Arrihet marrëveshja mes Deputetëve të pavarur dhe Kaqusha Jasharit

0
451

Të dorëhequrit e Vetëvendosjes që deri më sot ishin Grupi i Deputetëve të Pavarur, tash e pas do të jenë pjesë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, parti e cila aktualisht udhëhiqet nga Kaqusha Jashari.

Jashari ka bërë të ditur gjatë ditës se janë marrë vesh me ish-deputetët e VV-së që të bëhen bashkë në PSDK.

“Partia Socialdemokrate vazhdon dhe më tutje dhe do ta mbajë kuvendin e saj më 9 maj. Në Kuvend do të zgjedhim organet e reja, Kryesinë dhe Këshillin drejtues dhe kryetarin. Jemi marrë vesh që për kryesi dhe Këshillin drejtues ta ndajmë përbashkët. Ne kemi më pak numër se ata, ndërsa për kryetarin ne do ta përkrahim që të jetë prej tyre”, tha Jashari.

12 deputetë e GDP-së do të kalojnë në PSDK, parti të cilën dikur e kishte provuar edhe tash anëtari i PDK-së, Agim Çeku.

Në vitin 2008 në mbledhjen e Këshillit drejtues të PSDK-së, Agim Çeku ishte zgjedhur kryetar i partisë, shkruan lajmi.net.

Zv/ministri aktual i FSK-së atë botë shprehej optimist se do të arrinte sukses me Partinë Socialdemokrate.

Por entuziazmi nuk kishte zgjatur shumë, pasi ai pas një kohe të shkurtër ishte rikthyer në PDK, në partinë e Hashim Thaçit, aso kohe.

Aventura e ish-deputetëve të VV-së tashmë në këtë parti ka filluar, por mbetet të shihet se a do ta kenë edhe GDP-ja fatin sikur Agim Çeku.

Grupi i Deputetëve të Pavarur u krijua në muajin mars nga të pakënaqurit brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndarja e tyre është parë edhe në ulëset e reja që kanë zënë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët të cilët e përbëjnë këtë grup janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu