Athina, pensione nga 300 euro 20 mijë shqiptarëve

0
123

Athinë Qeveria greke u garanton ndihmën ekonomike, 19.500 personave në Shqipëri. Të gjitha këto ndihma ekonomike, jepen për shtetasit shqiptarë, por me kombësi greke nga OGA, një institucion shtetëror në Greqi që merret me ndihmën për fermerët dhe bujqësinë. Për herë të parë, për median shqiptare këto të dhëna bëhen të ditura nga “Social Security”, një institucion shtetëror në Athinë.
“OGA-ja është organizmi i sigurimeve bujqësore ku sigurohen fermerët dhe veç kësaj jep ndihma ekonomike për personat që janë mbi 65 vjeç. OGA-ja është një institucion publik që merret me siguracionet e pleqërisë. Shqiptarë që marrin këtë ndihmë ekonomike dhe kanë plotësuar kriteret, janë 19.500 persona. Shuma mujore e kësaj ndihme ekonomike është 300 euro” – tha dje për disa gazetarë shqiptarë Sekretarja e Përgjithshme e Sigurisë Sociale, Athina Dretta.
Bëhet fjalë për atë që në median shqiptare gjithmonë është konsideruar pension për një pjesë të mirë të atyre shtetasve shqiptarë në jug të vendit, të cilët marrin para nga shteti grek në mënyrë të përmuajshme. Por për të marrë këtë ndihmë ekonomike, kriteret janë shumë strikte, duhet të vërtetosh me breza për kombësinë greke, dhe shtetasit që e përfitojnë duhet të banojnë në Greqi, duke përfituar ndihmën ekonomike se konsiderohen grekë. Sipas llogarive, për këtë kategori personash që janë shqiptarë i bie që në vit, shteti grek harxhon mbi 70 milionë euro, për të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë kombësi greke dhe kanë përfituar këtë ndihmë ekonomike. Nëse do të pranohet se këtë e përfitojnë edhe shtetas shqiptarë me kombësi shqiptare, kjo do të thotë se të gjithë personat mbi 65 vjeç kanë bërë abuzime me dokumentet e tyre, dhe ky abuzim, nëse ka ndodhur, është kryer nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Dhe nëse pranohet kjo ndihmë për ata që kanë kombësi greke, llogaritet që të paktën 20 mijë persona e deklarojnë veten me kombësi greke. E nëse llogaritet që secili nga këta persona është kryefamiljar, (pra në një familje me mesatarisht katër persona), shifra e atyre që deklaron kombësinë greke i kap pothuajse 80 mijë vetë.
Në fakt, këto janë konkluzione nga shifrat e atyre që tërheqin ndihmën ekonomike nga shteti grek, i cili, sipas gjithë reformave që po ndërmerr, gjendet në një krizë të vështirë ekonomike.
Për këtë arsye, Athina Dretta, tregon se është kryer një reformë e thellë në sistemin e pensioneve, e kontestuar nga shtresa të ndryshme të popullsisë greke, por që në fakt, është kërkuar si një masë për të ndikuar në krizën ekonomike.
Vitet e punës për shqiptarët
Autoriteti zyrtar në Greqi kërkon zyrtarisht nga qeveria shqiptare që të nisë negociatat dhe dialogun për njohjen e viteve të punës për personat që punojnë dhe jetojnë në Greqi, me kombësi shqiptare, pra emigrantët shqiptarë, për pagesën e detyrimeve të sigurimeve shoqërore. “Zyrtarisht mund të them se negociatat nuk kanë filluar. Është në interesin e qeverisë greke, por mendoj edhe për atë shqiptare për shtetasit shqiptarë, që të fillojë ky proces që të gjithë këta emigrant që punojnë e jetojnë në Greqi të sigurohen. Ne si ministri na intereson që kjo të rritet, në mënyrë që të mos kemi punonjës të pasiguruar” – thotë Athina Dretta, sekretare e përgjithshme e Sigurimit Social në Athinë.
Ndërkaq duke treguar kronologjinë e ngjarjeve, autoritetet zyrtare në Athinë i kanë nisur negociatat për të zgjidhur vitet e pensioneve për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi shumë kohë përpara. Por në vitin 1997 ky proces është ndërprerë dhe nuk është rifilluar më. Pyetjes së gazetarëve shqiptarë se nga ana e shtetit shqiptar deklarohet se kanë filluar negociatat, Dretta i përgjigjet “Nëse do të kishin filluar, do të kalonin nga këto zyra ku jemi tani. Mund të jetë folur ndoshta pa paragjykime mes ministrive të punëve të jashtme të dy vendeve, por tek ne nuk ka ardhur asgjë”.
“Ne duam të arrijmë një marrëveshje me shtetin shqiptar për të gjithë emigrantët që punojnë në Greqi, që edhe nëse një ditë këta të fundit vendosin të kthehen në Shqipëri, atyre të mos u humbasin vitet e punës që kanë kryer në Greqi dhe të marrin pensionin. Dhe ne e dimë se ka shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi për një kohë të gjatë. Ne presim të ulemi në tryezë me palën shqiptare për të diskutuar gjithë detajet që mund të përfshihen në marrëveshje” – tha Athina Dretta.
Një shtetas grek që del në pension, e ka nivelin minimal të pensionit 585 euro. Ndërkohë është e habitshme që një tjetër çështje pezull që qeveria shqiptare nuk merr në shqyrtim është kjo e pensioneve për këta shtetas, një çështje që do të ndikonte drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e jetës së shqiptarëve, për të rënë dakord edhe në modalitete të tilla siç mund të jetë edhe njohja e viteve të punës të Shqiptarëve në Shqipëri dhe tu bashkëngjiten atyre në Greqi, apo edhe e kundërta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu