Auguste Degrand, një konsull në Shqipërinë e Epërme

0
91

Luan Rama:

Shfaqja e një konsulli të huaj në Shqipërinë e Epërme në dhjetvjeçarin e fundit të shekullit XIX, në thepisjet e atyre majëmaleve dhe kullave hijerënda të veriut shqiptar, ku këmbë të huaji nuk kishin shkelur më parë, ka qënë padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme për banorët e atyre anëve. Por askush nga shqiptarët e atëhershëm nuk e shkroi këtë apo atë histori, as “drogmanët” që i shoqëronin këta të huaj. Historitë e udhëtimeve të këtyre konsujve mbetej kështu si një lloj gojëdhëne, që sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë ajo merrte tisin e legjendës. Por lumturisht, konsujt e huaj Auguste Degrand, ashtu si dhe Hyacinthe Hecquart e të tjerë më pas, e kanë shkruar këtë lloj kronike, madje shumë më tepër se një kronikë udhëtimesh: ata shkruajtën histori njerëzore, ku ngjizen fate, ngjarje, luftra, këngë e vdekje heronjsh, tradita e supersticione. Por ndryshe nga Hecquart, Degrand ka fiksuar dhe imazhe e portrete që sot përbëjnë një pasuri të jashtëzakonëshme, imazhe që na sjellin një kohë që nuk ekziston më. Ato gra e vajza, ata malësorë të fiksuar në objektivin e aparatit fotografik, dëshmojnë për një tipologji të cakuar njerëzore, fytyra që i përkasin një kombi të caktuar, një drame dhe historie, ku qytetërimi perëndimor ende nuk ka zbritur e ku ligji është ende i pashkruar. E megjithatë, në ato portrete të fiksuara nga konsulli francez, ka një humanizëm të veçantë. Janë sy dhe shpirtra që flasin. Dhe ajo çka është më interesante, është se këto fotografi nuk janë shkrepje të çastit, të papritura dhe fiksime fshehtazi të një realiteti siç ndodh në kohrat moderne. Jo! Ata burra, gra dhe vajza, pozojnë para aparatit, të paqtë, të çiltërt dhe me zemër të hapur, siç ishte vetë mikpritja e tyre për të huajin, çka në ato male ishte e shenjtë: “Shtëpia e malësorit ishte e Zotit dhe e mikut!…”
Për gjashtë vjet me rradhë, nga vitit 1893 deri më 1899, Auguste Degrand kishte qënë konsulli francez në Shkodër dhe nëpër vite, në udhëtimet e tij në veriun shqiptar, ai kishte shënuar ngjarje, fakte, biseda e ndodhi të çuditshme, që më pas do t’i botonte në librin e tij Souvenirs de la Haute Albanie, tek botuesi parizian H. Welter më 1901, duke i shoqëruar me një seri të jashtëzakonëshme fotografish të jetës së këtyre maleve. Duke lexuar atë libër kupton pasionin e këtij konsulli për të deshifruar jetën dhe historinë shqiptare. Ai shënon gjithçka që i sheh syri dhe e dëgjon në bisedat me malësorët, përshkruan vëndet ku shkel, kishat e rrënuara mesjetare, qytezat e dikurshme të bratisura tashmë nga njerëzit, mbishkrime në gurë apo stela funerare që flasin për një histori të madhe dhe të lashtë. Kur shkon në Sardën mesjetare, Degrand gjen veçse rrënoja. Eshtë Sarda antike që siç shkruan ai në librin e tij, përmëndet nga historiani i lashtë Etienne i Bazancit dhe gjeografë të tjerë të kohës antike. Ptolemeo shkruan për banorët “Sardiotae”, Straboni grek për “Sardiaci”, Plini romak për “Sardiatoc”… Degrand habitet që në këtë anë nuk jetojnë më njerëz, në një qytezë kaq me emër që dikur kishte katedrale e peshkopë. Mbi rrënojat dhe me gurët e dikurshëm të katedrales, banorët kishin ngritur një kishë, që siç shkruante Daniele Farlati ishte Kisha e Lindjes së Virgjëreshës, me një pllakë që datonte e vitit 1410. “Në dysheme ka shumë varre, – shkruan Degrand, – madje dhe të reja. Vdekja sikur e ka pushtuar këtë kishë. Mbi secilin varr janë degët e pemëve që kanë mbajtur të vdekurin dhe në kokë të varrit duken kryqet e drurit, që me krahët e tyre u japin atyre pamje të qënieve fantastike, sikur ato qënie të ngrihen nga toka duke mbajtur me ato duar të përdredhura kokat e tyre… Mbi kokë, dhe në çdonjërin sup qëndron një zog i gdhëndur në dru, çka i bën ato si qënie që jetojnë në hapësirë”… Dhe konsulli lë pas këtë “bodrum të vdekurish” siç e quan ai kishën, për të ndjekur rrugën drejt kishave të tjera mesjetare. Një inventar padyshim historik, pasi rreth e rrotull kështjellës së Rozafës, ai do të pikëtakonte tetë kisha të hershme, mes të cilave, siç shkruan ai, Kishën e Shenjtëve të Pafajshëm dhe atë të Shën Pjetrit.
Që në fillim të librit të tij, Degrand bën pyetjen: ”Vallë vërtet shqiptarët janë pellazgë, nga ajo racë që Homeri e cilëson hyjnore, pra të jenë pellazgë të mbetur të pastërt dhe të papërzier deri në ditët tona, duke ruajtur gjuhën dhe shumë nga zakonet e tyre, siç afirmojnë dhe disa shkrimtarë modernë që e kanë studjuar këtë çështje?…” Edhe pse nuk e ndërmerr vërtetimin e kësaj hipoteze të komplikuar, Degrand thekson lashtësinë e shqiptarëve në këto troje, duke iu referuar autorëve antikë e bizantinë, mes të cilëve dhe Constantin Porthyrogènète, i cili në librin e tij Notitix Imperii Byzantini shkruan për “Albanites”, pra për shqiptarët. Degrand udhëtonte me kalë dhe i shoqëruar nga drogmanë, pra përkthyes, çka në atë kohë, në perandorinë otomane ishte kthyer në një profesion të vërtetë. Fillimthi, ai ka udhëtuar nga Ulqini për të ardhur drejt Shkodrës, ku i duhet të kapërcejë Bunën me trap. Kur hyn në Shkodër ai habitet me gjelbërimin e madh përgjatë rrugës, ku udhëtari pikëtakon shkurret dhe pemët e shegëve, manave, fiqve, luleshelgët në ngjyrë rozë. Portat e mëdha të shtëpive, shkruan ai, janë të mbërthyera me gozhdë të mëdha, disa syresh kanë frëngji. Rrugët kanë trotuare të lartë e me kalldrëm. Ai fotografon shtëpitë, çardakët, diku një oxhak të mrekullueshëm shtëpie që është një vepër më vete arti e që të kujton Perëndimin. Për kështjellën e Shkodrës, ai na kujton një tablo të Paolo Veronese-s, e cila zbukuron sallën e Këshillit të Madh të Venedikut dhe që i kushtohet mbrojtjes së Shkodrës nga Antonio Loredano dhe ku shkruhet “Scodra, bellico anni apparatu din vehementerque a Turco appugnata, açerima propugnatione retinetur”.
Padyshim që Degrand e ka njohur mirë qytetin e Shkodrës ku kishte dhe selinë e konsullatës së tij. Ai jetoi atje në një kohë kur edhe pse ende nën pushtimin otoman, shqiptarët mendonin tashmë për pavarësinë e tyre, ashtu si dhe serbët e malazezët. Nuk dimë nëse Degrand, si një apasionues i fotografisë, ka shkruar për Marubin, i cili në atë kohë ishte referencë e fotografisë me “Dritëshkronjën” e tij. Sidoqoftë, në librin e tij, i vetmi dokument që ka lënë nga misioni i tij në Shqipëri, ne mësojmë se ai ndjente një dashuri të vërtetë për shqiptarët, çka e tregon dhe në historinë se si një shkodran, i cili ishte bërë me djalë, i kërkoi të bëhej nuni i tij. Cili ishte ky fëmijë që Degrand kishte shkuar në shtëpinë e tij për t’i prerë flokët dhe që e kishte mbushur me dhurata?
Konsulli francez tregon një interesim të veçantë për tipologjinë e gruas shkodrane, të cilat i ka fotografuar nga afër. Ato janë muslimane, të krishtera… ai tregon për veshjet e tyre, për martesat dhe ritin e dasmave, madje dhe për detaje që tregojnë jetën e vërtetë të një qytetit, siç ndodh kur tregon për “prostitutat muslimane” në rrugë, apo për ndasitë fetare, kur një grua kristiane që shiste fruta në rrugë, kur i shkoi një musliman t’i blinte, ajo i tha se nuk i shiste dhe se menjëherë kur kaloi një nga shoqëruesit e mij, ajo ia afroi atij pa pagesë. “Kur një grua është e bukur, – shkruan Degrand, – ato gra që e pikëtakojnë në rrugë, i thonë: “Vdeksh menjëherë” (Të martë mortja !), – duke shtuar se, – më mirë të vdiste shpejt, pa përjetuar humbjen e bukurisë dhe plakjen.” Dhe ai bêhet kureshtar kur ndesh nê rrugê ato gra muslimane apo katolike me kokë të mbuluar. “Ja një shqiptare muslimane me një hir poetik, e veshur bukur me një dolloma ngjyrë blu. Kjo figurë, kjo enigmë tërheqëse rrëshqet pranë jush me ato tipare që spikasin fare pak, me lëkurë në të bardhë, në të cilën shquhen dy sy orientalë, dy sy të thellë e tronditës si të sfinksit, duke ju vështruar drejtë e me një pamje hijerëndë”. Konsulli francez nuk harron të shkruajë dhe për zakonet shqiptare, supersticionet, etj. “Në Shkodër, – shkruan ai, – kur vdes një grua e martuar, ndonjë nënë që ka një vajzë të pa martuar, kur shkon për të ngushëlluar tek e vdekura, nëse ia arrin, fshehurazi i tërheq asaj këmbën, pasi kjo i sjell shans që burri i ve të martohet me vajzën e saj”. Po kështu, në një familje katolike “kur ka dy vdekje rradhazi, pranë njëra tjetrës, që të mos vijë vdekja sërish, menjëherë i presin kokën një gjeli. Kur do ta çojnë të vdekurin për në varreza, pragu i portës goditet me qivur tri herë, që të shmanget kështu kthimi i të vdekurit ose i vetë vdekjes”. Dhe më tutje, ai shton: “Në fshatrat katolike, të vdekurit nuk i nxjerrin nga i njëjti vënd nga ka dalë një i vdekur tjetër më parë. Meqë i pari kishte dalë nga dera, i dyti duhej të dilte nga dritarja, i treti nga dritarja tjetër e kështu me rradhë…” Degrand kujton dhe një ngjarje interesante kur udhëtonte në fshatrat jo shumë larg Shkodrës. I lodhur nga udhëtimi, ai kishte rënë të flinte në një nga dhomat e malësorit, kur ndërkohë dëgjoi një klithmë të çuditshme: Gjok! Gjok!…Ai u habit dhe pyeti drogmanin se ç’ishte kjo klithje që vinte nga qielli. Ishte një shpend që kishte zbritur në çati. “E shkreta vajzë!” – psherëtiu burri i shtëpisë! – “Unë u bëra kureshtar, – vazhdon Degrand, – dhe ai më tregoi se ishte legjenda e një vajze që dikur jetonte vetëm me të vëllanë Gjok. Ditën ai zbriste në qytet të Shkodrës për të fituar bukën e gojës dhe në mbrëmje kthehej në fshat, ku e motra nuk dilte nga shtëpia. Por një natë ai nuk erdhi. Madje as natën e dytë. Atëherë ajo iu lut Virgjëreshës që ta kthente në zog, në mënyrë që të mos njihej dhe të shkonte të gjente. Dhe lutja e saj u plotësua…” Për një kohë të gjatë, konsulli francez dëgjonte nëpër natë atë thirrje të çuditshme: “Gjok!Gjok!…”
Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, pasioni më i madh i Degrand-it ishin kishat dhe qytezat mesjetare, të cilat askush nuk i kishte shëtitur më parë. “Tri orë larg nga Shkodra, – shkruan ai, – udhëtari që shkon me këmbë për në Tivar, shikon në të majtë një kodrinë shkëmbore me një gri të trishtë. Në majë shihen ca rrënoja që duken sikur përpiqen të ngrihen lart mbi shegët e egra. Eshtë Kisha e Madonës së Shasit.” Në çdo ndalesë, në çdo fshat apo kishë, Degrand fotografon, shkruan, vëzhgon mbishkrimet e vjetra nëpër gurët e kishave, apo pjesët e mbetura të afreskave kishtare. Për këtë kishë, ai shkruan se pikërisht këtu kishte jetuar peshkopi i emëruar nga Papa Clement VII më 1530, por që Farlati nuk na e shkruan emrin e tij. Më pas, Degrand shkon në Gajtan, i cili është një orë larg Shkodrës dhe ku ai gjen fibula të lashta bronxi, copëza amforash e monedha shumë të vjetra të flasin për nje qytetërim të lashtë, madje dhe një monedhë argjendi të Apollonisë së Ilirisë, si dhe 20 monedha bronxi të prodhuara në qytetin e Shkodrës, njëra prej të cilave me kokën e Jupiterit. Më tutje, në Mazrek, në një abaci të rrënuar benediktinësh, ai vëzhgon një mori fragmentesh skulpturash, ku në krah, ngrihet rrënoja e ndërtesës së lartë me një pamje të çuditshme. Danja ndodhet dy orë me kalë. Duhet të ndjekësh kodrinat përgjatë lumit Drin, por gjithçka që sheh, flet veç për braktisjen e këtyre vendeve historike. Ai ndalon të fotografojë Shapelën e Madonës, (Chapelle de la Madonne), dhe rrënojat e kishës së vogël të ngritur nga Skënderbeu e ndërtuar me gurë të bardhë e të kuq, plot dekorime e një vitrazh, ngritur “pas një fitoreje mbi ushtrinë veneciane” siç shkruan ai. “Nga një Shën Gjergj që lufton mbi kalë në sulm e sipër, ka mbetur vetëm trupi i tij i mbërthyer në hekura… një harresë e pafund dhe absolute që ndjell veç dhimbje”. “Peshkopi i fundit këtu, – shton ai, – ka qënë Guillaume Agieton-i, i urdhërit të Benediktinëve, i vdekur në vitin 1520, i cili, para se të vinte në Danja, kishte qenë peshkop në Angli”.
Mbresa të veçanta i kanë lënë udhëtimet e tij në Drisht e Koman. Degrand ishte erudit dhe një studiues që kërkonte të rrëmonte në kulturën e vjetër shqiptare, madje dhe atë antike. Një pikëtakim i befasishëm i tij është me kështjellën e Drishtit, që siç thotë ai, është i ndërtuar nga Helena franceze, mbretëreshë serbe dhe bijë e Badouin II, perandorit të fundit latin të Konstantinopojës, e cila kishte ndërtuar njëkohësisht dhe kështjellën e Shirgjit. HELENE. REGINE. EDIFICAVIT. HAC. EÇ. IN. ONORE. STORM.SGH. ET. BACHI… Kjo princeshë, para se të bëhej mbretëreshë e Serbisë, shkruan ai, “ishte e famshme për veprat e bamirësisë që bënte. Ishte ajo që e rindërtoi këtë kishë, e cila më parë ishte ngritur me urdhër të Justinianus I, siç shkruan Théophylatos”. Atij i vjen keq që gurët e muret e kësaj kishe të Saint Serge et Bachus, siç e shkruan ai, 30 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me një lartësi prej 15 metrash dhe me 6 dritare, të treten me kalimin e kohës. “Fshatarët e kishin bërë zakon të varrosnin të vdekurit në navatë (nef). Ata më thanë se duke gërmuar për një varr, kishin rënë në një bazament të gurtë me ngjyra. Mbase do të jetë një mozaik dhe do të kishte interes të dihej se çfarë konkretisht…” Por Degrand s’ka kohë të bëjë studime e kërkime. Ai vëzhgon atë çka i shfaqet, për të hulumtuar më pas në librat e historisë dhe në autorët antikë, apo më mirë në Iliricum Sacrum të Farlatit, i cili përmban një dokumentacion mjaft të pasur të historisë së Kishës Shqiptare në Mesjetë. Në kishën e Troshanit, ai gjen një fragment bazorelievi që i përkiste kishës së Shirgjit, si dhe një shqiponjë të gurtë, e cila po ngrihet në qiell të hapët.
Njohës i arkeologjisë dhe i kulturës së vjetër ballkanike dhe i antikitetit greko-romak, kur kishte ardhur në Shqipëri, ai kishte dëgjuar për fortesën e Dalmacies dhe Malin e Varrezave të Komanit, që gjendej në një të ngritur shkëmbore dhe në një qafë të rrezikshme të Drinit në lartësinë e 500 metrave. Të shkonte deri atje ishte një aventurë e rrezikshme, por kureshtja e madhe e shtyu që të shkonte, duke kapërcyer Drinin e rrëmbyeshëm me barkat e vogla të malsorëve. Ky udhëtim padyshim që e ka mrekulluar, siç e shkruan dhe në librin e tij. Zbulimi i këtyre varreve të vjetra është i papritur dhe i jashtëzakonshëm. Asnjë arkeolog nuk i ka zbuluar para tij. Bëhet fjalë për një nekropol tepër të lashtë. “Të gjitha varret janë të mëdha, – shkruan Degrand. – Në shumë prej tyre ka dy, tre madje dhe pesë skelete. Të vdekurit duhet të jenë varrosur bashkë me veshjet e tyre, pasi aty unë gjeta copa cohe, përmes të cilave shkonte gjilpëra e një fibule. Çdo varr kishte vathë, varëse dhe byzylykë… objekte bronxi, unaza, perla”. Një plakë që i ngjan një shtrige afrohet dhe i qorton fshatarët që po prekin varret e tyre, duke u kërkuar që t’i lënë ata në paqe. Fshatarët që ishin paguar mirë, kishin marrë një dele dhe po e piqnin në hell dhe ishin indiferentë nga mallkimet e plakës. Por pastaj ata iu kthyen: “Edhe ty plakë, ndonjë ditë, do të ç’varrosim si këta…” Por meqë nuk dua ta bëj armike ndaj meje dhe të vuaj, i çova një prift.” Ndërkohë, një grua tjetër, prej disa kohësh i vështronte me ankth, ndërkohë që burrat gërmonin sërrish. Ishte gruaja e njërit prej tyre që na solli fiq dhe rrush. Ka të drejtë të shqetësohet, pasi prifti më tregoi historinë e saj, një histori e trishtë e zakoneve të këtyre anëve. Ati i saj ishte vrarë e më pas dhe i fejuari i saj. E martuar tri herë rradhazi, burrat e saj ishin vrarë të gjithë në histori gjakmarrjeje dhe ky që ka tani është po ashtu në “gjak”.
“Inventari i gjetjeve të Komanit është i pasur, – shkruan Degrand: – 400 perla prej xhami me ngjyra, 14 qafore të mëdha prej bronxi, 27 zbukurime bronxi, 38 vathë dhe unaza prej bronxi e argjendi, 16 thika me maja, 8 byzylykë prej bronxi, etj. Kush ishin këta banorë që kujdeseshin për jetën e përtejme të tyre, duke i varrosur megjithë objektet e zbukurimit dhe që i transportonin deri në këtë vënd kaq të lartë, të vështirë për t’u ngjitur? Vallë isha në varret e një emigracioni pellazgjik? Megjithë mungesën e mbishkrimeve, monedhat dukej se tregonin se të tilla varre ngjanin me ato që kisha hapur në Samothrakë, por në ishullin e madh, pllakat e mëdha prej balte të pjekur zëvendësonin këtu pllakat e mëdha shkëmbore. Edhe atje, varret ishin në një kodrinë të ngritur. Pak nga pak, të larguar nga Greqia, këta pellazgë misteriozë, ndoshta të parët e shqiptarëve, ashtu si të mundurit, ishin strukur nëpër male.”
Një nga udhëtimet interesante të konsullit francez ishte dhe ai në drejtim të Mirditës, Oroshit, vënde që më parë i kishin shkelur disa udhëtarë të tjerë francezë, njëri prej të cilëve etnografi Guillaume Lejean, meqë sipas një traktati me Francën, katolikët e Mirditës prej shumë kohësh kishin mbrojtjen e mbretit të Francës. Udhëtimi nëpër Mirditë është i vështirë. Së pari katër orë nëpër lumë me një barkë të një modeli të vjetër, madje katër shekullor, siç thotë ai, barka të gjata e të holla që ai i ka parë madje dhe në monedhat e vjetra bizantine. Me vete ka një drogman si dhe një mirditor të quajtur Zef, nga Mnella. Në Mnellë ata ndalojnë të shlodhen dhe takohen me priftin e njohur Don Domenico. “Miku është i shenjtë, – shkruan Degrand. – Eshtë i dërguari i Zotit ! Sado të varfër të jenë, malësorët janë krenarë të presin miq!” Më pas, të shoqëruar dhe nga Don Domenico, ata u ngjitën gërxheve malore, ngjisin atë që quhet Shkalla e Malit, kalojnë urën e Fanit dhe marrin drejt Malit të Shenjtë, Shën Gjergjit, ku pas një udhe prej 12 orësh mbi kuaj, ata i pret Don Antonio Maggiore. Në Orosh është qendra e Mirditës. Prenk Bib Doda, biri i vetëm i prijësit të fundit, ka ikur në mërgim diku nga Azia, i përndjekur nga turqit dhe kulla e tij ishte djegur me urdhër të guvernatorit të Shkodrës. Pikërisht në Orosh, Degrand njihet me Monsignor Primo Doçi, një prift shqiptar. Bashkë vizitojnë Kishën e Aleksandrit, ku Degrand gjen një kryq me një mbishkrim interesant: “Këtë kryq argjendi e ka bërë Pal Dukagjini në vitin 1447”, kryq që u dëmtua nga zjarri që kishte rënë në kishë më 1896. Pikërisht në Mirditë, Degrand njihet më hollësisht me ligjet e Kanunit dhe të Gjakmarrjes. Kanuni i Lek Dukagjinit thoshte se “2 plagë, vlejnë një gjak… se “gjaku nuk humbet”. “Kur ai rrjedh, ai duhet rimarrë”. “Nëse anëtari i një familje ku duhet marrë gjaku është prift, – shkruan Degrand, – ai nuk ngacmohet. Kur një njeri vdes nga vrasja, atë nuk e lajnë… Gratë janë jashtë gjakmarrjes, si të thuash ato janë të paprekshme, të shenjta. Kur një grua vritet, burri duhet të marrë gjakun e saj. Nëse ai nuk e bën, familja e gruas ka të drejtë ta vrasë burrin e ve… Kur meshkujt e një familje janë vrarë, është gruaja që duhet të marrë gjakun e tyre… Ka ca kohë që një fëmijë 11 vjeçar u vra nga një e shtënë pushke. Një ditë, para shtëpisë së saj kaluan dy burrat e kushërinjve që i kishin vrarë djalin dhe burrin. Ajo i ftoi në shtëpi, madje u tha të flinin, por ata ikën në një kullë tjetër. Ajo e mori vesh vëndin ku kishin shkuar, shkoi natën dhe i vrau që të dy. Por meqë vrasja u bë nga një nënë, ajo nuk u ndëshkua nga kanuni.” “Kam takuar një grua që kishte mbetur vetëm dhe që i kishte hequr rrobat e vajzërisë dhe ishte veshur si malsor. Gjithnjë e armatosur, ajo merr pjesë në kuvendet e burrave… Ndodh që dy gjaksa, të ndodhen në të njëjtën shtëpi të një miku. Por ata hanë bashkë dhe bisedojnë. Armiku që shoqërohet nga nga një mik a një i huaj, nuk vritet, pasi turpëron gjithë tribunë… Për sa kohë që dikush nuk e ka marrë gjakun, gotën e rakisë ia ofrojnë nën këmbë dhe lugën në sofër ia vendosin në të kundërt.”
Një ditë, në hyrje të katedrales së Shkodrës ai kishte parë një ngjarje që do t’i mbetej gjatë në kujtesë. Ishte dita e festës së patrones së Shqipërisë, Zonjës së Këshillës së Mirë (Notre-Dame de Bon Conseil). Për të marrë pjesë në atë festë, njerëzit kaptonin tri-katër male që të vinin aty. “Në prag të festës, një malësor nga Planti, dalloi mes turmës një nga të tribusë së Shkrelit, të cilët i kishin vrarë atin e tij. Ai i ndoqi ata, u afrua në oborrin e katedrales, por nuk i vrau atje. Priti në rrugë. Kur njerëzit dolën nga kisha, ai e qëlloi atë me revolver në kokë dhe thirri: “E mora gjakun që më detyrohej!” – dhe iku me vrap. Mbërrita në atë moment dhe pashë në tokë kufomën që dergjej. Njerëzit rrotull e njohën nga rrobat dhe thirrën: “Shkoni në katedrale të shihni se kush është nga Shkreli”. Nje vajzë malësore që erdhi nga grupi i grave e njohur kushëririn e saj. Ajo qëndroi pranë tij duke qarë në heshtje. Në atë çast, një prift çau mes turmës dhe iu afrua të plagosurit që po vdiste…” “Burri këtu duhet të vdesë gjatë një luftimi. – shkruan Degrand në faqet e atij libri. – Ai që vritet duke luftuar apo nga gjakmarrja është i sigurt se do të ngjitet në qiell”. Dhe më tutje ai shton: Shprehja “ti do të vdesësh pa zbrazur koburet e tua, është një fyerje e madhe për një malsor”.
Qyteti i Shkodrës është ai që e tërheq më shumë: hanet janë plot zhurmë dhe argjendarët duket se janë krenaria e këtij pazari. “Pas pazarit të Stambollit ia vlen t’a vizitosh pazarin e Shkodrës, – shkruan ai për atë pazar që shtrihej e zgjatej buzë rrugës mbi dy kilometra. Një përshtypje akoma më të madhe i bëjnë mjediset e brëndëshme të shtëpive shkodrane, me orendi të rënda dhe jastekë të ardhur nga Gjenova e Venediku. “Larmia e pafund e kostumeve, sidomos e grave, është këtu e jashtëzakonshme; gra mirditore nga Shkreli e Shllaku, veshur me xhubletat e rënda prej leshi kuq e zi, me bluzat e me pala e të zbukuruara nga supore me thekë të kuq leshi, të shtrënguara me rrip të gozhduar e kallajisur, me kësulën e zezë mbi kokë e zbukuruar me argjend; gra mirditore, sllave nga Vraka me gërshetat e zeza të vajisura me kujdes e zbukuruar me guaska të bardha, me rripa të gjerë prej bakri, me rroba të fryra e të rënda zbukuruar me pllaka të prera bakri; gra nga Shala, të njohura për bukurinë e tyre, malësore të veshura me rrobat e tyre të festës, plot stoli të mëdha prej argjendi… kalojnë para jush plot elegancë e me pushtet.” Vështrimi i tij është aq i mprehtë, sa ai nuk harron të shkruajë përsëri për bestytnitë e malsorëve të veriut, besimin tek xhindet, tek shpirti i së keqes, syrit të keq, etj.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Degrand vizitoi dhe Shqipërinë e Mesme. Duke zbritur drejt jugut, ai tregon për vizitën në kështjellën e Lezhës, ku pamja që i ofrohet para syve e impresionon me imazhet e Krujës, bregut shqiptar të Adriatikut dhe tutje siluetat e Durrachiumit të lashtë. “Pikërisht këtu ka vdekur Konstandin Duka duke luftuar me trupat e Robert Guiscard”- shkruan ai, pa harruar të përmëndë tërmetet e mëdha që shembën tempujt e hatashëm të tij, apo historinë e Hygut të Madh (kryqtar i famshëm frank) anijet e të cilit u mbytën në brigjet e këtij qyteti. “Për tetë orë, një kalë i mirë ju çon nga Durrësi në Tiranë… Shumë bejlerë të Tiranës vishen në mënyrë evropiane, flasin e shkruajnë shumë bukur frëngjishten. Madje ketej kam dëgjuar dikë të këndojë një këngë të ngjashme me “Marsejezën”. Kjo kishte ndodhur në shtëpinë e Fuat Beut, i cili e kishte pritur baronin francez i veshur në mënyrë evropiane dhe ku fëmijët e tij studionin në Paris.
Pas kthimit në Paris, gjetjet e tij në varrezat e Komanit, baron Degrand i dorëzoi në Muzeun e Antikiteteve Kombëtare në Saint-Germain-en-Lay, pranë Parisit dhe dikur seli e mbretërve të Francës, një muze ky i krijuar nga Louis XIV. Edhe sot, gjetjet e Komanit, janë të ekspozuara në Sallën e “Arkeologjisë së Krahasuar”, ku një kënd mban mbishkrimin “Albanie”, për të dëshmuar kështu për qytetërimet e hershme evropiane në Ballkan. Por shpejt, ai do t’i rikthehej përsëri Ballkanit, kësaj rradhe si konsull në Mostar, ku do të ulej të shkruante librin e tij aq të njohur dhe referencë për studjuesit „Souvenirs de la Haute Albanie” (Kujtime nga Shqipëria e Epërme)…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu