Asnjë këshilltar shqiptar në Manastir, Krushevë e Veles

0
188

Shkup, 27 prill – Në zgjedhjet lokale partitë shqiptare fituan këshilltarë në 30 komuna plus Qyteti i Shkupit nga gjithsej 85 sa ka në Maqedoni. Është interesant fakti se subjektet shqiptare dështuan sa i përket disa komunave ku nuk arritën të marrin të paktën një këshilltar. Kështu është rasti me komunën e Krushevës, Velesit, Manastirit.

Këshillat komunalë në këto komuna për fat të keq mbetën pa asnjë këshilltar shqiptar. Habit fakti se si në komunën e Krushevës ku shqiptarët janë 21,3 për qind partitë shqiptare nuk arritën të nxjerrin asnjë këshilltar. Pastaj është rasti me komunën e Manastirit ku edhe përskaj listave të përbashkëta me të cilat dolën partitë shqiptare në përjashtim të PDSH-së nuk u sigurua asnjë këshilltar.

Kështu në total partitë shqiptare dhe Grupi i zgjedhësve kanë marrë 300 këshilltarë, prej të cilëve bindshëm udhëheq Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me 168 mandate të këshilltarëve, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) me 97, ndërsa Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) me 27 këshilltarë të fituar. Lista e Grupit të zgjedhësve ka arritur të fitojë 8 këshilltarë.

Është interesant fakti se në disa komuna shumicën e Këshillit do të mund ta formojnë këshilltarët e RDK-së, ata që vijnë nga lista e Grupit të zgjedhësve dhe kuptohet këshilltarët e partive maqedonase. Numri i këshilltarëve të fituar tregon se në shumë komuna rurale por edhe urbane për shumicën në Këshillat komunalë do të vendosin këshilltarët e RDK-së dhe në disa komuna të caktuara ato që vijnë nga subjektet maqedonase. Për shembull në Komunën e Likovës edhe pse kryetari është nga radhët e BDI-së në këshill kjo parti ka 9 këshilltarë po aq sa ka dhe PDSH-ja. Në këtë rast RDK-ja e cila ka 1 këshilltar vendos për shumicën në Këshillin komunal. E njëjtë është situata edhe në Komunën e Tearcës ku BDI dhe PDSH kanë nga 7 këshilltarë kurse RDK-ja 3 këshilltarë.

Gjithashtu një situatë të ngjashme kemi edhe në Komunën e Bogovinës ku për shumicën mund të vendos këshilltari i RDK-së apo këshilltari që vjen nga Grupi i zgjedhësve.

Nga komunat urbane gjithashtu forcat mes BDI-së dhe PDSH-së janë të barabarta në Komunën e Strugës ku të dyja partitë kanë nga 7 këshilltarë. Edhe në këtë rast dy këshilltarët e RDK-së vendosin mazhorancën në Këshill. Nga ana tjetër vlen të theksohet se BDI-ja ka shumicë në Këshillin e komunës së Haraçinës, Sarajit, Zhelinës, Dibrës, Kërçovës dhe Pllasnicës.

Ndërkohë, kur jemi tek komunat ku shqiptarët nuk janë shumicë këshilltarët shqiptarë do të jenë faktor në Këshillin e Komunës së Kumanovës ku LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja kanë nga 12 këshilltarë. Këtu pesha e këshilltarëve shqiptarë do të jetë e rëndësishme pasi me votat e tyre Këshilli do të mund të miratojë vendimet e ndryshme në komunë. Votat e këshilltarëve shqiptarë do të jenë të rëndësishme edhe në disa komuna më të vogla ku kryetarët e komunave janë maqedonas.

Mbetet të shihet tani e tutje se kush me kë do të bashkëpunojë në nivel lokal dhe në cilat komuna do të ketë nevojë për aleanca më të mëdha mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase. Duhet theksuar se këshilltarët e partive maqedonase do të jenë faktor i rëndësishëm në Komunën e Tetovës, Gostivarit dhe në disa komuna më të vogla.

Përvoja në të kaluarën ka treguar se edhe këshilltarët varësisht nga situata dhe rrethanat politike kanë ndërruar ngjyrat politike, ku në të shumtën e rasteve këshilltarët e pavarur dhe ata të opozitës kanë anuar kah partitë në pushtet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu