Autor i masakrës, djali i mësueses

0
236

Newtown, 14 dhjetor – (E plotësuar) Ryan Lanza, një 24 vjeçar, djali i njërës prej mësueseve në shkollën katërvjeçare fillore Sandy Hook në qytetin Newtown, është identifikuar si sulmuesi i cili ka hyrë në shkollë dhe ka vrarë 18 fëmijë, shtatë të rritur, kurse në fund edhe veten.  
Sipas gazetës New York Times, ai së pari ka vrarë nënën e tij, mësueses në këtë shkollë, kurse pastaj 18 nxënës të klasës së saj dhe në fund edhe shtatë persona të rritur, para se të ekzekutojë edhe veten.
Sipas agjencisë Reuters, Lanza ka hapur zjarr në klasën ku punonte nëna e tij. 
Sipas mediumeve amerikane, supozohet se në fund ai ka vrarë veten, pas arritjes së policisë në vendin e ngjarjes.
Raportohet se policia ka arrestuar vëllanë e tij të vogël, për shkak të dyshimit se ka ndihmuar në sulm.
Pos viktimave në shkollë, edhe e dashura e vrasësit dhe një mik i saj nga New Jersey llogariten si të zhdukur dhe dyshohet të jenë vrarë.
Sulmi është kryer me pushkë automatike 57 mm, i tha agjencisë AP një burim në Washington. 
Sipas rrjetit televiziv CNN, në mesin e viktimave janë edhe drejtori dhe psikologu i shkollës.
Hetimet do të tregojnë nëse në këtë sulm ka marrë pjesë aktive edhe dikush tjetër, pasi disa dëshmitarë pohuan se janë dëgjuar të shtëna të njëkohshme nga dy anë.

Bilanc tmerrues i sulmit mbi një shkollë në SHBA, 27 të vrarë

Newtown, 14 dhjetor – 19:23 – Gjatë të shtënave me armë në një shkollë në qytetin Newtown të shtetit Connecticut të SHBA-së, sot janë vrarë të paktën 27 njerëz, në mesin e të cilëve edhe 14 fëmijë, njoftoi rrjeti televiziv CBS, derisa agjencia amerikane e lajmeve AP raporton për 18 fëmijë të vrarë, duke iu referuar një burimi zyrtar por të paidentifikuar. Sipas të dhënave të para është vrarë edhe sulmuesi, një person madhor te i cili janë gjetur dy lloje armësh. 

Sipas agjencisë britanike Reuters, shkollën në të cilën u krye sulmi i sotëm e ndjekin fëmijët e moshës nga 5-10 vjeçare.

Në xhirimet televizive shihen policët dhe autoambulancat në vendin e ngjarjes, si dhe prindërit duke ngarendur drejt shkollës. 

Newtown ka 27 000 banorë dhe gjendet 130 kilometra në verilindje të New Yorkut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu