Ashpërsohet konflikti në Ukrainë – fillimi i luftës civile?

0
373
Eskalon konflikti në Ukrain
Eskalon konflikti në Ukrain

Më vonëta pas vdekjes së 31 personave pas përleshjeve në Odesën deri tani të qetë, lufta civile në Ukrainë duket se ka shpërthyer plotësisht. Qeveria në Kiev nuk duket të ketë shanse të mira.

Konflikti në Ukrainë po shkallëzon gjithnjë e më shumë. Në Odesën deri tani të qetë në Detin e Zi, të premten (2.5.) humbën jetën 31 vetë, pasi një ndërtesë e sindikatave mori zjarr. Disa njerëz humbën sepse u hodhën nga katet e larta të ndërtesës për të shpëtuar nga zjarri. Të tjerë u helmuan nga tymi. Odesa, shumica e banorëve të së cilës flasin rusisht, ndodhet jo larg gadishullit të Krimesë, bashkimi i të cilit me Rusinë në muajin mars, çoi në shkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të Ukrainës. Që më parë në qytet ishin vrarë katër njerëz në luftime mes aktivistëve prorusë dhe përkrahësve të qeverisë.

Të premten në mëngjes (2.5.), ushtarë ukrainas avancuan ndër të tjera në periferi të qytetit Slovjansk në lindje të Ukrainës dhe gjatë gjithë ditës zhvilluan luftime me rebelët prorusë. Megjithatë nuk arritën të thyenin pozicionet e tyre. Në qytetin me 130.000 banorë, mbahen peng edhe vëzhguesit e OSBE-së. Një zëdhënës i Presidentit rus Vladimir Putin deklaroi se forcat ukrainase të sigurisë kanë hapur zjarr nga ajri kundër civilëve dhe me “aksionin e tyre ndëshkimor”, kanë minuar planin ndërkombëtar të paqes për Ukrainën.

Gjatë luftimeve milicët prorusë sipas të dhënave të qeverisë qëlluan edhe kundër dy helikopterëve ushtarakë, dy ushtarë humbën jetën. Pas një pushimi të përkohshëm të luftimeve, në mbrëmje u vranë sërish dy ushtarë në afërsi të Slovjanskit. Kryebashkiaku i vetëshpallur i Slovjanskit, Vjateshlav Ponomarjov tha se në luftime janë vrarë katër luftëtarë të tij dhe dy civilë.

Luftime edhe në Kramatorsk

Sipas të dhënave të shërbimit të fshehtë ukrainas SBU, një prej helikopterëve ushtarakë është qëlluar me raketë tokë-ajër nga aktivistë prorusë. Sipas tyre kjo vërteton se në krah të separatistëve luftojnë “specialistë të huaj, të stërvitur mirë”.

Sipas njoftimeve në medie forcat e armatosura ukrainase kanë sulmuar pozicione të separatistëve dhe në qytetin Kramatorsk. Sipas të dhënave të pakonfirmuara të agjencisë ruse të lajmeve Ria Novosti, si pasojë ka pasur të vdekur dhe të plagosur. Kramatorsk gjendet në krahinën Doneck, rreth 20 kilometra në jug të Slovjanskit.

Në shenjë proteste ndaj “misionit ndëshkimor” të ushtrisë ukrainase, Moska kërkoi një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e 13-ta që prej fillimit të krizës. Në takim pati replika të ashpra të përfaqësuesve të Moskës dhe të fuqive të mëdha perëndimore. “Asnjë anëtar i Këshillit në këtë tryezë nuk do të toleronte që qytetet e tij të viheshin nën kontroll të milicëve të armatosur”, theksoi ambasadori britanik në OKB Mark Lyall Grant. “Aktivistë paqësorë” si ata për të cilët flet Rusia duke përdorur një “moral të dyfishtë”, nuk kanë mjete për rrëzimin e helikopterëve, tha më tej ambasadori britanik.

Më parë edhe qeveria ukrainase kishte folur për “mercenarë të armatosur” në lindje të Ukrainës.

 

Ashtu si Grant, edhe ambasadorja e SHBA-së Samantha Power mbrojti veprimet e Ukrainës si të balancuara. “Kjo është diçka që do ta kishte bërë çdokush prej nesh në vendet tona”, tha ajo në adresë të Rusisë, dhe i cilësoi shqetësimet e shprehura nga Moska si cinike dhe të pandershme. I dërguari i Moskës në OKB, Vitali Curkin paralajmëroi ndërkohë Ukrainën për “pasoja katastrofale” nëse nuk do t’i japë menjëherë fund ofensivës ushtarake “kriminale”. Akuzën për moral të dyfishtë ai e adresoi tek SHBA.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu