nuk dihet gjithashtu dhe për tablonë tjetër Shqiptari dhe qeni i tij, e vitit 1883 apo Vallja pirike e vitit 1878 (81x65cm), e cila u prezantua po atë vit në Ekspozitën Universale të Parisit. Dhe kuptohet që Franca të prezantohej me një tablo të tillë, ajo duhej të ishte tepër e veçantë. Ndërkohë Gérôme vazhdon të punojë me ngulm për temën shqiptare, siç e shohim në tablonë simpatike Arnauti që i hedh qenit tymin e duhanit (jo rrallë e gjejmë dhe me titullin Qeni që nuk i pëlqen duhani) apo Valle me shkop, ku duket një valltare, që atëherë quheshin “almé”, shpesh kirkize, e cila hidhte vallen për të dëfryer një grup shqiptarësh. Më 1881 ai ekspozon në Paris tablonë Prijës arnaut (25,4×20 cm), ku pranë një arnauti ulur në minder është dhe qeni i tij. Një tjetër tablo është dhe Arnaut me dy qen whippets, e vitit 1870-1871, e cila sot është një koleksion privat në Beverly-Hills të Kalifornisë, apo “Një rrugë në Kajro”, ku përsëri janë arnautët me fustanella. Ka ende shumë vepra të Gérôme që sot nuk dihet ku janë apo konsiderohen si të humbura, siç është edhe tabloja Arnauti që luan me një qen e vitit 1890, ose Arnauti në hyrje të një dyqani (40,6×31,7cm) e shitur në Sotheby’s të Londrës në vitin 1975.

Luan Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu