Atentat në Paris

0
218

Gjykimi i Avniut

Avni Rustemi, atentati ndaj Esat Pashë Toptanit dhe disa nga enigmat e tij (1)

Vështrim historik rreth kësaj vepre të lartë atdhetare të këtij heroi, që më 13 qershor të vitit 1920 fshiu nga faqja e dheut Esat Pashë Toptanin, nën dritën e opinioneve të Eqrem bej Vlorës, Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këlliçit, Esat Dishnicës dhe studiuesit Jusuf Alibali

“Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë ta shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje…me anë të një vrasjeje të pabesë, i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh, që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat Pashës”. Kështu shkruan Eqrem bej Vlora, veprimtari dhe diplomati i njohur shqiptar (1885-1964) në veprën e tij “Kujtime”, (Tiranë, 2004, fq. 106). Dhe shkruan me përçmim për aktin e Avni Rustemit, sido që koha ka treguar me fakte se nuk ka pasur asnjëherë të drejtë.

Sigurisht, një ditë mund të ndodhë që dikush, duke zhbiruar nëpër arkiva, të bëjë zbulime sensacionale, ta vërtetojë të kundërtën e shumë fakteve historike që i njohim si të vërteta. Por, duke u mbështetur në të dhënat e deritanishme, atentati i Avni Rustemit mbetet jo vetëm një vepër e madhe atdhetare, por në të njëjtën kohë një ndër atentatet më të bujshme dhe më të rralla në botë për mënyrën si u krye, si dhe për enigmat që bart dhe për të cilat do të flasim më poshtë. Për këtë qëllim do t’u drejtohemi opinioneve, qoftë edhe kundërtore, të Eqrem bej Vlorës që përmendëm më sipër, Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këlliçit, Esat Dishnicës dhe së fundi, të profesor Jusuf Alibalit.

Mustafa Kruja (1887-1958), veprimtar politik, studiues, në një letërkëmbim me atë Paulin Markgjokajn, duke iu referuar këtij fakti, shkruan kështu për Avni Rrustemin: “Ishte student në magistero të Romës, por s’i epej jo me studime, por as me hangër e as pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin”.(Revista “Albanica”,. faqe 91, nr. 72, 2010).

Në shkurt të 1956-s, student i vitit të dytë të Fakultetit Histori-Filologji të Institutit të Lartë Pedagogjik në Tiranë, (që një vit më vonë, si institutet e tjera të larta, do të përfshihej në Universitetin e Tiranës), kam pasur rast të marr pjesë në biseda që xhaxhai im, Reshat Këlliçi, zhvillonte më mikun e tij më të ngushtë, Sejfulla Malëshova. Së bashku me Avni Rustemin, Llazar Fundon, Tajar Zavalanin kishin qenë shokë, anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të themeluar nga i pari në vitin 1921. Madje Reshati kishte qenë së bashku me Avniun në çastin kur Isuf Reçi, vegël e Zogut, më 17 prill të vitit 1924 kishte shtënë pas shpine dhe kishte plagosur për vdekje Avniun që do të vdiste pas disa ditësh në spitalin e Tiranës. Pastaj, pa Avniun, të katër të mësipërmit kishin shkuar me anëtarë të tjerë të Shoqërisë “Bashkimi” në Rusinë Sovjetike, pas ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1924 që sollën Zogun në fuqi, së pari president e pastaj mbret, dhe ishin kthyer të zhgënjyer nga atdheu i parë komunist në botë, siç kam shkruar në një dossier tjetër, të botuar në faqet e kësaj gazete.

Mbaj mend se jo rrallë Sejfullau vinte në shtëpinë e xhaxhait tim, ku në biseda midis tyre, kujtonin ngjarje që më tërhiqnin edhe mua, i ri 18-vjeçar.

“Është e habitshme, – pohonin të dy midis të tjerash, kur kujtonin atentatin e Avni Rustemit në Paris, se si ai disa ditë përpara se të nisej për në Romë, -nuk na tha kurrë se çfarë vendimi të guximshëm kishte marrë”.

Ishte koha kur pas formimit të qeverisë se Tiranës në janar të vitit 1920, pas Kongresit të Lushnjës, shumë qytete dhe krahina shqiptare kishin njohur këtë qeveri, ndërsa vise të tjera të vendit ndodheshin ende nën pushtimin e huaj, -Korça dhe Pogradeci nën francezët, Shkodra nën serbët, Vlora në italianët, kurse bandat e Esat Pashë Toptanit, që ndodhej në Paris me urdhrin e tij kërkonin ta rrëzonin atë qeveri dhe të mundësonin kështu kthimin e Esatit në krye të Shqipërisë”.

Në maj të vitit 1974, kur po hulumtoja në Arkivin e Shtetit në Tiranë dokumente që do të më vlenin për të shkruar romanin ”Atentat në Paris”, kam pasur rast të bisedoj me Esat Dishnicën, i cili më 1920 studionte së bashku me Avniun në Universitetin e Romës.

“E pata takuar Avniun ato ditë maji të vitit 1920, kur sapo erdhi nga Tirana dhe mbeta i habitur kur më tha se po shkonte në Paris”.Përse?” – e pyeta me habi”.Për të studiuar në disa kurse që atje janë më të mira se këtu në Romë”, – m’u përgjigj. Dhe mua as që më shkoi ndërmend se ç’vlonte në mendjen e tij”.

Ky pohim shkon në kundërshtim me thënien e Mustafa Krujës që shpjegon në letrën e mësipërme se Avniut “…s’i jepej jo me studime, por as me hangër as me pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin”.

Pra, Avniu nuk ia ka rrëfyer askujt, duke përfshirë këtu edhe studentë shqiptarë në Romë, midis të cilëve ishte edhe Esat Dishnica, i cili në bisedën që pata bërë me të pati shtuar: ”Gjashtë muaj pas këtij takimi në Romë, pra në ditët e para të dhjetorit të vitit 1920, pasi Avniu doli i pafajshëm në gjyqin që iu bë në Paris, duke u kthyer për në Shqipëri, ai u ndal përsëri në Romë, ku ne studentët e tjerë e pritëm me brohori”.Sa i fshehtë paske qenë! –i thashë duke e përqafuar. -Po si nuk më the se për ç’qëllim shkoje në Paris?”

“Ishte vërtet punë e fshehtë dhe me zarar, -m’u përgjigj. -Dhe kishte të drejtë”.

Nga këto të dhëna të parashtruara nga Sejfulla Malëshova, Reshat Këlliçi dhe Esat Dishnica, del qartë se Avni Rustemi nuk i ka treguar askujt se cii ishte qëllimi i tij i vërtetë udhëtimit të tij në Paris.

“Krejt Shqipnia e Mesme kishte hymë kryekëput nën influencën e esadistëve, – vazhdon Mustafa Kruja në letërkëmbimin e tij me at Paulin Margjokajn. -Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër dhe Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, kishte mbetun e pafuqishme kundrejt cetave esadiste që bridhshin lirisht deri te muret e kryeqytetit”. (“Albanica” nr 72 faqe 91, 2010)

Kur lexova këto radhë solla ndërmend një bisedë që pata zhvilluar shumë vite më parë me akademikun Kristo Frashëri”.Ato ditë, fundmaji të vitit 1920, -më rrëfente ai, – Mytesim Këlliçi, kryemyftiu i Tiranës, që gëzonte respekt midis tiranasve, shkoi në kodrat jugore të Tiranës, aty ku sot shtrihet liqeni artificial dhe u takua me kaçakët e Osman Balit që vërtiteshin si çakej dhe pritnin një urdhër të Esatit që t’i suleshin Tiranës.

“Kjo qeveri mezi mbahet e ka për të rënë vetvetiu. -i shpjegoi Mytesim Këlliçi Osman Balit dhe larove të tij. -Kështu mos krijoni vëllavrasje”.Dhe ata, si besimtarë fanatikë, e dëgjuan fjalën e kryemyftiut.

Pas pak ditësh, më 4 qershor, ia behu në Tiranë Bajram Curri me trimat e tij, që shpartalluan forcat esadiste dhe dogjën kullat e Toptanasve. Disa ditë më pas dhe Avni Rustemi vrau në Paris Esatin”.

Që Mytesim Këlliçi duke shkuar enkas të takojë Osman Balin dhe duke i bindur ata të mos i sulen Tiranës, i ka dhënë kohë Bajram Curri dhe trimave të tij të vijnë atje, ashtu siç kishte kërkuar qeveria e Tiranës, kjo është e logjikshme. Të mos harrojnë se kryemyftiu i Tiranës, atdhetar i njohur, në janar të vitit 1920, kishte hapur punimet e Kongresit të Lushnjës dhe ishte zgjedhur ndër 37 anëtarët e Këshillit të lartë të tij, nga ku kishte dalë qeveria e kryesuar prej Sulejman Delvinës.

Por, problemi është se a ishte atentati i Avniut kundër Esat Pashës i bashkërenditur me ultimatumin që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare më 3 qershor i dërgoi gjeneral Piacentinit, në të cilin thuhej se “…Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915…” dhe caktohej mbrëmja e 4 qershorit si afati maksimal që i jepej komandës italiane për të plotësuar kërkesat e tij”, (Jusuf Alibali, ”Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, faqe 216, ”Studime historike”, nr. 4 1964). Pra, sipas këtij ultimatumi ushtritë italiane duhej të largoheshin nga krahinat e Vlorës, Tepelenës dhe Himarës.

E vërteta është se pas ultimatumit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe sulmit të forcave të Bajram Currit që shpartalluan bandat e Osman Balit, të cilat kërcënonin Tiranën, më 5 qershor, kryengritësit shqiptarë filluan luftimet kundër forcave pushtuese italiane në Tepelenë, Llogara e Kotë.

Dhe ja, si pasojë e këtyre veprimeve, më 13 qershor të vitit 1920 Avni Rustemi kreu atentatin e tij të bujshëm që rrëzoi të vdekur përdhe Esat Pashën. Të mbetura pa kokë, bandat esatiste që përbënin rrezik të madh për pavarësinë e Shqipërinë, u asgjësuan plotësisht.

Nga sa shihet, në të gjitha këto veprime, duke përfshirë edhe atentatin e Avni Rustemit, duhet të ketë pasur dorë qeveria e Tiranës. Këtë e dëshmon edhe Mustafa Kruja që në letrën e mësipërme nënvizon:

“Avniu donte me shkue në Paris e kishte damë me vet veti. Por ishte i papasun e s’kishte pare a shpenzime rruge, as për banim etj, deri sa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye. Shpresonte se nji shoq mund t’i ndihmonte. Por as ky s’paska pasun, a për arsye tjetër, s’e di, edhe paska vojt e ia ka kallzue punën mikut të vet politik në kohë, ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut. Ky pa tjetër epka aty për Avniun 4000, s’di a lira taliane a franga France”.

Në këto radhë ka pasaktësi sidomos kur shkruhet se Avniu ka shpresuar që “…nji shoq mund t’i ndihmonte”. Pastaj, duket pak e habitshme që ai t’i shfaqte hapur qëllimin e vet Ahmet Zogut, me të cilin vështirë të këtë pasur miqësi, sepse vështirë të kenë pasur takime midis tyre më 1920. Por të mos harrojmë se Zogu ishte ministër i Brendshëm i një qeverie atdhetare, që përpiqej të ruante dhe forconte pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e Shqipërisë. Kështu, ai ishte i interesuar që Esat Pashë Toptani, armiku i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e kishte dajë, të eliminohej në Paris, ku ndodhej që më 1918 dhe në krye të delegacioni kërkonte që Fuqitë e Mëdha, fituese të Luftës së Parë Botërore, që atëherë quhej Lufta e Madhe me të cilat kishte qenë aleat, ta njihnin si kryetar të shtetit shqiptar. Si pasojë, edhe mund t’ia ketë dhënë Avniut shumën e parave që i duhej për të kryer këtë akt shumë të guximshëm.

Që Ahmet Zogu të ishte nismëtar i vrasjes së Esat Pashës, këtë e dëshmon edhe Eqrem Vlora që në kujtimet e tij, kur thekson se i interesuar për eleminimin e pashait të Toptanasve ”…në radhë të parë ishte edhe Ahmet Zogolli, (“Kujtime”, faqe 166).

Është tjetër problem, pastaj, se, kur gjatë viteve 1921-1923, Zogu do të zgjidhej kryeministër, në parlamentin shqiptar do të shpërthenin debate të ashpra midis opozitës së kryesuar nga Fan Noli, ku krahas Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjut, Hasan Prishtinës etj., bënte pjesë edhe Avni Rustemi dhe në anën tjetër Zogut dhe grupimit të tij politik. Kjo do të sillte si pasojë që ata të ndaheshin deri në atë pikë, sa Zogu në prill të vitit 1924 të vriste me po me atentat Anvi Rustemin.

Për saktësi, po theksoj se kur pas udhëtimit nga Tirana në Romë, Avniu arriti në Paris, kishte me vete rreth 10 mijë franga franceze, shumë tepër e madhe për një student. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi “Avni Rustemi”, dosje nr. 2, procesverbal hetimor pas atentatit, mbajtur në zyrat e hetuesisë së burgut Santé në Paris, të cilit do t’i referohemi herë pas here).

Ka mundësi që kjo shumë t’i jetë dorëzuar Avniut nga Zogu në lira italiane, që në atë kohë ishte monedhë me vlerë dhe në Romë ai t’i ketë këmbyer këto para në franga franceze.

“Çështjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim, -shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij studimor “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, (“Studime historike”, nr 2 1964, faqe 215), -të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu: ”Me rastin e nisjes për studime dhe duke marrë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa t’i jepej për gjashtë muaj menjëherë…

“Pjesën tjetër të të hollave, -thotë Avniu, e ka marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920. Avniu ka vajtur në Napoli për të takuar dhe ka kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij “një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrini supet”.(po aty).

Përse një shumë kaq e madhe, po të marrim parasysh se për të blerë një kostum në rrobaqepësinë Ribulet Puasonie, me qe ai që mbante ishte i vjetër, Avniu ka përdorur 375 franga dhe ka parapaguar 210 franga për një muaj një dhomë në Hotel de Tuileri, nga ku mund të vëzhgonte lëvizjet e Esat Pashës që ishte strehuar në hotelin “Kontinental”, në rrugën Kastilione (dhe jo në hotel “Ritz”, siç dëshmon gabimisht Mustafa Kruja në letrën e tij)? Kjo shumë e madhe iu dha Avniut, sepse çasti kur do të kryente atentatin nuk varej prej tij, por nga rrethanat që do të krijoheshin, të cilat për fat të mirë, falë edhe zgjuarsisë dhe trimërisë së tij, u krijuan në jo më shumë se dy javë nga casti i arritjes së tij në Paris.

Po të kthehemi përsëri te letra e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt.

“Me këto pare, shkruan ai, – niset Avniu prej Tirane në Romë, ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistëve e mandej shkon në Paris…”

Por Esat Dishnica siç e përmenda më sipër, pohon të kundërtën.

Kështu pohon edhe Reshat Këlliçi: “Atë mbrëmje dhjetori të vitit 1920, kur Avniu kishte ardhur nga Vlora ku ishte pritur si hero nga vlonjatët, -më thoshte xhaxhai, një ditë të vitit 1963, kur po përfundonte librin e tij me kujtime “Me djemtë e “Bashkimit”, – plot shokë e takuam Avniun në një hotel përballë Sahatit të madh të Tiranës, ku ai do të bujte. E përqafuam dhe e përshëndetëm edhe ne si hero. Isha njohur me të që në bangat e kolegjit italo-arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kishim kaluar katër vjet së bashku me Sejfulla Malëshovën e shokë të tjerë e kishim ngrënë siç i thonë fjalës një thes më kripë. Por, as përpara, atentatit, as gjatë atij takimi dhe as më pas Avniu nuk foli as edhe një llaf se si u përgatit dhe kush e ndihmoi që të kryente bëmën e tij historike”.

Në vazhdim të letrës së tij Mustafa Kruja e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esat Pashë Toptanit:

“I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri s’dij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi n’atë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha) dhe vojt e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: ”Ndal, tradhtar i atdheut!”. Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin a pistolën që kishte pas ble, nuk dij në Romë apo në Paris. Kto janë fakte që di mbi vrasëst Esat Pashë Toptanit”. (“Albanica”, nr. 72, fq. 92, 2010).  

(VIJON. Marrë nga “Tirana Observer”)

Nga Skifter Këlliçi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu